Miratohen projektligjet për reformën e pagave, Ibrahimaj: Paga mesatare do shkojë 900 euro në 2024 - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Miratohen projektligjet për reformën e pagave, Ibrahimaj: Paga mesatare do shkojë 900 euro në 2024

Komisioni parlamentar i Ligjeve shqyrtoi dhe miratoi në mbledhjen e sotme dy projektligje të rëndësishme të propozuara nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, që kanë si objekt reformën e pagave në vend:

Projektligjin: “Për disa ndryshime në ligjin nr.9584, datë 17.7.2006,“Për pagat, shpërblimet dhe strukturat e Institucioneve të Pavarura Kushtetuese dhe të institucioneve të tjera të pavarura të krijuara me ligj”, të ndryshuar;

Projektligjin: “Për kompetencat për caktimin e pagave, trajtimeve të tjera financiare dhe përfitimeve të të punësuarve në institucionet e administratës publike, si dhe të pagës bazë minimale në shkallë vendi””.

Në fjalën e saj para komisionit, Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, tha se përmes dy nismave ligjore synohet një reformë e plotë dhe e thellë të pagave, duke nisur nga hierarkia shtetërore e pagave, e deri kompetencat në fushën e pagave apo trajtimet dhe përfitimet e tjera financiare të të punësuarve në administratën shtetërore, për ta bërë administratën publike sa më tërheqëse dhe për të nxitur inovacionin dhe konkurrueshmërinë.

“Sot ne po bëjmë realitet një rritje pagash e cila deri pak vite më parë ishte e pamenduar, duke e çuar pagën mesatare në nivelin e 900 euro në harkun e një viti, me dy hapa, hapi i parë tani që ka filluar për një pjesë të administratës publike dhe hapi tjetër në fillim të vitit të ardhshëm; nga 530 euro që ka qenë paga mesatare në vendin tonë për administratën publike, në vitin 2024 ajo do të rritet në 900 euro. Ndërkohë që kemi vijuar me reformën e rritjes së pagës minimale, ku që prej 1 prillit 2023, ky nivel page është rritur me 6 mijë lekë, duke arritur në 40 mijë lekësh dhe synimi ynë është që brenda këtij mandati, paga minimale të shkojë në vlerën 45 mijë lekë. Kjo është një politikë e cila synon t’u vijë në ndihmë kësaj fashe punonjësish me paga sa më dinjitoze”, u shpreh Ibrahimaj.

Ministrja theksoi faktin se kjo iniciativë është ndërmarrë pas një analize të thellë dhe nevojës për reformimin e pagave në vend, pasi ndërsa vendi po kalon në një epokë të re të transformimit dixhital dhe përparimeve të shpejta teknologjike, është thelbësore që sistemet e përcaktimit të pagave përputhen me kërkesat e zhvillimit të tregut të punës.

Ndryshimet ligjore propozojnë që paga e Presidentit të rritet në nivelin e 425 mijë lekë nga 257 mijë lekë që është aktualisht. Ministrja sqaroi se nga ndryshimi në hierarkinë e pagave përfitojnë 250 funksionarë politikë dhe funksionarë të tjerë, të cilët pagën e kanë të lidhur me pagën e Presidentit dhe efekti financiar vjetor vetëm për këto kategori përllogaritet në 20 milionë lekë.

Nga ana tjetër, grupet e prekura in-direkt janë të gjithë punonjësit e administratës publike qendore dhe vendore.

“Sa i takon efektit financiar, kosto totale e kësaj politike më 1 janar 2025 shkon rreth 39 miliardë lekë, prej të cilave 1 miliard lekë përllogaritet efekti financiar i zbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për vitin 2023. Nga kjo reformë përfitojnë në total 130 330 punonjës”, tha Ministrja.

Politika e rritjes së pagave për administratën publike është parashikuar të shtrihet në dy vite.

Fjala e Ministres Ibrahimaj:

E nderuar kryetare e komisionit,

Të nderuar deputetë,

Për mua është kënaqësi e veçantë të prezantoj dy projektligje pjesë e paketës së reformës së pagave, e cila shumë është diskutuar kohët e fundit. Projektligjet që paraqesim sot para jush për miratim janë një reformë e plotë dhe e thellë e pagave, duke filluar nga hierarkia shtetërore dhe duke vazhduar me kompetencat në fushën e pagave, por edhe trajtimet e tjera financiare dhe përfitimet e të punësuarve në të gjithë institucionet e administratës publike, për ta bërë administratën publike më tërheqëse për specialistët, ekspertët dhe menaxherët më të mirë, si dhe për të stimuluar performancën, inovacionin dhe konkurrueshmërinë.

Në këtë drejtim, ne kemi bërë një analizë të thellë dhe kemi gjykuar se nevojitej ndërhyrje e thellë në ligjet që parashikojnë reformat në paga.

