Mollas, Ersekë, me fermerë e blegtorë të zonës në dialogun e hapur për investimet e reja dhe mbështetjen në bujqësi - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Mollas, Ersekë, me fermerë e blegtorë të zonës në dialogun e hapur për investimet e reja dhe mbështetjen në bujqësi

Fermerët e Mollasit në Ersekë, zonë e mirënjohur në sektorin e pemëtarisë dhe prodhimin e perimeve, me një bilanc prej 200 hektarë tokë pemëtore, me sasi prodhimi rreth 3000 mijë tonë mollë, nga të cilat 80 % janë shitur, pjesë e qarkut të Korçës, në të cilin prodhohen rreth 30 % e frutave për gjithë Shqipërinë, – bashkëbiseduan sot me Kryeministrin Edi Rama për investimet e reja në infrastrukturën rrugore, me ndikim në reduktimin e kostove të prodhimit dhe lehtësinë e aksesit në treg; për mbështetjen me subvencione, falë se cilës është rritur kapaciteti prodhues dhe përmirësuar cilësia; për projektin e pikës së re dhe moderne të grumbullimit që do të ngrihet në bashkëpunim me bashkinë, por edhe për masat që qeveria do të ndërmarrë që vala e luftës të mos prekë dhe dëmtojë ekonominë familjare, biznesin e vogël dhe çdo shtresë tjetër të shoqërisë.

* * *

Përshëndetje dhe shumë faleminderit për praninë tuaj në këtë takim që është në vazhdën e takimeve që po bëjmë dhe do të bëjmë në të gjithë zonat e Shqipërisë për të folur me të gjitha kategoritë, por sigurisht fermerët kanë një prioritet, fshati ka një prioritet, zhvillimi bujqësor dhe blegtoral ka një prioritet.

Ne jemi shumë të inkurajuar nga ecuria e rritjes së bujqësisë dhe të eksporteve dhe fakti që e kemi nisur këtë përpjekjeje me rreth 120 milionë euro eksporte ndërsa këtë vit, jemi tani në mbyllje të vitit dhe po i shikojmë javë pas jave ecurinë me dëshirën që ta arrijmë edhe atë kufirin e paparashikuar në fakt, gjysmë miliardi euro eksporte, flet vetë për një realitet i cili me gjithë vështirësitë e veta, me gjithë një prapambetje të trashëguar për shumë e shumë vite kur bujqësia, blegtoria fshati u la në harresë totale, është një realitet që ndryshon. Është një realitet që ndryshon për mirë natyrisht, është një realitet që  atyre të cilëve si ju, i kushtohen, përpiqen dhe nuk dorëzohen përpara vështirësive të kësaj pune, ua kthen dhe ua kthen gjithmonë e më mirë.

Këtu në këtë zonë, siç e tha edhe ministrja ka një traditë, por ka edhe vazhdimësi të periudhës së fundit. Ka një vazhdimësi rritjeje ashtu sikundër edhe shifrat e të ardhurave të marra nga tregu, flasin qartë se vërtetë puna juaj është e mundimshme, por në fund të ditës ajo shpërblehet. Fakti që këtu janë shitur tanimë rreth 80% e prodhimit të mollëve për shembull, flet shumë për të ardhurat, por flet shumë edhe për atë pjesë gjithmonë e me të vogël që nuk arrin dot të dalë në treg, sepse nuk arrin dot t’i përshtatet kushteve të reja dhe t’i përshtatet logjikës së tregut.

