Qeveria shqiptare ka një axhendë ambicioze me qëllim përmirësimin e klimës së biznesit në vend dhe rritjen e investimeve të huaja direkte.
Kështu u shpreh Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, gjatë një takimi të zgjeruar me dhomat e tregtisë vendase dhe të huaja, me prezencën edhe të Kryeministrit Edi Rama.
Ministrja Ibrahimaj theksoi në fjalën e saj rëndësinë forcimit të dialogut mes institucioneve shtetërore dhe përfaqësuesve të biznesit, me qëllim përmirësimin e klimës së biznesit dhe zgjidhjen e problematikeve të ndryshme që shqetësojnë biznesin dhe ndikojnë në zhvillimin ekonomik.
“Për ne është shumë e rëndësishme që të komunikojmë me biznesin, të dëgjojmë dhe të dëgjohemi, të bisedojmë së bashku për se si politikëbërja në drejtim të përmirësimit të klimës së biznesit mund të bëhet më mirë, se si ligjet mund të hartohen dhe të zbatohen më mirë”, u shpreh Ibrahimaj.
Një total prej 262 rekomandimesh nga dhomat e huaja të tregtisë dhe ato vendase u përmblodhën në fillim të vitit nga MFE, të cilat më pas u shqyrtuan në takimet teknike që u zhvilluan mes përfaqësuesve të 21 institucioneve, ku përfshihen 10 ministri linje dhe institucione të pavarura.
Ministrja informoi se nga 262 rekomandime, tashmë 32 janë adresuar, ndërkohë që 112 janë ezauruar në diskutim nga teknikët e institucioneve të ndryshme, ndërsa 45.5 % ose 118 janë ende në proces trajtimi.
Sa i përket problematikave kryesore të trajtuara, ato lidhen me Fiskalizimin, dixhitalizimin, kuadrin rregullator financiar, arsimin, punësimin, procedurat doganore, koncesionet, hidrokarburet, si dhe çështje të ndryshme që prekin biznesin.
Fjala e plotë e Ministres Ibrahimaj:
Përshëndetje të gjithëve,
I nderuar z. Kryeministër,
Të nderuar pjesëmarrës, përfaqësues të dhomave të tregtisë vendase dhe të huaja,
Ju falënderoj që keni ardhur sot në këtë takim, për të diskutuar mbi përmirësimin e klimës së biznesit në Shqipëri.
Ndër takimet e para që kam zhvilluar pasi mora detyrën si ministre kanë qenë ato me dhomat e tregtisë, sidomos të huaja. Një ndër eventet e para ku kam marr pjesë ka qenë prezantimi i “Librit të bardhë” të FIAA-s, i cili ishte një përmbledhje e rekomandimeve kryesore që ajo dhomë kishte për përmirësimin e klimës së biznesit në vend. E njëjtë gjë ka ndodhur edhe me Dhomën Amerikane të Tregtisë dhe që në momentin e parë kur mora mandatin si ministre, DHAT më prezantoi me grupin e rekomandimeve që ekspertët e saj kishin hartuar me qëllim përmirësimin e klimës së biznesit në vend.
Për ne është shumë e rëndësishme që të komunikojmë me biznesin, të dëgjojmë dhe të dëgjohemi, të bisedojmë së bashku për se si politikë bërja në drejtim të përmirësimit të klimës së biznesit mund të bëhet më mirë, se si ligjet mund të hartohen dhe të zbatohen më mirë.
Kjo është arsyeja pse në fillim të këtij viti ne përmblodhëm jo vetëm rekomandimet e dhomave të huaja të tregtisë, por ftuam edhe të gjithë dhomat shqiptare, me qëllim që të adresonin problematikat e tyre, në bashkëpunim edhe me Këshillin e Investimeve. Na u përgjigjën 8 dhoma, të cilat aktivisht janë përfshirë gjatë muajve të fundit me qëllim adresimin e rekomandimeve.
Janë gjithsej 262 rekomandime që erdhën si total i dhomave të ndryshme të tregtisë. Ne kemi punuar intensivisht nëpërmjet Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, nëpërmjet gjithë institucioneve që kanë marë pjesë në grupet teknike të punës për adresimin e këtyre rekomandimeve. Janë gjithsej 21 institucione, 10 ministri linje dhe institucioneve të pavarura si AMF, Banka e Shqipërisë apo Autoriteti i Konkurrencës, të cilat kanë qenë të përfshira për të dhënë mendime për adresimin e këtyre rekomandimeve.
