Për median pas mbledhjes së fillimvitit për prioritetet e 2024 - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Për median pas mbledhjes së fillimvitit për prioritetet e 2024

Kryeministri Edi Rama ndodhet në Lezhë, ku  zhvilloi prej dy ditësh një mbledhje të zgjeruar për prioritetet e 2024, në parlament, qeveri dhe parti.

Mbledhja u organizua në 3 sesione; një sesion me drejtuesit e grupit parlamentar, drejtuesit politikë të partisë dhe anëtarët e kabinetit, një sesion të një mbledhjeje të zgjeruar të kabinetit qeveritar me praninë edhe të zëvendësministrave dhe një sërë drejtuesish të institucioneve qendrore dhe një sesion të mbledhjes së ngushtë të kabinetit qeveritar.

Në përfundim të ditës së dytë të diskutimeve, Kryeministri Rama zhvilloi një konferencë për shtyp me gazetarët e pranishëm.

* * *

Faleminderit që disa prej jush keni marrë mundimin për të ardhur deri këtu dhe keni pritur për një kohë relativisht të gjatë, atëherë, nuk mund t’iu linim pa begenisjen që meritoni.

Kemi pasur mbledhjen tradicionale maratonë të shumicës qeverisëse.

Këtë herë kemi pasur 3 sesione, një sesion me drejtuesit e grupit parlamentar, drejtuesit politikë të partisë dhe anëtarët e kabinetit, një sesion të një mbledhjeje të zgjeruar të kabinetit qeveritar me praninë edhe të zëvendësministrave dhe një sërë drejtuesish të institucioneve qendrore dhe sot një sesion të mbledhjes së ngushtë të kabinetit qeveritar.

Si zakonisht, kjo maratonë prek të gjitha aspektet që lidhen me veprimtarinë e shumicës qeverisëse, veprimtarinë politike, parlamentare, qeveritare dhe pastaj duke trajtuar çdo aspekt dhe duke hyrë në çdo sektor, madje dhe nënsektore. Përpara sesa t’ju jap mundësinë që të bëni pyetjet tuaja për ta bërë më produktive dhe për të mos bërë një tjetër konferencë të gjatë si ajo e fund vitit sepse sapo ka filluar viti dhe nuk kemi kohë për fjalë të gjata, meqë jemi këtu në Lezhë dhe meqë këtu, në këtë zonë, ka një pritshmëri të posaçme për Korridorin Blu, dëshiroj të them se në diskutimin për veprat e mëdha të infrastrukturës rrugore, portuale dhe aeroportuale, kemi diskutuar dhe kemi një pamje shumë të qartë të ecurisë së punës me Korridorin Blu.

Faktikisht, brenda këtij viti do të hapim për qarkullim aksin shumë të rëndësishëm nevralgjik Thumanë -Kashar ku thuajse 70% e punimeve janë duke u realizuar, pra, ishte mbi 60 e pak përqind vetëm pak kohë më parë. Kemi qartësi për ecurinë e aksit, e procesit për të filluar punën me aksin Milot-Thumanë, pjesë tjetër shumë nevralgjike pasi e dimë shumë të mirë të gjithë sesa e vështirë është bërë dhe sa shumë do të vështirësohet edhe këtë sezon lëvizja gjatë kohës së verës sidomos nga veriu, drejt jugut apo drejt Tiranës dhe besojmë që do të procedojmë përpara sezonit me nënshkrimin e kontratave për aksin Kashar- Rrogozhinë dhe Rrogozhinë-Lekaj që praktikisht përfundon gjithë boshtin e Korridorit. Ndërkohë që po punohet për fazën e parë të procesit të segmentit Milot-Murriqan. Po punohet për projektin.

Nga ana tjetër, kemi po ashtu adresuar nevojën për financim të by-pass-it të madh të Elbasanit, në kushtet kur Korridori 8 ecën me shumë shpejtësi falë edhe terrenit të favorshëm dhe gjeologjisë shumë të favorshme deri sot që flasim dhe jemi në kalendar për të përfunduar me segmentin e parë hekurudhor Tiranë-Durrës, sipas gjasave, brenda vitit dhe ndërkohë kemi diskutuar financimin e 4 kilometrave që duhen për të lidhur edhe 10 stacione të tjera nga Kashari në qendër të Tiranës. Jemi në proces dhe besoj që në fillim të vjeshtës do lidhim dhe kontratën për të filluar punën për Vorë-Han i Hotit. Kemi fituar nga fondet europiane financimin për segmentin Durrës-Rrogozhinë ndërkohë që kemi përgatitur aplikimin tjetër për të shkuar më poshtë, Rrogozhinë-Pogradec që të kompletojmë Korridorin 8 edhe me vijën hekurudhore dhe kemi diskutuar po ashtu, sepse ka një komunikim intensiv dhe kthehem prapë këtu në zonë praktikisht, me qeverinë e Kosovës për ecurinë e projektit strategjik të hekurudhës Durrës-Prishtinë dhe ka një dakordësi në parim nga të dyja strukturat përkatëse të dy qeverive për të eksploruar një ndryshim të vijës duke kaluar nga Shkodra, për sa kohë, po të kemi Vorë-Han i Hotit, nga Shkodra në Gjakovë dhe në Prishtinë dhe kjo është një zgjidhje shumë e dëshiruar edhe nga pala e Kosovës.

Po ashtu, kemi pak a shumë kalendarizuar procesin për hapjen e garës ndërkombëtare për Portin e Madh të Durrësit, në Porto Romano për të cilin do të bëjmë së shpejti një ndryshim të natyrës së financimit pasi është një projekt strategjik dhe ka një urgjencë strategjike duke qenë se kemi përfshirë edhe NATO-n në këtë proces për krahun ushtarak të portit dhe jemi në një fazë shumë të avancuar të shkëmbimit të informacionit dhe kështu ndryshimi do të jetë që do të kalojmë me financim të brendshëm në mënyrë që të mos varemi nga kohët e tej zgjatura dhe nga ngarkesat e tjera që burojnë nga financimi i huaj. Këto janë pak a shumë projektet e mëdha që besoj ju interesojnë që të gjithëve.

