Ministrja Klodiana Spahiu: Këshilli Kombëtar i të Moshuarve, një zë i drejtpërdrejtë në vendimmarrje
Moshimi aktiv dhe kujdesi i integruar shëndetësor e social, prioritete të Planit Kombëtar të Veprimit 2025–2030 dhe Buxhetit 2027
Forcimi i politikave për moshimin aktiv dhe të shëndetshëm, zgjerimi i shërbimeve shëndetësore e sociale dhe përfshirja e të moshuarve në vendimmarrje janë ndër prioritetet kryesore të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale.
Në këtë kuadër, Plani Kombëtar i Veprimit për Moshimin 2025–2030 parashikon një qasje më gjithëpërfshirëse ndaj nevojave të të moshuarve, duke vendosur në qendër jo vetëm kujdesin shëndetësor dhe mbështetjen sociale, por edhe pjesëmarrjen e tyre aktive në hartimin e politikave publike.
Gjatë Konferencës Kombëtare mbi Moshimin Aktiv dhe Gjithëpërfshirës, ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu, prezantoi drejtimet kryesore të planit të ri, duke veçuar ngritjen, për herë të parë, të Këshillit Kombëtar të të Moshuarve, si një mekanizëm për përfaqësimin e drejtpërdrejtë të kësaj grupmoshe në proceset vendimmarrëse.
“Ne kemi një plan kombëtar veprimi për moshimin, i cili është plani i dytë dhe që vjen me sfida të reja. Plani 2025–2030 është shumë më ambicioz. Synojmë politika mbështetëse jo vetëm në aspektin mjekësor, por edhe në atë shoqëror e social. Një nga hapat më të rëndësishëm do të jetë ngritja e Këshillit Kombëtar të të Moshuarve, sepse është thelbësore që zëri i tyre të dëgjohet. Vetëm duke dëgjuar nevojat dhe shqetësimet e tyre mund të ndërtojmë politika që u përgjigjen realisht atyre”, u shpreh ministrja Spahiu.
Një tjetër instrument në mbështetje të të moshuarve është Linja Falas e Këshillimit, e ngritur sipas praktikave të mira evropiane, e cila ofron informacion, orientim dhe këshillim, veçanërisht për qytetarët që jetojnë në zona të largëta dhe kanë akses më të kufizuar në shërbime.
Në fushën e përkujdesjes sociale, ministrja nënvizoi rëndësinë e zgjerimit të shërbimeve pranë komunitetit. Përmes Fondit Social janë mbështetur 98 shërbime të reja, prej të cilave 25 u dedikohen të moshuarve. Projektbuxheti i vitit 2027 synon të sigurojë vijimësinë e financimit dhe konsolidimin e këtyre shërbimeve, me qëllim garantimin e një kujdesi më të qëndrueshëm dhe më pranë vendbanimit të përfituesve.
Vëmendje e veçantë i është kushtuar edhe forcimit të kujdesit shëndetësor parandalues. Zgjerimi i programit të kontrollit mjekësor falas, përmes heqjes së kufirit të sipërm të moshës, mundëson përfshirjen e të moshuarve në kontrollet periodike, duke nxitur diagnostikimin e hershëm dhe parandalimin e sëmundjeve.
Paralelisht, Ministria po punon për zgjerimin e kujdesit të specializuar geriatrik, përmes ngritjes së shërbimit të Geriatrisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” dhe shtrirjes së planifikuar të këtij shërbimi në katër spitale bashkiake.
“Një politikë e re, për të cilën kemi punuar intensivisht në bashkëpunim edhe me Institutin e Shëndetit Publik, është ngritja e shërbimit të Geriatrisë në Qendrën Spitalore Universitare ‘Nënë Tereza’. Po punojmë që këtë shërbim ta bëjmë të mundur edhe në katër prej spitaleve bashkiake të Shqipërisë, në mënyrë që kujdesi i specializuar të shtrihet në të gjitha zonat gjeografike”, deklaroi ministrja Spahiu.
Këto masa synojnë të ndërtojnë një model të integruar të kujdesit për të moshuarit, ku shërbimet shëndetësore, mbështetja sociale dhe përfaqësimi në vendimmarrje të funksionojnë si pjesë të një politike të përbashkët.
Përmes Planit Kombëtar të Veprimit 2025–2030 dhe prioriteteve të Projektbuxhetit 2027, Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale synon të forcojë një sistem mbështetës që garanton më shumë dinjitet, siguri, pavarësi dhe cilësi jete për të moshuarit në të gjithë vendin.