Me rastin e festave të fundvitit, Kryeministri Edi Rama shtroi një darkë me përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë, me të cilët ndau mbresat e ngjarjeve të vitit që po mbyllet, si dhe diskutoi për projektet të përbashkëta që do të realizohen së shpejti, me vende mike e partnere.
* * *
Ç’vit të pabesueshëm po mbyllim! Kur u takuam në fund të vitit të kaluar, askush nga ne këtu, as kudo tjetër, nuk mund ta imagjinonte se 2022 do të sillte luftën sërish në Europë. Megjithatë ja ku jemi, duke u përballur me pasojat e luftës që po shkatërron një vend demokratik europian. Por po kështu, po godet besimin në qëndrueshmërinë e vendeve tona demokratike të kërcënuara prej pasojash, që shkojnë nga inflacioni te çmimet tronditëse të energjisë. Mendimet tona sonte janë pikë së pari me qindra mijëra familjet ukrainase, për të cilat kjo është Krishtlindja më e mosozotshme qysh prej Luftës së Dytë Botërore, që sjell vetmi më shumë se bashkësi, zymtësi më shumë se dritë, frikë më shumë se festim.
Le të lutemi për ta çdo herë që mblidhemi me miqtë e me familjen nën dritat e pemës së Vitit të Ri në qytetet tona a në shtëpitë tona. Do të mendojmë dhe të lutemi për ta, ndërkohë që e dimë që mendimet e lutjet nuk mjaftojnë. Kombet e qeveritë tona e dine që për ukrainasit nevojiten më shumë vepra se fjalë dhe ja pse qysh ditën e parë të agresionit rus jemi përpjekur të mbështesim kauzën e tyre për liri e për të lehtësuar dhimbjen e tmerrshme që është shkaktuar nga 294 ditë luftë.
Shqipëria do të rrijë krah Ukrainës deri në fund. Jemi përulësisht të nderuar që na është dhënë privilegji për të mbështetur si anëtar jo të përhershëm të Këshillit të Sigurimit kauzën e drejtë të shtetit të Ukrainës. Kush mund ta përfytyronte deri pak vite më parë se Shqipëria do të ulej atje lart me shumë pak të tjerë, për të debatuar çështjet më të rëndësishme të Kombeve të Bashkuara?
Kujt mund t’i kishte shkuar në mendje se Shqipëria do të ishte vendi i pare i zgjedhur për të mirëpritur këtu poshtë Samitin e parë të mbajtur ndonjëherë jashtë kufijve të Bashkimit Europian. Të dyja do të konsideroheshin fantazi të shfrenuara, produkt i një mendjeje tejet aventuriere, do të guxoja të thoja artistike, e megjithatë të dyja janë realitet. Zëri i Shqipërisë në tryezën e Këshillit të Sigurimit është dëgjuar qysh prej nisjes së vitit.
Shqipëria dhe mikpritja e saj e Samitit të BE bëri lajm, ndërkohë që viti i afrohej fundit. Merreni me mend tani! Jemi këtu të kremtojmë një tjetër përvjetor të veçantë. Shqipëria u pranua si anëtare e Kombeve të Bashkuara saktësisht në këtë ditë, më 14 dhjetor, por viti ishte 1955.
Ç’vit i pabesueshëm për marrëdhëniet tona me jashtë ky viti 2022 e ndërkohë që jemi në aspektin e ndodhive fatlume le të mos harrojmë çeljen e bisedimeve me BE. Është një tjetër datë kyçe e shënjuar në kalendarët tanë, por për mua dallon jo thjeshtë për rëndësinë e saj për marrëdhëniet tona me jashtë. Më shumë sesa për marrëdhëniet e Shqipërisë me Europën, kjo ka të bëjë me marrëdhëniet e shqiptarëve me të ardhmen e tyre. Falë kësaj arritje madhore, Shqipëria është më pranë së ardhmes sesa ishte në krye të këtij viti. Fantazmat e së shkuarës sonë janë më larg nesh sesa ç’ishin kur viti nisi, por më shumë sesa fantazma që na përndjekin e tmerrojnë, po fillojnë të duken si dëshmitarë të historisë. Janë këtu që ne të mësojmë pa pasur frikë.
Askush nuk mund të vërë më në pikëpyetje vlerën e shtuar të pozicionit të Shqipërisë në skenën ndërkombëtare dhe askush nuk mund të vërë në pikëpyetje rolin e Shqipërisë për të mbrojtur këtë rajon të trazuar nga zakoni i vet i keq për të prodhuar më shumë histori se ç’mund të tresë. Jemi krenar dhe të lumtur që na është kërkuar nga partnerja dhe mikja jonë e madhe Gjermania, që pranverën e ardhshme të mikpresim Samitin e Procesit të Berlinit. E shohim si shprehje vlerësimi dhe respekti për atë çka Shqipëria po bën vazhdimisht për të promovuar në mënyrë aktive bashkëpunim rajonal, paqen dhe dialogun, lidhje më të ngushta me fqinjët e saj të Ballkanit Perëndimor, ndërveprimet midis njerëzve dhe bizneseve nga të gjitha vendet tona.