Një projekt tjetër i madh, jo infrastrukture, por që lidhet me shfrytëzimin e infrastrukturës, është që më në fund finalizojmë këtë vit dhe hapim aktivitetin e Agjencisë Kombëtare të Transportit, jemi një vend që synojmë të bëhemi kampionët absolutë, tani i kam shtuar dhe fjalën “absolut” pozicionit të Shqipërisë në rajon për turizmin.

Nuk e di a e ndoqët një të dhënë të re të Booking.com, është një nga platformat më të mëdha globale të rezervimeve, e cila informoi se Vlora është një nga 10 destinacionet më te rezervuara në botë për sezonin e ri, kuptohet gjithmonë në terma relative.

Nuk do të thotë se do vijnë në Vlorë më shumë turistë sesa do shkojnë në Kinë, por e kam fjalën nga rezervimet e fillimit vitit, fluksi i rezervimeve për Vlorën është në dhjetëshen e parë të Booking.com me disa destinacione të tjera që janë vërtetë destinacione magjike të këtij planeti.

Ashtu sikundër, besoj se keni parë një vend tjetër të publikuar nga agjencitë ndërkombëtare.

Shqipëria është vendi me rritjen më të madhe të turizmit në Europë në vitin 2023, gjithmonë në terma relativë krahasuar, se çdo vend me vetveten.

Agjencia Kombëtare e Transportit do t’i shërbejë kalimit në një nivel komplet tjetër të gjithë sistemit të transportit dhe Agjencia Kombëtare e Transportit do të mbulojë edhe një mision tjetër shumë të rëndësishëm të transportit të mësuesve dhe të fëmijëve. Kemi filluar punën prej kohësh, por jemi në finalizim dhe besoj do ta dëgjoni në dy tre muajt në vijim, por besoj dhe më shpejt,  krijimin e një agjencie aksionere për prodhimin e automjeteve për nevojat e shtetit dhe natyrisht edhe për eksport.

Është një projekt shumë i bukur që do të na japë mundësinë të prodhojmë për nevojat e Ministrisë së Shëndetësisë, Ministrisë së Brendshme, nevojat e Agjencisë Kombëtare të Transportit dhe patjetër edhe për eksport,  duke u bazuar tek gjenialiteti dhe tek ekspertiza e pamohueshme e një vajze shqiptare, që e njihni të gjithë dhe më të cilën jemi duke ndërtuar këtë proces me ndërmarrjen e saj modeste që sidoqoftë fiton gara ndërkombëtare për të dërguar autoambulanca nga Ukraina deri në Serbi.

* * *

– Përpara se të vinit këtu në Lezhë për të bërë këtë “retreat”, ju keni bërë një ndryshim në qeveri, por nuk pamë asnjë fjalë pse e keni larguar zonjën Margariti për shkak se kulturën e keni vendosur në krijimin e një ministrie të re ku ia keni besuar zotit Blendi Gonxhe. Pse e keni larguar zonjën Margariti dhe si do kompozohet një ministri me ekonominë, me kulturën dhe me inovacionin?

Kryeministri Edi Rama: Në fakt unë kam thënë më shumë se një fjalë për këtë dhe ministria e re nuk është krijuar për të larguar zonjën Margariti e cila ka bërë detyrën e vetë në krye të Ministrisë së Kulturës, por është për të krijuar një strukturë të re për ato arsye që unë kam paraqitur shkurtimisht, që janë shtjelluar pak më gjatë në relacionin që i kam dërguar dhe Presidentit të Republikës dhe që kanë të bëjnë pikërisht me nevojën e jashtëzakonshme të vendit për të ecur më shpejtë duke thyer edhe kufijtë tradicionalë në ndërkohën kur ekonomia jonë, sektori po themi institucional, pjesa institucionale që mbulon ekonominë ka nevojë për një shtysë të re të fortë sepse janë një sërë sfidash të cilat kërkojnë një vëmendje të veçantë në këtë fazë, në ndërkohën kur inovacioni është ekonomi dhe kërkon po ashtu një udhëheqje dhe një orientim të drejtpërdrejtë që nuk mund ta bëjë kush tjetër në këtë fazë përveçse një ministrie ekonomie e cila duhet të orientojë dhe duhet të mbështesë dhe duhet të shoqërojë dhe biznesin në nevojën për inovacion dhe jo vetëm të koordinojë të gjitha institucionet e tjera sepse një nga problematikat më të renda që ne kemi trashëguar nga e shkuara ka qenë  kioskëzimi si një fenomen shumë më i gjerë sesa kioskëzimi material i ngrehinave në territor. Ne kemi pasur një qeverisje të kioskëzuar, një shtet të kioskëzuar dhe viktimë shembullore e këtij mentaliteti qeverisës dhe i kësaj kulture të dobët të shtetit është inovacioni. Është investuar në inovacion në sensin që është investuar në digjitalizim më saktë, në vite edhe më parë, modestish, por është investuar mirëpo janë krijuar sisteme të mbyllura që nuk komunikojnë me njëri tjetrin, i cili ka ndërtuar një sistem. Pse Parlamenti i Republikës së Shqipërisë u godit me sukses edhe me lehtësi nga armiqtë tanë kibernetikë? Sepse ishte jashtë sistemit, ishte një kioskë digjitale dhe ne kemi shumë kioska të tilla ende të cilat janë jashtë, po themi sferës së kompetencës së drejtpërdrejtë të pushtetit ekzekutiv. Ndërkohë që në kushtet edhe të kësaj epoke që e ka sjellë luftën kibernetike si një kërcënim të ri që do të shkojë duke u shtuar e duke u shtuar. E patë se çfarë i  bën ukrainasit dje Rusisë me një sulm kibernetik. Rusisë që është një nga fuqitë më të mëdha kibernetike në botë sot, i morën peng një pjesë të madhe të Moskës, pa drita, pa informacion. Që do të thotë, është një luftë ku në vazhdimësi do përgatitesh, do goditesh, do reagosh dhe kërkon një sistem mbrojtje. Siç kemi një ushtri që mbulon gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, siç kemi një forcë mbrojtëse duhet të kemi një forcë unike ku sigurisht institucionet kanë pavarësinë e tyre në përdorimin e pjesës së tyre të sistemit, por sistemet nuk mund të jenë sisteme kioska dhe ne sot kemi një situatë shumë dramatike me sistemin e drejtësisë. Nëse flasim për përparime të caktuara, ne kemi sistemin më të prapambetur më arkaik, më banal të drejtësisë në Europë nëse flasim për digjitalizim. Akoma me defterë, që janë shumë më të keq renditur sesa defterët e kohës së Perandorisë Otomane dhe të periudhës së diktaturës, kjo është e kuptueshme. Kanë shumë më të tepër gabime ortografike dhe formulime ekstravagante të pakuptueshme sesa në kohën e Perandorisë Otomane dhe në kohën e diktaturës dhe mbi të gjitha nuk mundësojnë asnjë shpejtësi dhe asnjë transparencë në trajtimin apo në monitorimin e çështjeve gjyqësore dhe problemi konceptual filozofik është që ndërkohë që ne insistojmë prej vitesh të kërkojmë nga institucionet e reja të drejtësisë dhe këtu e kam fjalën për këshillat përkatës që të qasen në mënyrë bashkëpunuese dhe konstruktive dhe ne kërkojmë që të bëhet pjesë e të njëjtit sistem, dëgjojmë broçkulla për pavarësinë. Pavarësia është një gjë dhe sistemi është një gjë tjetër. Mercedez- Benz prodhon makina për të gjithë, pastaj secili shofer në mënyrë të pavarur drejton makinën e vet.

