Ministrja Spahiu: Në fillim të vitit 2027 sjellim PET Scan, Instituti i Onkologjisë nis funksionimin në janar
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu, gjatë interpelancës në Kuvend, bëri të ditur se Instituti i Onkologjisë do të nisë funksionimin në janar, ndërsa PET Scan-i synohet të vihet në dispozicion në fillim të vitit 2027.
Duke u ndalur te shërbimi onkologjik, ministrja Spahiu bëri të ditur se është vendosur një udhëzim i detajuar për ndjekjen e pacientëve që diagnostikohen për herë të parë, si dhe të atyre që duhet të ndiqen pas ndërhyrjeve kirurgjikale.
Bashkëpunimi i QSUT-së me Institutin e Tumoreve të Milanos, sipas saj, ka ndihmuar në hartimin e 38 protokolleve të unifikuara për trajtimin e sëmundjeve tumorale. Rastet onkologjike shqyrtohen nga ekipe multidisiplinare, ku përfshihen onkologu, kirurgu, radioterapisti, radiologu, anatomopatologu dhe specialistë të tjerë sipas rastit.
Në fjalën e saj, ministrja u ndal edhe te hemodializa, sterilizimi dhe kontrolli mjekësor bazë, me fokus në zhvillimin e këtyre shërbimeve dhe forcimin e kapaciteteve publike. Shërbimi i sterilizimit është nën drejtimin e Operatorit të Shërbimeve të Integruara Shëndetësore që prej muajit prill, ndërsa administrimi shtetëror i kontrollit mjekësor bazë ka nisur më 11 shtator. Marrja në administrim publik e këtyre shërbimeve lidhet me rritjen e kapaciteteve të shtetit për t’i ofruar ato drejtpërdrejt. Synimi është që pacientët të vazhdojnë të marrin shërbimin pa ndërprerje, me cilësi, siguri dhe përgjegjshmëri të qartë institucionale.
Sa i përket Operatorit të Shërbimeve të Integruara Shëndetësore, ajo sqaroi se bëhet fjalë për një shoqëri me kapital 100% shtetëror dhe se ndryshimi i emërtimit nga OSHIS në OSHISH nuk nënkupton krijimin e një institucioni të ri. Operatori ka rol në administrimin operacional të shërbimeve specifike, ndërsa funksionet e politikëbërjes, financimit, rregullimit, prokurimit dhe mbikëqyrjes mbeten të ndara mes institucioneve përgjegjëse.
Duke iu referuar hemodializës, ministrja Spahiu theksoi se zgjerimi i shërbimit u bë në një periudhë kur kapacitetet publike ishin të pamjaftueshme për sa i përket pajisjeve, infrastrukturës, burimeve njerëzore dhe kapaciteteve teknike. Në vitin 2011, Shqipëria kishte arritur në 284 pacientë për një milion banorë, ndërsa në vitin 2012 shërbimi ofrohej në disa spitale rajonale. Në vitin 2015 u shpall procedura për partneritetin publik-privat të hemodializës në pesë spitale rajonale, në Shkodër, Lezhë, Korçë, Vlorë dhe Elbasan, me synim afrimin e shërbimit pranë pacientëve.
Në këtë kuadër, investimet e ndërmarra ndër vite kanë synuar rritjen e kapaciteteve publike dhe krijimin e mundësive që shteti të marrë drejtpërdrejt administrimin e disa shërbimeve shëndetësore.