Nga 262 rekomandime, 32 tashmë janë adresuar dhe realizuar; 112 janë ezauruar në diskutim, pra janë shpjeguar dhe arsyetuar nga teknikët e institucioneve të ndryshme; 45.5 % ose 118 janë ende në proces trajtimi.
Shumë tema janë diskutuar gjatë tryezave të rrumbullakëta që janë organizuar ndërmjet teknikëve, ku ndër kryesorët kanë qenë: Fiskalizimi, dixhitalizimi, kuadri rregullator financiar, arsimi, punësimi, procedurat doganore, koncesionet, hidrokarburet, dhe për teknalitete të gjitha fushave që i adresohen biznesit.
Që nga muaji janar janë zhvilluar 18 takime dhe 5 tryeza të rrumbullakëta, si dhe 13 takime teknike. Gjithashtu, kemi zhvulluar edhe një takim të ndërmjetën në kuadër të Këshillit të Investimeve, ku kemi biesduar mbi atë çfarë ishte arritur deri në atë moment dhe nevojat që kishim për të adresuar problematikat e ndryshme.
Sa i përket rekomandimeve, sipas dhomave të tregtisë:
138 nga FIAA, nga të cilat vetëm 67 janë në proces trajtimi;
58 rekomandime nga Dhoma Amerikane e Tregtisë, ku 32 janë ende në proces trajtimi;
6 rekomandim nga Konfindustria, ku pjesë më e madhe është ezauruar dhe vetëm 1 është ende në process trajtimi;
4 rekomandime nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, të cilat janë ezauruar në diskutimet që kemi pasur;
Këshilli i Investimeve ka qenë i përfshirë me 29 rekomandime, ku 13 janë trajtuar;
Gjithashtu, ka pasur edhe rekomandime nga Bashkimi i Prodhuesve, Shoqata Proeksport Albania, Shoqata Shqiptare e Bankave.
Problematika dhe sugjerimet më të mëdha kanë qenë për procesin e Fiskalizimit. Ne kemi folur shpesh herë për këtë çështje. Kjo është reforma më madhore që administrata tatimore ka bërë gjatë viteve të fundit dhe ne që në fillim e dinim se si çdo reformë apo si çdo revolucion që ndodh në mënyrën e të bërit të diçka sigurisht që ka problematikat e veta.
Në fillim të këtij viti procesi i Fiskalizimit nuk ishte finalizuar ende, pasi i gjithë biznesi i vogël ishte i pa fiskalizuar, ndërkohë që më shumë punë dhe sugjerime nga ana e të gjithë aktorëve, përfshirë edhe juve, administrata tatimore realizoi përfundimin me sukses të procesit të Fiskalizimit në muajin qershor të këtij viti.
Sigurisht që mbetet ende shumë punë për tu bërë pasi ka ende teknikalitete që duhen sqaruar e duhen zhvilluar në sistem dhe ky është një proces që do të vazhdojë. Siç kemi bërë deri më tani, ku kemi dëgjuar njëri-tjetrin për çdo sugjerim që mund të ketë në lidhje me një udhëzim apo procedurë të caktuar, kjo punë do të vijojë edhe në vijim.
Një shqetësim i madh i biznesit në vite ka qenë korrupsioni në institucionet shtetërore dhe adresimi i kësaj problematike të konkurrencës së lirë.
Qeveria shqiptare, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe institucionet e saj të varësisë, sidomos në drejtim të biznesit, kanë pësuar një revolucion dixhital në vitet e fundit.
Ju besoj e mbani mend të gjithë, pasi keni vite që operoni në Shqipëri, kur kontakti me administratën tatimore, në çdo rast, ishte me prezencë fizike, me dokumente që duheshin dorëzuar, me kontakte me inspektorët dhe me punonjësit e shërbimit. Kjo prej vitesh tashmë nuk ndodh më. 97 % e shëbrimeve të administratës tatimore janë të gjithë online dhe kjo eleminon çdo lloj kontakti që biznesi duhet të ketë me individin.
Nga ana tjetër, janë 1225 shërbime që qeveria shqiptare i ka transformuar, nga shërbime në sportel në shërbime online, dhe që nga data 1 maj asnjë sportel nuk është më i hapur.
Të gjitha këto kanë përmirësuar shërbimin ndaj biznesit dhe reduktuar të gjithë mundësitë për korrupsion.
