Qeveria shqiptare po jetëson përmes vendimeve dhe projektligjeve, objektivin për rritjen e pagës mesatare, që do të mundësojë një shpërblim të drejtë, në raport me punën dhe kontributin e gjithsecilit, më shumë të ardhura për familjet, më shumë mirëqenie, rritje të konsumit dhe nesër një pension më të lartë.
Në ndërhyrjet e parashikuara në projektligjin “Për pagat, shpërblimet dhe Strukturat e Institucioneve të Pavarura Kushtetuese dhe të Institucioneve të tjera të pavarura të krijuara me ligj”, të ndryshuar”, synohet të realizohet ndër të tjera:
– Rritja e shkallëzuar e nivelit të pagës bruto për të gjithë punonjësit e administratës publike në 2 vite (1 prill 2023 dhe 1 korrik 2024);
– Rritja e pagës mesatare në administratën buxhetore qendrore, nga 71,630 lekë aktualisht në 107,257 lekë/muaj ose rreth 900 Euro/muaj (307 Euro më shumë se viti 2022);
Me këtë rritje paga mesatare bruto, krahasuar me vendet e rajonit, e tejkalon nivelin e Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut dhe i përafrohet asaj të Serbisë dhe Malit të Zi.
Projektligji synon ndër të tjera të bëjë disa përmirësime, në raportet me pagat e titullarëve dhe anëtarëve të organeve kolegjiale drejtuese me kohë të plotë të disa institucioneve të pavarura kushtetuese dhe institucioneve të tjera të krijuara me ligj, duke synuar krijimin e hierarkisë, rëndësinë dhe përgjegjësitë e institucioneve.