Do të bëjmë maksimumin që të jemi në lartësinë e detyrës dhe të mikpresim një Samit të paharrueshëm të Procesit të Berlinit, ashtu siç mikpritëm një samit të BE që la një mbresë pozitive tek të gjithë ata që erdhën në Tiranë për të marrë pjesë, udhëheqësit, stafet, personeli i BE, gazetarët, personat e sigurisë. E di, të gjithë e dimë. Nuk është një fundvit i mirë për procesin e normalizimit midis Kosovës dhe Serbisë. Rritja e tensioneve në veri të Kosovës është, jo vetëm e padobishme, por thellësisht shqetësuese. Është e pabesueshme që na duhet të merremi vazhdimisht me shfaqjen e barrikadave, prapakthime në procesin e normalizimit dhe ekipe zjarrfikësish të SHBA dhe BE që vrapojnë të shpëtojnë makinerinë e dialogut nga flakët e një retorike të rënduar politike.
Së fundmi, dëgjuam deri për kërkesa të bëra NATO-s për të dërguar trupa serbe në veri të Kosovës, për të mbrojtur serbët etnikë. E kuptoj që kjo mund të jetë një tjetër shashkë speciale e retorikës politike, por është po kaq surreale sa do të ishte nëse Kosova do t’i kërkonte NATO-s të dërgonte trupa shqiptare në Serbinë jugore për të mbrojtur shqiptarët etnikë. E gjitha kjo është tejet larg asaj për të cilën kemi nevojë. Kemi hyrë në dekadën e tretë qysh kur Kosova u lirua një herë e përgjithmonë nga Beogradi. Ajo nuk do të jetë kurrë më nën ligjin e Beogradit.
Ne kemi nevojë vetëm tre gjëra: Dialog, dialog, dialog. Pjesa tjetër është thjeshtë politikë e keqe. E di më së miri se është më e lehtë ta thuash se ta bësh një gjë të tillë, por çdo rrugë e shkurtër që merret përtej dialogut të vështirë, madje të dhimbshëm midis Serbisë dhe Kosovës, jo vetëm për ato të dyja, po për të gjithë rajonin, shpie në një territor shumë të rrezikshëm. Nuk e zgjodhëm ne të jetonim në këtë lagje sekëlldisëse të Europës, që quhet Ballkan, madje nëse do të mundeshim do ta kishim zëvendësuar njëri-tjetrin me fqinj të tjerë. Por së pari, nuk ka asnjë vend tjetër në këtë planet ku ta transferojmë vendin tone dhe së dyti, secili prej fqinjëve tanë është këtu për të qëndruar. Kështu që më mirë të mësojmë, e të mësojmë shpejt të jetojmë me njëri-tjetrin, të punojmë me njëri-tjetrin, të ndihmojmë njëri-tjetrin dhe më mirë ta kuptojmë pa humbur më shumë dekada, se duhet ta bëjmë këtë, sepse është gjëja më e mirë që mund të bëjmë për t’i shërbyer pikërisht interesit tonë. Na duhet ta mbajmë murtajën e luftës ruse larg këtij rajoni dhe ndërkohë që do të mbetemi gjithnjë, me vendosmëri, krah Republikës së Kosovës çdo here që e drejta e saj sovrane për tu qeverisur nga autoritetet e veta do vihet në pikëpyetje në çfarëdolloj forme.
Por po kështu, nuk kemi asnjë dyshim se ndërtimi i urave të bashkëpunimit me Serbinë, jo vetëm është gjëja e duhur për t’u bërë, por është diçka që i shërben pikërisht interesave tona si vend dhe si komb, e kjo promovon paqen në një rajon ku fantazmat e së shkuarës janë kahera gati që t’i shpallin luftë së ardhmes sonë të përbashkët.
2022 ishte vit i pabesueshëm edhe për shkak se na befasoi, për fat të keq, në një mënyrë të keqe, me një luftë që erdhi, jo vetëm pas një pandemie që ishte një fatkeqësi e përbashkët, por edhe pas një tërmeti që ishte mallkimi ynë i përveçëm. Ja që ishim me iluzionin se nuk mund të shihnim më keq, por “voila” 2022 me inflacionin dhe çmimet e çmendura të energjisë që trysnuan çdo familje dhe çdo biznes. Mendoj që kemi qenë rezistentë deri më tani dhe kemi siguruar të shmangim që faturat e energjisë për çdo familje shqiptare dhe biznes të vogël t’i shërbenin objektivit të Vladimir Putinit për t’i gjunjëzuar vendet në perëndim të Rusisë. Çmimet e energjisë mbeten të njëjta edhe për ambasadat e vendeve tuaja të pasura!
