Ministrja Ibrahimaj: Projektbuxheti 2023 mbështet përballimin e krizës dhe konsolidimin fiskal - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Ministrja Ibrahimaj: Projektbuxheti 2023 mbështet përballimin e krizës dhe konsolidimin fiskal

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, prezantoi në Konferencën e Kryetarëve projektbuxhetin shtetit për vitin 2023.

Që në fillim të fjalës së saj, Ministrja Ibrahimaj vuri në dukje faktin se projektbuxheti 2023 adreson disa sfida të rëndësishme për ekonominë e vendit, si rritja e çmimeve të energjisë elektrike dhe rritja e çmimeve të konsumit, në një kohë që objektiv kryesor i politikës fiskale gjatë vitit të ardhshëm do të jetë rritja e qëndrueshmërisë së ekonomisë dhe ulja e stokut të borxhit.

Ministrja u shpreh se objektivat kryesorë të projektbuxhetit të vitit 2023 janë mbështetja për shtresat në nevojë, mbështetja për mos ndryshimin e çmimit të energjisë elektrike dhe sektorit të energjisë në tërësi, si dhe mbështetja e rritjes së qëndrueshmërisë ekonomike dhe konsolidimit fiskal.

Për sa i përket rritjes ekonomike, për vitin 2023 ne parashikojmë një rritje reale prej 2.6%të gjeneruar kryesisht nga kërkesa e brendshme, konsumi dhe investimet, por edhe nga kërkesa e huaj, e mbështetur kryesisht nga rritja e eksporteve të mallrave dhe shërbimeve”, tha Ibrahimaj.

Ministrja theksoi se të ardhurat buxhetore për vitin 2023 parashikohen të arrijnë në 631.7 miliardë lekë, bazuar mbi parashikimet kryesore makroekonomike dhe objektivin e palëkundur të uljes së borxhit publik.

Krahasuar me pritshmërinë e vitit 2023, të ardhurat e buxhetit të shtetit do të rriten me 7.7 %, ndërkohë që të ardhurat tatimore nga tatimet dhe doganat programohen të rriten me 8% ose +42.2 miliardë lekë.

Shpenzimet buxhetore parashikohen të jenë 687.2 miliardë lekë ose 31.6% e PBB, me një rritje në vlerë absolute prej 26.5 miliardë lekë, krahasuar me planin e rishikuar të vitit 2022.

“Shpenzimet për vitin e ardhshëm do të përqendrohen mbështetjen për energjinë elektrike dhe shtresat në nevojë, por pa lënë mënjanë financimin e sektorëve prioritarë si: arsimi, shëndetësia, infrastruktura dhe shërbimet dixhitale, infrastruktura  dhe bujqësia”, u shpreh Ibrahimaj.

Sa i përket investimeve publike për vitin 2023, ato janë planifikuar në masën 5.6% e PBB-së ose 122.2 miliardë lekë, ku do të mbetet përparësi financimi i projekteve në vazhdim.

Fjala e Ministres Ibrahimaj:

E nderuar Kryetare e Kuvendit,

Të nderuar Kryetarë të Grupeve dhe Komisioneve Parlamentare,

Të nderuar Kryetarë,

Vij sot para jush për të prezantuar projektligjin “Për Buxhetin e viti 2023”, në një periudhë të vështirë për ekonominë botërore dhe ekonominë shqiptare, si pjesë e pandarë e saj.  Drafti që sot po ju prezantoj sot adreson sfida të rëndësishme për ekonominë shqiptare, si rritja e çmimeve të energjisë elektrike dhe rritja e çmimeve të konsumit. Nga ana tjetër, si objektiv kryesor i politikës fiskale të qeverisë shqiptare, gjatë vitit 2023 do të jetë rritja e qëndrueshmërisë ekonomike dhe ulja e stokut të borxhit publik.

Në gjatë vitit 2022 jemi përballur me norma të larta inflacioni dhe me presione në buxhetet e familjeve shqiptare. E megjithatë, inflacioni në vendin tonë ka rezultuar ndjeshëm më i ulët se sa vendet e rajonit dhe se sa mesatarja e vendeve të BE-së. Kjo nuk ndodhi në mënyrë rastësore.

Ne morëm masa imediate. Vendosëm të reagonim kur kriza nuk kishte trokitur ende mirë në derën tonë. Zgjodhëm të ndërhynim për të mbrojtur familjet shqiptare dhe bizneset e vogla dhe të mesme. Në zgjodhëm, përmes një vendimi shumë të vështirë, të subvenciononim çmimin e energjisë dhe të eliminonim rritjen galoponte që reflektonin bursat e energjisë elektrike, sepse pasojat për ekonominë shqiptare do të kishin qenë dramatike.

Ne nuk mund të lejonim që kjo peshë të rëndonte mbi supet e familjeve shqiptare dhe grupeve më vulnerabël, që do ta ndjenin më shumë se çdo pjesë tjetër këtë rritje galoponte. Nuk kishte sesi të mos mendonim për pensionistët, për ato kategori më në nevojë dhe për familjet e shtresës së mesme, si dhe për 99 % të bizneseve që janë mbrojtur gjatë vitit 2022 nga efektet e krizës së shkaktuar nga lufta dhe të inflacionit të luftës.

Ne vendosëm një mburojë e cila që na kushton shumë dhe si Ministre e Financave dhe Ekonomisë, është detyra ime që të tregohem e kujdesshme, e matur kur vjen puna te menaxhimi i parave të buxhetit të shtetit, por edhe te ruajtja e parametrave kryesorë të ekonomisë. Ndaj më duhet të pohoj para jush se përtej gjithë kësaj situate të vështirë është pozitiv fakti se deri më tani, ekonomia ka arritur t’i përballojë relativisht mirë pasojat e luftës në Ukrainë. Nëse do t’i referohemi edhe kontekstit të problemeve që po kalojnë pjesa dërrmuese e ekonomive në botë, të cilat po ngadalësohen, ekonomia shqiptare ka pasur një rezistencë mjaftueshëm të mirë. Madje e kemi rishikuar objektivin e rritjes ekonomike nga 3.2 në 3.7 % për vitin 2022, mbështetur edhe nga FMN.

