Ministrja Ibrahimaj në interpelancë: Procesi i Rindërtimit tërësisht transparent, mbështetëm qytetarët dhe bizneset - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Ministrja Ibrahimaj në interpelancë: Procesi i Rindërtimit tërësisht transparent, mbështetëm qytetarët dhe bizneset

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, zhvilloi një interpelancë në Kuvendin e Shqipërisë lidhur me procesin e Rindërtimit.

Në fjalën e saj, Ministrja Ibrahimaj u shpreh se aktualisht procesi i rindërtimit është duke vijuar me ritme të shpejta dhe ecuria e mëparshme e tij është ndikuar nga krizat njëpasnjëshme me të cilat është përballur vendi, pandemia dhe kriza e çmimeve.

Ministrja informoi se kostoja totale e procesit të Rindërtimit është 117.6 miliardë lekë, fonde të miratuara me vendime të Këshillit të Ministrave, për kompensime, projekte apo investime.

101.9 miliardë lekë fonde të akorduara nga buxheti i shtetit për transferta tek individët dhe projekte investimi publik, nga të cilat 75.5 miliardë lekë është realizimi faktik për periudhën 2020-2022 dhe 5 miliardë lekë është plani për vitin 2023;

8.8 miliardë lekë janë fonde të akorduara nga buxheti i shtetit për subvencionimin e qirave të strehimit të përkohshëm të familjeve të dëmtuara, nga të cilat 500 milionë lekë janë në plan 2023;

2.5 miliardë lekë janë grante të huaja apo hyrje në cash që janë përdorur për këtë proces.

Ministrja Ibrahimaj theksoi faktin se procesi i Rindërtimit ka qenë tërësisht transparent dhe argumentoi se ai nisi me financimin e projekteve përmes buxhetit të shtetit për shkak të lehtësisë në procedura, duke qenë se procedurat e financimit nga BE apo donatorë të tjerë zgjasin më shumë se sa procedurat shtetërore.

“Nevoja dhe emergjenca që na kanë detyruar ne të angazhojmë buxhetin e shtetit dhe të mos angazhojmë kreditë, për shkak të procedurave të zgjatura. Kjo nuk do të thotë që ne ato kredi nuk i duam dhe që kanë humbur. Ato kredi do të kanalizohen për projekte të tjera dhe të mëdha investimi që do të realizohen në të ardhmen”, tha Ibrahimaj.

Me mjaft rëndësi, theksoi Ministrja, është dhe fakti që aktualisht nuk ka asnjë faturë të papaguar dhe detyrime të prapambetura të krijuara nga procesi i Rindërtimit.

 

Fjala e Ministres Ibrahimaj:

E nderuar Kryetare e Kuvendit,

Të nderuar deputetë,

Të dashur qytetarë,

Kjo është pamja e Thumanës në agim të 26 nëntorit. Është një pamje e cila nuk do të shqitet nga mendja e të gjithë shqiptarëve, pasi nuk tronditi vetëm  Shqipërinë. Në ato ditë të tmerrshme, ne patëm dhe treguam një solidaritet të madh si popull, i cili nuk u ndje vetëm brenda kufijve të Shqipërisë,  por edhe jashtë tyre. Të gjithë frazat që u parashtruan, pompoziteti apo propaganda elektorale janë fraza që nuk i përkasin këtij procesi. Të gjithë shqiptarët e kanë parë se si qeveria, biznesi e të gjithë partnerët tanë ndërkombëtarë u ngritën në këmbë dhe u bashkuan me solidaritet maksimal, me qëllim që t’i gjendeshin pranë të gjithë të të dëmtuarve të asaj tragjedie. Biznesi u ngrit në këmbë duke hapur dyert. Të gjithë hotelet e zonës së Tiranës, Durrësit, Lezhës, por edhe të Pogradecit, Korçës e të Vlorës treguan solidaritet maksimal duke hapur dyert e tyre dhe duke mirëpritur të gjithë të dëmtuarit nga tërmeti. Nuk jam këtu të flas për solidaritetin e qeverisë dhe për çfarë bëri qeveria, pasi qeveria e ka për detyrë që t’i gjendet pranë çdo shqiptari në çdo moment dhe kjo është ajo që ne bëmë. Nga ana tjetër, të gjithë partnerët tanë ndërkombëtarë na ndihmuan jo vetëm në Konferencën e Donatorëve, por që prej ditëve të para, në operacionet e kërkim-shpëtimit, në dhënien e granteve, qoftë si qeveri, qoftë si individë të veçantë por që përfaqësonin një shtet dhe që ndjenin atë që po i ndodhte Shqipërisë.

