Ngordhja e peshqve në rezervuarin e Kasharajt ndodhi gjatë punimeve për rehabilitimin e digës
Në lidhje me situatën e krijuar në rezervuarin e Kasharajt në Lushnjë, ku një numër i konsiderueshëm peshqish ngordhën pas uljes së nivelit të ujit, nga verifikimet rezulton se problematika është krijuar gjatë punimeve për rehabilitimin e digës. Për këtë rast ka nisur procedimi penal ndaj administratorit të firmës kontraktore që po kryen punimet.
Qeveria sqaron se Rezervuari i Kasharajt nuk është në administrim të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural apo institucioneve të saj të varësisë, por i është transferuar pushtetit vendor dhe aktualisht ujëmbledhësi është në përgjegjësinë e Bashkisë Lushnjë.
Ndërhyrja për përmirësimin e situatës ka vijuar me angazhimin e strukturave të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe Ministrisë së Mbrojtjes, Forcave të Armatosura, Bordit të Kullimit dhe Bashkisë Lushnjë.
Mjete të rënda dhe kapacitete teknike janë angazhuar për largimin e peshqve të ngordhur, heqjen e rrjetës së peshkimit që pengon funksionimin e veprës së marrjes së ujit, zhbllokimin e sistemit të shkarkimit dhe pastrimin e basenit.