Rritja ekonomike për gjysmën e parë të vitit 2022 ishte 4.2%, e gjeneruar kryesisht nga kërkesa e brendshme, si konsumi dhe investimet, si dhe kërkesa e huaj neto. Nga pikëpamja e ofertës agregate, rritja gjatë gjysmës së parë ka qenë me bazë të gjerë, ku pothuajse të gjithë sektorët kryesorë të ekonomisë kanë pësuar rritje pozitive.

Papunësia gjatë gjysmës së parë të vitit ra më tej në 11.3%, ndërkohë që punësimi u rrit me rreth 4.3% në krahasim me vitin e kaluar.

Lidhur me zhvillimet në pozicionin e jashtëm, gjatë gjysmës së parë të këtij viti deficiti i llogarisë korrente u ngushtua me rreth 10% nga viti në vit, si pasojë e rritjes së fortë të eksporteve të mallrave dhe shërbimeve, si dhe rritjes së remitancave. Gjithashtu një rritje prej rreth 35% është shënuar edhe në flukset hyrëse të IHD-ve. Kursi i këmbimit të lekut kundrejt valutave kryesore në përgjithësi ka qenë mjaft i qëndrueshëm, ndërkohë që luhatja (zhvlerësimi ose mbiçmimi) ndaj monedhave të ndryshme ka reflektuar kryesisht konjukturat ndërkombëtare të tregut valutor. Aktualisht, leku është nënçmuar ndaj dollarit amerikan me rreth 8% dhe është mbiçmuar ndaj euros me rreth 4% që nga fundi i vitit të kaluar.

Në tremujorin e tretë (ku zhvillohet edhe pjesa më e madhe e aktivitetit turistik), duke gjykuar nga treguesit e tërthortë të disponueshëm, ekonomia mund të ketë performuar me një ritëm rritjeje më të lartë se sa në 6 mujorin e parë të vitit.

Duhet të shohim se si do të zhvillohet tremujori i katërt. Pritjet për rritjen ekonomike në tremujorin e katërt mbeten të rrethuara nga pasiguri më të larta, kryesisht në varësi sesi do të shkojnë zhvillimet ndërkombëtare. Le të mos harrojmë, se edhe ekonomitë më të mëdha botërore parashikojnë një goditje në kahun rënës, pra recesioniste. Një ngadalësim i rritjes ekonomike ka të ngjarë të ndodhë për tremujorin e fundit për shkak të pasigurive të ngritura, gërryerjes së të ardhurave reale prej inflacionit dhe shtrëngimit të kushteve financiare. Realiteti është ky që vlen jo vetëm për ne por për të gjitha vendet e Europës. Ajo që është në dorën tonë është qasja ndaj këtij realiteti me politika sa të kujdesshme, aq edhe proaktive në disiplinimin e performancës sonë financiare.

Prandaj, për sa i përket rritjes ekonomike të pritshme për të gjithë vitin 2022, Ministria e Financave dhe Ekonomisë e ka rishikuar për lart projeksionin në 3.7%, nga 3.2% që ishte në fillim të luftës.

Për sa i përket rritjes ekonomike për vitin e ardhshëm, në skenarin tonë bazë, pra skenarin mbi të cilin bazohet ky projekt-buxhet, për vitin 2023 ne parashikojmë një rritje reale prej 2.6%. Kjo rritje, parashikojmë se do të gjenerohet kryesisht nga kërkesa e brendshme, konsumi dhe investimet, por në një masë marxhinale pritet të kontribuojë pozitivisht edhe kërkesa e huaj neto, e mbështetur kryesisht nga rritja e eksporteve të mallrave dhe shërbimeve.

Natyrisht, çështja kryesore makroekonomike gjatë kësaj periudhe, edhe për ekonominë tonë, si pothuajse kudo tjetër, ka qenë inflacioni i lartë i shkaktuar kryesisht nga goditja në ofertën globale të disa mallrave bazë. Megjithatë, siç e përmenda dhe më sipër, është e rëndësishme të theksohet se inflacioni në ekonominë tonë, krahasuar me vendet e tjera të rajonit, apo me mesataren e BE-së, ka qenë dukshëm më i ulët.

Inflacioni mesatar për periudhën janar-shtator ka qenë 6.4%, me vlerën më të lartë në muajin shtator prej 8.1%. Ne presim që inflacioni mesatar për të gjithë vitin 2022 të jetë në intervalin 6.5% deri në 7%. Megjithatë, duhet të shohim se si do të zhvillohet kriza energjetike pan-evropiane përgjatë këtij dimri.

Ne konstatojmë se ky inflacion i lartë është sigurisht i nxitur kryesisht nga goditja e ofertës dhe besojmë se deri më tani nuk ka baza të forta që mund të çojnë në vazhdimësinë e këtyre niveleve të larta të inflacionit në të ardhmen, madje edhe në të ardhmen e afërt që prej vitit tjetër.

Ne si Ministri e Financave dhe Ekonomisë besojmë se gjasat më të larta janë që inflacioni të ulet ndjeshëm gjatë vitit të ardhshëm, veçanërisht nëse një pjesë e Evropës do të hyjë në recesion, qoftë recesion teknik apo i plotë. Në skenarin tonë bazë, ne parashikojmë një normë mesatare inflacioni prej 3.6% për vitin e ardhshëm, me një tendencë rënëse gjatë vitit, për të arritur në rreth 3% në fund të 2023, pra duke arritur objektivin e Bankës së Shqipërisë.

Për sa i përket zhvillimeve të financave publike, situata deri më tani është plotësisht nën kontroll. Ne mbetemi mjaft vigjilentë për ta monitoruar në vazhdimësi dhe për të parashikuar probleme të ndryshme që mund të dalin, si dhe për të përgatitur skenarë alternativë në përshtatjeje me ato që do të na ndodhin përpara.

