Ministrja Ibrahimaj: Ekonomia vijon ecurinë pozitive, u rrit me 4.23 % për 9 mujorin 2022 - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Ministrja Ibrahimaj: Ekonomia vijon ecurinë pozitive, u rrit me 4.23 % për 9 mujorin 2022

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, zhvilloi një konferencë për shtyp, ku bëri një prezantim dhe analizë të treguesve kryesorë makroekonomikë për vitin 2022.

Ministrja theksoi faktin se ecuria ekonomike ka rezultuar më pozitive se sa pritshmëritë, pavarësisht se viti 2022 është rrethuar nga shumë pasiguri dhe është ndikuar kryesisht nga çmimet në tregjet ndërkombëtare dhe efektet e luftës në Ukrainë.

Referuar dhe shifrave më të fundit të publikuar nga INSTAT, Ministrja Ibrahimaj tha se rritja ekonomike për periudhën 9 mujore ishte 4.23 %, ndërsa Ministria e Financave dhe Ekonomisë vijon të parashikojë që viti 2022 të mbyllet me një rritje ekonomike prej 3.7 %.

“Për tremujorin e tretë rritja ekonomike ishte 4.02 %, duke e çuar rritjen e 9 mujorit në 4.23 % në krahasim me vitin e kaluar. Kjo është rritje reale e ekonomisë, e zhveshur nga ndikimet e çmimeve dhe efektet e tyre në komponentin e rritjes ekonomike. Pritshmëria jonë për mbylljen e vitit 2022 vijon të mbetet në nivelin 3.7 % dhe ecuria e treguesve të tremujorit të katërt vijon të mbështesë këtë ecuri të rritjes ekonomike”, u shpreh Ibrahimaj.

Ministrja theksoi faktin se rritja ekonomike ka qenë e shpërndarë në të gjithë sektorët e ekonomisë, ndërkohë që konsumi final i popullatës, i cili përbën dhe pjesën më të madhe të shpenzimeve të ekonomisë shqiptare, ka rezultuar me rritje pozitive prej 8.9 %, ndërsa me rritje prej 7.12 % ka rezultuar dhe formimi bruto i kapitalit fiks, i cili përafron investimet në vend.

“Ecuria ekonomike është ndikuar më së shumti nga qarkullimi i të gjithë sektorëve, i cili për periudhën 11 mujore janar-nëntor ka rezultuar me një rritje totale prej 21 %”, vijoi Ministrja.

Ecuri pozitive gjatë vitit 2022 kanë shënuar edhe tregues të tjerë të ekonomisë, si kredia për sektorin privat dhe kredia konsumatore; remitancat të cilat janë rritur me 9.8 % për periudhën 9 mujore; investimet e huaja direkte, flukset e të cilave janë rritur me 35 % për 9 mujorin; papunësia është ulur në 10.6 % në tremujorin e tretë; paga mesatare e cila është 9.18%  më e lartë; paga minimale e cila është rritur dy herë gjatë vitit 2022; si dhe përmirësimi i aktivitetit të biznesit, ku në muajin nëntor numri i bizneseve aktive të regjistruara është 125.971 biznese ose 8.2 % më shumë në krahasim me fundin e vitit 2021, ndërkohë që bizneset e reja të regjistruara janë rritur me 4.7 %.

Sa i përket nivelit të të ardhurave, Ministrja tha se ato për periudhën 11 mujore janë rritur me 14 %, ndikuar nga ecuria ekonomike dhe nga niveli i çmimeve, ndërsa shpenzimet për 11 mujorin janë rritur me 4.4 % në krahasim me 11 mujorin e vitit 2021.

Ministrja Ibrahimaj theksoi se treguesit kryesorë makroekonomikë gjatë vitit 2022 kanë qenë në konsolidim dhe tendenca konsoliduese e politikave fiskale të ndjekura nga qeveria shqiptare duket ndjeshëm në treguesin e borxhit publik, i cili ka ardhur në reduktim. Sipas Ministres, në tremujorin e tretë të vitit 2022 niveli i borxhit arriti në 67.7 %, ndërsa pritet që deri në fund të vitit niveli i borxhit të shkojë në 68.8 % dhe të vijojë të reduktohet në periudhat në vijim.

