Përmet, më shumë se kurrë pranë njerëzve në nevojë dhe njerëzve të punës për përballimin e sfidave të kohës - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Përmet, më shumë se kurrë pranë njerëzve në nevojë dhe njerëzve të punës për përballimin e sfidave të kohës

Nga Përmeti nisi sot turi i takimeve të Kryeministrit Edi Rama në bashkitë e vendit, ku do të diskutohet mbi punët e qeverisjes vendore, investimet e reja  dhe përballimin e sfidave të kohës, në prag të një dimri që gjithmonë e më shumë është pagëzuar si dimri më i vështirë pas Luftës së Dytë Botërore, pasojë e inflacionit të luftës së Putinit kundër lirisë e demokracisë perëndimore.

Kryeministri Rama ishte sot në një bashkëbisedim me përfaqësues të operatorëve turistike dhe agroturizmave të bashkisë së Përmetit.

* * *

Shumë faleminderit që jeni këtu!

Në fakt unë do kisha shumë dëshirë të komunikonim me një përfaqësi të operatorëve turistikë edhe të agroturizmave të kësaj zone sepse faktikisht është një nga ato zona ku në këto vitet e fundit shohim një ndryshim shumë të rëndësishëm dhe një rritje të qëndrueshme dhe të vazhdueshme të kërkesës, por edhe të ofertës.

Alma e tha, kemi një numër turistësh dhe vizitorësh se këtu i fusim bashkë edhe turistë të huaj edhe vizitorë që vijnë nga Tirana apo nga zona të tjera të Shqipërisë, por edhe nga vende të tjera ku jetojnë shqiptarë, që nga Kosova e rreth e rrotull, që do të ishte komplet i paimagjinueshëm vetëm jo shumë vite më parë.

Mua më kujtohet se si e kemi nisur rrugëtimin tonë këtu në Përmet dhe se çfarë gjendjeje depresioni dhe grije ishte këtu. Vetëm legjenda e qytetit të trëndafilave kishte mbetur. Ndërkohë që s’kishte një segment 100 metra ku të ecje pa qenë i detyruar, të shmangeshe gropat, pa bërë fjalë fare për ato pak struktura që ishin që nga ai hoteli legjendar aty në zonën e qendrës, që mezi mbijetonin. Me një okupim shtretërish 10%, 15% apo 5%.

Sot jemi  në një situatë krejt tjetër. Natyrisht kur them që jemi në një situatë krejt tjetër, nuk them që jemi në pikën e mbërritjes, por si për çdo gjë dhe në çdo gjë, në këtë moment në vendin tonë, nëse krahasohemi me nga u nisëm, jemi nata, sot dita. Nëse shikojmë se ku duam të mbërrijmë, jemi akoma në të gdhirë, pra ende nuk e kemi lënë natën pas, në raport me dritën dhe ditën që duam për vendin tonë.

Ama një gjë është e sigurt, që Përmeti dhe në tërësi të gjitha zonat, të cilat po e zhvillojnë turizmin falë njerëzve si ju, sepse ajo që bëjmë ne ka një rëndësi relative, ajo që bëni ju ka një rëndësi absolute. Ajo që programojmë ne mbetet relative në rast se ajo që bëjnë njerëzit nuk është absolute, që do të thotë, në rast se njerëzit nuk përgjigjen, në rast se njerëzit nuk e ndjekin një vizion edhe një rrugë të planifikuar përmes masave nxitëse, përmes krijimit të kushteve, kushte, te cilat pikërisht në Përmet filloi t’i krijojë pikërisht Programi i Rilindjes Urbane. Rilindja Urbane që në fillim e përqeshnin dhe e përçmonin si fasadë, por në fakt jo, ishte fillimi i hapjes së një dritareje për të parë të ardhmen dhe për të synuar të ardhmen.