Gjatë periudhës janar-shtator, të ardhurat buxhetore janë rritur me rreth 16% krahasuar me vitin e kaluar dhe rreth 0.6% kundrejt planit të rishikuar të muajit korrik. Sigurisht, një pjesë e kësaj performance ka ardhur nga efekti i rritjes së përgjithshme të çmimeve. Megjithatë, si rritja relativisht e fortë ekonomike, ashtu edhe përmirësimi i administratave që mbledhin taksat, pra të tatimeve dhe doganave, ka qenë faktor i rëndësishëm dhe performancën e të ardhurave.

Deri më tani, buxheti vazhdon të operojë me një suficit të përgjithshëm fiskal dhe stoku i likuiditetit të qeverisë është mjaft i bollshëm dhe i mjaftueshëm për të vazhduar një ekzekutim krejt normal të buxhetit të këtij viti si dhe të vitit të ardhshëm. Kjo vlen jo vetëm në skenarin tonë bazë, por edhe në rastet e ndodhjes së skenarëve pesimistë afat-shkurtër në varësi të situatës që do të përjetojmë të ndikuar nga kriza ndërkombëtare.

Siç e dini, në rishikimet e buxhetit të vitit 2022 që kemi bërë gjatë këtij viti, nga njëra anë kemi krijuar hapësirë fiskale për të akomoduar elementë të ndryshëm për të zbutur ndikimin e krizës për aspekte të ndryshme sociale dhe ekonomike, si p.sh. alokimin e paketave të ndryshme të ndihmës sociale për pjesët e shoqërisë më në nevojë; alokimin e fondeve (tejet të larta duhet thënë) për mbështetjen e sektorit energjetik për të mbajtur të pandryshuar çmimin e energjisë elektrike si për konsumatorët familjarë, ashtu edhe për bizneset; alokimin e fondeve për kompensimin pjesërisht të rritjeve në kostot kryesore për punimet e investimeve publike etj.

Por ndërkohë, nga ana tjetër dhe që është mjaft më e rëndësishme, ne kemi vendosur për të mbajtur të pacenuar qëndrueshmërinë e financave publike dhe stabilitetin makroekonomik të vendit. Në rishikimin më të fundit të buxhetit, kemi ulur limitin fillestar ligjor të deficitit fiskal me gati 1% të PBB-së, nga 5% në 4.1% të PBB-së.

Në vlerësimet tona të fundit, sipas skenarit tonë bazë, presim që deficiti i përgjithshëm fiskal për të gjithë vitin 2022 të jetë edhe më i ulët se kufiri ligjor i rishikuar, ndoshta në rreth 3.3 – 3.5 për qind të PBB-së.

Ne presim që, me shumë gjasa, borxhi publik të bjerë nën nivelin prej 70% të PBB-së deri në fund të këtij viti, nga 73.2% që ishte një vit më parë, duke vazhduar kështu qartësisht trajektoren rënëse të rifilluar që nga viti 2021.

Edhe për sa u përket objektivave kryesore të politikës fiskale për vitin 2023, të materializuara në këtë projekt-buxhet, por edhe në afatin e mesëm dhe afatin e gjatë në vijim, sigurisht që ne mbetemi plotësisht të përkushtuar për vazhdimin e konsolidimit fiskal, duke synuar uljen e vazhdueshme të raportit të borxhit publik ndaj PBB-së, në përputhje të plotë me rregullat fiskalë të frenimit të borxhit. Gjithashtu, synojmë të kalojmë sërish në një balancë primare pozitive, duke filluar që nga viti i ardhshëm (2023), ndërkohë që nga viti 2024 e në vazhdim, balanca primare pozitive bëhet detyrim ligjor, pasi fillon zbatimi i rregullit të ri fiskal që bën ligjërisht të detyrueshme arritjen e një balance primare pozitive nga viti 2024 e në vijim.

Ne besojmë se ky objektiv kryesor i politikës fiskale bëhet edhe më kritik dhe është në më të mirën e interesit publik në çdo horizont kohor, në afatin e shkurtër, të mesëm e të gjatë. Dhe këtë po mundohemi ta jetësojmë veçanërisht në një kontekst të ri makroekonomik global, krejt të ndryshëm nga ai i goditjes nga pandemia, i ardhur prej goditjes së ofertës globale dhe rreziqeve të reja të lidhura, duke përfshirë këtu edhe pasigurinë e lartë që rrethon perspektivën e kushteve financiare globale në të ardhmen e afërt dhe afatmesme.

Por patjetër, në të njëjtën kohë, ne gjithashtu mbetemi plotësisht të përkushtuar për të zbutur sa më shumë të jetë e mundur ndikimin e kësaj krize në shoqërinë tonë, veçanërisht në shtresat më vulnerabël të shoqërisë.

Projektbuxheti i vitit 2023 parashikon vijimin e mbështetjes për mos ndryshimin e çmimit të energjisë elektrike, pra mbështetjes për sektorin e energjisë si dhe vijimin e mbështetjes për kategoritë më në nevojë.

Bazuar mbi parashikimet kryesore makroekonomike dhe objektivin e palëkundur të uljes së borxhit publik, të ardhurat buxhetore për vitin 2023 parashikohen të arrijnë në 631.7 miliardë lekë. Nga këto, të ardhurat tatimore 587.8 miliardë lekë, dhe brenda zërit të të ardhurave tatimore, të ardhurat që mblidhen nga tatimet dhe doganat janë 431.2 miliardë lekë. Ndërkohë, të ardhurat nga kontributet planifikohen në nivelin 126.5 miliardë lekë.

Krahasuar me pritshmërinë e vitit 2023, të ardhurat e buxhetit të shtetit do të rriten me 7.7 %, ndërkohë që të ardhurat tatimore nga tatimet dhe doganat programohen të rriten me 8% ose +42.2 miliardë lekë.

