Nën atmosferën e festave të fundvitit, Kryeministri Rama dedikoi një mbrëmje të veçantë për mjekët dhe infermierët e spitaleve të vendit, të cilëve ju shprehu respektin dhe mirënjohjen për punën e sukseshme përgjatë këtij viti, si dhe për cilësinë e rritur të shërbimit publik shëndetsor falë edhe investimeve të mëdha të qeverisë për shëndetësinë.
Gjatë mbrëmjes, Kryeministri Rama u dorëzoi certifikata mirënjohjeje drejtuesve të shërbimeve të spikatura spitalore, ndërsa nderoi me Kordonin e Madh me Yll të Mirënjohjes Publike, profesor Besim Elezin. “Dua t’u them të gjithëve, me emocion të veçantë e me kënaqësi të jashtëzakonshme që për shkak të detyrës, unë kam privilegjin sot ta nderoj me Kordonin e Madh me Yll të Mirënjohjes Publike, yllin e kirurgjisë shqiptare, profesor Besim Elezin.” – u shpreh Kryeministri Rama.
* * *
Mirëmbrëma që të gjithëve juve dhe dua t’ju garantoj që do flas më shkurt se zakonisht sepse nuk më rezulton një përpjekje lehtësisht e suksesshme.
Pa diskutim që fjalët e këtij rasti janë të shumta, por nuk dua të shtrihem në shumëçka ne kemi bërë dhe po bëjmë dhe që ju i dini dhe që kanë të bëjnë me gjithë aspektet e infrastrukturës së sistemit tonë shëndetësor. Por dua të fokusohem vetëm tek ju, tek njerëzit e këtij sistemi, tek mjekët, infermierët, infermieret, personeli në tërësi i gjithë sistemit për t’ju shprehur një falënderim shumë të ndjerë dhe një respekt shumë të sinqertë sepse për shkak të detyrës më është dhënë mundësia të shikoj nga shumë afër edhe kushtet e punës tuaj që kanë ardhur, duke u përmirësuar, por që sidoqoftë për një periudhë shumë të gjatë kohe kanë qenë larg së qeni kushte të denja edhe ngarkesën e madhe të shumëkujt ndër ju për shkak të pamundësisë për ta shpërndarë në mënyrë racionale ngarkesën në të gjithë territorin, si pasojë e kushteve të munguara për shumë e shumë vite, dhe përkushtimin që në periudhën e Covidit arriti një pikë kulmore, por që në fakt është e përditshmja e punës së bluzave tona të bardha dhe dua t’ju shpreh përsëri të gjithë solidaritetin tim dhe tonë për atë që është një hije që shoqëron gjatë gjithë kohës jetën tuaj të përditshme profesionale, hija e një paragjykimi të shëmtuar sipas të cilit mjekët dhe infermierët në këtë vend shikojnë nga xhepi përpara se të të kapin me dorë. Kjo është shprehja më brutale dhe vulgare që përdoret shumë rëndom dhe përdoret kryesisht jo tërësisht, por kryesisht nga ata, të cilët për fat të mirë dhe mos paçin kurrë nevojë, por nuk kanë pasur nevojë për ju, por kanë një kënaqësi që është një kënaqësi që përgjithësisht ne shqiptarët e ndajmë lehtësisht me tjetrin, e të marrit nëpër gojë për keq të njerëzve dhe sidomos të atyre që vihen përballë dritave të skenës për arsye nga më të ndryshmet.
Patjetër që, nuk mungojnë ato raste kur edhe mes bluzave të bardha gjenden individë të padenjë, por këto nuk janë rregulli, këto janë përjashtime që e përforcojnë rregullin që është se në sistemin tonë shëndetësor, në radhë të pare, i gjithë volumi i misioneve të jetëshpëtimit apo të kurimit dhe shërimit të sëmundjeve është meritë e juaja.
Është meritë e mjekëve, është meritë e infermierëve, është meritë e të gjithë trupës që vihet në dispozicion 24 orë pa pushim, të gjithë njerëzve që kanë nevojë për këtë mbështetje.
Ne jemi përpjekur me të gjitha mënyrat që këtë respekt dhe këtë solidaritet ta shprehim duke rritur cilësinë e kushteve në të cilat ju punoni, që sot, të paktën sytë e mi kështu thonë sepse i kam parë në vijim këto kushte, janë shumë më të mira sesa më parë, me aparatura dhe me mjete gjithmonë e më cilësore dhe nga ana tjetër për të rritur shpërblimin tuaj.
Ne e dimë shumë mirë që pavarësisht se pagat janë rritur rreth 70%, në raport me pikënisjen nuk mjafton dhe duhet të bëjmë përsëri rritje dhe duhet patjetër që të përmbushim objektivin që të paktën pagat t’i kemi rritur 100% nga nisja brenda këtij mandati dhe të jeni të sigurt që këtë do ta bëjmë me prioritet sepse ju meritoni më shumë se kaq pa diskutim, por nga ana tjetër më pak se kaq nuk e meritoni.
Më vjen mirë që sot të sjell këtu faktin që pavarësisht vështirësive të kësaj kohe, pavarësisht një prirjeje që është edhe mes bluzave tona të bardha, siç është në shumë vende të jugut të Europës për t’u larguar, kemi pasur mundësinë të punësojmë rreth 5000 infermierë dhe infermiere në sistemin tona shëndetësor. Tani kjo fjala “infermierë” thuhet në gjininë mashkullore, por 99% janë infermiere, kështu që burrat infermierë janë më shumë si hudhra që garantojnë që gratë infermiere të mos merren mësysh nga shumë sy të këqij që i sulmojnë në të përditshmen e tyre.