Tregut nuk mund t’i imponohemi me inercinë tonë, tregut duhet t’i adaptohemi me kërkesat e tij dhe është për të ardhur keq kur shikon fermerë që i hedhin prodhimet e tyre, por është për të ardhur edhe më keq kur nuk i shikon, nëse i referohesh ekraneve që pasqyrojnë aktualitetin në Shqipëri, ata të cilët prodhimet e tyre i shesin gjithnjë e më shumë, me shumë sukses sepse është shumë e rëndësishme që pamjet e realitetit të jenë të plota për të kuptuar secili vendin e tij dhe për të kuptuar secili se ku është rruga e suksesit dhe sot një numër gjithnjë e më i madh fermerësh janë në rrugën e suksesit. Ky është fakti i padiskutueshëm, se përndryshe Shqipëria nuk do punonte dyfishin e tokës bujqësore që punonte deri në 6 apo 7 vite para, kur ne ndërmorëm gjithë atë program për të çuar ujin në shumë zona dhe në shumë hektarë që ishin djerrë për shkak se nuk kishte ujë. Jo vetëm kaq, por nuk do kishte nevojë për gjithmonë e më shumë pika grumbullimi dhe nuk do ishin realizuar dhe nuk do qëndronin në këmbë dot gjithë ato pika grumbullimi të këtyre viteve në rast se do të kishim një sektor në braktisje. Nuk kemi një sektor në braktisje, kemi një sektor në rimëkëmbje të vazhdueshëm hap pas hapi. Janë më shumë të rinjtë që ikin nga fshati se sa ata që kthehen në fshat, por fakti që ka një tendencë të re kthimi në fshat, nga një numër i vogël të rinjsh, por gjithsesi në numër që ritet hap pas hapi, flet shumë për atë që do të jetë  e ardhmja e jo shumë viteve larg.

Natyrisht ka disa kushte që duhen plotësuar dhe që po plotësohen hap pas hapi, por që kurrë nuk janë mjaft në fakt, siç është për shembull kushti i pasjes këtu i më shumë kapaciteteve për të grumbulluar, për të magazinuar me natyrisht kushtet frigoriferike, për të përpunuar në mënyrë që t’i rritet vlera prodhimit. Ne mund ta bëjmë këtë e për këtë arsye unë i kam kërkuar gjithë kryetarëve të bashkive, përfshirë edhe kryetarin e bashkisë suaj që të angazhohen drejtpërsëdrejti me fermerët dhe bashkia të hyjë në një fazë të re të luajtjes dhe të rolit të ortakut të drejtpërdrejtë të fermerëve në këto pika grumbullimi apo pika agropërpunimi, si një aksioner që është edhe një garant që stimulon bashkimin e fermerëve në një ndërmarrje që është një tjetër gjë nga kjo puna këtu. Pra ti ke tokën këtu që e punon dhe nxjerr prodhimet e tua, por njëkohësisht je edhe pjesëmarrës në një ndërmarrje që e përpunon këtë prodhim bashkë me prodhimin e të tjerëve dhe që pastaj del në treg më këto prodhime në momentin e duhur, në momentin më të mirë, kur çmimi është ai më i miri për ju ose që nga pika e grumbullimit e çon në një pikë përpunimi, ku një pjesë e mollëve kthehen në reçel, kthehen në komposto e kështu me radhë. Të gjitha këto ne po i bëjmë hap pas hapi. Ajo që na duhet tani është që bashkitë të angazhohen konkretisht në bërjen e këtyre projekteve dhe pastaj Ministria e Bujqësisë përmes fondeve europiane, përmes fondeve kombëtare, por edhe përmes garancisë sovrane për bujqësinë që jep qeveria, të ndihmojë drejtpërdrejtë sepse është e qartë se fermerët pjesëmarrës duhet njëkohësisht të kenë një mbështetje dhe si aksionerë të kësaj ndërmarrjeje të mos ngarkohen financiarisht. Përkundrazi, ta kenë të lehtë rrugën pastaj deri kur ndërmarrja të fillojë të nxjerrë fitimet e veta.

Elementi tjetër që dua të sjell këtu në vëmendje, është pajisja me NIPT. Ne kemi ende shumë fermerë që nuk e marrin NIPT-in sepse i tremben nuk e di se çfarë, i tremben taksave, i tremben detyrimeve por në rast se nuk je i pajisur me NIPT atëherë nuk merr dot asnjë lloj mbështetjeje.

Bashkimi Europian shkon edhe më larg, s’të jep asnjë mbështetje, jo vetëm ne, por askujt në rast se nuk disponohen titujt e pronësisë, në rast se nuk disponohen një sërë garancish të tjera, por NIPT-i është shumë i rëndësishëm dhe është i dobishëm sepse siç e keni parë, u ka dhënë naftë një pjese të konsiderueshme këtu të fermerëve në zonë, që janë të pajisur me NIPT.