Një nga parimet kryesore ku mbështetet legjislacioni që paraqesim sot është njohja se: individët zotërojnë nivele të ndryshme të kompetencave, të cilët kontribuojnë ndjeshëm në efektivitetin në vendin e tyre të punës.

Ndërsa kalojmë në një epokë të re të transformimit dixhital dhe përparimeve të shpejta teknologjike, është thelbësore që të sigurohemi që sistemet tona të përcaktimit të pagave përputhen me kërkesat e zhvillimit të tregut të punës.

Duke njohur dhe vlerësuar kompetencat, ne mund të nxisim një forcë punëtore më dinamike dhe të adaptueshme që mbetet elastike përballë ndryshimit të peizazheve ekonomike.

Shqipëria ka hyrë tashmë në një fazë të re edhe në aspektin ekonomik për të qenë sa më konkurruese edhe në rajon kundrejt një procesi të pandalshëm siç është ai i integrimit në familjen e madhe europiane, nevojiten miratimet e këtyre ligjeve.

Sot ne po bëjmë realitet një rritje pagash e cila deri pak vite më parë ishte e pamenduar, duke e çuar pagën mesatare në nivelin e 900 euro në harkun e një viti, me dy hapa, hapi i parë tani që ka filluar për një pjesë të administratës publike dhe hapi tjetër në fillim të vitit të ardhshëm; nga 530 euro që ka qenë paga mesatare në vendin tonë për administratën publike, në vitin 2024 ajo do të rritet në 900 euro. Ndërkohë që kemi vijuar me reformën e rritjes së pagës minimale, ku që prej 1 prillit 2023, ky nivel page është rritur me 6 mijë lekë, duke arritur në 40 mijë lekësh dhe synimi ynë është që brenda këtij mandati, paga minimale të shkojë në vlerën 45 mijë lekë. Kjo është një politikë e cila synon t’u vijë në ndihmë kësaj fashe punonjësish me paga sa më dinjitoze.

Kjo politikë gjithëpërfshirëse rritjeje vjen si rezultat i mundësive të reja që ka krijuar ekonomia për më shumë punë dhe për të ardhura më të larta për qytetarët.

Dhe nuk është një vendimmarrje e çastit apo një hop i momentit, sikundër e kemi dëgjuar të artikulohet shumë kohët e fundit.

Ne analizuam diferencat me vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe qëllimi ynë është përafrimi gjatë 2-3 viteve në vijim i nivelit të pagave të sektorit publik në vendin tonë me mesataren e tyre duke synuar arritjen e një mesatareje të krahasueshme me vendet e BE-së, përgjatë një periudhe më afatgjatë (10-15 vite).

Objektivat që ne kemi dhe arrijmë të synojmë janë:

  • Të krijojmë një piramidë të niveleve të pagave për disa institucione kushtetuese dhe të pavarura, e cila do të jetë në përputhje me rëndësinë dhe përgjegjësitë e tyre. Me përcaktimin e pagës së Presidentit, si paga më e lartë në Republikën e Shqipërisë, janë të lidhura gjithashtu edhe disa funksione të tjera kushtetuese dhe të pavaruara të krijuara me ligje specifike, duke krijuar kështu një hierarki mes këtyre funksioneve, por njëkohësisht duke u shkëputur ndjeshëm nga funksione të tjera të administratës publike.

Që nga viti 2006, kanë ndodhur disa ndryshime ligjore, që ndikojnë në fushën e veprimit të ligjit aktualisht në fuqi, ku mund të përmendim si miratimin e ligjeve të reja për disa nga institucionet e pavarura, pjesë e fushës së veprimit të ligjit aktual, ashtu dhe ndryshimin në emërtimet e institucioneve, të cilat në disa raste janë hequr nga fusha e tij e veprimit.

  • Ne synojmë të vijojmë me hierarkinë e pagave të administratës publike, duke krijuar mundësinë për realizimin e reformës së pagave për disa grupe të tjera të nëpunësve dhe punonjësve të administratës publike qendrore dhe vendore, duke krijuar kështu kushtet e nevojshme për të tërhequr dhe mbajtur individët e kualifikuar.

Një moment tjetër i rëndësishëm është edhe angazhimi që qeveria shqiptare ka ndërmarrë për reformën dhe rritjen e pagave për disa grupe të tjera të nëpunësve dhe punonjësve të administratës publike, reformë e cila nuk mund të jetësohet, nëse nuk miratohet ndryshimi i propozuar në ligjin nr. 9584/2006, të ndryshuar. Kjo, pasi për shkak të rritjeve ndër vite të pagave sipas sistemeve, aktualisht jemi në situatën ku çdo rritje page e nëpunësve civilë dhe nëpunësve të tjerë pa ndryshuar ligjin, do të ndikonte në përkeqësimin e mëtejshëm të hierarkisë aktuale të pagave.