Të ardhurat tatimore dhe doganore, përfshirë edhe kontributet e mbledhura nga administrata tatimore, janë parashikuar bazuar në analizën e  faktorëve që pritet të impaktojnë të ardhurat e vitit 2023, përfshirë të ardhurat shtesë nga rritja ekonomike dhe efekti në to i indeksit të çmimeve, të ardhurat shtesë nga masat fiskale të parashikuara në paketën fiskale, përfshirë dhe taksën e jashtëzakonshme të energjisë, si dhe të ardhurat që pritet të gjenerohen nga përmirësimet në administrimin e të ardhurave doganore dhe tatimore, masa këto të parashikuara edhe në reformat fiskale që janë në proces.

Bazuar në projeksionet e të ardhurave të vitit 2023, totali i të ardhurave të buxhetit të shtetit shkon në 29% e PBB-së nga 28,2% në vitin 2022, pra me rritje 0,8% e PBB-së, ndërkohë që të ardhurat tatimore në vitin 2023 parashikohet të përbëjnë 27% të PBB-së, nga 26,4% që priten të rezultojnë në vitin 2022.

Të nderuar kryetarë,

Buxheti i vitit 2023 mbështetet edhe nga Paketa Fiskale, e cila do miratohet nga Kuvendi paralelisht me Buxhetin dhe që përbëhet nga disa masa, si:

 tatimin mbi të ardhurat

Projektligji i ri ka synuar përmirësimin e sistemit të taksimit të  individëve dhe entiteteve ligjore në Shqipëri, forcimin e  parimit të neutralitetit në sistemin tatimor shqiptar, përafrimin gradual të sistemit të tatimit të të ardhurave në Shqipëri me parimet e Direktivave të BE-së në lidhje me tatimin e të ardhurave dhe kapitalit, adresimin e mangësive dhe boshllëqeve legjislative të konstatuara gjatë periudhës 22 vjeçare të aplikimit të ligjit ekzistues, duke synuar funksionalizimin e një sistemi tatimi më të drejtë dhe stimulues, më të ndershëm dhe të gjithëpranuar.

Në kuadrin e këtij ligji kemi ndryshimet dhe efektet e mëposhtme:

Rritja e kufirit të patatueshën të pagës nga 40 mijë lekë në 50 mijë lekë do reduktojë të ardhurat në buxhet për rreth 1 deri 1,2 miliardë në vit, por ndërkohë do rrisë të ardhurat e punëmarrësve me paga deri në 50 mijë lekë në muaj, me mbi 1 miliard lekë, çka do të thotë më shumë të ardhura në buxhetet e familjeve shqiptare dhe më shumë konsum. Nga kjo masë përfitojnë 70 mijë punëmarrës, të cilët janë në grupin e pagave nga 40 në 50 mijë lekë në muaj.

Futja në skemën e taksimit të të ardhurave personale të furnizuesve të shërbimeve si profesione të lira, vlerësohet të kontribuojë në buxhetin e shtetit me mbi 2 miliardë lekë në vit. Tatimi për bizneset, që kryejnë një xhiro deri në 14 milionë lekë është 0 dhe do të mbetet 0 dhe bazuar në këtë ligj. Kjo për të saktësuar të gjithë ata që gjatë gjithë muajve të fundit kanë bërë aludime mbi politikën tonë fiskale të mbështetjes së biznesit të mesëm dhe të vogël. Asgjë nuk do të ndryshojë në formulën e tatimit të biznesit që qarkullon deri në 14 milionë lekë.

Në akciza

Ndryshimet në akciza synojnë procesin e përafrimit të legjislacionit të vendit tonë me atë të BE-së dhe transpozimin e Direktivave përkatëse, konkretisht të Direktivës së Tatimeve Indirekte të Akcizave. Më konkretisht, në akciza janë parashikuar ndryshimet dhe efektet e mëposhtme:

Heqja e akcizës për akumulatorët e automjeteve elektrike me efekt -50 milion lekë. Ministria e Financave dhe Ekonomisë, në kuadër të zbatimit të strategjisë për kursimin e energjisë si dhe subvencionimit të çmimit të paneleve diellore, ka propozuar heqjen e akcizës për akumulatorët për panelet diellore dhe makineritë elektrike. Me hyrjen në përdorim të makinave elektrike, që burimin e tyre të energjisë e marrin nga akumulatorët, është e nevojshme të rishikohet akciza për këtë produkt, ndërkohë që e gjithë makina elektrike jo vetëm që nuk ka akcizë, por ka edhe 0% TVSH në momentin e importit. Një masë stimulimi për përdorimin e makinave me akumulatorë është marrë tashmë në të gjithë Evropën, si pjesë e politikave të mbrojtjes së mjedisit.

Gjithashtu, parashikohen ndryshime në akcizën e birrës, me efekt 262 milionë lekë në vit. Ndryshimi gradual i akcizës së këtij artikulli konsiston në unifikimin e tarifës së akcizës për prodhuesit vendas dhe të huaj, për sasitë nën dhe mbi 200 000 HL në vit.

Në krahun e Shpenzimeve Buxhetore, në projektbuxhetin e vitit 2023 janë parashikuar të shpenzohen 687.2 miliardë lekë ose 31.6% e PBB, me një rritje në vlerë absolute prej 26.5 miliardë lekë, krahasuar me planin e rishikuar të vitit 2022. Shpenzimet për vitin e ardhshëm do të përqendrohen mbështetjen për energjinë elektrike dhe shtresat në nevojë, por pa lënë mënjanë financimin e sektorëve prioritarë si: arsimi, shëndetësia, infrastruktura dhe shërbimet dixhitale, infrastruktura  dhe bujqësia.

Dëshiroj të nënvizoj, gjithashtu, se shpenzimet buxhetore për këtë vit do të vijojnë të orientohen drejt arritjes dhe ruajtjes së standardeve të kërkuara në fazën e tanishme optimiste të procesit të integrimit të vendit tonë në familjen e Bashkimit Europian.

Gjithashtu, përqendrimi shpenzimeve buxhetore në financimin me prioritet të sektorëve të lartpërmendur ofron garanci  për një rritje të qëndrueshme ekonomike të vendit dhe një nivel të lartë mirëqenieje sociale.