Elementi i tretë që është shumë domethënës, është që në këtë zonë janë rreth 35% e NIPT-eve që zotërohen nga gratë dhe janë gratë që janë angazhuar së tepërmi për të bërë projekte dhe për të përfituar edhe nga fondet e mbështetjes. Kjo është fantastike dhe ne duam që të vazhdojmë ta mbështesim këtë zonë. Jam i bindur që ajo që tha Niko do të sjellë një bum në krahasim me ku jemi sot për zonën, sepse shkurtimi drastik i distancës dhe afrimi 20 minuta me Korçën, e para dhe si treg kryesor, por nga ana tjetër do të shtoja rrugën e Leskovikut që është në proces me Fondin Shqiptar të Zhvillimit dhe ndërlidhjen më të mirë të bazës prodhuese me tregjet rreth e rrotull me siguri që do të japin një vlerë të shtuar.

Më vjen shumë mirë që pavarësisht gjithë problematikave që kemi hasur sepse nuk e kemi patur të lehtë rrugën, e kemi patur shumë të vështirë rrugën, shumë kush e harron ta bëjë këtë llogari, por mandatin e parë na u desh një përpjekje shumë e madhe për të dalë nga një gropë e thellë borxhesh dhe çoroditje totale e të gjitha sistemeve dhe sektorëve. Mandatin e dytë u ndeshëm me tërmetin që na detyroi që shumë punë t’i ngadalësonim për t’i fokusuar një pjesë të madhe të fondeve te shtëpitë sepse vërtetë morëm mbështetje nga jashtë, një mbështetje që akoma nuk është ezauruar sepse është drejtuar në disa drejtime, por përsa i përket shtëpive kemi marrë vetëm 500 apartamentet nga presidenti i Turqisë dhe lagjen e re në Spitallë që po ndërtohet nga princi i Emirateve të Bashkuara. Gjithçka tjetër që keni parë e kemi bërë me fondet tona dhe shumë mirë kemi bërë, por e kam fjalën që ka qenë një ngadalësim për të spostuar fonde ashtu sikundër edhe pandemia ka ngadalësuar dhe tani vlen dhe lufta në Ukrainë, e cila në fakt është një luftë jo thjeshtë për të aneksuar disa territore të Ukrainës, por është një luftë për të gjunjëzuar perëndimin, për të gjunjëzuar të gjithë vendet në perëndim të Rusisë ku jemi dhe ne. Me kthimin e energjisë në një armë kundër shteteve të gjithë bashkësisë Euro-Atlantike me inflacionin si një virus sfilitës për të gjithë dhe të gjithë këto na kanë shtuar vështirësi ekstra.

Megjithatë ne kemi vazhduar punën dhe këtë rrugë që edhe shpresoj dhe uroj ta mbarojmë para afatit, deri në mesin e vitit të ardhshëm, mund ta kishim mbaruar më parë nëse nuk do kishim qenë të detyruar të ngadalësonim ritmet e punës për shkak të fondeve të spostuara në drejtim të fatkeqësive të mëdha natyrore që na kanë ardhur njëra pas tjetrës, të shkaktuara nga natyra apo në këtë rast edhe nga njeriu, siç është rasti i luftës, por gjithsesi fatkeqësi të ardhura jashtë nesh sepse nuk i ka sjell qeveria as rritjen e çmimit të energjisë, as inflacionin e luftës, përkundrazi qeveria po bën çmos që ta mbrojë çmimin e energjisë për familjarët, ta mbrojë çmimin e energjisë për bizneset në kushte shumë të vështira.

Shikoje, ky që na rri përballë këtu (dielli) është një mrekulli, por nga ana tjetër mua personalisht më kujton çdo minutë se uji aty ku prodhojmë energji në hidrocentrale bie në mënyrë dramatike çdo ditë në nivel, gjë që do të thotë se kemi kapacitet prodhues më të ulët dhe duhet të shkojmë në import dhe kur shkojmë në import aty çmimi është stratosferik dhe duke mos dashur që atë çmim stratosferik t’ia faturojmë njerëzve, duhet të paguajmë nga buxheti i shtetit shuma kolosale. Prandaj është një situatë në të cilën duhet një mirëkuptim i madh për faktet. Nuk mundet dot të themi, “jo s’ka lidhje”, aq me tepër pastaj në vend se të informojmë njerëzit, në vend se të krijojmë kushtet për të rënë dakord për faktet e një lufte që na sulmon jo me bomba, por na sulmon përmes energjisë dhe inflacionit rrisim dozën e helmit, rrisim dozën e dezinformimit, rrisim dozën e ligësisë në raport me publikun përmes deklaratash që janë shpifje nga më monstruozet, nga më të ulëtat, nga më të ndyrat dhe përmes pasqyrash mediatike që i reflektojnë ato lloj shpifjesh dhe shtojnë edhe më shumë e kjo natyrisht nuk është e rastësishme.