Inflacioni në vend u ul për herë të parë në 7.9 % në muajin nëntor, nga 8.3 % që ishte në muajin tetor. Ministrja Ibrahimaj tha se kjo normë inflacioni vijon të mbetet ndjeshëm më e ulët se normat e rajonit apo BE-së, ku për periudhën 11 mujore inflacioni mesatar në vend ka qenë 6.7 %, gati sa gjysma e inflacionit të Maqedonisë së Veriut dhe ndjeshëm më ulët se sa në Serbi, Kosovë dhe Mali i Zi, si dhe më e ulët se sa mesatarja e vendeve të BE, e cila është 9 %.

 

Ministrja Ibrahimaj:

Përshëndetje të gjithëve,

Mirë se erdhët në konferencën e fundit për vitin 2022. Ju falënderoj të gjithëve për komunikimin e vazhdueshëm që kemi pasur. Ky nuk ka qenë një vit i lehtë, pasi ka qenë një vit i rrethuar me pasiguri të larta të cilat nuk janë materializuar ashtu siç ne prisnim, gjë që ka ndodhur edhe në vitet e mëparshme. Pra, ecuria e ekonomisë ka rezultuar më pozitive se pritshmëria, siç kemi biseduar edhe në muajt e mëparshëm.

Efektet e krizës sigurisht që janë ndjerë në elementë të ndryshëm, si normat e larta të inflacionit apo ngadalësim të importeve apo eksporteve në vëllim, të ndikuar kryesisht nga ato produkte të cilat kanë pasur rritjen më të madhe të çmimeve. Megjithatë, në tërësi viti ka shfaqur ecuri pozitive ekonomike dhe shifrat më të fundit të INSTAT, të cilat u bënë publike gjatë javës së kaluar, e tregojnë më së miri këtë. Për tremujorin e tretë rritja ekonomike ishte 4.02 %, duke e çuar rritjen e 9 mujorit në 4.23 %. Kjo është rritje reale e ekonomisë dhe e zhveshur nga ndikimet e çmimeve dhe efektet e tyre në komponentin e rritjes ekonomike.

Pritshmëria jonë për mbylljen e vitit 2022 vijon të mbetet në nivelin 3.7 % dhe ecuria e treguesve të tremujorit të katërt vijon të mbështesë këtë ecuri të rritjes ekonomike.

Përsa i përket krahasimit me vendet e rajonit, rritja ekonomike e tremujorit të tretë prej 4.02 % ka qenë rritja më e lartë në rajon, ku Kosova është rritur me 2.7 %, Maqedonia e Veriut me 2 %, Mali i Zi me 2.8 % dhe Serbia me 1 %. Ka pasur një ngadalësim të rritjes në të gjithë vendet e rajonit në krahasim me tremujorin e dytë të vitit.

Sa i përket analizës sipas sektorëve, përgjithësisht rritja ka qenë e shpërndarë në të gjithë sektorët. Me rritje ka rezultuar sektori i bujqësisë, ndikuar kryesisht nga bujqësia dhe blegtoria. Ndërtimi ka vijuar të japë kontribut pozitiv në rritje dhe rritja ka qenë 10.66 %, ndërkohë që kontributi në rritje ka qenë 0.99 %. Tregtia, transporti dhe akomodimi ushqimor është një tjetër sektor që ka rezultuar në rritje dhe kontribut pozitiv në rritje, me një kontribut 1.94 % dhe sigurisht kjo ecuri është ndikuar qoftë nga akomodimi dhe shërbimi ushqimor, i cili për tremujorin e tretë ka pasur një rritje prej rreth 25 % duke ndikuar ecurinë e gjithë këtij sektori. Edhe tregtia me shumicë ka pasur ecuri pozitive. Me rënie është shfaqur industria me 1.38 % dhe kontribut negativ në rritje. Në këtë ecuri ka ndikuar kryesisht ecuria e industrisë nxjerrëse, e cila gjatë gjithë vitit ka qenë e karakterizuar nga çmimet, të cilat kanë ndikuar prodhimin në këtë sektor. Ndërkohë, industria përpunuese, pra manifaktura e lidhur kryesisht me kërkesën e huaj, fasonët apo prodhimet e drurit, kanë rezultuar me rritje pozitive dhe kontribut pozitiv në rritjen në këtë sektor. Gjithashtu, edhe energjia elektrike ka pasur një ndikim pozitiv në ecurinë e këtij sektori.

