Nisma të reja për modernizimin urban: Nis procesi për sistemimin e kabllove ajrore dhe rrjeteve elektronike
Modernizimi i infrastrukturës së komunikimeve elektronike, sistemimi i kabllove ajrore dhe kalimi gradual drejt infrastrukturës nëntokësore ishin në fokus të një takimi ku mori pjesë edhe Kryeministri Edi Rama, së bashku me përfaqësues të pushtetit vendor dhe institucioneve përgjegjëse. Në takim u diskutuan masat për përmirësimin e standardeve urbane dhe harmonizimin me kërkesat e Bashkimit Evropian.
Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, theksoi se kabllot ajrore pa standarde përbëjnë jo vetëm një problem estetik, por edhe një çështje të sigurisë publike. Sipas tij, bashkitë do të kenë rol kyç në identifikimin e zonave prioritare dhe në zbatimin e procesit të sistemimit të infrastrukturës.
Plani i veprimit parashikon një fazë përgatitore gjatë muajve korrik dhe gusht për ngritjen e grupeve të punës dhe koordinimin institucional, ndërsa ndërhyrjet në terren pritet të nisin në shtator. Faza e parë do të fokusohet në qendrat urbane, zonat historike dhe hapësirat me rëndësi të veçantë.
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, bëri të ditur se Shqipëria po harmonizon zhvillimin e rrjeteve të telekomunikacionit me standardet e Bashkimit Evropian dhe objektivat për mbulimin e avancuar 5G deri në vitin 2030. Ai theksoi se synimi është garantimi i aksesit në internet me shpejtësi të lartë në të gjithë territorin e vendit, përmes zgjerimit të rrjeteve moderne të komunikimit elektronik dhe përafrimit të legjislacionit me atë evropian.
Ai njoftoi gjithashtu se për zonat që ende nuk kanë mbulim me rrjet është siguruar financim përmes Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor. Projekti, me vlerë totale 110 milionë euro, përfshin një grant prej 35 milionë eurosh të akorduar nga Bashkimi Evropian dhe synon zgjerimin e mbulimit me rrjete të komunikimeve elektronike në të gjithë vendin.
Gjatë takimit u theksua se modernizimi i infrastrukturës së komunikimeve elektronike dhe forcimi i koordinimit ndërinstitucional do të kontribuojnë në përmirësimin e cilësisë së jetesës, zhvillimin urban dhe përmbushjen e standardeve të integrimit evropian.