Në kuadër të Samitit Rajonal mbi Planin e Rritjes dhe Konvergjencës, u nënshkrua sot marrëveshja mes Kolegjit të Europës, Ministrisë së Arsimit dhe Universitetit të Tiranës për shtëpinë e re të Kolegjit të Europës që do të hapë dyert në Tiranë dhe do të garantojë funksionimin e plotë të Kolegjit, duke nisur që prej këtij viti akademik deri në përfundimin e kampusit të ri.
Marrëveshja u nënshkrua nga Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, Rektori i Universitetit të Tiranës, Artan Hoxha dhe Rektorja e Kolegjit të Evropës, Federica Mogherini, në prani të kryeministrit Edi Rama dhe Komisionerit të BE për Zgjerimin dhe Fqinjësinë, Oliver Varhelyi.
Rektorja e Kolegjit të Evropës, Federica Mogherini u shpreh se ka patur një interes shumë të lartë nga ana e të rinjve për të zhvilluar studimet në këtë Kolegj: “Viti akademik do të nisë në shtator me 31 studentë, me një Program të nivelit master për transformimin dhe integrimin europian me fokus të veçantë në Bashkimin Europian dhe Ballkanin perëndimor. Çelëm procesin e pranimit në tetor dhe sot mund të raportoj se kemi marrë 241 aplikime, për 31 vende, nga 41 kombësi, nga i gjithë rajoni, nga vendet e BE-së dhe 15 të tjera.” – u shpreh ajo.
Kolegji i Europës hap një horizont të ri edukimi për të rinjtë shqiptarë dhe jo vetëm, si ngre në një tjetër nivel sfidën për ndërkombëtarizimin e universiteteve tona, duke krijuar ndër të tjera mundësinë për një mësim më të thelluar për vetë Bashkimin Europian dhe rrugëtimin drejt tij.
* * *
Kryeministri Edi Rama: Sinqerisht edhe unë nuk isha përgatitur që të mbaja fjalim këtu, vetëm të ndaj me të gjithë ju shprehjen e mirënjohjes time më të thellë për Federikën, e cila po ndjek projektin hap pas hapi dhe nga ana tjetër nuk e fsheh dot kënaqësinë që të kemi Federikën që i afrohet asaj pike ku ne ofrojmë nënshtetësinë shqiptare. Do të jetë më shumë se sa një nder që ta konsiderojmë atë si një qytetare shqiptare.
Për t’i shtuar asaj se çfarë tha komisioneri lidhur me numrin e madh të të rinjve nga vendet anëtare të Bashkimit Europian që duan të vijnë në Tiranë, ndoshta kjo tregon po kështu se të vish në Shqipëri nga BE-ja mund të jetë shumë entuziazmuese sesa të shkosh nga BE-ja në BE. Ndaj besoj se kemi këtë numër kaq të madh.
Së fundi në radhë, por jo nga rëndësia dua të falënderoj delegacionin e BE-së këtu dhe komisionerin Varhelyi i cili ka punuar gjatë gjithë kohës në 360 gradë me në për tu siguruar që në të gjitha frontet të bëhen gjëra sa më të prekshme e sa më të realizueshme në rajon dhe natyrisht edhe ardhja e Kolegjit të Europës na bën shumë të lumtur, na bën shumë krenarë, ndaj po bëjmë shumë përpjekjet për të pasur një ndërtese ikonë dhe për ta pasur një destiancion të mirëfilltë europian arsimimi, jo vetëm sa u takon programeve, por edhe sa i takon aspektit pamor, atij hapësinor e cilësisë së jetës për studentët nga auditorët deri te fjetoret edhe pse në Tiranë të rinjtë flenë gjithmonë e më pak sepse jeta e argëtimit është gjithmonë e më tërheqëse sidomos pas mesnatës.
Komisioneri për Zgjerimin dhe Fqinjësinë, Oliver Varhelyi: Nuk kam përgatitur asnjë fjalë për këtë, por jam vërtet i befasuar nga shifrat. Në thelb, pra Tirana do të bëhet edhe më popullore se Bryzhi dhe moti është shumë herë më i mirë. Ndaj mendoj se ajo çfarë do të ndërtohet edhe nga pikëpamja arkitekturore do të jetë diçka që do të ndryshojë shumë edhe jetën ekonomike këtu në Ballkan. Siç e keni parë shumica e aplikimeve vijnë nga vetë BE-ja. Kjo tregon vlerën e jashtëzakonshme të shtuar që do të ketë ky institucion, jo vetëm për Ballkanin, por edhe për ne në Bashkimin Europian. Kjo nënkupton se BE-ja ka mbërritur në Tiranë.