Një plagë e biznesit ndër vite ka qenë sistemi i rimbursimit të TVSH. Ne vijmë nga një epokë kur TVSH rimbursojë edhe me 1 apo 2 vite vonesë. Që nga data 7 mars e këtij viti, çdo kërkesë rimbursimi TVSH-je bëhet në një proces automatik, që nuk ka nevojë për shkresa dhe kontakte me asnjë nga hallkat e rimbursimit.
Në vitin 2021 koha mesatare e rimbursimit ka qenë 75 ditë ndërkohë që sot koha mesatare e rimbursimit të një biznesi është 45 ditë, që do të thotë që ne kemi reduktuar me të paktën 30 % afatin e dhënies së rimbursimit dhe synojmë që brenda vitit 2023 të shkojmë në afatin e rimbursimit 30 ditë.
Doganat janë një tjetër hapësirë e cila dikur ka qenë e gjitha në letër dhe me kontakt fizik me agjentët dhe inspektorët doganorë.
Tashmë 34 nga 41 shërbime doganore kryhen online pa pasur nevojë për prezencë fizike apo pa pasur nevojë për kontakt fizik.
Shumë sugjerime nga ana juaj kanë ardhur përsa i përket punësimit dhe aftësimit të punëmarrësve, sidomos në fushën e IT.
Gjatë këtij viti ne kemi punuar intensivisht për të hartuar dy kurrikula të reja, të cilat lidhen me multimedian dhe me programimin dhe që do të aplikohen që nga dita e hënë në 15 shkollat profesionale që kanë drejtim TIK. Nga 35 shkolla profesionale që ka në vend, 15 kanë drejtim të dedikuar të TIK.
Gjithashtu, qeveria shqiptare gjatë këtij viti ka ndërmarrë një nismë, e cila në pak vite synon që të formojë 100 mijë kodues, me qëllim për t’i ardhur në ndihmë biznesin, për të formuar ato profesione për të cilat biznesi ka më shumë nevojë.
Në fushën e IT biznesi ka kërkuar lehtësira fiskale të cilat tashmë janë miratuar dhe ne besojmë se nëpërmjet këtyre incentivave fiskale mund të nxisim edukimin e popullatës për atë që biznesi ka më shumë nevojë.
Nga ana tjetër, na është kërkuar shpesh herë subvencionimi i kontributi i sigurimeve shoqërore apo taksave të tjera që biznesi paguan, me qëllim punësimin e të rinjve apo personave të rinj.
Janë 8 programe të nxitjes së punësimit që zbatohen aktualisht, një pjesë e tyre janë të dedikuar për IT. Në takimet teknike me biznesin është informuar për këtë gjë, pasi në disa herë nuk ka pasur kanë qenë të informuar.
Qeveria shqiptare ka alokuar gjatë këtij viti 300 milionë lekë për mbështetjen e sipërmarrësve dixhitalë dhe Ministrja e Sipërmarrjes mund të na shpjegojë se cilët janë ato subjekte që janë mbështetur, pasi janë rreth 54 subjekte që janë mbështetur. Nëpërmjet këtyre fondeve që në vitet në vijim do të vijnë duke u rritur ne synojmë që pikërisht të zhvillojmë atë segment të start up inovative që ende është pak i zhvilluar në Shqipëri në krahasim me vendet e tjera.
Kemi pasur diskutime për zhvillimin e tregut rajonal, i cili sigurisht është një domosdoshmëri për zhvillimin e biznesit dhe të tregtisë.
Gjatë viteve të fundit qeveria shqiptare është angazhuar në procesin e Open Ballkan, që ka pasur si synim të nxitojë hapin drejt tregut të përbashkët dhe drejt zhvillimit të tregtisë së Shqipërisë me vendet partnere.
Vetëm vitin e fundit, falë nismave që kemi ndërmarrë, nëpërmjet reduktimit të barrierave tarifore dhe jo tarifore, ne kemi arritur që të nxisim me 26 milionë euro tregtinë me vendet e përfshira në procesin e Ballkanit të Hapur, pra me Maqedoninë e Veriut dhe me Serbinë.
Në 6 muajt e parë të vitit, eksportet shqiptare me Serbinë janë rritur 28.5 % dhe me Maqedoninë e Veriut janë rritur 25.6 %. Bëhet fjalë kryesisht për eksporte ushqimore, tema të cilat ne i kemi diskutuar edhe në takimet e KKLT, ku një pjesë prej jush janë anëtarë të tij.