Dhe kështu mund të sjellim 1000 shembuj. Sistemi i ujësjellës-kanalizimeve është një, nuk ka sisteme të pavarura ujësjellësi dhe kanalizimi që institucione të pavarura të ndërtojnë ujësjellësin e vet dhe kanalizimin e vet. Sistemi elektrik është një dhe sistemi digjital dhe sistemi i mbrojtjes kibernetike të një shteti serioz është një.

Nëse parlamenti do të ishte përfshirë në sistemin e AKSHI-t dhe në sistemin e mbrojtjes  nga AKCESK-u, njësia e re që ne kemi ngritur, do e kishte më të lehtë, shumë më të lehtë. Nuk them që mund të mos goditet, por do e kishte shumë më të lehtë.

Në këtë sens inovacioni është një problem në rast se ne nuk i marrim të gjitha të mirat, dhe nga ana tjetër është një bekim për vende si i yni që përmes inovacionit, mund të bëjnë kapërcime që në kohën para teknologjisë së lartë, do ishin të pamundura sepse në kohën para teknologjisë së lartë kur prodhohej një makinë e re shkrimi, do ta merrnin një herë ata që e prodhonin, do ta blinin një herë ata që kishin mundësi ta blinin menjëherë, pastaj kur të vinte radha tek ne, ata do kishin prodhuar makinën e re të shkrimit kurse kështu, secili vrapon sipas  dëshirës që ka për të vrapuar dhe nga ana tjetër, mungesa e sistemeve të mirëstrukturuara, të cilat funksionojnë si duhet me letra, bëjnë që ti të kesh shumë më tepër hapësirë për të ecur me teknologjinë. Pse vende si Gjermania, – Gjermania është makineria me ekselente burokratike e Evropës, – në inovacion dhe në digjitalizim janë shumë më mbrapa se shumë vende të Evropës? Pse Estonia u bë vendi lider i Evropës, duke qenë një vend i vogël dhe shumë, shumë më i prapambetur se Gjermania?

Sepse të kthesh një makinë te madhe, një anije të madhe është shumë më vështirë sesa të kthesh një varkë që nuk i ka të gjitha ato pajisjet e anijes së madhe, por ka mundësi të kthehet, kështu që në ketë sens dhe inovacioni dhe kultura është bashkuar aty për t’i dhënë mundësi vetes që të shfrytëzojmë shumë më tepër potencialin që kultura ka për ekonominë.

Kultura nuk është vetëm ekspozim dhe mirëmbajtje dhe promovim i asaj që ke, por është edhe motor i ekonomisë.  Prandaj është bërë kjo. E kjo nuk ka lidhje me persona, kjo ka lidhje me nevojën që sistemi të bëhet me eficent dhe që ne të marrim më shumë nga potenciali që kemi. Dhe po ashtu kam shpjeguar pse kam bërë zgjedhjen e ministrit të ri, sepse është një nga drejtuesit publikë më te sprovuar dhe me një sukses të pranuar nga të gjithë.

Drejtoria e Përgjithshme e Transportit Rrugor ishte një kioskë banale, një çerdhe korrupsioni, një nga skenat më brutale të maskaradës antishtet që ne trashëguam. Fakti që ne arritëm të bëjmë që Republika Federale e Gjermanisë të pranojë njohjen e patentës sonë, e lejes sonë të drejtimit, i thotë të gjitha.

Domethënë kemi krijuar, ose më saktë nën lidershipin e tij është krijuar një  institucion shqiptar që mund ta marrësh, mund ta vendosësh në gjithë hartën e institucioneve evropiane të sektorit dhe plotëson të gjitha standardet, se ndryshe nuk të njeh Gjermania patentën. Nuk të jep Gjermania ty mundësi të drejtosh makinën me një patentë të marrë te Qafa e Kërrabës me detyrimin që të votosh për partinë X dhe pa bërë test, se nuk mundet Gjermania që makinat që lëvizin në territorin e saj, të  jenë “autobomba për të vrarë’’ njerëz për shkak shoferësh që kanë një patentë, por s’kanë dijeni se si i jepet makinës.

Dhe fakti që institucionet e asaj drejtorie janë institucione model, janë si ky këtu hotel për pritjen, përcjelljen, eficiensën e shërbimit, shkurtimin e burokracisë e të gjitha përmes inovacionit flet vetë dhe plus background-i mbrapa kulturor dhe lidhja e mëhershme me kulturën e ministrit të ri, e cila bëri që Drejtoria e Transportit të behej e famshme dhe të bëhej e dashur për të gjithë njerëzit, jo vetëm për shërbimet, por edhe për gjithë segmentin e ri të Retro-s, po ashtu flasin vetë për ‘pse’’.

-Zoti Kryeministër për pak  ditë nis jeta parlamentare. Opozita i ka kërkuar Presidentit që ta ktheje ligjin për ngritjen e komisioneve hetimore. Nëse Presidenti e kthen këtë ligj, a është e gatshme shumica socialiste që të ulet  me….

 Kryeministri Edi Rama: Jo!

 

-Ta çoj pyetjen deri në fund?