Përfituesit dhe efektet financiare janë si më poshtë:

Presidenti i Republikës, titullarët dhe anëtarët me kohë të plotë të organeve kolegjiale drejtuese të institucioneve të pavarura kushtetuese dhe institucioneve të tjera të pavarura të krijuara me ligj.

Praktikisht, përfitojnë 250 funksionarë politikë dhe funksionarë të tjerë, të cilët pagën e kanë të lidhur me pagën e Presidentit dhe efekti financiar vjetor vetëm për këto kategori përllogaritet në 20 milionë lekë.

Më konkretisht, paga e Presidentit propozohet të rritet në nivelin 425 mijë lekë të reja nga 257 mijë lekë që është aktualisht. Për sa i përket koeficientëve të pagës për pozicionet që kanë të bëjnë me institucionin e Kuvendit dhe atë të Ekzekutivit, ato janë përshtatur pa ndryshuar nivelin aktual të pagave, për ta rikonsideruar në një moment të dytë. Kjo për shkak se kemi pasur për qëllim për tu fokusuar fillimisht tek finalizimi i kësaj politike të re të rritjes së pagave për një kategori më të madhe përfituesish, sikurse janë të gjithë punonjësit e administratës publike qëndrore dhe vendore.

Grupet e prekura in-direkt janë të gjithë punonjësit e administratës publike qendore dhe vendore. Politika e rritjes së pagave për administratën publike është parashikuar të shtrihet në dy vite.

Sa i takon efektit financiar, kosto totale e kësaj politike më 1 janar 2025 shkon rreth 39 miliardë lekë, prej të cilave 1 miliard lekë përllogaritet efekti financiar i zbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për vitin 2023. Nga kjo reformë përfitojnë në total 130 330 punonjës.

Pasoja, në rast se paketa e reformës së pagave (projektligji dhe aktet nënligjore) nuk miratohet, duke hyrë në fuqi më datë 1 Prill, janë:

  • Vonohet zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese;
  • Paga neto e punonjësve, të cilët janë objekt i kësaj reforme mund të ulet, si rrjedhojë e rritjes automatike të kufirit maksimal të pagës referuese, për efekt të kontributeve të sigurimeve shoqërore.

Në përfundim të fjalës time sa i përket ligjit të hierarkisë së pagave, do kërkoja mbështetjen tuaj për ta miratuar këtë projektligj, pasi kjo do të ndikonte në mënyrë të drejtpërdrejtë në:

  • zbatimin e vendimit nr. 35/2022, të Gjykatës Kushtetuese;
  • përmirësimin e raporteve të pagave të titullarëve dhe të anëtarëve të organeve kolegjiale drejtuese me kohë të plotë të disa institucioneve të pavarura kushtetuese dhe institucioneve të tjera të pavarura të krijuara me ligj;
  • krijimin e hierarkisë së pagave, duke vlerësuar rëndësinë e institucioneve, e në këtë mënyrë krijimin e mundësisë për realizimin e reformës së pagave për disa grupe të tjera të nëpunësve dhe punonjësve të administratës publike.

Sa i përket projektligjit “Për kompetencat për caktimin e pagave, trajtimeve të tjera financiare dhe përfitimeve të të punësuarve në institucionet e administratës publike, si dhe të pagës bazë minimale në shkallë vendi”:

  • krijon një panoramë të qartë të fushës së veprimit të projektligjit;
  • përfshin përkufizimet për institucionet apo njësi të tjera organizative të administratës publike, në përputhje me legjislacionin në fuqi;
  • përcakton qartësisht që me këtë projektligj të ri do të rregullohen kompetencat për caktimin e pagave, trajtimeve të tjera financiare dhe trajtimeve vetëm për të punësuarit në administratën publike, me përjashtim të pagës minimale në shkallë vendi, e cila do të jetë e detyrueshme edhe për sektorin privat;
  • përfshin për herë të parë parimet mbi bazën e të cilave duhet të përcaktohen pagat, trajtimet e tjera financiare dhe përfitimet;
  • qartëson kompetencat që kanë institucionet/organet që kanë të drejtë të përcaktojnë paga, trajtime të tjera financiare dhe përfitime për të punësuarit në administratën publike, duke përcaktuar njëkohësisht edhe aktin ligjor apo nënligjor për ushtrimin e këtyre kompetencave;
  • përcakton institucionet që propozojnë për Këshillin e Ministrave projektvendimet në fushën e pagave, të trajtimeve të tjera financiare dhe të përfitimeve;
  • përcaktohet procedura se si ndërmerret iniciativa për të hartuar një projektvendim të Këshillit të Ministrave për pagat, trajtimet e tjera financiare dhe përfitimet;
  • parashikon kompetenca të reja, për të cilat kishte boshllëk ligjor, nëpërmjet të cilave përcaktohen që të punësuarit në administratën publike përveç pagës dhe shpërblimeve, do të kenë të drejtë edhe për trajtime financiare dhe përfitime të tjera;
  • parashikon kompetencën e Këshillit të Ministrave për të miratuar indeksimin e pagave. Niveli i indeksimit, në çdo rast, nuk do të kalojë mbi një pikë përqindjeje mbi nivelin e targetuar të inflacionit nga Banka e Shqipërisë.