Shpenzimet e Personelit për vitin 2023 reflektojnë koston aktuale të administratës publike qendrore, duke mbartur dhe efektet e politikës së rritjes së pagave për sektorët e shëndetësisë, arsimit, mbrojtjes, sigurisë publike dhe pjesës tjetër të administratës, disa të materializuara në periudhën korrik-tetor 2022. Efekti vjetor i rritjes prej 7% të pagave të administratës publike në 2022 do të jetë 3.3 miliardë lekësh në vitin 2023. Fondi vjetor për rritjen e pagave me 6% për punonjësit e sektorëve të arsimit dhe shëndetësisë, por edhe sektorë të tjerë si ai i zjarrfikësve, është planifikuar në shumën 2.3 miliardë lekë.  Pra, gjatë vitit 2023, duke nisur nga korriku, është parashikuar një rritje e mëtejshme e pagave të arsimit dhe të shëndetësisë, prej 6 %, me një efekt 2.3 miliardë lekë. Shpenzimet totale për pagat në Administratën Publike janë planifikuar në masën 96.8 miliardë lekë ose 4.5% e PBB.

Shpenzimet operative dhe të mirëmbajtjes për qeverisjen qendrore, për vitin 2023 janë parashikuar në masën 61.5 miliardë lekë ose rreth 2.8% e PBB-së. Në këtë zë është programuar mbështetja me prioritet e politikave të qeverisë, si: skema e mbështetjes së fermerëve, mirëmbajtja e infrastrukturës dixhitale dhe siguria kibernetike, mirëmbajtja e rrugëve kombëtare dhe programet e nxitjes së punësimit.

Shpenzimet për interesa parashikohen në nivelin 60.9 miliardë lekë ose 2.8% të PBB, duke përfshirë në të dhe një kontingjencë prej 0.2% të PBB për të përballuar çdo risk të mundshëm të rritjes së normave të interesit dhe të kursit të këmbimit.

Subvencionet janë parashikuar në masën 1.6 miliardë lekë, duke qëndruar konstante në terma nominalë, krahasuar me një vit më parë. Këto shpenzime shkojnë për mbështetjen e sektorit të ujësjellës-kanalizimeve, bazuar në performancën e tij, si dhe për të mbuluar një pjesë të shpenzimeve të veprimtarisë hekurudhore.

Shpenzimet e fondeve speciale, që përfshin shpenzimet totale për Fondet e Sigurimeve Shoqërore, Shëndetësore dhe Kompensimin në Vlerë të Pronarëve, janë planifikuar në vlerën prej 226.3 miliardë lekë.

Skema e Sigurimeve Shoqërore për vitin 2023 parashikohet në masën 162.6 miliardë lekë ose 7.5% e PBB-së. Ky fond reflekton efektin e indeksimit të pensioneve në muajin tetor 2022, me një kosto vjetore rreth 8,4 miliardë lekë, si dhe indeksimin gjatë vitit 2023. sigurisht do të vijojë politika e parashikimit të një bonusi me kosto rreth 3.5 miliardë lekë, për bonusin e fundvitit për pensionistët, i cili tashmë është zë buxhetor dhe jo një pikëpyetje në buxhetin e shtetit.

Skema e Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor për vitin 2023 parashikohet në masën 54.5 miliardë lekë ose 2.5% e PBB-së, nga 52.8 miliardë lekë të planifikuara për t’u shpenzuar deri në fund të vitit 2022.

Fondi për Kompensimin në Vlerë të Pronarëve: parashikohen në total në masën 4.5 miliardë lekë ose 0.2% e PBB.

Shpenzime të tjera sociale që përfshijnë:

  • Shpenzimet për pagesën e papunësisë parashikohen në nivelin 900 milionë lekë;
  • Shpenzimet për pagesën e ndihmës ekonomike dhe aftësisë së kufizuar parashikohen në nivelin 25.9 miliardë lekë ose 1.2% e PBB-së;
  • Për ish-të përndjekurit është parashikuar një fond prej 1 miliard lekë;
  • Për bonusin e lindjeve është parashikuar një fond prej 2.2 miliardë lekë.

Niveli i Fondit Rezervë për vitin 2023 planifikohet në masën 6.6 miliardë lekë, për të përballuar emergjenca dhe aktivitete të paparashikuara, ku përfshihet dhe mbështetja shtesë për kategoritë në nevojë. Gjithashtu, në këtë fond parashikohet financimi i zgjedhjeve për organet e vetëqeverisjes vendore.

Investimet Publike për vitin 2023 janë planifikuar në masën 5.6% e PBB-së ose 122.2 miliardë lekë (duke përfshirë këtu dhe fondin e rindërtimit). Në planifikimin e investimeve për vitin 2023 janë mbajtur në konsideratë të gjitha detyrimet kontraktuale për projektet e investimeve me financim të brendshëm dhe të huaj. Ashtu si në vitin 2022, edhe në vitin 2023 do të ketë përparësi financimi i projekteve në vazhdim.

Për sa i përket mbështetjes së sektorëve prioritarë, dëshiroj ta filloj me Arsimin, ku synojmë të mbajmë një nivel konstant në raport me PBB prej mbi 3% përgjatë periudhës 2023-2025. Përveç rritjes së pagave, të parashikuar për mësuesit nga data 1 Korrik e vitit 2023, në këtë sektor do të financohet me përparësi, si vijon:

  • Ofrimi i teksteve shkollore falas për 280 mijë nxënës që ndjekin arsimin bazë, nga klasa e parë në klasën e nëntë, ku për librat e klasës së parë dhe të dytë që ribotohen çdo vit, është akomoduar fond shtesë në vlerën 100 milion lekë, si dhe ofrimi i bursave financiare apo kuotës ushqimore/financiare për 2800-3000 nxënës me nevoja të veçanta;
  • Sigurimi i shërbimit të transportit për 35 mijë fëmijë dhe nxënës që kanë vendbanimin e tyre mbi 2 km nga shkolla, si dhe për rreth 12 mijë mësues që punojnë mbi 5 Km nga vendbanimi/qendra e përhershme e punës në shkollë, duke akomoduar fond shtesë në vlerën 100 milion lekë;
  • Rritja e fondeve grant për Institucionet e Arsimit të Lartë (IAL) publike; “Pakti për Universitetet” dhe ndërkombëtarizimi i Arsimit të Lartë. – Puna do të fillojë për hapjen e filialeve të universiteteve më të mira ndërkombëtare në Shqipëri, si dhe për programe studimi të përbashkëta dhe të dyfishta me to. Granti nga buxheti për institucionet e arsimit të lartë publik, për vitin 2023, kap shifrën e 10.4 miliardë lekë.
  • Financimi i politikës “Edukimi nëpërmjet sportit” nëpërmjet klasave të profilizuara sportive. – Do të rritet numri i klasave të profilizuara sportive në mënyrë progresive në të gjithë vendin, nga 223 në 423, duke shtuar edhe disiplina të reja sportive, si gjimnastikë, atletikë dhe tenis. Do të mbështeten veçanërisht federatat e disiplinave sportive të ndryshme, duke e çuar fondin e mbështetjes për to, në nivelin 240 milionë lekë për vitin 2023.

Gjithashtu, do të vijojë rritja e financimit të kërkimit shkencor dhe të infrastrukturës së kërkimit shkencor, ku fondi shkon në 1 miliardë lekë.

 

Shëndetësia dhe Mbrojtja Sociale, ku financimi do të qëndrojë mbi 3% të PBB-së, mesatarisht për periudhën 2023-2025, ku përveç rritjes së pagave për mjekët dhe infermierët, nga data 1 korrik 2023, do të financohen me prioritet:

  • Programet e mbrojtjes së shëndetit publik, nëpërmjet programit kombëtar të vaksinimit anticovid, vaksinimit ndaj gripit, programit të plotë të imunizimit të fëmijëve nga ku përfitojnë mbi 240 mijë fëmijë.
  • Programet e parandalimit të sëmundjeve në kujdesin parësor nëpërmjet Programit të Kontrollit Mjekësor Bazë për qytetarët 35-70 vjeç, si dhe programeve të diagnostikimit të hershëm për tumoret që prekin gratë, nga të cilët do të përfitojnë analiza dhe kontrolle periodike falas mbi 490 mijë qytetarë në vit.
  • Mbështetjen e mbi 410 mijë qytetarëve në përgjigje të trajtimit të sëmundjeve kronike dhe impaktit post-Covid për rimbursimin e barnave falas nëpërmjet rritjes së financimit të skemës së rimbursimit me mbështetje 11,4 miliardë lekë.

Mbrojtja sociale:

Projektbuxheti 2023 garanton rritjen e qëndrueshme të mburojës sociale për shtresat në nevojë, me fokus tek fëmijët, nënat më shumë fëmijë, të moshuarit dhe familjet.

  • Buxheti për programet e mbrojtjes sociale rritet me 5% më shumë krahasuar me buxhetin e rishikuar 2022 duke garantuar mbështetjen e mbi 64 mijë familjeve, pjesë e programit të ndihmës ekonomike, mbështetjen e qëndrueshme të mburojës sociale lidhur me dyfishimin e masës së ndihmës ekonomike për nënat me 2 fëmijë, pas mbështetjes së atyre me 3 e më shumë fëmijë, dyfishimin e masës së ndihmës ekonomike për të moshuarit mbi 65 vjeç pa pension pleqërie apo pension social, si dhe mbështetjen e programit të pagesave për mbi 164 mijë persona me aftësi të kufizuar dhe kujdestarët e tyre.
  • Për herë të parë sigurojmë mbështetje të veçantë për gratë e papuna me 3 apo më shumë fëmijë deri 18 vjeç, me të ardhura familjare deri në 100 mijë lekë në muaj, duke i mbështetur me pagesën e kontributeve shoqërore dhe shëndetësore, për periudhën e kujdesit ndaj fëmijës deri 5 vjeç, një politikë e re kjo e dalë nga rezultatet e Këshillimit Kombëtar.
  • Financojmë Programin e Bonusit të Bebespër çdo të porsalindur, duke garantuar shpërblimin financiar nga 40,000-120,000 lekë për mbi 35 mijë fëmijë/vit.

 

Bujqësia do të përfitojë rreth 14.2 miliardë lekë në vitin 2023, ku parashikohet mbështetje për:

  • Skemën kombëtare të fermerëve, me një fond total 1.97 miliard lekë, me synim rritjen e numrit të përfituesve nga 4800 përfitues në vitin 2022, në 5000 përfitues në vitin 2023. Mbështetje tjetër për fermerët do të jetë një fond total prej 3.9 miliardë lekë, përmes financimeve nga projekti IPARD III (2021-2027).
  • Skemën e subvencionimit të naftës, me një fond total 1.62 miliard lekë, ku parashikohet të rritet numri i përfituesve nga 17.500 përfitues në vitin 2022, në 18.500 përfitues në vitin 2023.
  • Garantimin e Sigurisë Ushqimore dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, duke mbështetur veçanërisht për vitin 2023, reformimin e ISUV-it (Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinare), si laborator i vetëm reference për analizat ushqimore dhe veterinare. Kjo, përmes rritjes së nivelit të pagave për stafin me një fond total prej 30 milion lekë.
  • Lidhur me Menaxhimin e Infrastrukturës së Ujitjes dhe Kullimit, fokusi do të jetë në rehabilitimin e kanaleve ujitës me një fond total prej 240.4 milionë lekë, dhe investime në infrastrukturën e mbrojtjes nga përmbytja, nëpërmjet rehabilitimit/ndërtimit të argjinaturave mbrojtëse, me një fond total prej 654.9 milion lekë.
  • “Mbështetjen për Peshkimin”, me fokus zhvillimin e qëndrueshëm të peshkimit dhe akuakulturës, shfrytëzimin e përgjegjshëm të burimeve peshkore, duke financuar politikat e sektorit me një buxhet prej 403 milionë lekësh.