 Kryeministri Edi Rama: Jo, nuk është. Ligji është  bërë i bazuar mbi modelin bazë nga i cili u ndërtua ai ligj qysh në fillesë, por për arsye që janë të panjohura për mua, modelit bazë, modelit gjerman i janë hequr komponentë shumë të rëndësishëm për integritetin e një procesi hetimor parlamentar. Këto komponentë janë futur aty dhe ne nuk negociojmë dot modelin gjerman me një grup shqiptarësh që kanë humbur modelin si shqiptarë edhe si qytetarë që janë në kërkim të modelit të tyre.

-Atëherë përballë kësaj situate kur ju nuk do të bëni një hap pas, që është edhe çështja kryesore që opozita proteston për komisionet hetimore …

Kryeministri Edi Rama: A thua?

Vijon pyetja: … si do të përballeni në parlamentin që rinis kur opozita vazhdon të këmbëngulë që do të protestojë. Do të kemi të njëjtën situatë? Si do qaseni?

Kryeministri Edi Rama: Kjo pyetje nuk është për mua. Qasja ndaj Parlamentit është qasja e përcaktuar qysh kurse grekët e lashtë ndërtuan skenën e parë të shkëmbimit të opinioneve dhe hapën siparin e historisë së demokracisë. Pra, në atë skenë nuk përfshiheshin mundja, boksi dhe aktivitetet me natyrë fizike përveç qëndrimit në këmbë ose qëndrimit ulur. Grekët ishin atletë dhe e kishin atletikën dhe i kishin sportet në qendër të vëmendjes dhe kishin dhe moton e tyre të famshme, “mendja e shëndoshë në trup të shëndoshë”, por kishin edhe pista atletike, dhe kishin stadiume për aktivitetet fizike dhe kishin skenën e debatit demokratik për aktivitetin mendor.

Kështu që nuk më rezulton që gjatë historisë së tij, parlamentarizmi të ketë pasur në moment ndonjë ndryshim në këtë aspekt. Nuk më rezulton që ka kaluar në faza ku është pranuar bashkëjetesa e sporteve fizike me ushtrimin e të drejtës së fjalës dhe me garantimin e të drejtës së tjetrit për të folur dhe ai.

Ne në Parlament do të qasemi siç janë qasur grekët apo romakët, britanikët dhe siç qasen të gjithë ata që gëzojnë sot demokracinë dhe mundësinë që jep demokracia për të pasur parlament. Do të qasemi për t’u ulur, për t’u ngritur të flasim kur marrim fjalën dhe për t’u ri ulur, për të dëgjuar kur të tjerët marrin fjalën.

Për sa kohë përballë do të kemi shëmbëlltyra të keqkuptimit të madh midis sportit fizik të natyrës boks, mundje, hedhje disku, hedhje gjyleje apo ndezje flakadanësh për lojërat e ardhshme olimpike ne do të votojmë dhe do të largohemi sepse ne do ta bëjmë punën tonë, duke shprehur keqardhjen sa herë të na jepet mundësia, për qytetarët që i kanë votuar ata që janë aty për të na luftuar ne me argumente që s’kanë mundësi të dëgjojnë argumente, sepse lufta fizike aty nuk bëhet për asnjë problem të natyrës filozofike dhe konceptuale. Lufta fizike aty bëhet për një problem që ju e dini të gjithë dhe s’kemi pse, as ta diskutojmë. Është një problem njerëzor sigurisht, por nuk është një problem i kësaj shoqërie, i këtij populli, i këtij vendi, problemi me drejtësinë i një individi që ka kaluar nga Parlamenti në ballkon dhe pret nga Parlamenti përplasje. Siç prisnin ata të në Romën e vjetër që rrinin atje në lozhë dhe skllevërve të tyre u thoshin përplasuni me luanët, të shohim kush do fitojë. Ky është problemi, por ne nuk jemi as skllevër, as luan, ne jemi përfaqësuesit e shumicës që bëjmë punën tonë dhe jemi të gatshëm patjetër të bëjmë çdo diskutim, të bëjmë çdo negocimin me premisën që keqkuptimi fizik i jetës parlamentare të zgjidhet dhe këtë se zgjidhim dot ne.

– Zoti Kryeministër, ju në parlament mund të votoni dhe të largoheni nga seanca vetëm për ato ligje që kërkojnë minimumin, pra shumicë të thjeshtë. Pra, 71 vota, por ndërkohë parlamenti duhet të votojë deri në fund, deri në mesin e të marsit pak a shumë është mandati  i komisionit të reformës zgjedhore në të cilën nuk është bërë asgjë. Një reformë e cila duhet votuar. Duhet të votoni amnistinë penale, si do ti siguroni ju 84 vota minimumi për t’i kaluar; projektligjin e amnistisë penale, por edhe reformën zgjedhore. Për të siguruar këtë votën aritmetike 84, do të negocioni me opozitën, individë, me grupime të ndryshme nga opozita? Faleminderit.

Kryeministri Edi Rama: asnjëra nga këto sado që janë arsye të rëndësishme, sepse është e padrejtë që njerëzit që duhet të dalin nga burgjet për të gjitha arsyet që parashikon amnistia dhe për nevojën e uljes së mbingarkesës në burgje natyrisht, sepse është një kosto. Nuk e meritojnë që të vazhdojnë të rrinë aty brenda, si viktima të keqkuptimit që unë shtjellova më parë, por nuk ka asnjë shans që kjo të na bëjë ne që të pranojmë keqkuptimin, pra të pranojmë që ushtrimi i forcës fizike, përdorimi i krahëve, këmbëve, duarve, si instrumente force të na imponohet për argumente për të cilat ne nuk jemi dakord. E njëjta gjë edhe për reformën zgjedhore. Po ka një afat komisioni, do mbarojë afati i komisionit dhe do bëjmë edhe pa komision. Se komisioni është një komision që vjen si rezultat i një tradite të krijuar bipartizane. Komisioni nuk është një normë ndërkombëtare, nuk është as dhe një normë europiane. Parlamente të tjera dhe po ju marr vetëm dy parlamente të Bashkimit Europian në anën tjetër të detit dhe në jug të vendit, nuk ngrenë komisione parlamentare dhe nuk i kanë dhënë vetes detyrimin që o të bjeri dakord gjithë parlamenti o nuk bëhet reformën zgjedhore. I bëjnë reformat zgjedhore me votat që kanë aty, kur i kanë, kur nuk i kanë nuk i bëjnë. Kjo është edhe këtu. Kanë ndryshuar kohët! Një komision bipartizan me një partizan dhe me shtatë ballistë nuk e bën dot, duhet të kesh dy partizan, si kemi më, kemi një partizan, një parti këtej kemi dhe 7 ballistë nga krahu tjetër tani, si ta bëjmë këtë gjë? Njëri është ballist i keqkuptuar, tjetri nuk është ballist po duket si ballist, i treti duket si këta të dy të parët, por nuk është dakord as me të parin, as me të dytin. I katërti do të jetë edhe me të parin, edhe me të dytin dhe me të tretin, por në të njëjtën kohë nuk e merr parasysh faktin që të duket si ballist, i pesti, i gjashti, i shtati e me radhë janë pastaj ballist për inerci, se ata mund të jenë çfarë të duash, mjafton që i pari, i dyti, i treti të japin sinjalin e duhur dhe ata mund të kthehen nga ballist në balerina, nga balerina në veteriner, nga veteriner në mundës, nga mundësi në boksier, nga boksier në doktor, nga doktor në specialistë të tregut të punës, nga specialistë të tregut të punës mund të kthehen prapë në tigra dhe luanë. Është problem më shumë i natyrës fiziologjike të opozitës sesa problem politik, se di a isha i qartë. Mos më kërkoni tani t’iu them kush janë tigrat, e kush janë luanët.