Sot natyrisht që do të ishim ende më mirë akoma dhe do ishim shumë më të lehtësuar në rast se nuk do të gjendeshim në një situatë që është një situatë e ngarkuar, në prag të një dimri që gjithmonë e më shumë është pagëzuar si dimri më i vështirë pas Luftës së Dytë Botërore, për shkak të një luftë që ka nisur në dyert e Europës, por që ka impaktuar, jo vetëm Europën, por gjithë botën dhe në Shqipëri nuk ka ardhur me bombat nga qielli, por ka ardhur me kërcënimin e madh të pamundësimit të jetesës për shkak të çmimit katastrofik dhe stratosferik të energjisë dhe njëkohësisht me shqetësimin, me sëkëlldinë e përditshme të inflacionit të luftës.

Inflacioni i luftës nuk është një forcë të cilën mund ta asgjësosh, nuk është një prodhim i brendshëm, është një flamë, e cila vjen dhe faktikisht e mbështjell të gjithë vendin sepse faktikisht ka mbështjellë gjithë kontinentin. Nuk është qeveria që e ka provokuar, jo më pastaj sjellë, por nga ana tjetër ne jemi këtu, qeveria është aty pikërisht sepse ka marrë një besim dhe ka marrë një përgjegjësi për të bërë ç‘është e mundur, për të bërë të pamundurën për ta lehtësuar këtë barrë. Sot një gjë mund të jetë pak, por është shumë e sigurtë. Nëse ne nuk dot kishim mbrojtur çmimin e energjisë elektrike në të gjitha strukturat tuaja të bujtinave, të guest house-ve, të bizneseve të vogla, pjesa më e madhe e juaja, për të mos thënë të gjithë, sot do ishin falimentuar, do kishin mbyllur dyert e do ishin dorëzuar sepse vetëm çmimi i energjisë do ta bënte të pamundur vazhdimin e aktivitetit e jo më të mendoje që të rrisje volumin e të ardhurave, siç ka ndodhur në fakt.

Shikoni se çfarë ndodh në vende shumë më të përparuara se ne, ja ku është Italia. Çdo ditë mbyllen biznese, hotele, argoturizme sepse nuk përballojnë dot më faturën e energjisë. Për ne kjo është jetike, të mbrojmë në këtë dimër të vështirë që kemi përpara deri në fund familjet dhe të mbrojmë edhe biznesin e vogël. Madje, të bëjmë diçka më shumë edhe për sipërmarrjet më të mëdha që nuk e kanë të lehtë. Tjetra është që kemi vendosur një fashë për të stimuluar në radhë të parë kursimin dhe për të ulur konsumin e tepër të energjisë për një numër të caktuar familjesh që e kapërcejnë atë konsum që është mëse i mjaftueshëm për të plotësuar të gjitha nevojat e jetës së përditshme deri në 800 kËh, duhet të hynte në fuqi ne 1 tetor. Nuk hyri në fuqi sepse e thashë dhe përsëris, ne rrimë dhe mezi presim të shikojmë një mundësi të vogël që krijohet për të bërë një hap më shumë për të lehtësuar barrën e familjeve dhe të biznese të vogla sidomos, një mundësi të vogël. U krijua një mundësi e vogël për ta shtyrë vendosjen e fashës dhe për të mos e vënë në muajin tetor sepse patëm nga një anë një ulje të konsumit, sipas nesh, jo vetëm për shkak të një moti të qëndrueshëm që e bënte jo dhe aq të nevojshme as ftohjen dhe as ngrohjen, por edhe sepse ka filluar një sensibilizim dhe ndërgjegjësim për të kursyer, dhe nga ana tjetër patëm rreshje, jo të mjaftueshme për të fjetur gjumë rehat dhe për të thënë, “o sa mirë që doli dielli”, se kemi ardhur në një kohë kur e shikojmë diellin, të na falë Perëndia, me inat, sepse duam shi, të paktën ne që jetojmë përditë me këtë shqetësim dhe rrimë shikojmë qiellin edhe pse kemi të dhënat nga shërbimet meteorologjike që janë me një saktësi pak a shumë të plotë dhe edhe për muajin nëntor po rrimë po presim të shikojmë nëse do të na krijohet një mundësi, që për momentin nuk e kemi dhe për këtë arsye duhet të kursejmë, kursejmë, kursejmë.