Nuk është as thjesht një interes këtu i vogël pushteti apo paraje, është më shumë sesa kaq. Kjo është influencë e drejtpërdrejtë ruse në Shqipëri. Kur ne kemi ngritur problemin e parave ruse që financonin PD-në, ju kujtohet, na thanë, ju thanë, “janë shpifjet dhe shpikjet e Edi Ramës dhe Sorosit”. Mirëpo na doli në raportin e CIA-s dhe po ju them që është vetëm maja e ajsbergut historia e zhytjes së asaj partie në thesin e rublave të monedhës ruse. As nuk filloi me atë që dimë dhe dini dhe as nuk ka mbaruar me atë që dimë dhe dini. Kjo është një aleancë rublash mes të dy atyre partive që janë andej dhe të cilave iu bën jehonë pastaj disa pasqyra të shtrembëruara komplet mediatike që helmojnë papushim me shpifje nga më banalet. “Ikën 700 mijë shqiptarë nga viti 2008-2020”, e si fakt pa pik turpi nxjerrin lejet e qëndrimit, ndërkohë që e dimë të gjithë që lejet e qëndrimit në vendet e BE-së nuk përkojnë me njerëzit e ikur po atë vit nga vendet e tyre, se për marrjen e lejeve të qëndrimit duhen ndonjëherë vite sidomos për shqiptarët, por kujt t’ia thuash.

Gjithsesi mirënjohje dhe respekt për punën tuaj dhe natyrisht ne jemi këtu të dëgjojmë edhe ju për çfarë problemesh, hallesh, shqetësimesh keni, duke ju garantuar që do të vazhdojmë ta mbështesim shumë fort fshatin, me të gjitha mundësitë që kemi dhe njëkohësisht të rrisim kapacitetin prodhues, grumbullues, përpunues dhe patjetër dhe eksportues, pa harruar agroturizmin që këtu ka filluar dhe aktualisht janë dhe disa bujtina të tjera në proces. Me rrugën, po ju them që kjo zonë, duke qenë shumë më afër Korçës, do të jetë një vlerë e re në zinxhirin e krijuar nga Korça dhe rrethinat e saj për sa i përket turizmit dhe do të ketë akoma më tepër në rritje vit pas viti të ardhura, pikërisht nga kthimi i shtëpive në pjesë të infrastrukturës së mikpritjes.  Faleminderit!

* * *

-Unë jam një fermer. Siç e shikoni bahçen time, me çdo mundësi ku dhe nga qeveria më është dhënë shumë për jetën, për naftën dhe gjithë të mirat, dhe nga bashkia për çdo problem që kemi patur, na kanë ndenjur afër, që nga agronomi e të tjerë. Unë jam shumë i kënaqur me këto 3 hektarë që kam mbjellë. Sivjet bëra gati 10 mijë kuintalë dhe i shita me çmim të arsyeshëm. Ju falënderoj shumë. Nafta duhet të vazhdojë siç është.

Kryeministri Edi Rama: Si i zoti i shtëpisë, e bërë siç i takon me fjalë të ëmbla, por do ishte mirë të na çohej ndonjëri edhe me ndonjë fjalë të hidhur se nuk kemi ardhur vetëm të marrim vetëm ëmbëlsinë tuaj, por edhe të dëgjojmë edhe fjalë që të mos jenë shumë të ëmbla.