– Po të paktën mund t’iu kërkojmë nëse keni piketuar partizanë, ballistë, balerina, tigra apo luanë që mund t’iu japi shumicën e artë prej 84 votash. A po shihni mundësisë që nëse nuk bëhen, nuk bëhen.

Kryeministri Edi Rama: Jo partizanë nuk ka atje. Janë lloj-lloj të tjerë, por partizanë nuk ka. Partizanët jemi ne.

– Nga këta të tjerët a ka që mund të shndërrohen në partizanë për reforma të rëndësishme, apo ju e shikoni mundësinë për mos t’i bërë fare këto reforma dhe nuk negocioni me ndonjë individ të veçantë.

Kryeministri Edi Rama: Nuk jemi të shtrënguar të bëjmë asgjë që i jep një goditje të re kulturës së shtetit dhe kulturës demokratike, ju kujtohet juve besoj, mua më kujtohet mirë dhe juve ju kujtohet se pavarësisht se jeni shumë më të rinj, po këto nuk janë histori shumë të vjetra kur ju thoja nëse ne do të të hapim rrugë për bojkotin, për shkak të bojkotit, ne do të kemi bojkot non stop. Keni dëgjuar më njeri ju edhe ndër këta që kanë këto dilemat psiko-fizike që të thonë do të bojkotojmë. Keni dëgjuar ndonjëherë?

Pse u varros përfundimisht bojkoti si mjet? U varros sepse u kuptua që bojkoti përmes të cilit, ti do të çosh patjetër në buzë të greminës të gjithë, të çon ty në fund të greminës dhe pastaj rruga nga kthimi i fundit të greminës për të ardhur aty ku ishe, është shumë e gjatë. Keni parë më, keni dëgjuar më ju njeri dhe nga këta që kanë nga këto dilemat midis mundjes, boksit dhe politikës, të thotë nuk do të hyjmë në zgjedhje? Pse? Sepse u provua që ti mund të mos hysh në zgjedhje dhe e ha vetëm ti, ndërkohë që vite të tëra ramë të gjithë pre e një inercie që na thoshte bojkot.

Edhe unë jam këtu dëshmitar dhe dëshmitar si mini protagonist në këtë inerci. Po të kthehesha mbrapa në vitin 2009-të, nuk do e bëja bojkotin me këto mend që kam sot. Mirëpo, nga ana tjetër, po të kthehesha mbrapa me mendtë e atëhershme dhe në inercinë e atëhershme të të gjithë sistemit, do të bëja bojkotin që ishte bojkoti më i arsyeshëm mendoj unë për një shkak komplet të thjeshtë dhe që sot as diskutohet më hapja e kutive, madje me një kërkesë të thjeshtë dhe dy anëtarë të KQZ-së ti hap çdo kuti. Atëherë të thoje “të hapim kutitë të shohim çfarë kanë brenda” ishte krim që na çoi deri në grevë urie e të tjera.

Por, në të gjitha këto raste, unë mendoj që atë rezultat mund ta kishim arritur edhe pa bojkot, po jo me mendtë e mia të atëhershme, se si arrihet me mendtë që kam sot. Mirëpo, pse e them këtë?! E them këtë sepse ishte gjithmonë rruga “ti bojkoton, merr përsipër goditje, pastaj të vijnë amerikanët, të vijnë francezët, të vijnë belgët e të thonë hajde tani uluni, gjeni një zgjidhje”.

Ditën që ju tha “jo, këtu nuk ka. Stop. Këtu do të bojkotosh, do të rrish në çadër, do të luftosh ja vdekje ja liri, të këndosh himnin çdo mëngjes”, bëje deri kur të të vijë mosha për të shkuar në banesën e fundit, por rrugën ti kështu nuk e ha dot. Do të mos futesh në zgjedhje, mos u fut deri kur të të mërzitet politika dhe të ikësh të bësh një punë tjetër. Po duke mos u futur në zgjedhje, ti nuk detyron dot askënd që të bëjë atë që do ti. Edhe kjo, do të marrësh karriget ti ngresh përpjetë, ngriji. Do të ndezësh flakët në Parlament, ndizi. Do të përdorësh të gjithë arsenalin e gojës, përdore. Do të shtysh edhe të gjuash, gjuaj, por ti asgjë nga ato që kërkon nuk ke shans jo t’i marrësh, po as të dëgjohen, nëse nuk i jep të drejtën tjetrit të flasë. Kaq!

Dhe nuk e di, deri në mars, deri në prill, deri në qershor, deri në 2025, nuk e di kur, po dhe kjo do marrë fund dhe nuk do ta përdorë më njeri më vonë se do e kuptojnë që është kot. Është kot! Nuk të çon asgjëkund! Fare! Të çon poshtë ballkonit, po. Poshtë ballkonit je i lirë, rri poshtë ballkonit!