 Infrastrukturë synohet:

  • Mirëmbajtja sipas standardeve e 4044 Km rrugë në territorin e Republikës së Shqipërisë, me fond total për shpenzimet e mirëmbajtjes, prej 2.6 miliardë lekë;
  • Financimi i projektit të Tunelit të Llogarasë në vlerën 6.8 miliardë lekë dhe vazhdimi i projektit madhor “Unaza e Tiranës”;
  • Vijimi i zbatimit të projekteve koncesionare prioritate si: Rruga e Arbrit në vlerën 2.8 miliardë lekë, Rruga Orikum-Dukat në vlerën 911 milionë lekë si dhe Projekti koncesionar për Triportin Vlorë dhe Portin e Ri të Durrësit;
  • Furnizimi me ujë të pijshëm në masën 100% për zonën urbane dhe 80% për zonat rurale, nëpërmjet Reformës së Ujit në vlerën 310 milionë lekë, si dhe vazhdimi i ndërtimit të projekteve ekzistuese dhe të reja në sektorin e ujësjellës-kanalizimeve në vlerën totale prej 14.7 miliardë lekë;
  • Reformimi i sektorit hekurudhor sipas ligjit 90/2021 “Për ndarjen e shoqërisë “hekurudha shqiptare”, duke vijuar subvencionimin e sektorit me një fond total prej 490 milionë lekë.

Për sektorin e infrastrukturës dixhitale synohet:

  • Mirëmbajtja e rreth 115 sistemeve qeveritare, me kosto rreth 2 miliardë lekë për vitin 2023;
  • Në kuadër të mbrojtjes dhe sigurisë kibernetike për sistemet dhe infrastrukturën e-gov, do të financohet me 2 miliardë lekë zëri “shpenzime operative” që lidhet me konsulencën dhe mbështetjen nga kompanitë “Microsoft”, sikundër financohet dhe kontrata me “Jones Group International”;
  • Financohet financimi i huaj me rreth 3 mld lekë, lidhur me Kredinë e Bankës Botërore, në kuadër të mbrojtjes së sigurisë kibernetike;

Për sektorin e Mbrojtjes planifikohet 40.3 miliardë lekë ose 1.85% e PBB dhe financon politikat për garantimin e rritjes së buxhetit për sigurinë kombëtare dhe angazhimet në NATO; Për vitin 2023 buxheti do të jetë 1.85 % e PBB dhe respektivisht 2 % e PBB në vitet 2024-2025.

  • Me këtë buxhet do të mundësojmë trajnimin e personelit ushtarak dhe civil;
  • Plotësimin e kapaciteteve operacionale të deklaruara nga NATO nëpërmjet modernizimit të Forcave të Armatosura, fuqizimin e forcës tokësore, ajrore dhe detare me 13.8 miliardë lekë;
  • Garantohen kapacitete të reja për teknologjinë e informacionit dhe mbikëqyrjes nëpërmjet blerjes së dronëve dhe shërbimit satelitor me 1.4 miliardë lekë;
  • Ngritjen e njësisë ushtarake ekselente për mbrojtjen kibernetike;
  • Transformimin e sistemit arsimor ushtarak sipas standardeve;
  • Ngritja e qendrës së inovacionit në siguri dhe mbrojtje;
  • Ngritja dhe ndërkombëtarizimi i Kolegjit të Forcave të Armatosura;
  • Trajtimi i rreth 93,300 urgjencave/të shtruar tek spitali i traumës si dhe rasteve ambulatore, me kosto financimi rreth 1.2 miliardë lekë;
  • Rritja e kapaciteteve të mbrojtjes civile nëpërmjet ndërhyrjes në infrastrukturë dhe pajisjeve për mbrojtjen civile.
  • Zbatimi i parimit të autosuficencës së energjisë elektrike të MM dhe Forcave të Armatosura nëpërmjet mbështetjes së prodhimit të energjisë diellore në pronat e Forcave të Armatosura;

Për Kulturën, projektbuxheti i vitit 2023 planifikohet në masën 3.9 miliardë lekë dhe mbështet një sërë iniciativash dhe projekte ambicioze në art, kulturë e trashëgimi në të gjithë vendin.

  • Do të vijojë iniciativa e “Bonusit të Rijetëzimit”;
  • Promovimi i “Artit në Hapësirat Publike”;
  • E realizimit të javëve ndërkombëtare të kulturës;
  • Gjithashtu, ky projektbuxhet synon rritjen e mbështetje për aktivitetet e fushës së trashëgimisë kulturore jo materiale në 90 aktivitete;

  • Nga ana e investimeve, do të vijojë:
  • Rijetësimi i Piramidës Tiranë;
  • Ndërtimi i Qendrës Kombëtare për Fëmijë dhe Teatrit të Kukullave;
  • Ndërtimi i Godinës së Teatrit Tiranë;
  • Projekti i Cirkut të ri Kombëtar;
  • Projekti për Restaurimin dhe Muzealizimi i ish banesës së Toptanasve.

Për të kaluar tek Buxheti Vendor, procesi i menaxhimit të financave publike vendore është shoqëruar me disa sfida, për shkak të pasojave të pandemisë COVID-19, tërmeteve të vitit 2019, krizës ekonomike dhe energjetike, gjeneruar nga lufta në Ukrainë. Por, si gjithmonë, përballimi i këtyre sfidave të mëdha ekonomike dhe buxhetore nga njësitë e vetëqeverisjes vendore, është një tregues pozitiv i punës së zhvilluar në këto vite në drejtim të stabilitetit makroekonomik, parashikueshmërisë së fondeve dhe transparencës së përdorimit me disiplinë të fondeve buxhetore.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë në vitin 2023 do të vijojë me reformimin e financave publike vendore, duke u fokusuar në rritjen e investimeve, digjitalizimin e operacioneve të menaxhimit financiar në nivel vendor, rritjen e të ardhurave nga taksat vendore si dhe në reformimin e skemave të financimit të qeverisjes vendore.

Shpenzimet e buxhetit vendor për vitin 2023 janë parashikuar në masën 65.5 miliardë lekë, me një rritje prej 9% më shumë se buxheti i vitit 2022.  Këto shpenzime për vitin 2023 zënë rreth 3.1% të PBB-së, nga 2.3% që zinin në vitin 2013.