-Sic e tha dhe ministrja, ne kemi investuar me një sipërfaqe prej 15 hektarësh me arrore. Kemi patur mbështetjen e AZHBR-së dhe të ministres kur e drejtonte, të kryetarit të bashkisë duke na ofruar çdo asistentë. Më tepër se ana monetare, ndihma e AZHBR-së nëpërmjet programit të IPARD ka qenë dhe në përmbushjen e standardeve që kërkon, jo vetëm kombëtare, por edhe jashtë për eksport. Unë kam patur fatin që vitin e kaluar tua prezantoj juve personalisht projektin dhe atëherë më keni dhënë dy këshilla; e para që duhet të gjesh treg dhe e dyta që duhet të zmadhohesh. Aktualisht, çështjen e tregut pothuajse e kemi mbyllur me një kompani të huaj për eksportin e tyre dhe madje do na sjellin dhe një specialist gjatë viteve në vazhdim që të ndjekë procesin e punës, por vështirësinë që kemi për momentin është shtimi i sipërfaqeve. Ne kemi mundësi që të shkojmë brenda dy viteve me një kapacitet prej 50 hektarësh, nga 15 që kemi aktualisht, por sipërfaqja është shumë e limituar. Programi IPARD na ka ndihmuar dhe si të rinj që jemi. Ne e kemi nisur këtë projekt 27 vjeç, bashkë me kolegun tim. Dy vite kemi patur studim tregu dhe kemi 3 vite që kemi filluar investimin. Për që ishim të rinj dhe pa eksperiencë qoftë me fshatin, qoftë me bujqësinë, qoftë me qytetin këtu ka qenë një ndihmë shumë e madhe. Ajo çfarë ne kemi nevojë për momentin është vetëm mundësia për shtimin e sipërfaqeve.

Kryeministri Edi Rama: Faleminderit që e ke dëgjuar këshillën. Këshilla ka qenë thjesht rezultat i faktit që kam dëgjuar në mënyrë të vazhdueshme dhe jam munduar të mësoj sa kam patur mundësi për mënyrën se si duhet ecur në këtë rrugë, por gjëja që mund të them është që duke siguruar tregun, ke bërë treçerekun e punës dhe për çerekun tjetër të punës që ka të bëjë me zgjerimin e hapësirës do merremi menjëherë dhe me siguri do të japim një zgjidhje të shpejtë sepse të arrijmë ne këtu me 50 hektarë arrore është vërtetë një gur i çmuar në gjithë gjerdanin e bujqësisë së gjithë qarkut. Kështu që, të jap fjalën që shumë shpejt do kesh një përgjigje. Ministrja do merret direkt me këtë punë sa të kthehemi në Tiranë.

-Unë jam blegtor dhe shqetësimi im është ky; Deri më tani i kam marrë subvencionet, kam qenë në rregull dhe nga shteti, edhe naftën e kam marrë, por për blegtorinë ka nevojë për më shumë vëmendje sepse fshatrat po shkrihen, duhet pak përkushtim sepse dhe fëmijët nuk rrinë.

Kryeministri Edi Rama: Unë do shtoja një element tjetër që ka të bëjë me atë që po thosha më përpara. Në vazhdim të asaj që ju thatë, rritja e tufave është objektivi kryesor dhe ajo që ne duhet të bëjmë dhe po e bëjmë, por në mënyrë graduale është që të spostohemi nga poshtë lart, domethënë t’u japim një mesazh shumë të qartë atyre që kanë pak krerë, që për të përfituar nga mbështetja duhet të bashkohen. Është e njëjta gjë si me tokën bujqësore, ashtu dhe me krerët. Masa kritike për të krijuar vlerë dhe për të fituar më shumë është themelore në këtë sektor dhe për arsye, ndarja e subvencione deri dje komplet si lëmosha të thërrmuara nga të katërta anët plus me ato marrëzitë elektorale, faktikisht, i la të gjithë në baltë.

Ajo që ne po bëjmë është që gradualisht po rrisim kërkesën, në raport me sasinë dhe në rast se edhe blegtorët shkojnë drejt zgjerimit të numrit dhe krijojnë një masë kritike që sjell vlerë të lartë pastaj, sigurisht që edhe mbështetja jonë do jetë më e madhe sepse do jetë e fokusuar.

