Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, zhvilloi një takim me përfaqësues të bizneseve në sektorin e Teknologjisë së Informacionit, qëllimi i të cilit ishte informimi dhe diskutimi mbi nxitjen e punësimit të personave me aftësi të kufizuara.
Takimi vjen pas ndryshimeve të fundit të miratuara në ligjin “Për nxitjen e punësimit”, një pjesë e të cilave lidhen detyrimet që duhet të përmbushin kompanitë private dhe entet publike, lidhur me punësimin e personave me aftësi të kufizuara.
Ministrja theksoi se kjo është një nismë shumë e rëndësishme, e cila synon nxitjen e punësimit të personave me aftësi të kufizuara, duke i siguruar atyre jo vetëm punësim dhe mundësinë e sigurimit të të ardhurave shtesë, por edhe garantimin e një jetese më të denjë për ta dhe kushte të barabarta.
Ndryshimet ligjore, tha Ibrahimaj, u hartuan me synim krijimin e një mekanizmi të përshtatshëm, si për identifikimin e kompanive që kanë detyrim punësimin e PAK, por edhe të instrumentit për të bërë pagesën në Fondin Social, në rast se është i pamundur punësimi, pagesë që do të kryhet në të ardhmen pranë administratës tatimore.
Kompanitë private dhe entet publike kanë detyrim të punësojnë një person me aftësi të kufizuar për çdo 25 të punësuar dhe nga një person me aftësi të kufizuar shtesë për çdo 50 punonjës të tjerë, e në rast se kjo nuk ndodh, atëherë kanë si detyrim të paguajnë një kontribut të barabartë me pagën minimale, çdo muaj, për çdo person me aftësi të kufizuar që do të duhej të punësonin.
“Fondi që do të mblidhet nga pagesat e bizneseve apo të enteve publike do të përdoret ekskluzivisht për personat me aftësi të kufizuara, për trajnimin dhe aftësimin e tyre, apo për programet e nxitjes së punësimit që do të ndërmjetësojnë apo ndihmojnë bizneset për të punësuar persona me aftësi të kufizuara. Ne kemi synim që punësimi të jetë në nivel sa më të lartë dhe nuk kemi synim të mbledhim sa më shumë fond”, tha Ministrja.
Aktualisht, Agjencia Kombëtare për Punësim dhe Aftësim ka filluar krijimin e një databaze për personat me aftësi të kufizuar, e cila do të jetë e disponueshme për bizneset dhe entet publike me qëllim punësimin e tyre.
Duke iu drejtuar pjesëmarrësve në takim, Ministrja tha se sektori i IT është një sektor me potencial të lartë për punësimin e PAK, ndërsa vuri theksin në rëndësinë e rritjes së komunikimit të gjithë aktorëve të përfshirë në këtë proces, forcimit të bashkëpunimit mes AKPA dhe bizneseve, sidomos sa i përket informimit sa më të mirë lidhur me parashikimet dhe detyrimet ligjore.
Takimi me përfaqësues të bizneseve në sektorin e IT është i dyti që Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka zhvilluar lidhur me nxitjen e punësimit të PAK, pas atij të parë të zhvilluar me sektorin financiar, në një kohë që detyrimet për kompanitë dhe entet publike do të hyjnë në fuqi në 1 janar 2024.