Ministrja Kumbaro prezanton bilancin e turizmit për vitin 2025 dhe objektivat për “Shqipërinë Turistike 2030” - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Ministrja Kumbaro prezanton bilancin e turizmit për vitin 2025 dhe objektivat për “Shqipërinë Turistike 2030”

Qeveria shqiptare prezantoi sot bilancin e sezonit turistik veror 2025 dhe objektivat e reja në kuadër të vizionit “Shqipëria Turistike 2030”. Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro, në prani të Kryeministrit Edi Rama dhe anëtarëve të kabinetit qeveritar, bëri të ditur se vendi ka arritur një rekord të ri të vizitorëve dhe të ardhurave nga turizmi, duke e kthyer këtë sektor në një shtyllë kryesore të zhvillimit ekonomik.

Gjatë periudhës janar-gusht 2025, Shqipëria ka mirëpritur gati 9 milionë vizitorë të huaj, ose 500 mijë më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2024. Vetëm në muajin gusht u regjistruan 2,38 milionë turistë, që përfaqësojnë një rritje me 10% krahasuar me vitin e kaluar. Ministrja Kumbaro nënvizoi se Kosova dhe Italia mbeten tregje të konsoliduara, ndërsa rritje të ndjeshme kanë shënuar Gjermania me 21%, Franca me 44% dhe Kina me 28%, duke treguar se Shqipëria po hyn fuqishëm edhe në tregje të reja.

Turizmi, sipas të dhënave, po shfaq një impakt të drejtpërdrejtë në ekonomi. Në vitin 2021 të ardhurat nga ky sektor arrinin në 1,8 miliardë euro, ndërsa në vitin 2024 u regjistruan 5 miliardë euro. Vetëm për periudhën janar-korrik të këtij viti, janë shënuar rritje të ndjeshme të të ardhurave: 12% më shumë në sektorin e restoranteve, 15% më shumë në hotele dhe 14% më shumë në aktivitete të tjera të lidhura me turizmin. “Këto shifra tregojnë se strategjia e Shqipërisë po jep rezultate, duke ndërtuar një turizëm të qëndrueshëm dhe jo vetëm masiv sezonal,” theksoi ministrja Kumbaro.

Një tjetër prioritet i shpallur nga qeveria për vitin e ardhshëm është rritja e numrit të plazheve publike. Ministrja theksoi se përballja me bizneset që kanë zaptuar hapësirat publike nuk ka qenë e lehtë, por rezultatet kanë sjellë pushues të kënaqur dhe do të shoqërohen me zgjerimin e mëtejshëm të parcelave publike në sezonin 2026.

Në vijim të mandatit të katërt qeverisës, janë prezantuar gjithashtu projekte të rëndësishme të Strategjisë Kombëtare të Zhvillimit të Qëndrueshëm të Turizmit 2025-2030. Midis tyre përfshihet krijimi i Akademisë Ndërkombëtare të Turizmit dhe Mikpritjes në bashkëpunim me Organizatën Botërore të Turizmit, si dhe ngritja e një Platforme të Integruar Digjitale që do të përfshijë regjistrin kombëtar të turizmit, sistemin elektronik e-Visitor për gjurmimin në kohë reale të vizitorëve dhe një mekanizëm modern për mbledhjen dhe analizimin e statistikave të sektorit.

Aktualisht, Shqipëria ka të certifikuar 972 guida turistike dhe 239 operatorë të turizmit detar, ndërsa numri i parcelave publike të plazheve ka arritur në 1711. Pastrimi i tyre ka përfshirë mbledhjen e 176 tonëve mbetje gjatë këtij sezoni, një sfidë e përballuar nga bashkitë me asistencën e Agjencisë Kombëtare të Bregdetit.

Previous Tryeza e dytë e prezantimit teknik të Kodit të ri Penal, Manja: Shqipëria do të ketë një Kod Penal të dakordësuar me Brukselin