Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi në kuadër të përgatitjeve për provimet e Maturës Shtetërore, organizoi një takim me maturantë të dy shkollave të mesme të kryeqytetit. Gjatë këtij takimi u diskutua për nevojat se si mund të mbështeten më tej maturantët, në mënyrë që në provime të merren rezultate sa më të larta.
“Përgatitjet për mbarëvajtjen e procesit të Maturës Shtetërore janë vëmendja jonë kryesore gjatë kësaj periudhe. Për këtë arsye zhvillova një takim me maturantë dhe mësues të shkollave të mesme “Sami Frashëri” dhe “Andon Zako Çajupi”, me të cilët diskutuam se si mund t’i mbështesim ata më shumë në këtë proces përgatitor për të patur rezultate sa më të larta”- shprehet ministrja rreth takimit.
Znj. Kushi shton gjithashtu se me maturantët është diskutuar edhe mbi rëndësinë që ka këshillimi i karrierës në orientimin e drejtë të nxënësve, në mënyrë që ata të bëjnë zgjedhjet e duhura për vazhdimin e studimeve në institucionet e arsimit të lartë.
Ministrja ka kërkuar nga maturantët që të shprehen për çdo nevojë dhe kërkesë që ata kanë në lidhje me provimet e rëndësishme të Maturës Shtetërore, në mënyrë që ministria të krijojë mundësi të reja në mbështetje të të gjithë maturantëve, duke angazhuar institucionet e varësisë.
Siç është deklaruar edhe më parë, datat e provimeve këtë vit do të jenë: 9 Qershor për Gjuhën e Huaj; 11 qershor për Gjuhën Shqipe dhe Letërsinë; 17 qershor për Matematikën; dhe 24 qershor për lëndët me zgjedhje.