Nëpërmjet miratimit të këtij projektligji arrihet:

  • krijimi i një kuadri rregullator të konsoliduar për kompetencat e caktimit të pagave, të trajtimeve të tjera financiare dhe të përfitimeve të tjera të të punësuarve në administratën publike;
  • të punësuarve të administratës publike u njihet e drejta edhe për trajtime të tjera financiare dhe përfitime te tjera, përveç pagës dhe shpërblimit për rezultate në punë;
  • i jepet zgjidhje nevojës për të siguruar pagesa konkurruese me tregun privat për disa kategori në fusha apo nënfusha prioritare të zhvillimit të vendit që do të përcaktohen rast pas rasti me vendim të Këshillit të Ministrave. Kjo iniciativë, besojmë se do të krijojë kushtet e nevojshme që institucionet e administratës publike të mund të mbajnë apo të tërheqin disa kategori të punësuarish, sidomos në sektorin e IT, duke konkurruar denjësisht me tregun privat.
  • i jepet zgjidhje të gjitha problematikave të evidentuara ndër vite.

Ky projektligj do të prekë në mënyrë të drejtpërdrejtë të punësuarit në institucionet e administratës publike si,  funksionarët e zgjedhur apo të emëruar, nëpunësit civilë, nëpunësit dhe punonjësit e tjerë në institucionet e administratës publike.

Gjithashtu, ligji do të jetë i detyrueshëm për zbatim edhe për institucione/ente të tjera të sektorit publik që nuk përfshihen në fushën e veprimit të ligjit.

Për efekt të përcaktimit të pagës minimale në shkallë vendi, do të jetë i detyrueshëm për zbatim edhe për sektorin privat.

Institucionet/organet e përcaktuara në këtë ligj do të miratojnë për të punësuarit në institucionet e administratës publike:

  • pagën mujore;
  • trajtime të tjera financiare – shpërblimi për rezultate në punë apo inovacion sipas sektorëve, mbështetja financiare e menjëhershme, shtesa e veçantë e kushtëzuar e pagës mbi pagën bruto mujore, çmimet/shpërblimet për ide inovative dhe inovacion, çmimet/shpërblimet për projekte të fituara nga të cilat janë përthithur fonde dhe/ose ka përfituar institucioni/vendi (sqarojmë se në ligjin aktuali në fuqi njihej vetëm shpërblimi për rezultate në punë);
  • përfitime të tjera – shërbimet e veçanta, trajtime të veçantë për nëpunësin/punonjësin dhe/ose fëmijët/familjen e tij, trajnimet, aftësimi, riaftësimi dhe edukimi gjatë gjithë jetës;

Organet që do të kenë kompetencë për të përcaktuar paga, trajtime të tjera financiare dhe përfitime për të punësuarit e institucioneve të administratës publike, janë:

  • Kuvendi; Këshilli i Ministrave; këshillat e njësive të vetëqeverisjes vendore (këshillat bashkiakë dhe këshillat e qarqeve); organet kolegjiale drejtuese të njësive të fondeve speciale; organet kolegjiale drejtuese të ndërmarrjeve shtetërore me kapital mbi 50 për qind shtetëror; organet kolegjiale drejtuese të institucioneve të pavarura apo të institucioneve të administratës shtetërore, në rastet kur këto institucione financohen pjesërisht apo tërësisht nga fonde të tjera të ndryshme nga ato të buxhetit të shtetit dhe kur kjo kompetencë është përcaktuar shprehimisht në ligjin e krijimit dhe organizimit e funksionimit të tyre.

E nderuar kryetare e komisionit,

Të nderuar deputetë,

Në përfundim të prezantimit tim, dua të ftoj secilin prej jush të miratojë këto ligje transformuese dhe së bashku të nisim një të ardhme ku kompetencat njihen dhe shpërblehet me të drejtë, ku paga dhe hierarkia e pagave vlerësohet dhe ku individi, eficenca e punës dhe profesionalizimi vlerësohen.

Ju falënderoj të gjithëve për vëmendjen dhe uroj t’i miratoni këto projektligje.

Previous Konferenca Ndërkombëtare Studentore në UT / Ministrja Kushi: Nxisim përfshirjen e studentëve në projekte kërkimore shkencore