Shikoja një harbut nga këta të klubeve të natës televizive që skërmitej duke lakuar në të gjitha format ministren e Energjisë pse iu thotë shqiptarëve që duhet të kursejnë, çfarë është kjo që i tregon shqiptarëve duhet bërë kjo e duhet bërë ajo. Ndërkohë që sot që flasim ndoshta dhe për shkak të këtij kompleksi që ka të bëjë me te shkuarën ne bëjmë shumë më pak seç bëjnë vendet më të zhvilluara të Europës në thirrjet e përditshme, të vazhdueshme në gjithë fushatat e organizuara dhe në të gjitha këshillat që japin për kursim, kursim, kursim, me gradacionet e ngrohjes, lavatriçes, e kështu me radhë.

Prandaj e përsëris kjo nuk është një lojë, kjo është një luftë dhe në këtë luftë ne duam që tua lehtësojmë sa më shumë njerëzve peshën në mënyrë që të vazhdojmë të bëjmë atë që bëmë edhe kur ishim në pandemi, nuk e ndërpremë punën, nuk e ndërpremë aktivitetin sepse nuk kemi kohë për të humbur, duhet të shkojmë sa më shumë paralelisht dhe më vjen shumë mirë që deri tani ja kemi dalë edhe me buxhetin e ri. Për ata që thonë që gjërat kanë shkuar keq e mos më keq dhe që kanë komplet një problem kujtese, buxheti i vitit të 2023, është buxheti i dyfishtë me vitin 2013. Si mund të dyfishojë buxhetin dyfish një shtet i cili ka shkuar më keq? Është e pamundur! Dhe volumi i të ardhurave që vihen në dispozicion të familjeve në formën e mbështetjes për energjinë, në formën e mbështetjes së rritjes së pagave dhe pensioneve, në formën e bonuseve, në formën e rritjes së ndihmës ekonomike, në formën e mbështetjes për naftën për fermerët, për rritjen e prodhimit të grurit, për peshkimin, në formën e mbështetjes për transportin, është i pakrahasueshëm me buxhetin e vendosur për njerëzit drejtpërdrejtë në 2013, i pakrahasueshëm. Është më shumë sesa dyfish. Sigurisht që është dhe kjo periudhë që e kërkon këtë gjë dhe ne nuk do të ndalemi.

Sot që flasim ne po diskutojmë vendosjen e një tatimi të jashtëzakonshëm për prodhuesit e energjisë. Në dialog me ta, duke ndjekur direktivën europiane sepse prodhuesit e energjisë, ata të cilët e prodhojnë dhe e shesin, nuk është se i kemi të panumërt, por kemi disa, kanë fitime marramendëse, fitime marramendëse, të cilat vijnë nga fati, fitime të fatit, sepse faktikisht s’kanë bërë asgjë për të pasur shumëfishin e fitimit prandaj duhet të paguajnë një taksë, një tatim shumë më të lartë. Pse ne po mendojmë për këtë tatim të jashtëzakonshëm po e quaj, sepse është një tatim i jashtëzakonshëm. Është një tatim i një kohe të jashtëzakonshme ku nuk është e mundur që një grup njerëzish, pavarësisht se kemi të gjithë respektin për ta, kompani të mëdha që kanë investuar për struktura të prodhimit të energjisë, të nxjerrin fitime marramendëse ndërkohë që ne këtu diskutojmë që nuk mund t’i rrisim dot këto tre muaj aq sa duhet pagat e zjarrfikësve, se e kam peng që llogaria na pengoi që ta bënim që tani dhe i rritëm 7% ndërkohë që ata janë njerëz që çdo vit e më shumë përballen me një botë që ka gjithmonë e më shumë zjarre dhe me një Shqipëri që ka gjithmonë e më shumë zjarre. Njerëz që hidhen në zjarr realisht. Prandaj taksa që ne duam të vendosim është jo një taksë për të rritur të ardhurat në mënyrë abstrakte, por për tu kaluar nga prodhuesit tek njerëzit drejtpërdrejtë. Ne i kemi indeksuar dy herë pensionet si asnjëherë më parë. Dhe sot kemi një rritje të pensionit si asnjëherë më parë me 10%, por nuk mjafton dhe prandaj kemi bërë gati bonusin për pensionistët në prag të fundvitit. Përsëri, ashtu sikundër kemi bërë gati zerimin e taksës për të gjitha pagat deri në 500 mijë lek, jo vetëm përgjysmim, por zerim, se i kemi të përgjysmuara. Të gjitha këto nuk e zhdukin i inflacionin nga sytë tanë, por e zbusin efektin e tij dhe nga ana tjetër do vazhdojmë të mbështesim të gjitha nismat në turizëm dhe agroturizëm, fuqishëm.