Sa i përket largimeve nga fshati, ne po i përjetojmë këto sot dhe kur them sot po i përjetojmë në këtë periudhë 30 vjeçare ndërkohë që këtë, vendet e tjera e kanë përjetuar kohë më parë dhe edhe për këtë është shumë e rëndësishme që ne ta shikojmë të gjithë hapësirën e fshatit si një hapësirë, e cila krijon vlerë të lartë të shtuar, duke krijuar masë kritike në bashkimin e forcave, bashkimin e tokës, krijimin e kooperative, bashkësive, federatave, quajeni si të doni meqë fjala kooperativë disa i tremb edhe pse gjithë Bashkimi Europian funksionon me kooperativa, edhe Amerika funksionon me kooperativa. Ndryshimi është që ajo kooperativa bashkonte forcat e njerëzve me forcë dhe në fund të ditës merrnin njësoj. Ndërkohë që kjo kooperativë bashkon forcat e njerëzve me interes, e secili merr atë që i takon. Nëse unë futem me një hektar, ti futesh me një dynym, natyrisht që unë do marr më shumë se ti në fund sepse kam futur më shumë, ama ti do marrësh më shumë duke qenë i bashkuar me mua dhe unë me ty, sesa të ndarë. Kjo është elementare.

Tanimë në Shqipëri nuk ka një, dy apo tre, janë me dhjetëra e me qindra shembujt që këto bashkime funksionojnë, por duhet të jenë shumë më shumë dinamike dhe shumë më të mëdha akoma. Kjo është ajo që ne duam të bëjmë dhe për këtë duam të vazhdojmë të mbështesim në këtë drejtim. Është shumë, shumë e rëndësishme që të vazhdojmë të mbështesim në këtë drejtim.

 

Përshëndetje! Unë mbarështoj në fermën time kryesisht bletë, por kam pasur edhe pemëtari. Sivjet e lashë pemëtarinë për të vetmen arsye, ujë. Të vuash për 3 kilometra kanal që nuk është ndonjë investim i madh.

Kryeministri Edi Rama: Në mos gabohem, kjo është një çështje që lidhet me Hec-in që është ndërtuar përpara vitesh atje, po kryetari i bashkisë duhet ta dijë më mirë. T’ia jap fjalën 2 minuta të na sqarojë.

Kryetari i bashkisë Kolonjë, Erion Isai: E njoh shumë mirë problematikën e kanalit të Mollasit i cili na ka bërë që prej tre vjetësh përballemi ligjërisht edhe me një HEC, i cili është ndërtuar rreth vitit 2009. Ligji është i qartë. E ka si drita e diellit që prevalon furnizimi i popullsisë me ujë, vaditja më pas tepricat për prodhim energjie.

E kemi ndjekur çështjen ligjërisht. E kemi të fituar në Shkallën e Parë të Gjykatës, e kanë apeluar. Bëhet i zbatueshëm vendimi i apelit, jemi në kokë të problemit. Patjetër është ashtu siç thoni ju, që uji nuk mbërrin ashtu siç duhet te ju, por ju e dini mirë që vepra e marrjes është te HEC-i dhe kur uji atje bllokohet, na pengon dhe ne që të vazhdojmë investimin prej 3 km sepse nuk është problemi i mirëmbajtjes së bashkisë për 3km, po për shkak të një kontrate që HEC-i ka lidhur me ministrinë në 2009-tën që e ka në përdorim atë kanal.  Ai ka të drejtë sipas kontratës ta përdorë jashtë sezonit të vaditjes. Po e ndjekim në gjykatë, e kemi fituar në shkallë të parë, do ta fitojmë edhe në shkallë të dytë se ligji e ka të qartë këtë histori, e di që është problem, por po merremi që ditën e parë me këtë gjë.

Kryeministri Edi Rama: Është jashtëzakonisht e drejtë kjo dhe është i kuptueshëm edhe inati në këtë mes se është skandal puna e këtyre HEC-eve që janë dhënë ato leje. Janë ndërtuar në mënyrën më absurde edhe madje predikohej që po bëhej Shqipëria superfuqi energjetike me ato. Është një situatë e trashëguar. Do zgjidhet besoj. Më vjen keq që ju krijon juve gjithë këtë stres, po çfarë të bëjmë? Duhet të ndjekim rrugën ligjore.

