Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka miratuar urdhrin e posaçëm që ka të bëjë me vetëdeklarimin e të gjithë punonjësve të Policia e Shtetit, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore dhe Gardës së Republikës, nëse kanë përdorur aplikacionet SKY ECC apo Encro Chat.
Urdhri shoqërohet nga formulari përkatës dhe është pjesë e masave të marra lidhur me procesin e vetëpastrimit të strukturave policore dhe agjencive të tjera të varësisë.
Formulari i Vetëdeklarimit po u shpërndahet për plotësim, strukturave të mësipërme dhe do të shërbejë si bazë për nisjen e verifikimeve.
Çdo punonjës që do të rezultojë se ka përdorur këto aplikacione, do të përjashtohet menjëherë, përfundimisht, nga Policia e Shtetit, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, apo Garda e Republikës.
Ministria e Brendshme është e vendosur për të çuar para përgjegjësisë ata punonjës të strukturave që kanë lidhje me krimin e organizuar dhe grupet kriminale.