Përsa i përket metodës së shpenzimeve, konsumi final i popullatës ka vijuar të jetë me rritje pozitive rreth 8.09 %. Siç është analizuar edhe më parë, konsumi final i popullatës përbën pjesën më të madhe të shpenzimeve të ekonomisë shqiptare, rreth 70 % të saj, dhe ka ndikimin më të madh në rritjen ekonomike. Nga ana tjetër, edhe formimi bruto i kapitalit fiks, i cili përafron investimet në vend, ka rezultuar me një rritje prej 7.12 %, i ndikuar kryesisht nga sektori i ndërtimit, i cili për tremujorin e tretë është rritur me 10.66 %. Gjithashtu, kemi pasur një rritje pozitive të eksporteve dhe të importeve të mallrave dhe shërbimeve.

Ecuria ekonomike është ndikuar më së shumti nga qarkullimi i të gjithë sektorëve, i cili për periudhën 11 mujore janar-nëntor ka rezultuar me një rritje totale prej 21 %.

Rritja ka qenë e shpërndarë në të gjithë sektorët. 50 % e qarkullimit përbëhet nga sektori i shërbimit, i cili gjatë këtij viti është rritur me 11 %, ndërkohë që kemi pasur rritje pozitive në sektorin e prodhimit me 25 %, në sektorin e ndërtimit me 17 %, në transport me 28 % dhe në sektorin e tregtisë më 24 %.

Nga ana e financimit, ecuria ekonomike është mbështetur nga ecuria e kredisë e cila për tremujorin e tretë për sektorin privat ka vijuar të mbetet me norma dyshifrore, rreth 12 %.

Përsa i përket financimit të konsumit, kredia konsumatore gjithashtu është rritur në tremujorin e tretë në nivelin 9.6%, ndjeshëm më i lartë krahasuar me vitin 2021 dhe i përafërt me fillimin e vitit 2022. Kjo ecuri e kësaj kredie sigurisht që tregon për prirjen e konsumatorëve për konsum dhe besimin e tyre në ekonomi.

Një burim i rëndësishëm i financimit të konsumit, por edhe i financimit të kursimeve të individëve, janë edhe remitancat të cilat gjatë këtij viti kanë shfaqur tendencë rritëse duke u rritur me 9.8 % në krahasim me 9 mujorin e një viti më parë.

Gjithashtu, investimet e huaja direkte kanë shfaqur rritje gjatë këtij viti. Flukset hyrëse të investimeve të huaja direkte për 9 mujorin e parë janë rritur me 35 % në krahasim me vitin e kaluar, ndërkohë që stoku i përgjithshëm i tyre është rritur me 18.5 % në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Flukset hyrëse të investimeve të huaja direkte kanë qenë të shpërndara në të gjithë sektorët dhe kanë pasur rritje në krahasim me vitin e kaluar në të gjithë sektorët. Megjithatë, sektori i pasurive të paluajtshme ka shfaqur rritjen më të lartë duke arritur vlerën 225 milionë euro ose 60 % më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë. Gjithashtu, industria nxjerrëse; energjia elektrike, gazi dhe furnizimi me ujë; industria përpunuese dhe aktivitetet financiare të sigurimit kanë pasur rritje të flukseve hyrëse të investimeve të huaja direkte.

