Sot morëm një vendim të rëndësishëm për sektorin e arsimit të lartë në Shqipëri, që sjell mundësi të reja për studentët me miratimin e projektmarrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Universitetit Kombëtar të Arsimit në Distancë, Spanjë, (UNED) i cili synon hapjen e kampusit universitar në qytetin e Gjirokastrës.
UNED është një prej universiteteve në botë me modalitetet e studimit në distancë dhe ato të përzier. Një Universitet shtetëror i Spanjës dhe që do të sjellë një seri programesh studimi në tre ciklet e studimit por edhe kurse të formimit profesional përgjatë gjithë jetës. Janë më shumë se 30 programe të studimit të ciklit bachelor, më shumë se 80 programe të ciklit master dhe 20 programe doktorature që ky Universitet ofron në të gjithë vendet e botës. Hapja e këtij Universiteti në Gjirokastër hap një tjetër perspektivë zhvillimi për arsimin e lartë në Shqipëri dhe veçanërisht në Gjirokastër, ku do të lidhen dhe programet e studimit me trashëgiminë kulturore, me turizmin dhe të gjitha aspektet e zhvillimit ekonomik.
Është një ofertë e re akademike që jemi të bindur që do të gjejë përkrahje nga studentët shqiptarë por dhe ata të rajonit. Ky universitet do të vijë me të gjitha standardet dhe akreditimin, i cili do të bëhet nga Spanja. Do të kemi mundësi që diplomat, gradat dhe titujt të njihen automatikisht sipas kësaj marrëveshje, kështu që krijohen lehtësira për studentët shqiptarë dhe ato të rajonit dhe gjithashtu kemi dhe një ofertë të re akademike në Shqipëri.