Të nderuar deputetë,

Kjo është Thumana sot, Thumana e Rilindur! Thumana që nisi rrugën e transformimit të pakthyeshëm vetëm 8 muaj pas ngjarjes tragjike. Sot, Thumana është kthyer në një model zhvillimi të qëndrueshëm urban dhe social. Sot, mund të thuhet me plot gojën që shumë lagje të vendit tonë do të donin të ishin si Thumana, të kishin këtë nivel infrastrukturor. Ndaj ne, ju, të gjithë shqiptarët nuk duhet të harrojmë se çfarë lamë pas, si gjetëm forcën për t’u ringritur mbi ato rrënoja dhe sesi po punojmë çdo ditë për t’i bërë zonat që u prekën nga tërmeti, por edhe të gjithë Shqipërinë, më të zhvilluar, për qytetarët sot dhe brezat që do të vijnë.

Unë nuk e di se ku e gjejnë forcën për të thënë se tërmeti përdoret vetëm në moment fushatash apo për qëllime elektorale. Unë nuk e di se si mund të harrohet që fill pas tërmetit ne u prekëm nga pandemia dhe fill pas rimëkëmbjes pas pandemisë ne, si gjithë bota, u prekëm nga kriza e çmimeve të energjisë dhe të konsumit, e shkaktuar nga lufta. Këto nuk janë ngjarje të cilat mund të merren në mënyrë të veçuar. Ekonomia e vendit dhe masat që merr qeveria për të përballuar të gjithë ato që ndodhin nuk mund të merren si të veçanta dhe të shkëputura. Ju në parashtrimin tuaj thatë se i gjithë procesi i rindërtimit duhet të përfundonte brenda vitit 2021. Po vërtet duhet të përfundonte brenda vitit 2021 por a mund ta parashikonim ne në dhjetor të vitit 2019 se në vitin 2020, e në pranverë të vitit 2020, e gjithë bota do të mbyllej, punimet do të ndërpriteshin dhe gjithë tregtia do të ndërpritej dhe e gjithë bota do të shkonte ne recesion? Jo, këtë nuk mund ta parashikonim sot. E megjithatë, sot që flasim ne kemi një proces rindërtimi që po vazhdon me ritme të shpejta, ndonëse ka pasur dy kriza të njëpasnjëshme pas situatës tragjike që u desh të përballonim.

Megjithatë, kjo është një arsye pse unë dua ta falënderoj deputeten Tabaku, që kërkoi këtë interpelancë, me të cilën na jep një mundësi që ne të bëjmë një parashtrim të gjithë atyre që ndodhën në tre vitet e fundit, se si arritëm të transformonim lagje të tëra, që tu jepnin një strehë qindra e qindra familjeve, por edhe shpresën për një të ardhme më të mirë. Sepse ne në këto vitet e fundit kemi treguar se Kontrata që ne kemi me qytetarët është gjëja më vyer, është angazhimi ynë më i madh, është ajo që na motivon drejt reformave. Ne nuk qeverisim vetëm për ata që na kanë votuar, por për të gjithë shqiptarët.

Tërmeti masiv i 26 Nëntorit ndikoi fort në jetën dhe pronën e rreth 202,291 qytetarëve shqiptarë. Ndikimi në aspektin social dhe ekonomik të vendit ishte mjaft negativ. Për fatin tonë të keq humbëm jetë njerëzish, pati shumë lëndime dhe shumë dëmtime. Vendi humbi kapital fizik. Një ndër vlerësimet që u krye sapo ndodhi tërmeti llogariste një dëm total prej 1 miliard euro ose 120 miliardë lekë, që është afërsisht rreth 40% e investimeve totale të vendit tonë apo dy vite investime me mbështetje buxhetore me financim të brendshëm.

984 milionë euro u llogaritën dëmet në strehim, prodhim, arsim, infrastrukturë, mbrojtje civile dhe shëndetësi. Nga këto 696 milionë euro u llogaritën si dëme dhe humbje vetëm në strehim.