Sot vetëm në pak vite pas kësaj politike të re për nxitjen e agroturizmit dhe për mbështetjen e bujtinave të reja, e transformimit të shtëpive të gjysheve dhe gjyshërve në biznes, kemi një fillim të një lulëzimi të një industrie ose të një komponenti të ri të industrisë sonë të turizmit. Unë jam i bindur që në këtë 10 vjeçar ne do të jemi një nga vendet më agroturistike të Mesdheut dhe kur them këtë, e kam mirë parasysh se me kë konkurrojmë, se kush është sot në atë kategori, por do të jemi.

Kemi një natyrë të bekuar dhe kemi njerëz si ju, plot njerëz si ju.

Kemi njerëz që janë kthyer nga emigracioni këtu, kemi njerëz që kanë ardhur nga Tirana këtu sepse kanë kuptuar që fitohet më shumë dhe jetohet me më pak stres sesa në rrëmujën dhe në rrëmetin kur thoshte Naimi të vendeve ku për një periudhë të gjatë kohe kanë bërë lloj-lloj punësh në emigracion dhe tani me kursimet e tyre nxjerrin më shumë, pakrahasimisht me çfarë nxirrnin si punonjës për dikë tjetër në emigracion dhe kjo është thirrja që i bëj përsëri emigrantëve dhe për këtë po luftojmë për amnistinë fiskale dhe do luftojmë deri në fund. Është e papranueshme që të na tregojnë krimin dhe kriminelet, ngri e ul krime e kriminelë si puna e atyre organeve të trafikuara që mbetën stampë mbi flamurin tonë kombëtar dhe që morën dhenë dhe një gënjeshtër e madhe u kthye në një stampë. “Ah, këta janë ata që merren me trafik organesh”, një pocaqi. Patjetër që shqiptarët bëjnë emër dhe në botën e krimit nëpër botë, por janë një pakicë 1%, më pak se 1%. Ndërkohe që 99% e tyre janë njerëz si ata që janë këtu, që kanë ardhur dhe madje janë martuar dhe me vajza të atyre vendeve ku kanë qenë, kanë bërë familje dhe këtu kanë hapur dyert dhe mbajnë ekonominë e tyre familje, ndihmojnë ekonominë e qytetit, si qenkan këta kriminelë? Si u fuskan të gjithë në një thes? Si u bëkan kursimet e tyre të tëra me një stampë tjetër, prodhim i krimit? Është e papranueshme kjo gjuhë që guxojnë të përdorin në lloj-lloj gjuhësh të huaja ndaj nesh, por ata nuk kanë asnjë faj sepse jemi ne këtu të parët. Është e djathta e rublave ajo palo opozitë e zhytur në thesin e rublave, një pjesë e të cilit ka dalë në dritë, po ka një pjesë tjetër që është ende e pa nxjerrë në dritë. Se nuk është rastësi edhe për atë stampën që mori një komb i tërë në ballë si një komb egërsirash që edhe në një luftë çlirimtare nxirrnin organet e njerëzve si kanibalë edhe i trafikonin. Unë jam i bindur që ka gisht në një mënyrë ose në një tjetër pikërisht kjo që sot, prej kaq vitesh, përditë e përditë, përnatë e përnatë, ul e ngre Shqipërinë si çerdhen e krimit. Vetëm e vetëm për luftë politike e për luftë për pushtet, se nuk ka sesi shpjegohet harmonia e plotë mes partisë që sot e ka goditur botën me inflacionit të luftës, Putinit dhe partisë dje në pushtet të atyre që sot bërtasin “Shqipëria në rrezik”. Nuk ka asnjë mundësi! Aty ishim të gjithë. Pse ne e kundërshtuam dhe nuk e votuam atë rezolutë? Pse ata e votuan? Sepse janë ata që hedhin gurin dhe fshehin dorën dhe vënë kujën, “kapni hajdutin”.