– Zoti kryeministër, që pas vendimit të Gjykatës së Posaçme për çështjen Beleri që ju atribuon një përgjegjësi për të gjetur një zgjidhje, ka pasur hipoteza të ndryshme për fatin e kryesimit të bashkisë. A i keni propozuar ju Vangjel Tavos që të drejtojë bashkinë e Himarës, nëse jo, cili është plani për të gjetur një zgjidhje?

Kryeministri Edi Rama: E para e punës, njëherë, vendimi i gjykatës së Posaçme është një vendim pozitiv në këndvështrimin tim për ato arsye që kam thënë edhe për një hapësirë që krijon, por së pari një herë nuk është një vendim i formës së prerë.

Duhet të presim të marrë formë të prerë, se nuk mund të veprojmë ne me një vendim të shkallës së parë dhe pastaj vendimi i Apelit të thotë diçka tjetër. Është një vendim i shkallës së parë.

E dyta, të gjitha këto të tjerat që kanë qarkulluar, kanë si burim median greke. Nuk kanë si burim as median shqiptare, as qeverinë, as zyrën time. Unë nuk komentoj çfarë më vë mua në gojë apo në kurriz media greke, pa më pyetur edhe mua. Nuk kam çfarë komentoj. Janë histori që unë i kam parë në median shqiptare, të marra nga media greke. Nuk kam parë ndonjë media shqiptare të thotë ky, ai, ajo. Kështu që, është një pyetje për kolegët tuaj grekë në gazeta, portale, televizione ose kur t’ju jepet mundësia pyesni autoritetet greke. S’është pyetje për mua kjo. Unë di që ne presim vendimin e formës së prerë.

-Sot Arben Ahmetaj nuk është më deputet i Partisë Socialiste pasi Kuvendi ka njoftuar vakancën. Ju a keni komunikuar me Dallëndyshe Bicin nëse do ta marrë mandatin, apo ju e dëshironi që ajo të qëndrojë në krye të Kadastrës?

Kryeministri Edi Rama: Dëgjo, unë ja u kam thënë gjithmonë. Ju jeni të lirë të besoni atë që dëshironi dhe ju jeni të lirë të besoni opinionistët e mëdhenj antikë të Shqipërisë që i dinë të gjitha ato që thonë për mua dhe e dinë që unë jam diktatori që i kontrolloj të gjitha. Por unë po ju them kaq, që nëse ju do të merrnit pjesë në këto sesionet që ne bëmë, do shikonit një gjë krejt tjetër. Ne i kemi të ndara punët. Natyrisht që unë informohem, patjetër. Më informon mua kryetari i grupit për gjërat, nuk diskutohet. Patjetër që mua më informojnë drejtuesit politikë, nuk diskutohet, por e para, punët ne i kemi të ndara.

Ju mund ta besoni, nuk mund ta besoni, unë fatkeqësisht nuk mund t’ju fusja në këto sesione, por një ditë ju do jeni këtu, unë s’do jem këtu. Mbase do vendoset deklasifikimi i arkivave të Partisë Socialiste dhe do shikoni në film, se ne i regjistrojmë dhe bëjmë transkripte për këto dhe pastaj bëjmë dokumente që merren çfarë u tha, çfarë u vendos e të tjera. Kështu që, për t’iu përgjigjur pyetjes tani po e dëgjoj këtë gjë se nuk isha i informuar, domethënë që ky afat dhe kjo çështje është në rendin e ditës. Tani që ma thatë ju. Nuk u ngrit as në diskutimin që bëmë me drejtuesit e grupit se kishim dhe të tjera tema që kishin të bënin me mënyrën sesi duhet të funksionojë parlamenti. Parlamenti ka nevojë njëherë për të rritur cilësinë e stafit, deputetët janë të zgjedhur, por stafi, ekspertët që mbështesin Parlamentin sepse ne jemi futur në një proces komplet tjetër sot.

Ne na duhet të bëjmë ligje, të cilat sot duhet të kenë një cilësi shumë më të mirë në raport me pasqyrën që kemi në Bruksel gjatë gjithë kohës dhe natyrisht që ne kemi pasur gjatë gjithë kohës pasqyrën, por sot nuk kemi luksin që të humbasim shumë kohë, duke na i kthyer ata, duke i rikthyer, pra na duhen ekspertë, na duhen stafe shumë më të kualifikuar që do të thotë, duhet të rrisim cilësinë e stafeve të Parlamentit, stafet që janë në dispozicion të komisioneve, ekspertët që janë në dispozicion të komisioneve të brendshme, forca të brendshme që duhet paguar më mirë, me paga shumë më konkurruese, por edhe forca të jashtme që duhet të angazhohen.

Pastaj, kemi folur për monitorimin cilësor të institucioneve të pavarura, të gjithë institucioneve, nuk flas vetëm për institucionet e drejtësisë. Për monitorimin cilësor, kemi folur për raportet e këtyre institucioneve, kemi folur për rezolutat e parlamentit në raport me këto institucione, kemi folur për mënyrën se si duhet t’i qasemi në mënyrë shumë më konstruktive grupeve të interesit, kemi folur për mënyrën sesi konsultimi publik duhet të bëhet më cilësor e të tjera. Pra, këto kanë qenë tema të funksionimit të komisioneve. Kemi folur, patjetër edhe për komisionin e reformës zgjedhore dhe kemi dalë në këto konkluzione që do ishte mirë që të bëhej, por në qoftë se nuk bëhet fundi i botës. Mbase ka ardhur koha që edhe tradita e komisioneve bipartizane të mbarojë duke mbajtur shënim faktin që nuk ka më dy palë, por ka shumë dhe nuk jemi të detyruar ta bëjmë kështu në këtë formë, nuk na detyron askush. Tradita! Okej, tradita ka funksionuar për sa ka funksionuar, por sot nuk ka më asnjë shenjë të asaj tradite. Kështu që e kemi parë që ky nuk është fundi i botës. Sigurisht, do donim të ishte, por në qoftë se nuk është kështu do gjejmë rrugët e tjera por nuk do lëmë vendin pa reformë dhe nuk do e lëmë Shqipërinë pa zgjedhje, nuk diskutohet.

– Në mos gaboj, nuk mund të them saktësisht datën, por në nëntor ju keni deklaruar që së shpejti do shkoni në Kosovë? Kur mund t’iu shohim në një vizitë në Kosovë? Ju folët për një dakordësi, në parim, mes qeverisë suaj dhe asaj të zotit Kurti për ndërtimin e hekurudhës?