  • 11, 490 njësi banimi u kategorizuan si të shkatërruara plotësisht ose të dëmtuara dhe që duhet të rindërtoheshin.
  • 83,745 njësi të tjera banimi u dëmtuan pjesërisht ose lehtë, me nevojë për riparim.

Në kushtet e emergjencës, menjëherë pas ngjarjes, Qeveria u angazhua tërësisht përmes mekanizmit të Fondit Rezervë të buxhetit të shtetit, duke ndërmarrë një sërë masash të menjëhershme, në seri kohore të ndryshme:

  • një fond prej 200 milionë lekë u akordua, me qëllim rikonstruksionin dhe rindërtimin e shtëpive të dëmtuara në qarqet Tiranë, Durrës dhe Lezhë.
  • një fond prej 270 milionë lekë u akordua me qëllim sigurimin e akomodimit të përkohshëm në hotele për të dëmtuarit në qarqet Durrës, Tiranë dhe Lezhë. Dua të ndalem pak këtu, pasi si asnjë vend tjetër i botës, në një kohë rekord, të dëmtuarve nga tërmeti iu dha mundësia që të akomodoheshin në hotele dhe jo të qëndronin në çadra për muaj me radhë. Ato që vendosën të qëndronin nëpër çadra sepse donin të qëndronin pranë pronës së tyre e patëm zgjedhje të lirë dhe jo të detyruar.
  • një fond prej 70 milionë lekë u akordua për përballimin e shpenzimeve për inspektimin dhe vlerësimin e dëmeve.

Për realizimin e programeve të procesit të Rindërtimit, në Ligjin e Buxhetit për periudhën 2019-2023 u sanksionua krijimi i Fondit të Rindërtimit, burimet e financimit të së cilit ishin mjetet financiare dhe/ose kontributet në natyrë të dhëna nga buxheti i shtetit dhe donatorët :

  • 9 miliardë lekë fonde të akorduara nga buxheti i shtetit për transferta tek individët dhe projekte investimi publik, nga të cilat 75.5 miliardë lekë është realizimi faktik për periudhën 2020-2022 dhe 5 miliardë lekë është plani për vitin 2023;
  • 8 miliardë lekë janë fonde të akorduara nga buxheti i shtetit për subvencionimin e qirave të strehimit të përkohshëm të familjeve të dëmtuara, nga të cilat 500 milionë lekë janë në plan 2023;
  • 5 miliardë lekë janë grante të huaja apo hyrje në cash që janë përdorur për këtë proces;

Nga pikpamja financiare, sa i takon planifikimit dhe disbursimit të Fondit të Rindërtimit, janë:

  • 6 miliardë lekë fonde me vlerë të plotë të miratuar me VKM, për kompensime/projekte/investime.
  • 5 miliardë lekë është niveli i realizimit faktik të shpenzimeve të akorduara 2020-2022.
  • 42 miliardë lekë është nevoja për financim shtesë, e cila mbetet pas vitit 2023.

Duhet theksuar se një kosto të konsiderueshme financiare, e mbuluar tërësisht nga buxheti i shtetit, ka sjellë edhe politika e Subvencionimit të Qerasë për strehimin e familjeve të dëmtuara. Në vitin 2020, numri i familjeve përfituese nga politikën e strehimit, pra të subvencionimit të qirasë, ishte rreth 14,100, ndërsa sot janë 8,400 familje që marrin bonus qiraje me një vlerë mesatare prej 20 mijë lekësh në muaj.

Përgjatë periudhës 2020-2022 janë 8.4 miliardë lekë të financuara për këtë qëllim dhe për vitin 2023 janë planifikuar 500 milionë lekë.

Vazhdimi i këtij programi do të varet në mënyrë thelbësore nga ritmet e përfundimit të pjesës më të madhe të projekteve të nisura.

