Ministri i Mbrojtjes, zoti Niko Peleshi, po zhvillon një vizitë zyrtare në Britaninë e Madhe. Ministri Peleshi u prit në një takim nga sekretari Shtetit për Mbrojtjen Ben Wallace.
Z. Peleshi shprehu mirënjohjen për mbështetjen që Ministria e Mbrojtjes së Britanisë ka dhënë për Forcat e Armatosura shqiptare. Nga ana e tij, sekretari Wallace shprehu gatishmërinë për intensifikimin e këtij bashkëpunimi në kuadër të Aleancës, por dhe në kuadër të bashkëpunimit dypalësh dhe rajonal.
Po ashtu ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi u prit nga ministrja e Shtetit baronesha Goldie DL. Të dy ministrat nënshkruan Deklaratën e Përbashkët mbi Rritjen e Bashkëpunimit dypalësh në fushën e Mbrojtjes, dokument i cili synon përforcimin e bashkëpunimit aktual, identifikimin e fushave të reja të bashkëpunimit për të përballuar sfidat si dhe për t’iu përshtatur risive të reja që sjell koha dhe mjedisi gjithnjë e më shumë konkurrues dhe kompleks. Si dy vende anëtare të NATO-s, ministrat rikonfirmuan vendosmërinë e tyre për të vijuar kontributin në sigurinë ndërkombëtare, duke përfshirë mbështetjen e vazhdueshme për Ukrainën, si dhe rritjen e angazhimit për sigurinë e Ballkanit Perëndimor dhe krahut jugor të NATO.
Një tjetër takim, ministrit Peleshi iu rezervua nga kreu dhe disa anëtarë të grupit parlamentar shumëpartiak për Shqipërinë, ku diskutuan mbi zhvillimet e fundit në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Gjatë këtij takimi ministri Peleshi theksoi se politika e jashtme e Shqipërisë është gjithmonë e më shumë e orientuar drejt fqinjësisë së mirë, sigurisë dhe stabilitetit të Ballkanit Perëndimor.
Ministri Peleshi u prit në një takim të veçantë nga i dërguari i posaçëm i kryeministrit britanik për Ballkanin Perëndimorë sir Stuart Peach, një mik i hershëm i Forcave të Armatosura të Shqipërisë. Gjatë këtij takimi u diskuan çështje me interes për zhvillimin, sigurinë, stabilitetin e Ballkanit Perëndimor, rolin e Shqipërisë në rajon, ku një vëmendje të veçantë iu kushtua çështjes së Kosovës.