Konfirmohen rastet e para me virusin e gripit, teksa 270 mijë doza vaksinë kundër gripit kanë mbërritur. Nga nëntori vijnë dozat e adaptuara të vaksinës kundër Covid19.
Ka nisur sot vaksinimi falas kundër gripit stinor, i cili do të kombinohet njëherësh me vaksinën përforcuese kundër Covid19 në qendrat shëndetësore në të gjithë vendin.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, nga Qendra Shëndetësore nr. 8 në kryeqytet, tha se kemi siguruar vaksinën kundër gripit për grupet e rrezikuara.
“270 mijë doza të vaksinave kundër gripit tashmë kanë mbërritur dhe po shpërndahen në gjithë qendrat shëndetësore anë e mbanë vendit. Fokusi për vaksinimin kundër gripit është tek ata të cilët kanë problematika shëndetësore, tek të moshuarit mbi 60 vjeç, tek punonjësit shëndetësore, tek forcat e rendit, tek edukatoret, tek mësuesit, për të garantuar që të mos kemi problematika të formave të rënda që vijnë pikërisht nga gripi sezonal”, tha Manastirliu.
Duke i’u referuar rekomandimeve te Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe Institutit të Shëndetit Publik, Manastirliu tha se duhet të kryhet në të njejtën kohë vaksinimi kundër Gripit dhe Covid19.
“Duke qenë se tashmë janë kapur rastet e para me grip në vendin tonë, është e rëndësishme për të filluar me intensitet këtë fushatë vaksinimi që edhe pse do të jetë një fushatë e kombinuar vaksinimi, të vaksinave të gripit dhe atyre kundër Covid19, të ketë një përqasje të mirë në komunitet dhe të lajmërohen të gjithë grupet e riskut nëpërmjet mjekëve të familjes dhe nëpërmjet strukturave tona të shëndetësisë. Ajo çfarë rekomandohet nga ekspertët dhe çfarë rekomandohet nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe nga institucionet ndërkombëtare që merren me shëndetin publik, por edhe udhëzimi i Institutit të Shëndetit Publik, është pikërisht që në momentin që do të aplikohen tek këto grupe vaksinat kundër gripit, aplikohet paralelisht edhe vaksina kundër covid, qoftë përsa i përket dozave bazale, pra dozave të para dhe të dyta për ata që ende nuk e kanë kryer, por edhe për dozat booster apo ato përforcuese dozave të treta, dozat e katërta”, u shpreh Manastirliu.
Përpos vaksinave të gripit, pas amendimit të marrëveshjes me kompaninë Pfizer, Shqipëria do të sigurojë rreth 700 mijë doza të vaksinave të adaptuara kundër Covid19, të cilat përfshijnë dhe nënvariantet e reja.