–  Si fermerë kemi përfituar grantet dhe jemi shumë të kënaqur nga qeveria. Problemi është uji i pijshëm dhe 3 km e gjysmë kanal vaditës ka qenë, është akoma i rregullt, por nuk pastrohet, nuk funksionon dhe mbetet gjysma e sipërfaqes që ne mbjellim pa ujë.

Kryeministri Edi Rama: Ne jemi në një pozicion shumë interesant do të thosha, se nga njëra anë kemi trashëguar një qamet të madh në gjithë Shqipërinë përsa i përket furnizimit me ujë. Kemi bërë investime masive për këtë punë. Në këtë zonë furnizojmë 24 orë qytetin dhe 34 fshatra. Me siguri zona juaj është e fazës së tretë dhe në dijeninë time, faza e tretë në pranverën e ardhshme përfundon. Do ta keni dhe ju ujin e pijshëm 24 orë. Mirëpo, kur flasim për ujin e pijshëm, çohen disa edhe fillojnë: “të tërë jeni njësoj, të tërë jeni të tillë, të atillë…PS-ja, PD-ja…”.  Tani si qenkemi njësoj se s’e kuptoj?

E dyta, ç’do me thënë kjo që flisni për ujë kur bota ka shkuar në hënë, po shkon në Mars. Po si t’ia bëjmë ne? Mos t’i bëjmë këto? Apo të kemi turp që po i bëjmë e të mos t’i themi, se është interesante shumë. Si qenkemi njësoj kur po bëjmë, në fushën e investimeve dhe të ndryshimit përsa i përket ujit të pijshëm, edhe gjëra që nuk ishin ndonjëherë jo në kohën e atyre që e bënë çorap këtë punë fare, po as në kohët e mëparshme, sepse ujë 24 orë, për të gjithë, në shumë nga këto zona s’ka pasur as në kohën e komunizmit, që të jemi të qartë. E them këtë për ata që flasin përçart. E më e bukura është, kur flasim ne për satelitët, thonë, “po pse me satelitët do merremi”? Është e çuditshme shumë, por gjithsesi nuk kemi rrugë tjetër. Do kishim dashur të mos ishte ky problem sot, të ishte zgjidhur me kohë, po nuk e zgjidhi njeri. Vetëm e komplikuan më shumë. E komplikuan me stimulimin masiv të ndërtimeve pa leje, lidhjet e paligjshme, e komplikuan duke thënë “merrni ujë e merrni drita se janë nga Zoti dhe nuk ka Zot që ju ndalon, vidhni sa të mundni”, e kështu me radhë siç thashë. Ne, në mandatin e parë e filluam punën ngadalë, por e filluam më planin e reformës së ujit, me investimet, pastaj  edhe në këtë sektor u ngadalësuan disi investimet për shkak se na u desh të kalojmë shumë fonde për tërmetin, për pandeminë etj, megjithatë jemi në një fazë kur po ecim. Isha në Dibër, tani uji atje është 24 orë, në Peshkopi dhe në shumicën e fshatrave përreth. Së shpejti, do të jetë njësoj edhe në Mat. Këtu është 24 orë prej disa kohësh, së shpejti do të vijë edhe atje tek ju, kështu që hap pas hapi do të bëhen të gjitha këto sepse nuk mund t’i bëjmë dot të gjitha përnjëherë dhe janë gjëra, e përsëris, që nuk janë bërë ndonjëherë.

Jo që s’janë bërë nga ata që ishin më përpara, që thashë, i bënë edhe më keq, por s’janë bërë përpara e përpara kështu që hap pas hapi do t’i bëjmë. Nuk kemi mundësi t’i bëjmë të gjitha sa hap e mbyll sytë dhe edhe një gjë tjetër; të fillosh një gjë nga zero, është shumë më mirë se sa të fillosh diçka kur të tjerët e kanë futur në gropë nën zero, siç na ndodhi ne.

Ju falënderoj shumë sepse duhet të shkojmë në një takim tjetër edhe respekt shumë dhe  mirënjohje për gjithë punën që bëni dhe për shembullin që jepni.

Previous Kolonjë, Ministrja Krifca: Ndërtimi i klasterit për bimë mjekësore, impakt i ndjeshëm në punësim dhe në eksportet “made in Albania”