Për të ardhur përsëri te biseda, nuk është për t’i vënë faj miqve ndërkombëtarë, partnerëve ndërkombëtarë, cinikëve ndërkombëtarë, janë shumë, janë lloj-lloj, kur ja japin gojës pa asnjë siklet, duke i futur të gjithë në një thes dhe duke e trajtuar përpjekjen tonë kushtetuese, e ka Kushtetuta amnistinë, është e shkruar për të legalizuar 30 vite gjak, djersë, kursime si një përpjekje të dyshimtë për të ndihmuar, lehtësuar, pastruar produktet e krimit. Një skandal i paimagjinueshëm, por ne do vazhdojmë përpara se kjo është gjëja e duhur dhe gjëja e drejtë. Sa shqiptarë kanë vajtur në Britaninë e Madhe me emër tjetër si të larguar nga lufta me persekutimet në Kosovë sepse ishin në pikë të hallit dhe donin një zgjidhje. Sa vite kanë punuar ashtu? Ku do i çojnë ata kursimet e tyre të punës pa orar, të punës në të zezë që nuk e kanë shpikur shqiptarët, po të cilën e kërkojnë dhe e paguajnë pronarët në këto vende. Nuk i lëmë ata në rrugë. Ashtu si plot e plot të tjerë në Greqi, Itali e kudo. Nuk i lëmë.

Do bëjmë të gjitha ato që duhen. Do të bëjmë dhe amnistinë për të cilën në radhë të parë duam të kemi një draft sa më të dakordësuar me miqtë dhe partnerët tanë se s’është një gjë që duam ta bëjmë në mënyrë konfliktuale, as si karshillëk ndaj askujt se s’është fare ky qëllimi. Qëllimi është ta bëjmë këtu për njerëzit tanë, për vendin tonë dhe pastaj do duhet të gjejmë dhe mbështetjen e nevojshme në parlament që është fazë tjetër.

Nuk po ju mbaj më gjatë me fjalët e mia se unë e kam diellin anash ju e keni një çikë si më përballë, po kush dëshiron të thotë diçka, nëse dëshiron të thotë, me shumë kënaqësi jemi këtu për ta dëgjuar ashtu sikundër me shumë kënaqësi jemi këtu për të dëgjuar vërejtje, kritika, sugjerime çfarëdo qoftë.

Para se t’ia u kaloj fjalën, ju shpreh të gjithë respektin dhe mirënjohjen për shembullin që jepni, për punën që bëni se nuk është vetëm për të ardhurat në familjet tuaja, nuk është vetëm për lehtësinë relative në jetën tuaj, po është dhe frymëzim për të tjerë. Se kështu thotë populli: Shikon rrushi, rrushin dhe piqet. Kur kemi ardhur para ca kohësh, Vila Përmeti ishte dallëndyshja e parë në gjithë këtë zonë ku s’kishte rrugë. Edhe ai djali, me shumë pasion, me shumë këmbëngulje ndezi qiririn e tij. Siç thotë nënë Tereza, “në vend që të mallkosh errësirën, ndiz një qiri”. E ndezi qiririn e tij. E bëri dritën e tij. Pastaj drita filloi të përhapej. Vazhdoi Mirela me Almën me gjithë kalldrëmet. Vazhduan të tjerë. Sot me shumë kënaqësi pashë që të tjerë po punojnë dhe kështu kjo zonë, kjo zemër e ndaluar e Përmetit për aq shumë vite, e fshehur pas pluhurit dhe pas ferrave, zhytur nëpër gropa, do të bëhet një burim ekonomie, jo vetëm për ato familje, por për gjithë komunitetin. Kështu zonat me radhë do bashkëngjiten me njëra tjetrën dhe në këtë parajsë që Zoti, apo natyra për ata që nuk besojnë në Zot, i ka dhuruar këtij vendi, Shqipërisë po edhe njerëzve të Përmetit, do ndryshojë gjithçka.