E pamundur të bëhej e njëjta gjë me inflacionin, por sërish e mbajtëm në nivelin më të ulët në rajonin tonë. Është e rëndësishme që kurrë të mos harrojmë se Ukraina nuk është qëllimi fundor i luftës së Putinit, po thjesht objektivi i dukshëm teksa qëllimi është të detyrojë bashkësinë euro-atlantike të ulet me të dhe të negociojë krejt arkitekturën e sigurisë së Europës. Deri më sot, ai nuk po fiton në Ukrainë dhe nuk po ia del në Europë, por do të ishte më së paku naive të besonim se 2023 do të jetë më i lehtë se 2022 në këtë drejtim. Në të kundërt, mund të jetë më i vështirë e madje edhe shumë më i vështirë. Si të mos mjaftonin të gjitha barrat e krizës shkaktuar nga agresioni rus kundër Ukrainës dhe ekonomive tona, Shqipëria vuajti dhe një sulm të rëndë kibernetik nga Republika Islamike e Iranit.
Falë faktit se kishim një nivel të caktuar gatishmërie dhe falë, së pari dhe mbi të gjitha, miqve tanë amerikanë që erdhën e luftuan me ne në llogore për javë të tëra, sulmi nuk ia doli të arrinte objektivin e tmerrshëm për të shkatërruar tërësisht infrastrukturën tonë digjitale, për të fshirë të gjitha të dhënat tona digjitale.
Nuk më jep asnjë kënaqësi që të mos i uroja mirëseradhjen sot ambasadorit iranian. Ishte me ne vitin e kaluar kur patëm të njëjtin takim të fund vitit dhe ndërprerja e lidhjeve tona diplomatike me Iranin nuk ishte një vendim që e morëm lehtë. Irani është një komb i madh, me një kulturë të madhe dhe dua të përshëndes këtu sot, me admirim të plotë, kurajën që po i tregojnë botës vajzat dhe gratë iraniane duke luftuar për të kthyer në fytyrën e tyre dritën e diellit të marrë peng nga një epokë errësire.
Dëshiroj fort që më mirë shpejt sesa vonë, në një mënyrë apo në një tjetër, të fillojmë të rindërtojmë urën e shkëputur midis dy vendeve tona. Ndërkohë, nuk mund të mos i gëzohem faktit se urat tona me Emiratet e Bashkuara Arabe, me Arabinë Saudite dhe Azerbajxhanin u forcuan shumë këtë vit dhe dua të falenderoj nga zemra udhëheqësit e këtyre vendeve, të cilët jo vetëm më kanë ofruar me bujari miqësinë e tyre të veçantë, por kanë manifestuar përveçse me fjalë edhe me vepra interesin e tyre të mirëfilltë për t’i sjellë marrëdhëniet e tyre me Shqipërinë në një nivel tjetër.
Jam më shumë se besimplotë se Marina madhështore e Durrësit është vetëm hapi i parë konkret në një rrugë planesh të mëdha, ku po punojmë së bashku në fushën e energjisë, turizmit dhe tregtisë. Një tjetër ambasador ishte me ne vitin e kaluar, një mik i madh i këtij vendi që përfaqëson pikëmbërritjen tonë, Bashkimin Europian, miku ynë i mirë Luigi, i cili nuk mund të zëvendësohej sot nga pasardhësja e tij e përkushtuar, Christiane, për shkak të një pamundësie të përkohshme shëndetësore. I uroj shërim sa më të shpejtë, por ajo mund të pushojë dhe të mos shqetësohet, sepse shëndeti i raportit tonë me BE-në kurrë nuk ka qenë më mirë.
Të nderuar miq,
Nuk ka asgjë më të mire sesa të festosh miqësinë. Është vërtetë diçka që të ngroh zemrën të kuptosh se miqësitë e Shqipërisë janë rritur e janë bërë më të forta, por po kështu është po njësoj e vështirë që t’u japësh të gjithë miqve të pranishëm këtu, hapësirën e merituar në një fjalim festiv si ky. Shpresoj fort që ju jo vetëm nuk do të mërziteni që unë nuk po i rendis të gjithë vendet tuaja mike një e nga një, jo sepse nuk dua ta them se sa shumë e vlerësoj miqësinë tonë, por sepse nuk dua që t’ju zërë gjumi pa ngrënë! Kështu që më lini t’ju falenderoj të gjithëve për punën tuaj dhe t’ju uroj të gjithëve një 2023 të shkëlqyer, me më pak shqetësime dhe me më shumë kremtime si ky i tanishmi.
Zoti ju bekoftë ju, familjet tuaja, vendet tuaja dhe pa asnjë dyshim edhe dashurinë tuaj për Shqipërinë.
Gëzuar! Tashmë le të nisë ushqimi, pijet, muzika dhe vallëzimi!