Kryeministri Edi Rama: Dakordësinë në parim e kemi pasur me kohë. Unë fola për një moment sepse është një grup i përbashkët pune dhe ministrat tanë të infrastrukturës janë në komunikim të vazhdueshëm dhe fola për një diskutim të brendshëm dhe ne sot, kur kemi pasur diskutimin për këtë, jemi informuar nga ministrja për këtë qasje dhe për dakordësinë që ka mes palës sonë dhe palës në Prishtinë për të parë opsionin e kalimit nga Shkodra të hekurudhës, nga Malësia e Gjakovës, thjesht për sqarim.

– Besoj që ka çështje shumë të ndjeshme delikate që ju së bashku me homologun tuaj Kurti duhet të adresoni.

Kryeministri Edi Rama: Unë di, mbase se nuk dua tani të bëhet lajm, por unë di që për pak ditë do jem vetë në Shkup për një takim rajonal që do bëhet atje. Unë shpresoj që do jetë dhe kryeministri i Kosovës, nuk e di a do vijë, a nuk do vijë sepse nuk e kam këtë informacion, por besoj që do takohem me të. Nuk e kam realizuar vizitën atje aq shpejt sa unë mendoja në atë moment, por jo për shkaqe që lidhen me ndonjë problem në Prishtinë, por thjesht sepse kam pritur disa zhvillime që edhe kanë filluar të ndodhin, siç e keni ndjekur dhe pastaj do të shkoj patjetër.

– Zoti kryeministër, ndoshta një pyetje të fundit. Ju thatë që do të vazhdoni para me reformat dhe nuk do të prisni dhe nuk do vijoni traditën e deritanishme të konsultimit apo të një bashkëpunimi parlamentar me opozitën. Për Reformën Territoriale a keni pasur ndonjë diskutim gjatë këtij retreat dy ditor me mazhorancën, me ministrat, por edhe me pjesën parlamentare të Partisë Socialiste? A mund të ketë ndonjë ndryshim gjatë kësaj periudhe përpara zgjedhjeve të ardhshme?

Kryeministri Edi Rama: Unë nuk thashë atë, njëherë, se fjalët janë të rëndësishme, kanë peshën e tyre dhe nuk duhet t’i nxjerrim. Unë nuk thashë që nuk do konsultohemi me asnjeri. Unë fola për komisionet bipartizane të reformës, nuk thashë që ne do ta bëjmë vetë. Ne kemi arritur shumë gjëra, por arritjen aritmetike, si rezultat i kapërcimit të aritmetikës, ne nuk e arritëm dot deri më sot dhe nuk e synojmë, e kanë arritur ata. Pra, keni parë sesi në një sallë me 1600 karrige ata numëronin 5000 vetë, që është një martirizim aritmetik i konsiderueshëm. Ne nuk mund të numërojmë 84 vota në 70 e kusur karrige që kemi në Parlament. Ne kemi ato që kemi dhe për 84 vota duhen 84 karrige në Parlament kështu që sigurisht që për të arritur numrin magjik 84 duhet të konsultohesh, duhet të gjesh rrugë ndërveprimi. Pra, që ta vë në kontekst të qartë atë që ngrite me pyetjen, që do të thotë, solla shembullin e parlamentit italian, parlamentit grek që janë parlamente që bëjnë shpesh tentativa për reforma ose reforma elektorale, nuk kanë komisione bipartizane. Kushtetuta nuk e thotë që duhet një komision bipartizan, Kushtetuta thotë që duhen 84 vota, kaq. Sigurisht që do të ishte mirë të bëhej me Komision, patjetër, por problemi është që një komision bipartizan bëhet me dy palë partizanë. Këtu kemi vetëm një palë partizanë dhe kemi, siç thashë, një numër ballistësh që mbase ka ndryshuar nga momenti kur unë thashë përgjigjen sepse unë thashë 7, tani mund të jenë 12 ose mund të jenë bërë 3 ballistë sepse është një lloj fizarmonike. Kjo është diçka që ne nuk e marrim dot si kusht apo si parakusht dhe të mbytemi me një lugë ujë. Nëse deri në fund të procesit, që, kur është afati, se ju i dini më mirë këto afatet sesa unë sepse nuk jam unë që i ndjek këto, do ketë vullnet, bujrum. Nëse nuk do ketë, ndërrojmë faqen dhe vazhdojmë faqen e re, pa komision, pa bipartizanizëm. Ka mënyra të tjera për të bërë, siç bëjnë të tjerët në Europë.

– Folët në fillim për një sërë investimesh të rëndësishme por edhe projektesh që prek dhe zonën e veriut por kjo duket se nuk i jep zgjedhje përfundimtare, të paktën problemit të trafikut. Është folur për një by-pass për Shëngjinin gjatë kohëve të fundit. A pritet që të investohet në këtë drejtim dhe të zbatohet ky projekt?

Kryeministri Edi Rama: By-pass që kemi folur është në proces, nuk hyn tek infrastrukturat e mëdha. By-pass i Shëngjinit është një kërkesë shumë këmbëngulëse e kryetarit të bashkisë së Lezhës, të cilin e përshëndes se nuk gjendet në Lezhë për arsye pune, është jashtë vendit dhe po e përshëndes se i mbetet dhe hatri po nuk e përshëndeta sepse është natyrë shumë sensitive nga këto gjëra, i ka këto, por një kërkesë këmbëngulëse e tij që për hir të vërtetës është shumë e drejtë, siç janë në fakt të drejta 99% të kërkesave dhe pretendimeve që ai ka duke qenë se e njeh shumë mirë zonën, duke qenë se ka një përkushtim të veçantë, duke qenë se të tjera e të tjera, tani është e gjatë lista e arsyeve pse Pjerini është njeriu i duhur këtu. Atë e kemi në proces.

– Po për sa i përket rrugës Shëngjin-Velipojë, ka nisur ka disa vite dhe punimet po ecin shumë ngadalë. A pritet të përfundojë brenda këtij viti?