* * *

– Përshëndetje zoti Kryeministër. Unë jam banues në Tiranë, me profesion gazetar dhe kam investuar në fshatin tim të lindjes që kisha ikur që 6 vjeç dhe u ktheva gati 65 vjeç. Vendosa që të gjithë kursimet e punës sime 40 vjeçare në fushën e gazetarisë dhe të reklamave t’i investoja në fshat. E fillova me shtëpinë e prindërve, e ktheva shtëpinë në një bujtinë dhe pastaj fillova të investoja në sektorin e vreshtarisë ku sot kam 15 hektarë vreshta. Kam ngritur kantinën dhe distilerinë me synimin për të prodhuar rakinë dhe konjakun për eksport, raki dhe konjak shqiptar dhe jam i lumtur që po ia arrij qëllimit.

Kam një kërkesë që duket e vështirë. Vështirësia jonë më e madhe është se zona jonë, si zonë kadastrale është akoma e paazhornuar. Nuk bëjmë dot asnjë veprim e na dridhet dora kur IPARDI na kërkon dokumentat e pronësisë. Nuk është azhornuar dhe nuk na e njohin dhe pa njohjen e pronës është shumë e vështirë.

Diçka tjetër që vë re unë dhe është shumë e vështirë për t’u realizuar, por unë jam i detyruar ta ngre është që ka shumë toka bosh që nuk punohen. Duhet të mundohet një ligj që ai që nuk e punon tokën të ketë një sanksion.

 

Kryeministri Edi Rama: Të falenderoj shumë! Dy gjëra të shpejta sepse preke nja dy momente që besoj u intereson të gjithë atyre që janë në këtë fushë apo që duan të hyjnë në këtë fushë.

E para, ne kemi pasur një diskutim goxha të gjatë dhe të nxehtë, deri diku, me kryetarët e bashkive, pikërisht për domosdoshmërinë që bashkitë të përfshihen më shumë në krijimin e bashkimeve me sipërmarrës dhe fermerë që duan të përfshihen në një sipërmarrje të caktuar për efekt të grumbullimit dhe përpunimit të prodhimit të tyre. Që do të thotë që në rast se bashkia ka një subjekt të interesuar ose një numër njerëzish të interesuar që janë në fshat dhe që duan të grumbullojnë, mjaltë në këtë rast, dhe ta përpunojnë, ta paketojnë, atëherë menjëherë duhet që të krijohet një shoqëri e përbashkët, një subjekt i përbashkët dhe të aplikohet për mbështetje financiare, një pjesë kontributi, në varësi nga mundësia, e japin subjektet ose subjekti që përfshihet privatisht, një pjesë e jep bashkia dhe pjesën tjetër pastaj e jep qeveria ose përmes AZHBR, ose përmes garancisë sovrane. Mekanizmat janë ngritur.

Kemi shumë nevojë të shtojmë numrin e pikave të grumbullimit dhe agro-përpunimit. Kemi hyrë në këtë fazë. Kur ne e kemi nisur këtë punë, pikat e grumbullimit numëroheshin me gishtat e dorës dhe të gjithë atyre që flasin paraqende ose që pafajësish gjykojnë nga kanalet dhe nga portalet dhe nuk e dinë fare se çfarë ndodh në gjithë Shqipërinë rurale, iu them vetëm një gjë. A ju kujtohet kur merrnit rrugën për të dalë nga qyteti e për të shkuar në një qytet tjetër, që rrugët kombëtare ishin të gjitha të mbushura, nga të dyja anët, me ato tezgat e drurit me fier sipër që shisnin prodhime. Ku janë ato tani? Pse ishin aq shumë dhe sot nuk ka pothuajse fare ose mund të ketë ndonjë pikë që nuk është më për hall? Sepse rrugët e Shqipërisë deri para disa vitesh, dhe jo para 100 apo 50 vjetësh, por deri përpara 7-8 vjetësh ishin pikat e grumbullimit, grumbulloheshin të gjithë në rrugë për të shitur prodhimet e tyre. Është rritur shumëfish numri i pikave të grumbullimit dhe akoma më e rëndësishme për zinxhirin e vlerës, është rritur kapaciteti përpunues që rrit të ardhurat, se tjetër është ta shesësh të papërpunuar dhe tjetër është ta shesësh të përpunuar. Por ama, duhet shumë më tepër.