Nëse do të ndaleshim te alokimet sipas viteve, për programin e Rindërtimit, janë përdorur:

– 540 milionë lekë nga Fondi Rezervë i Buxhetit të Shtetit në vitin 2019

-16.7 miliardë lekë në vitin 2020

-29.7 miliardë lekë në vitin 2021

-29.1 miliardë lekë në vitin 2022

Ndërsa, siç thashë edhe më parë, për vitin 2023 janë planifikuar 5 miliardë lekë. Ky fond do të përdoret i tëri për të financuar projektet në vazhdim dhe ata që kanë një ecuri më të mirë. Ajo që mund të them dhe që është shumë e rëndësishme është që  aktualisht ne nuk kemi asnjë faturë të papaguar apo detyrime të prapambetura të krijuara nga procesit i rindërtimit.

Më lejoni të qartësoj se Fondet e Rindërtimit janë kaluar me ligj të veçantë dhe rrjedhimisht, procesi i buxhetimit të projekteve që lidhen me to ka qenë i ndryshëm nga procesi i buxhetimit të të gjithë projekteve të tjera të investimit që parashikon ligji për menaxhimin buxhetor. Projektet e investimit nuk kanë qenë pjesë e Programit Buxhetor Afatmesëm. A ishte e mundur që në vitin 2019, në vitin 2020 ne të kishim një parashikim të saktë për fondet dhe projektet që do të nisnin, kur vlerësimet ende nuk ishin përfunduar dhe ato ishin në proces? Arsyeja pse ne krijuam këtë fleksibilitet në procedurat buxhetore ishte nevoja dhe urgjenca që kishim për të filluar proceset e investimeve. Ne nuk mund të parashikonim se sa do të ishte kostoja totale e çdo godine apo çdo projekti. U tha këtu dhe u përsërit se fondet e rindërtimit janë tenderuar! Sigurisht që janë tenderuar. Të gjitha fondet e rindërtimit janë tenderuar, si çdo projekt tjetër që tenderohet, në Shqipëri dhe jashtë saj. A ka procedura pa tender? Nuk mund të ketë procedura pa tender. Të gjitha janë tenderuar dhe janë subjekte të Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe entiteteve që janë përgjegjëse për të kontrolluar ato fonde. Gjithashtu, u tha këtu se projektet e tenderuara të rindërtimit janë 3 apo 4 herë më të shtrenjta se sa ato që janë financuar nga donatorët e huaj apo BE. Një tjetër gënjeshtër e madhe. Unë ju ftoj që kur hidhni këto supozime të vini me shifra, me projekte konkrete, me sipërfaqe konkrete, dhe jo me supozime të dëgjuara nëpër ambiente të ndryshme apo kafene. Unë kam fakte të cilat tregojnë se nuk është kështu. Ndaj do të doja të dëgjoja faktet tuaja.

Programi ynë i Rindërtimit ka në thelbin e tij një dimension të qenësishëm social, ku përfituesit kanë qenë:

  • 38500 përfitues nga nën programi “Grante Rikonstruksioni”;
  • 1800 përfitues nga nën programi “Grante Rindërtimi”.

Këto janë nga grantet për rikonstruksionin. Ndërkohë, sa i takon angazhimit përmes buxhetit të shtetit, për ndërtimin e objekteve të reja :

  • Nga nën-programi i Rindërtimit të Banesave Individuale (Njësitë Zbatuese dhe Donatorë), është financuar rindërtimi i 2552 banesave individuale;
  • Nga nën-programi i Rindërtimit i Banesave Kolektive është financuar rindërtimi i 299 banesave kolektive;
  • Është financuar riforcimi i banesave kolektive dhe individuale, konkretisht 216 banesa kolektive dhe 12 banesa individuale;
  • Rikonstruksioni i 2001 banesave kolektive;
  • Sa i takon infrastukturës publike, kanë përfunduar 9 kantiere në Zonat e Reja për Zhvillim;
  • Janë 182 Objekte arsimore të përfshira në Programin e Rindërtimit;
  • 34 Institucione dhe Vepra Publike të financuara nga Fondi i Rindërtimit.

Me qëllim realizim me sa më pak kosto të këtij projekti, ne ndërmorrëm një tjetër nismë, atë të përjashtimit TVSH-së nga i gjithë procesi i rindërtimit dhe të gjitha furnizimeve të lidhura me rindërtimin  Pra, produkti për rindërtimin, i porositur nga entet shtetërore apo strukturat e pushtetit lokal është përjashtuar nga 20 % i TVSH-së, çka nënkupton uljen e kostove të ndërtimit.

