Shqipëria shënon një tjetër sukses në njohjen e sigurimeve shoqërore për shtetasit shqiptarë jashtë vendit. Në prani të Ambasadores së Republikës së Shqipërisë në Bullgari, Donika Hoxha, Zv.kryeministri dhe ministri për Punët dhe Politikat Sociale, Lazar Lazarov, nënshkroi Marrëveshjen për Sigurimet Shoqërore ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Bullgarisë.
Nga pala shqiptare, me korrespondencë, Marrëveshja u nënshkrua nga ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, në Tiranë më 15 mars 2023.
Marrëveshja rregullon sigurimin e shtetasve të Bullgarisë dhe Shqipërisë kur punojnë në të dy vendet, garanton të drejtat e tyre të sigurimit, pagesës së përfitimeve në rast sëmundjesh ose aksidentesh në profesion, si edhe kushtet për dhënien e llojeve të ndryshme të pensioneve.