Shoqata Botërore e Juristëve dhe Ministria e Drejtësisë organizojnë Sesionin Hapës të Kongresit Botëror të Ligjit në Tiranë, fokus te reforma në drejtësi dhe integrimi evropian

Shoqata Botërore e Juristëve, në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë, organizon më 6 dhe 7 maj në Tiranë Sesionin Hapës të Kongresit Botëror të Ligjit 2027, një aktivitet i nivelit të lartë që shënon nisjen e forumit global të së drejtës që do të mbahet në Shqipëri vitin e ardhshëm.

Sesioni do të drejtohet nga Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, së bashku me Kryeministrin Edi Rama dhe Presidentin e SHBJ-së, Javier Cremades dhe do të mbledhë përfaqësues të institucioneve ligjore ndërkombëtare, gjyqtarë dhe ekspertë të fushës, duke e pozicionuar Shqipërinë në qendër të diskutimeve mbi të ardhmen e sundimit të ligjit.

Aktiviteti do të hapet me një prezantim audiovizual mbi zhvillimet kryesore të reformës në drejtësi dhe rrugën e vendit drejt Bashkimit Evropian, ndërsa gjatë sesionit do të trajtohen rezultatet e reformës, sfidat dhe prioritetet për forcimin e shtetit të së drejtës. Në fokus do të jetë roli i institucioneve në garantimin e një sistemi drejtësie të pavarur dhe në përputhje me standardet evropiane.

Në vijim, një panel ndërkombëtar i nivelit të lartë do të diskutojë mbi përvojën e dekadës së fundit të reformës në drejtësi dhe perspektivat për zhvillimin e mëtejshëm të saj, duke sjellë ekspertizë nga institucione të rëndësishme evropiane dhe globale.

Përzgjedhja e Tiranës për zhvillimin e këtij sesioni përbën një vlerësim për progresin e arritur në reformën dhjetëvjeçare në drejtësi dhe njëkohësisht, përgatit terrenin për organizimin e Kongresit Botëror të Ligjit 2027 në Shqipëri, duke forcuar rolin e vendit në agjendën ndërkombëtare të sundimit të ligjit dhe në procesin e integrimit evropian.