Doja të ndalesha të inflacioni, i cili ka qenë kryefjala dhe tema që kemi diskutuar më shumë gjatë vitit 2022. Sigurisht që ky vit ka pasur norma inflacioni të cilat prej vitesh nuk ishin shfaqur, të ndikuar më së shumti nga çmimet ndërkombëtare dhe efekti i luftës ruse në Ukrainë. Megjithatë, për herë të parë në muajin nëntor ne patëm një normë mesatare inflacioni mujor më të ulët në krahasim me muajin tetor. Uroj që kjo të vijojë të jetë një tendencë rënëse, duke qenë se edhe gjatë periudhës së fundit të vitit të kaluar inflacioni filloi të shfaqte tendencë rritëse dhe baza e inflacionit në vijim do të jetë më e lartë se sa ajo e deritanishme.

Inflacioni në muajin nëntor arriti në nivelin 7.9 % nga 8.3 % që ishte në muajin tetor duke u ulur për herë të parë gjatë këtij viti.

Ky inflacion vijon të mbetet ndjeshëm më i ulët se normat e rajonit apo BE-së. Në mesatare të 11 mujorit, ne kemi pasur një normë inflacioni prej 6.7 %, e cila është sa gjysma e inflacionit të Maqedonisë së Veriut, por ndjeshëm më e ulët dhe se sa në Serbi, Kosovë dhe Mali i Zi, si dhe më e ulët se sa mesatarja e vendeve të BE, e cila ka qëndruar në nivelin 9 %. Sigurisht që ndikimin dhe kontributin kryesor në inflacion e ka kategoria e ushqimeve dhe e pijeve, e cila ka pasur norma rritje të çmimeve më të larta se sa norma e përgjithshme e inflacionit. Por, edhe në këtë tregues Shqipëria ka performuar ndjeshëm më pozitivisht se sa vendet e tjera të rajonit.

Në muajin nëntor, inflacioni total në Shqipëri shënoi 7.9 %, inflacioni i ushqimeve dhe pijeve shënoi 14.7 %, ndërsa në Maqedoninë e Veriut 29.8 %; 22.5 % në Serbi; 17.9 % në Kosovë dhe 30.2 % në Malin e Zi, ndërkohë inflacioni i ushqimeve dhe pijeve në mesataren e vendeve të BE ka shënuar 17.9 %.

Sa i përket tregut të punës, shkalla e papunësisë për tremujorin e tretë ka rezultuar në nivelin më të ulët të viteve të fundit 10.6 %. Reduktimi i shkallës së papunësisë është ndikuar nga ecuria më e mirë e tregut të punës, qoftë në treguesit e punësimit, qoftë në treguesit e financimit të punësimit, pra të pagave. Paga mesatare në tremujorin e tretë ka qenë 61.613 lekë ose 9.18 % më e lartë në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Nga ana tjetër, edhe paga minimale dhe ndërhyrjet që qeveria kë bërë në nivelin e pagës minimale kanë pasur një ndikim në ecurinë e pagës mesatare në tërësi dhe do të vijojnë të kenë ndikim edhe për periudhat në vijim duke qenë se në tremujorin e tretë ne kemi vendosur të rrisim më tej pagën minimale dhe gjatë vitit të ardhshëm gjithashtu.

Përsa i përket të ardhurave dhe shpenzimeve, kemi realizuar gjatë gjithë këtij viti ecurinë pozitive të të ardhurave. Në nivel 11 mujor të ardhurat janë rritur me rreth 14 %, ku ndikim kryesor kanë pasur të ardhurat nga TVSH-ja si dhe të ardhurat nga kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Të ardhurat nga TVSH për periudhën 11 mujore janë rritur me 14 % në krahasim me një vit më parë, normë kjo ndjeshëm më e lartë se sa norma e inflacionit. Pra, niveli i të ardhurave është ndikuar gjatë vitit 2022 nga ecuria ekonomike, por edhe nga niveli i çmimeve. Sa i takon shpenzimeve, në nivel 11 mujor ato janë rritur me 4.4 % në krahasim me 11 mujorin e vitit 2021.

