Reagim i Ministrisë së Brendshme lidhur me Raportin e DASH
Raporti vjetor i Departamentit amerikan të Shtetit mbi Strategjinë e Kontrollit të trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike për Shqipërinë ka renditur një sërë hapash inkurajuese të bëra nga autoritetet tona krahasuar me vitet e mëparshme për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve.
Evidentimi në këtë raport i rritjes së sasisë së konfiskuar të kokainës në Portin e Durrësit përgjatë vitit 2021 dëshmon se përpjekjet e strukturave të Policisë së Shtetit kanë qenë efektive.
Pjesëmarrja e Shqipërisë në operacione të përbashkëta ndërkombëtare të zbatimit të ligjit në shumë shtete për arrestimin e personave të kërkuar dhe sekuestrimin e dërgesave, si dhe të laboratorëve të përpunimit të drogës në vendin tonë, apo sekuestrimin e aseteve të lidhura me trafikun ndërkombëtar të narkotikëve, sikundër evidentohet në raportin e DASH, mbetet një tregues domethënës i punës së Policisë së Shtetit.
Por jemi të vetëdijshëm se kjo nuk mbaron me kaq dhe se lufta me krimin e organizuar është e vazhdueshme. Duke përdorur të gjitha kapacitetet tona dhe në bashkëpunim të ngushtë me partnerët tanë ndërkombëtarë do të vijojmë të godasim grupet kriminale të trafikut të drogës.
Raporti i DASH për narkotikët, Çuçi: Rritja e sasisë së kokainës të kapur në Portin e Durrësit dhe operacionet e përbashkëta ndërkombëtare, dëshmi e punës dhe besimit te Policia e Shtetit
Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, ka reaguar pas publikimit të raportit të Departamentit amerikan të Shtetit për mbi Strategjinë e Kontrollit të trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Përmes një mesazhi në Twitter, ai thotë se rritja e sasisë së kokainës të kapur nga autoritetet shqiptare në Portin e Durrësit gjatë vitit 2021 dhe pjesëmarrja e Policisë së Shtetit në operacione të përbashkëta ndërkombëtare, janë tregues të rëndësishëm që dëshmojnë efikasitetin e punës së strukturave tona dhe besimin e rritur te Policia e Shtetit.
Më poshtë reagimi i plotë i Çuçit.
“Rritja e sasisë së kokainës të kapur gjatë vitit 2021 në Portin e Durrësit falë punës së Policisë së Shtetit është një tregues domethënës i efikasitetit tonë në luftën e vazhdueshme kundër grupeve kriminale në fushën e narkotikëve. Ky fakt është evidentuar edhe në raportin vjetor të Departamentit amerikan të Shtetit mbi Strategjinë e Kontrollit të trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike, ku vlerësohej gjithashtu pjesëmarrja aktive e Shqipërisë në operacione të përbashkëta ndërkombëtare për të goditur trafikun dhe sekuestruar asetet e paligjshme. Këto dy të dhëna kuptimplote dëshmojnë se puna e Policisë së Shtetit dhe besimi tek kjo strukturë janë ngritur në një tjetër nivel. Mbetemi të përkushtuar për thellimin e rezultateve përmes shkëmbimit të informacionit dhe operacioneve të tjera të përbashkëta”.