Përsa i përket tokës, ka akoma tokë të papunuar, është e vërtetë, por ne sot në Shqipëri punojmë dyfishin e tokës që punohej deri para 7-8 vitesh. Për këtë arsye ne sot, përsa i përket prodhimeve të ushqimeve, ne sot e kemi bilancin tregtar, jo 1 me 7, eksportonim 1 dhe importonim 7. Sot e kemi 1 me 3 sepse kemi rritur prodhimin vendas. Ashtu sikundër, pikërisht për këtë arsye dhe nga kjo buron pastaj edhe gjithë rritja e eksportit. Deri në 7 mujor ishim mbi 50 milionë euro plus, jo vetëm në të ardhura por edhe në volum, me rritje në eksport krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

E fundit, për sa i përket çështjes dhe ky është problem më vete sepse e kemi kudo në zonat rurale, çështjen e azhornimit dhe regjistrimit. Ne po punojmë dhe do ta konkludojmë shumë shpejt për një formulë të thjeshtë ku në momentin kur kërkohet të bëhet një investim që ka destinacion agro-turizmin, agro-përpunimin në këto zona do të marri shteti përsipër të gjitha konsekuencat që do të burojnë nga një mundësi teorike që ajo pronë, që në fakt këta të gjithë janë ose pronarë ose të lidhur me pronarët realë atje, të rezultojë se i takon dikujt tjetër. Pra, gjithë pjesën e dëmit që i shkaktohet subjektit tjetër do ta marrë shteti në vend se të rrinë me vite e me vite që të presin që të shkojë azhornimi deri atje lart.

Kështu që, këtë gjë do ta zgjidhim brenda pak kohe sepse po e diskutojmë dhe nga ky moment nuk do ketë më probleme. Pra, do të marrësh atë titull pronësie që duhet për të shkuar e për të mos u refuzuar pastaj nga programi europian, ku sot prej disa vitesh jemi në vendin e parë në rajon. Ishim të fundit për thithje fondesh për zhvillimin bujqësor dhe rural. Jemi të parët në rajon dhe kemi akoma shumë më tepër mundësi për të bërë më shumë për këtë sektor.

-Unë po e nis nga një bisedë e fundit që kemi bërë para 5 vitesh me Kryeministrin, kur u akomodua në hotelin tim, një bisedë spontane, në lidhje me resurset turistike të Përmetit dhe mundësitë e kooperimit që mund të organizoheshin dhe çfarë qeveria mund të sugjeronte dhe mund ta mbështeste me  projekte për të ardhmen. Mendoj se janë bërë më shumë se çfarë unë prisja nga ai takim. Ndoshta shifrat flasin, por mendoj se në këtë moment janë ezauruar ato që kemi diskutuar më përpara. Kemi arritur në një stad në të cilin kërkohet të kemi, jo vetëm elementë të reja të shërbimit, por edhe pika të reja atraktive që Përmeti të ofron.

Kryeministri Edi Rama: Vetëm një korrigjim doja të bëja, Vaso. Nuk ka qenë rastësi ajo biseda jonë. Unë kam ardhur atëherë ekzaktësisht për të kuptuar më shumë dhe për të dëgjuar më shumë nga aktorët lokalë që në atë kohë ishin shumë pak dhe ty të pata parasysh kur thashë, “disa legjendarë këtu”, që kanë kaluar të gjitha periudhat e vështira dhe që sot janë mbi ujë po themi, krahasuar me ku ishin dhe jam absolutisht dakord që kemi hyrë në një fazë që duhet të bëjmë çmos, reciprokisht mendoj unë, po në pjesën që ngrite përsa i përket programimit edhe mbështetjes së bashkisë apo qeverisë, duhet të bëjmë më shumë duke identifikuar bashkërisht ose duke i verifikuar bashkë me ju ato pika ku duhet të vazhdojmë të prekim, në mënyrë që të vazhdojmë të zgjerojmë ofertën dhe në mënyrë që t’i përgjigjemi pikërisht kërkesës dhe nevojave.