Të ardhurat e veta të pushtetit vendor, nga viti 2015 në vitin 2023, kanë pësuar një rritje të ndjeshme me rreth 17.4 miliardë lekë. Ndërkohë, krahasuar me vitin 2022, ato janë rritur me rreth 1.5 miliardë lekë.

Mbështetja që ka dhënë qeveria për njësitë e vetëqeverisjes vendore, nëpërmjet reformave të ndërmarra, pasqyrohet në rritjen e transfertës së pakushtëzuar, e cila në krahasim me vitin 2022 është rritur në vlerën 3 miliardë lekë, ose 16.1% më e lartë. Krahasuar me vitin 2015, tani kemi 9.4 miliardë lekë më shumë ose rreth 76.4% më shumë financim nga pushteti qendror.

Rritja e konsiderueshme e transfertës së pakushtëzuar tregon rëndësinë që kjo qeveri, gjatë këtyre viteve, i ka kushtuar procesit të decentralizimit dhe efikasitetit të qeverisjes vendore.

Pagat e të gjithë administratës vendore për vitin 2023 do jenë të rritura. Për funksionet e decentralizuara në vitin 2016, rritja do të përballohet nga rritja e transfertës së pakushtëzuar sektoriale, ndërsa për pjesën tjetër do të përballohet nga rritja e transfertës së pakushtëzuar të përgjithshme. Me ndjeshmërinë për specifikën e punës për emergjencat civile, rritje të ndjeshme të pagave do kenë zjarrfikësit, ku sigurisht efektin e rritjes e përballon buxheti i shtetit.

Në transfertën e pakushtëzuar të parashikuar për vitin 2023, 21.7 miliardë lekë, do të shtohen edhe fondet prej 9.8 miliardë lekë transfertë e pakushtëzuar sektoriale për funksionet e reja. Në total, në vitin 2023, granti nga buxheti i shtetit për pushtetin vendor do të jetë në shumën 31.5 miliardë lekë.

Edhe në këtë buxhet vijon mbështetja e reformës së financimit të arsimit parashkollor. Kostoja e kësaj reforme është 327 milionë lekë, dhe mbulohet nga transferta e pakushtëzuar për bashkitë për vitin 2023. Kjo garanton vazhdimin e shërbimit të mbi 400 edukatorëve shtesë, me qëllim rritjen e cilësisë së shërbimit në kopshte. Kjo reformë bën një ndarje më të drejtë të fondeve, zbut diferencat ndërmjet bashkive përsa i përket raportit “fëmijë për edukatorë” dhe siguron fonde shtesë për ato bashki që kanë një nevojë imediate për rritjen e numrit të edukatorëve.

Përpara se ta mbyll fjalën time, dëshiroj të ritheksoj se në kuadrin e politikave sociale të nxitura nga Kryeministri dhe mbështetura nga Qeveria, jemi kujdesur që asnjë familje shqiptare të mos ketë efekte nga rritjet e konsiderueshme të çmimeve të energjisë elektrike në tregjet botërore.

Përgjigja imediate ndaj këtij objektivi mund të jepet vetëm duke mbajtur në kontroll shpenzimet e tyre buxhetore dhe duke ndikuar direkt në buxhetin e çdo familjeje shqiptare nga njëra anë, e nga ana tjetër dhe duke ndikuar indirekt në inflacion, duke mbajtur nën kontroll ato kosto shtesë që do t’i vinin pjesës më të madhe të bizneseve, pasi peshën më të madhe të këtij buxheti do ta çojmë aty ku është nevoja, aty ku kjo krizë na detyron.

Konkretisht, në këtë buxhet mbështetja e sektorit energjetik do të jetë me 12 miliardë lekë, duke vijuar ruajtjen e pandryshuar të çmimit për konsumatorët familjarë dhe për pjesën më të madhe të bizneseve. Kjo do të jetë e kushtëzuar në varësi të kushteve atmosferike, të tregjeve të energjisë, si dhe gjendjes financiare të kompanive prodhuese. Fakti është se kjo mbështetje pason dy ndërhyrje të konsiderueshme në buxhetet e vitit 2021 dhe 2022 me respektivisht 10 miliardë lekë në 2021 e 28 miliardë lekë mbështetje për këtë sektor në vitin 2022.

Të nderuar Kryetarë,

Siç mund ta vëreni, fatura financiare që Qeveria duhet të përballojë për mbajtjen e pandryshuar e çmimit fundor të energjisë elektrike është e konsiderueshme. Ndaj, unë gjej rastin të përsëris thirrjen për më shumë ndërgjegjësim nga ana e qytetarëve dhe biznesit privat, për nevojën e ngutshme për të kursyer, ato që mund ta kursejnë energjinë elektrike, për ta miradministruar energjinë elektrike, si dhe për të rritur përpjekjet për diversifikimin e prodhimit të saj nëpërmjet burimeve të tjera të rinovueshme, njësoj siç po bën qeveria shqiptare.

Në mbyllje të fjalës time, dëshiroj të ritheksoj objektivat kryesorë të këtij projektbuxheti: Mbështetja e shtresave në nevojë, mbështetja për çmimin e energjisë elektrike dhe sektorit të energjisë, por edhe mbështetja e rritjes së qëndrueshme ekonomike dhe konsolidimit të pandalshëm  fiskal, pasi eksperienca e kaluar ka dëshmuar që, gjatë shqyrtimit të projektbuxhetit, nga secili prej komisioneve të Kuvendit apo prej secilit nga deputetët e tij, janë paraqitur propozime për të shtuar fonde për sektorë apo institucione specifike. Në këtë kontekst, do parashtroja kërkesën që këto propozime të marrin parasysh pikërisht ruajtjen e parametrave që lidhen me këto objektiva madhorë dhe prioritetet e buxhetit të ardhshëm, nga njëra anë mbështetjen për përballimin e krizës, dhe nga ana tjetër konsolidimin fiskal.

Faleminderit.

Previous Fjala e Kryeministrit Edi Rama në seancën e sotme parlamentare