Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi, ka bërë bashkë kryetarë dhe nënkryetarë të bashkive nga e gjithë Shqipëria, punonjës të sektorit të rinisë, organizatat ndërkombëtare dhe ato kombëtare, si dhe anëtarë të Këshillave Vendor Rinor (KVR) dhe Këshillit Kombëtar Rinor, në konferencën kombëtare “Këshillat Vendor Rinor – Të rinjtë një hap më pranë vendimmarrjes”.
Në fjalën e saj, ministrja Muzhaqi theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes qeverisjes qendrore dhe asaj vendore, për zbatimin e politikave rinore në vend.
“Jemi të vendosur të fuqizojmë dhe promovojmë potencialin e të rinjve në çdo qytet të Shqipërisë, ndaj është e rëndësishme angazhimi i njësive të vetëqeverisjes vendore për ngritjen e KVR-ve”, kjo sipas ministres, jo vetëm si një strukturë formale por edhe si një entitet funksional që këshillon dhe harton dokumente për politikat rinore në nivel lokal.
Nga kryesia e konferencës, ministrja përgjegjëse për rininë deklaroi se numri i bashkive që e kanë ngritur tashmë KVR-në është i ulët.
“Që nga miratimi i ligjit ‘Për rininë’ në vitin 2019-të, e deri më tani, ka qenë kohe e mjaftueshme për ngritjen e këtij këshilli, por vëmë re se numri i bashkive që e kanë formalizuar KVR-në është tepër i ulët”.
Ndër të tjera ajo ka përgëzuar të gjithë kryetarët e bashkive, se bashku me ekipet e tyre, të cilët kanë bërë të mundur ngritjen e kësaj strukture.
Kjo konferencë, e cila u organizua me mbështetjen e Olof Palme Center dhe rrjetit të organizatave POP, kishte në themel të saj promovimin dhe bashkëpunimin e mëtejshëm midis qeverisjes vendore dhe KVR-ve, si dhe partneritetin efektiv për funksionimin dhe qëndrueshmërinë e këtij organi këshillimor.
Këshilli Vendor Rinor shërben si mekanizëm ndërlidhës ndërmjet bashkisë dhe komunitetit rinor, për të evidentuar problematikat dhe sfidat që hasen nga të rinjtë në territorin ku jetojnë, njëkohësisht edhe për rritjen e përfshirjes së tyre në politikëbërje.