Kryeministri Edi Rama: Punimet jo. Kini parasysh që rruga është e financuar nga donatorë, është me financim të huaj dhe kur shfaqen probleme te natyrës legale, kur del njëri e thotë: “unë jam pronari” apo kur ndodh siç na ndodhi me bashkinë e vjetër të Shkodrës, me kryetarin e ish bashkisë së Shkodrës, që bashkia nuk bën punën për shpronësimet, atëherë proceset vonohen, ndërpriten menjëherë sepse janë kushtet normale të financimit. Dhe nuk është për shembull, se na ndodh ne me financimet e brendshme që të kemi problematika të tilla, por në rastet kur njerëzit kanë të drejtë, ulemi, diskutojmë, negociojmë, vendosim disa afate dhe na mirëkuptojnë dhe zgjidhen, kurse me financimet e huaja nuk mund ta bësh dot këtë, nuk mund t’i thuash “shiko se do negociojmë ne, do flasim ne”. Kështu që këto vonesa janë që na kanë penguar, por unë e ndjek këtë rrugë  vet me vëmendje sepse e ndërtohet nga Fondi Shqiptar i zhvillimit, por është nga ato ndërhyrje strategjike që kanë të bëjnë me turizimin dhe po ecën dhe do të jetë shumë e bukur. Ndërkohë që, shoh një gjë tjetër, ndërkohë që flasim për Lezhën, shoh disa projekte vërtetë spektakolare për zhvillimin e turizmit në Lezhë.

Kemi kaluar përpara disa ditësh një projekt, një leje zhvillimi që na erdhi si kërkesë, një projekt që erdhi si kërkesë e një sipërmarrjeje të rëndësishme në Kosovë. Ka qenë vërtete një kënaqësi, kënaqësi për projektin, kënaqwsi për faktin që një sipërmarrje e rëndësishme në Kosovë investon në projekte shqiptare dhe unë dua t’i bëj thirrje sipërmarrësve të Kosovës që janë shumë të mirëpritur dhe t’ia u përsëris që “hajdeni dhe investoni në turizëm dhe sidomos në këtë zonë”. Kemi një tjetwr projekt zhvillimi, – të cilin e ndjek këmba, këmbës vet Pjerini, por edhe unë jam i përfshirë, – në këtë segment që është shumë premtues. Por duke qenë se ky nuk është një projekt që ka kaluar në sitën e aprovimit, nuk dua të flas përpara se mund të duket shumë i bukur për të qenë i vërtetw. Por di të them këtë që ajo që kanë bërë sipërmarrësit, si sipërmarrësi ku jemi ne këtu që i falënderoj për mikpritjen dhe dua që ta bëj shumë të qartë që të gjitha shpenzimet individuale nuk janë paguar nga qeveria,  janë paguar nga secili prej nesh që të jemi të qartë që të mos thonë “shkojnë këta, hanë e pinë me leket tona”. Këtë e bëjmë në të gjitha rastet dhe e bëjmë këtë gjë dhe për të promovuar dhe për të ndihmuar dhe për të mbështetur

Di të them këtë pra, që këta sipërmarrës, jo të gjithë, – për fat të keq, Lezha ka kaluar në faza shumë dramatike qeverisjeje dhe këtu kanë ndodhur masakra të mëdha, por e mira është që ka zona të tëra që nuk janë shkatërruar dhe që tani mund të presim aty zhvillime, por ama gjithsesi ajo që ka ndodhur me Shëngjinin si rezultat i punës së disa sipërmarrësve të mirë të Lezhës, dedikimit të tyre, përkushtimit të tyre etj, si rezultat i punës së kryetarit të bashkisë që e ka bërë Shëngjinin shembullin që pastaj është ndjekur dhe nga të tjerët të pastërtisë, në sezon dhe të rregullit, – bën që Shëngjini të duket vërtetw, nëse e shkwput dhe nuk e di se ku është – një segment i rivierës spanjolle.

Me këto zhvillime që ne presim dhe me këto investime që ne po kërkojmë se po kërkojmë me insistim hotele me 5 yje, po kërkojmë me insistim investime tw cilësisw së lartë sepse na duhet në sjellim në Shqipëri na duhet të sjellim në Lezhë konsumatorë të lartë. Ata që vijnë për të shpenzuar shumë, ata na bëjnë të rrisim pagat, ata na bëjnë që të rrisim ekonominë, ata na bëjnë që të rrisim të ardhurat edhe të familjeve edhe të shtetit. Se shumëkush thotë “ç’na duhet ne hotel me 5 yje, ç’na duhet neve aeroportet? Ne duam bukë! Por bukën, le një herë që buka nuk i mungon se nuk i ka munguar as në kohën e Skënderbeut  njeriu në Shqipëri, por ajo që është thelbi që duhet kuptuar: këto janë ekonomia! Sjell sa më shumë njerëz që shpenzojnë këtu dhe ata shpenzojnë këtu qw do të thotë fitojnë gjithë zinxhirët e prodhimit, gjithë zinxhirët e shërbimit dhe ky është insistimi ynë. Dhe unë jam shumë optimist për Lezhën, shumë optimist. Jam shumë optimist për këtë zonë, ju e dini më mirë se unë se ju jetoni këtu, pjesa sipër është një mrekulli dhe ajo që ne do të bëjmë është t’i orientojmë sa më shumë dhe sa më mirë dhe sa më me këmbëngulje sipërmarrësit që të shikojnë nga cilësia. Në duhet të bëjmë gjëra që të jenë cilësore dhe kështu do ta bëjmë Shqipërinë kampione, jo vetëm me numra se faktikisht një vend që ka 2.4 apo 2.5 milionë njerëz që jetojnë aty dhe që sjell më shumë se trefish të numrit qw ka turistë, është një vend që ka të gjitha arsyet që të buzëqeshi dhe të thotë “e ardhmja shihet me sy, mund a kapim. Nuk është një gjë që e shohim dhe syri kap vetëm mjegull.

-Kryeministër ndjesë shumë. A mos dikujt tjetre i ngel hatri që nuk e përmendem atë konferencën e sotme. E kam fjalën për Lulzim Bashën. Mendoni ose besoni që ai mund t’ju ndihmojë në fund fare ne seancë plenare 84 votat që ju duhen?

 Kryeministri Edi Rama: Sa është ora?

-Ka kaluar ora e gjumit besoj!

Kryeministri Edi Rama: Në këtë orë kurrë mos pyesni.

Previous Hapet thirrja për 200 drejtues shkolle, Manastirliu: Forcojmë rolin e drejtuesve për përmirësimin e cilësisë në arsim