Për këtë arsye ministrja do të organizojë së shpejti një pyetësor kombëtar me të gjithë operatorët turistikë për të marrë konsiderata të përgjithshme dhe konsiderata specifike, që do të thotë konsiderata të përgjithshme me industrinë në tërësi, në raport me aspektet që kanë të bëjnë me marrëdhëniet me administratën, në raport me gjithë potencialet që duhen ekspozuar më tutje dhe pastaj konsiderata specifike në raport me zonën, duke dhënë indikacione në bazë të atyre që keni dëgjuar nga klientët tuaj, turistët, vizitorët, e në bazë të eksperiencës së krijuar gjatë një viti turistik. Patjetër që është larg së qenit e përfunduar puna nëse nuk e kryejmë dhe atë segmentin e rrugës së Frashërit që është një destinacion i jashtëzakonshëm jo vetëm për arsyet historike që janë arsyet tonat, por për arsye të natyrës magjepsëse që ka gjithë ajo zonë. Po sigurisht që po i bëjmë gjërat hap pas hapi, të dalë ajo nafta e shumëpritur e Shpiragut e gazit dhe pastaj do kemi më shumë mundësi, kështu që dy lutje bëj unë në mëngjes kur zgjodhëm dhe në darkë kur fle. Në darkë është, “bjer o shi”, në mëngjes është “ dil o naftë’.

Ka dalë, tani ajo është zbuluar por tani është faza e testimit të komercialitetit në sensin që është thellë, cilësia është fantastike, është nafta më e lehtë në kategorinë e naftës më të lehtë, që është fantastike, por është thjesht kostoja e nxjerrjes sepse është shumë thellë. Kostoja e nxjerrjes është e tillë që duhen bërë hesapet.

Po presim që të përfundojnë hesapet. Është, ata thonë 50 me 50, por ne duam të shpresojmë që është më shumë se 50 me 50 në favorin tonë, megjithatë kjo është një gjë që sidoqoftë ne nuk e kemi përfshirë në planifikimet tona.

Mirë, nuk jam unë ai që e mbyll, po tha diçka ustai i bletëve, që është dyfishuar vlera e Përmetit. Në fakt unë kam pyetur kudo ku shkoj lidhur me vlerën e pasurive të patundshme dhe më kujtohet, atëherë kur kam ardhur, ose ndoshta pak më para se atëherë, këtu nuk shiteshin më shtëpia, domethënë nuk shiteshin se nuk i blinte njeri. Sot do të blesh po nuk është kollaj të ta shesin, apo jo? Dhe vlera është dyfish.  Dhe do të jetë trefish, me këto investime këtu në këtë qendër, vlera e këtyre shtëpive qofshin ato edhe më të rrënuarat, është sot ku e ku dhe kur ato të ndërtohen do të jenë edhe më shumë, kështu që edhe e pashë sot, pak të mërzitur ustain e vilës Përmet se ngaqë ishte vetëm, i venin të gjithë tek ai. Tani janë shtuar shumë të tjerë dhe i ka filluar konkurrenca, po ti mos u pendo për këtë, se në rast se për shembull ti vendos ta shesësh atë vilën, është dhjetëfishi i vlerës që kishte kur ti fillove, kështu që investimi yt tashmë është shumëfishuar dhe për çdo rast e ke dhe këtë variant, po e di që ti s’do ta bësh këtë. Duhet të rrisësh cilësinë e ofertës edhe më shumë.

Previous Manastirliu inspekton punimet në qendrën shëndetësore Luz i Vogël: 100 qendra të tjera do të rehabilitohen brenda vitit 2023