Shqipëria është në bashkëpunim të plotë me Bashkimin Europian në hartimin e politikave publike në shërbim të zhvillimit rural.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Anila Denaj gjatë vizitës zyrtare në Bruksel, me strukturat e Komisionit Evropian , zhvilloi një takim edhe me drejtuesit e DG AGRI (Drejtoria e Përgjithshme për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural), në Komisionin Europian, ku shprehu objektivin ambicioz të qeverisë për zhvillimin e një bujqësie të qëndrueshme, sipas standardeve europaine.
“Gjatë vizitës në Bruksel me strukturat e Komisionit Evropian, me zv.ministrat Adela Xhemali dhe Enio Civici, zhvilluam një takim me drejtuesit e DG AGRI, dhe Drejtorisë së Përgjithshme për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural, ku diskutuam politikat publike në shërbim të zhvillimit rural”, tha ministrja Denaj.
Ministrja theksoi se fokus është zbatimi i politikave të integrimit europian dhe programeve të zhvillimit bujqësor dhe rural, me qëllim arritjen e objektivave strategjikë kombëtarë për arritjen e standardeve europiane në mbështetje të fermerëve dhe ndërmarrjeve agropërpunuese.
Denaj vlerësoi bashkëpunimin e shkëlqyer që kemi me të gjitha strukturat e BE, teksa theksoi se, “Shqipëria po ndjek dhe përfiton nga eksperienca e vendeve që kanë kaluar procesin e anëtarësimit përpara vendin tone”.
“Mbetemi të angazhuar në përmbushjen e të gjitha kritereve në procesin e negociatave, ku partnerët kanë një rol të rëndësishëm”, deklaroi ministrja Denaj.