Treguesit kryesorë makroekonomikë kanë qenë gjatë vitit 2022 në konsolidim dhe tendenca konsoliduese e politikave fiskale të ndjekura nga qeveria shqiptare duket ndjeshëm në treguesin e borxhit publik, i cili ka ardhur në reduktim. Në tremujorin e tretë të vitit 2022, niveli i borxhit arriti në 67.7 %, ndjeshëm më i ulët se sa norma e një viti më parë ku në fund të vitit 2021 ky nivel ishte 73.2 %. Ne presim që deri në fund të vitit niveli i borxhit të shkojë në 68.8 % dhe të vijojë të reduktohet në periudhat në vijim.

Aktiviteti i biznesit ka ardhur në përmirësim gjatë vitit 2022. Numri i bizneseve të regjistruara aktive në nëntor të vitit 2022 është 125.971 biznese ose 8.2 % më shumë në krahasim me fundin e vitit 2021. Në rritje ka ardhur numri i bizneseve të reja të regjistruara, ndërkohë që numri i bizneseve të çregjistruara ka ardhur në ngadalësim. Pra, totali i aktivitetit të bizneseve përbëhet nga rritja e numrit të bizneseve të regjistruara dhe rënia e numrit të bizneseve të çregjistruara, të cilat në vitin 2022 kanë rënë me 15.2 %, ndërkohë bizneset e reja të regjistruara janë rritur me 4.7 %.

Së fundmi doja të ndalesha te analiza e treguesve të tregtisë së jashtme, që gjatë gjithë vitit kanë qenë pozitive sa i takon vlerave të importeve dhe të eksporteve, ndërkohë që vëllimet në nivel 11 mujor kanë ardhur në ngadalësim. Sigurisht që ngadalësimi i vëllimeve është ndikuar kryesisht nga tregtia e mineraleve dhe lëndëve djegëse, të cilat gjatë gjithë vitit janë ndikuar nga ecuria e ngadaltë e çmimeve, që domosdoshmërisht është lidhur me vëllimet e importeve dhe eksporteve. Megjithatë, eksportet e produkteve të cilat lidhen me industrinë prodhuese vendase kanë ardhur në rritje gjatë vitit 2022, në vlerë dhe në vëllim. Në nivel 11 mujor për periudhën janar-nëntor importeve e ushqimeve, pijeve dhe duhanit, të lidhura ngushtë me industrinë përpuese, agropërpunuese, por edhe me bujqësinë, janë rritur në vëllim me 11.4 %, ndërsa në vlerë me 14.8 %. Gjithashtu, eksportet e tekstileve, të lëkurës, të produkteve kimike dhe plastike, të gjitha këto kategori të cilat lidhen ngushtësisht me manifakturën dhe me industrinë prodhuese vendase, në nivel 11 mujor kanë qenë me ecuri pozitive.

Ne presim që ekonomia shqiptare të vijojë të performojë pozitivisht dhe në tremujorin e katërt, duke rezultuar në një rritje totale prej 3.7 %, ndërkohë që gjatë vitit të ardhshëm të gjithë faktorët tregojnë për një parashikim që ne kemi bërë në nivelin 2.6 %. Ne i qëndrojmë parashikimit të rritjes prej 2.6 % për vitin 2023, bazuar në treguesit e deritanishëm të ekonomisë dhe bazuar në treguesit e ekonomisë së huaj, e cila do të ndikojë ecurinë vendase edhe për periudhat në vijim.

Ju faleminderit për vëmendjen.

Previous Kumbaro: Vitin e ardhshëm mbështesim 6 bashki bregdetare në procesin e pastrimit