Por e rëndësishme është që janë 5000 dhe që janë punësuar tërësisht në kushte të tjera të garantimit të konkurrencës dhe të meritës, gjë që tanimë nuk është më as në diskutim. Dhe janë mbi 900 vetëm këtë vit të punësuar të rinj në sistem, ashtu sikundër janë 1320 mjekët e punësuar në këtë periudhë dhe 335 vetëm gjatë këtij viti që ka qenë një vit i rëndësishëm edhe për të hapur mundësinë për të patur më shumë kuota për mjek dhe infermierë në këtë vit akademik, duke pasur parasysh që i kemi kapacitetet akademike dhe nevoja është shumë e madhe.
100 mjekë specialistë janë atashuar në spitalet tona rajonale dhe edhe kjo është një e dhënë shumë pozitive dhe do ta lë për në fund ëmbëlsirën e Universitetit të Mjekësisë sepse është realisht një burim krenarie dhe një burim kurajoje dhe optimizmi për të ardhmen, jo thjeshtë për faktin që përballë një fluks të madh kërkesash, por për faktin që cilësinë e mësimdhënies vet e aprovon, e certifikon e akrediton edhe në një mënyrë tjetër që universitetet e tjera nuk e kanë si mundësi përmes të gjithë atyre kuadrove që pastaj priten krahëhapur në tregun europian dhe sidomos në Gjermani, pikërisht sepse zotërojnë dije dhe zotërojnë aftësi që i bëjnë të kërkuar në atë treg.
Kam pasur një bisedë me një nga autoritetet e larta gjermane lidhur me këtë fakt, që shteti shqiptar shpenzon jo pak për formimin e mjekëve të rinj dhe pastaj shteti gjerman i merr si të thuash i merr gati dhe natyrisht në këtë pikë nuk është se ka shumë për të bërë sepse është liria e lëvizjes, është liria e zgjedhjes, është vet liria e tregut, por ne po përpiqemi që të kompensohemi në një farë mënyre për këtë kontribut që i japim mjekësisë gjermane, shëndetësisë gjermane dhe gjëja që dua të sjell këtu nga ajo bisedë ishte që mjekët që vijnë nga Shqipëria janë një shembull shumë habitës për faktin se kanë dije dhe aftësi shumë të spikatura dhe mes mjekëve të tjerë të huaj që vijnë nga vende jashtë Bashkimit Europian në Gjermani dhe kjo na bën të mendojmë se mbase nuk e njohin shumë mirë Shqipërinë dhe aftësinë e saj përderisa Shqipërua ka një universitet mjekësie që sjell të tillë kuadro dhe natyrisht, kjo është diçka që në aspektin e vlerësimit është një vlerësim për gjithë kapacitetin akademik të kësaj trupe sepse në fund të ditës një pjesë e madhe e juaja këtu, jeni dhe ata që shërbeni, por edhe ata që bëni transferimin e dijeve tek më të rinjtë.
Dua ta mbyll pa kaluar në këtë listën e gjatë që kemi bërë këtë e kemi bërë atë, se nuk është sot dita për të bërë këtë ose mbrëmja për ta bërë këtë, dua vetëm të them që mezi pres që të fillojë në terren shtrirja e autonomisë spitalore sepse është një objektiv i kahershëm, por janë krijuar kushtet tani, sepse ju e dini shumë mirë që është shumë e thjeshtë të thuash, por shumë e ndërlikuar ta realizosh autonominë spitalore dhe lajmi i mirë është që tani ne kemi spitale universitare rajonale, qendra spitalore të cilat janë akredituar duke marrë të gjitha pikët e nevojshme për të zotëruar standardet për akreditim.
Janë 261 entitete dhe është një bazë shumë e mirë tani për të vijuar me autonominë spitalore gjë e cila do të bëjë me të drejtë atë që shumëkush prej jush këtu e pret, mundësinë që të mos bëhet më një vlerësim uniform i mjekëve, por të kalohet në një vlerësim sipas performancës nga pikëpamja financiare që do të thotë që nëse për të gjithë ka një dysheme të garantuar, pastaj shpërblimet sipas punës vlerësohen në bazë të kritereve dhe të pikëzimit të performancës. Kështu që ata që kryejnë më shumë operacione, ata të cilët bëjnë më shumë vizita, ata të cilët bëjnë më shumë orë në shërbim, me arsyen e mirë përcaktuar, patjetër që do të paguhen më shumë për të njëjtën kategori.
Në fund fare, thashë që Universiteti i Mjekësisë është një nga prioritetet tona dhe pas investimeve që kemi bërë edhe për kampusin edhe për më shumë se aq, tani jemi duke përgatitur edhe qendrën e bio-simulimit që është një kapërcim i rëndësishëm në aspektin e kapaciteteve laboratorike dhe teknologjike të Universitetit, i cili festoi edhe 70 vjetorin ndërkohë që pardje Universiteti i Tiranës festoi 65-vjetorin, dhe te Universiteti i Tiranës u tha me të madhe që jemi universiteti i parë, ndërkohë që Universiteti i Mjekësisë nuk është i par, por është 70 vjeç.
Natyrisht që kjo lidhet me faktin se përpara se të përfshihej në ombrellën e Universitetit të Tiranës, ishte një institut, por më pëlqen shumë si kontradiktë sepse kjo kontradiktë pa dashje tregon që Universiteti i Mjekësisë është sidoqoftë gjithmonë përpara të tjerëve dhe duhet të jetë para të tjerëve, sepse nëqoftëse nuk bëhemi gati nga pikëpamja e shëndetit për punë atëherë të gjitha universitetet e tjera mbyllen.
Duke ftuar këtu ministren do doja që të shprehnim disa mirënjohje simbolikisht për disa shërbime të spikatura të cilat meritojnë sipas atyre që kanë bërë këto përcaktime.