Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj zhvilloi sot një takim me sekretarin e përgjithshëm të Institutit për Studime të Avancuara Agronomike Mesdhetare (CIHEAM), Teodoro Miano.
Ministrja Denaj bëri të ditur se gjatë takimit u diskutua rreth ecurisë së projekteve të përbashkëta që po zbatohen në vendin tonë, kryesisht për përmirësimin e infrastrukturës së sigurisë ushqimore, vlera e të cilave llogaritet 5.4 milionë euro.
“Jemi duke zbatuar disa projekte bashkë me CIHEAM, me financim total 5.4 milionë euro nga qeveria italiane, në lidhje me përmirësimin e infrastrukturës laboratorike për sigurinë ushqimore”, tha Denaj.
Po ashtu, ajo informoi se me CIHEAM po bashkëpunohet edhe për forcimin e kapaciteteve në shërbimin veterinar, nëpërmjet vlerësimit të bagëtive dhe kompjuterizimit të të dhënave.
Ndërsa një drejtim tjetër, ku është fokusuar bashkëpunimi mes dy institucioneve është edhe përmirësimi i standardeve të sigurisë ushqimore në zinxhirin e prodhimit te produkteve tipike lokale shqiptare
“CIHEAM po mbështetet institucionet në sektorin e bujqësisë dhe peshkimit drejt përafrimit me standardet europiane”, bëri të ditur Denaj.
Qendra Ndërkombëtare për Studime të Avancuara Agronomike Mesdhetare (CIHEAM) është një organizatë që për 61 vjet kontribuon për të promovuar bashkëpunimin shumëpalësh në fushat e bujqësisë, të ushqimit, peshkimit dhe menaxhimit të territoreve rurale, duke pasur si qëllim t’i përgjigjet nevojave të shteteve dhe aktorëve të agroushqimit.
CIHEAM është një organizatë ndërqeveritare mesdhetare e përbërë nga trembëdhjetë shtete anëtare (Shqipëria, Algjeria, Egjipti, Spanja, Franca, Greqia, Italia, Libani, Malta, Maroku, Portugalia, Tunizia. dhe Turqia).
Qendra bashkon 4 Institute Agronomike Mesdhetare: CIHEAM Bari (Itali), CIHEAM Chania (Greqi), CIHEAM Montpellier (Francë), CIHEAM Zaragoza (Spanjë), si dhe një Sekretariat të Përgjithshëm, selia e organizatës, me seli në Paris (Francë).
CIHEAM ka një histori të gjatë bashkëpunimi shumëpalësh dhe rajonal. Ajo ofron programe edukimi dhe trajnimi, kërkime, asistencë teknike dhe ngritje kapacitetesh në shumë të bujqësisë dhe zhvillimit rural. Kjo organizatë punon me administratat publike, universitetet dhe qendrat kërkimore, autoritetet lokale, aktorët e shoqërisë civile dhe bizneset për të përmbushur nevojat e popullsive dhe territoreve mesdhetare.