Askush nuk u la vetëm dhe ne zgjodhëm të mbështesnim këdo. T’ju gjendeshim pranë qytetarëve dhe sipërmarrjes. Fatura financiare që duhet të paguanim ishte e lartë. Rreth 75.5 miliardë lekë të shpenzuara deri në fund të vitit 2022 vetëm nga buxheti i shtetit. Kjo shumë u financua si nëpërmjet shkurtimit të shpenzimeve/investimeve të tjera ashtu edhe nga huamarrja.

Dua të ndalem pak te huamarrja, pasi dëgjova më parë që u parashtrua se pse ne kemi marrë Eurobond për të financuar Rindërtimin dhe nuk kemi përfituar nga kreditë e vëna në dispozicion në Konferencën e Donatorëve, pasi Eurobondi në gjykimin tuaj është shumë më i shtrenjtë se sa kreditë e vëna në dispozicion.

Dua të bëj një qartësim për ju dhe për publikun, se kreditë koncesionare, kreditë e marra apo të premtuara në Konferencën e Donatorëve janë kredi me norma variabël interesi, janë kredi të cilat përgjithësisht negociohen vit pas viti dhe norma e interesohet përcaktohet nga Euribori dhe një marzh fiks mbi Euriborin. Sigurisht që para dy vitesh Euribori ishte negativ dhe ato kredi mund të ishin mjaft pozitive në terma financiarë për qeverinë shqiptare. Por sot, pas tre vitesh, po ato kredi janë më norma më të larta se sa Eurobondi prej 3.75 %, pasi Eurobondi merret me normë fikse dhe krijon një parashikueshmëri më të madhe se sa kreditë koncesionare, që sigurisht janë më të mira se sa çdo lloj kredie tjetër, por norma ndryshon vit pas viti. Pra, nuk kemi marrë borxh më të shtrenjtë.

Nga ana tjetër, dua të ndalem dhe te procedurat e financimit të projekteve që financohen me financim të huaj. Urgjenca dhe nevoja për të filluar menjëherë punën për rindërtimin e banesave dhe institucioneve na ndikoi zgjedhjen e financimit të këtyre projekteve me buxhetin e shtetit, pasi procedurat që financohen nga BE apo donatorë të tjerë janë procedura që zgjasin shumë më shumë se sa procedurat shtetërore. Këtu mund të marr shembullin e shkollave të cilat nuk po ndërtohen me fondet e buxhetit të shtetit. Shkollat që po rindërtohen me fonde të buxhetit të shtetit kanë përfunduar, ndërkohë që shkollat me financim të huaj sapo kanë filluar të ndërtohen për shkak të procedurave. Pra, është nevoja dhe emergjenca që na kanë detyruar ne të angazhojmë buxhetin e shtetit dhe të mos angazhojmë kreditëpër shkak të procedurave të zgjatura. Kjo nuk do të thotë që ne ato kredi nuk i duam dhe që kanë humbur. Ato kredi do të kanalizohen për projekte të tjera dhe të mëdha investimi që do të realizohen në të ardhmen.

Nuk është e vërtetë se ky nuk është një proces transparent. Ju erdhët këtu dhe përmendët shumë shifra, të cilat MFE  i ka vënë në dispozicion të Kuvendit të kujtdo që ka kërkuar informacion, sa herë që janë kërkuar.

Ne kemi një transparencë maksimale për përdorimin e fondeve dhe çdo qytetar e deputet mund të interesohet se sa janë disbursuar, sa janë planifikuar, sa është kostoja totale më vendime të Këshillit të Ministrave. Pra, është e rëndësishme që të mos hidhet baltë mbi një proces për të cilin qeveria shqiptare ka marrë përgëzime dhe merita për mënyrën se si është krijuar, për mënyrën se si është menaxhuar dhe për mënyrën se si po zbatohet.

Unë dua ta përmbyll fjalën time, sepse është e lehtë të hedhësh baltë, është e lehtë të bësh supozime, por nuk është e lehtë t’i vësh shpatullat të gjitha atyre që ndodhin. Dua t’ju rikujtoj edhe njëherë se kjo është Thumana sot dhe ky është vizioni ynë për përballimin e atyre që na ndodhin.

Faleminderit.

Previous Ministrja Krifca në Bruksel lidhur me përgatitjet për Programin IPARD III