Përzgjedhja e shkollave për testimin e PISA-s kryhet sipas kampionit të OECD-së dhe jo nga Ministria
Në lidhje me pretendimin se shkollat rurale janë përjashtuar qëllimisht nga testimi i PISA-s, qeveria shqiptare sqaron opinionin publik se është i pavërtetë. PISA është një vlerësim ndërkombëtar i OECD-së dhe përzgjedhja e shkollave bëhet sipas rregullave të përcaktuara të kampionimit statistikor, jo nga Ministria e Arsimit dhe as institucione të tjera kombëtare.
Nuk ka një sistem që ka lënë jashtë fshatin për të mbajtur brenda qytetin, por është një realitet demografik i shpërndarë thuajse njësoj në të dyja anët.
Sipas standardeve teknike të PISA-s, pjesëmarrja e shkollave në kampion duhet të jetë 85%. Shqipëria arriti rreth 80%, fakt që është bërë publik dhe është pjesë e materialeve teknike që shoqërojnë rezultatet. Ndërsa pjesëmarrja e nxënësve brenda shkollave të përzgjedhura ishte 97,37%. Ky nivel tregon se pothuajse të gjithë nxënësit e përzgjedhur brenda shkollave të kampionit morën pjesë në testim dhe të gjitha rezultatet e tyre u përfshinë në vlerësim.
Ndërkohë, ylli pranë emrit të Shqipërisë në raportin e PISA-s është një shënim kujdesi për interpretim, i vendosur me të njëjtën logjikë shkencore me të cilën OECD-ja shënon çdo kufizim teknik në çdo vend. Vetë OECD vlerëson se ndikimi i mundshëm i këtij kufizimi në rezultatin mesatar të shkencës mund të jetë rreth 7 pikë, nga 435 në 428 pikë në skenarin më të pafavorshëm.
OECD nuk i ka anuluar rezultatet e Shqipërisë dhe as e ka përjashtuar vendin nga PISA, por i ka publikuar rezultatet së bashku me shënimin teknik përkatës.