Një tjetër shqetësim që bizneset kanë pasur kanë qenë lejet e qëndrimit dhe të punës për të huajt. Ne kemi hartuar të gjitha bazën ligjore dhe në fillim të vitit të ardhshëm sistemi do të jetë gati me qëllim që të mos bëhen dy aplikime, për leje qëndrimi dhe për leje pune, por të jetë një aplikim unik dhe sistemet të ndërlidhen me njëra-tjetrën.
Sigurisht që mbetet shumë për të bërë. Ne kemi një axhendë ambicioze me qëllim rritjen e investimeve të huaja direkte dhe përmirësimin e klimës së biznesit në vend.
Shumë prej jush kanë biseduar shpesh herë për reformën në drejtësi dhe se si ajo mund të përshpejtohet.
Në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë dhe gjithë fushave të përgjegjësisë së saj, kemi diskutuar më detaje mbi projektligjin për arbitrazhin, i cili tashmë është në fazë përfundimtare dhe Ministria e Drejtësisë do të nisë procesin e konsultimit.
Kemi diskutuar shpesh herë mbi projektligjin për të ardhurat personale, të cilin e hodhëm për konsultim publik dhe gjatë javës së ardhshme, sipas konsultimeve që kemi pasur, do të hedhim për konsultim publik edhe të gjithë aktet nënligjore, përpara se t’i miratojmë ato, me qëllim që të kemi disa akte sa më shumë të konsultuara dhe të mos krijojnë barriera administrative për zhvillimin e biznesit.
Gjatë këtij viti, gjithashtu, ne kemi marrë përsipër të miratojmë projektligjin mbi fondeve e pensionit, ku dhomat e huaja kanë pasur rekomandime për trajtimin e fondeve të pensioneve private, të cilat janë përfshirë në projektligjin që ne së shpejti do të miratojmë.
Kemi pasur diskutime për projektligjin e pasurisë së paluajtshme dhe sigurisht ngritjen e sistemit të Kadastrës Fiskale, i cili është ende në fazë draftimi dhe presim ta miratojmë gjatë vitit të ardhshëm. Problematikat që lidhen me pasurinë dhe taksimin e saj sigurisht që për bizneset e huaja kanë qenë të ndryshme, si transferimi i taksimit nga 1 pronar te tjetri, të cilat ky projektligj synon ti adresojë.
Kohët e fundit kemi pasur shqetësime nga biznesi për shërbimet e ofruara nga QKB, të cilat kanë pasur një ngadalësim në muajt e fundit edhe shkakuar nga pasojat e sulmit kibernetik që ne kemi pësuar. Brenda këtij viti, në bashkëpunim të ngushtë me AKSHI-n, ne do të zgjidhim ato problematika që kanë mbetur dhe jemi duke punuar intensivisht me qëllim adresimin e të gjithë atyre shqetësimeve që ju keni pasur gjatë vitit të fundit me QKB, përfshirë këtu edhe nënshkrimin elektronik, i cili që nga fillimi i vitit të ardhshëm do të jetë i detyrueshëm për të gjitha shërbimet që administrata ofron për biznesin. Deri dje ju keni akesuar sistemet e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve me një kod, ndërkohë që nga viti i ardhshëm çdo sistem do të aksesohet vetëm nëpërmjet nënshkrimit elektronik. Është punuar intensivisht me qëllim përgatitjen e një projektligji, i cili është në fazën finale të tij, ku të gjithë direktivat e BE përsa i takon nënshkrimit elektronik janë të adresuara dhe do të punojmë intensivisht me qëllim për ta kaluar këtë projektligj të rëndësishëm sa më shpejt të jetë e mundur.
Desha të ndalem te konsultimi publik. Të gjithë bizneset janë në mënyrë konstante duke u ankuar për konsultimin publik. Ndërkohë, në 52 projektligje që MFE ka hartuar dhe ka hedhur në portalin e konsultimit publik, bashkëveprimi me biznesin ka qenë shumë i ulët. Sigurisht një nga tryezat ku ne këtë mund ta bisedojmë është kjo, por jo çdo gjë mund të bëhet me prezencë fizike. Sistemet janë ngritur me qëllim që ne të shpejtojnë ndërlidhjen që ne kemi me njëri-tjetrin dhe unë ju ftoj të gjithëve të merrni pjesë në portalin e konsultimit publik.
Ne tashmë kemi gati hartimin e strategjisë së eksporteve strategjinë e tregtisë elektronike, të cilat janë dy dokumente të rëndësishme për zhvillimin e biznesit dhe eksporteve.
Faleminderit.