Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, zhvilloi një vizitë në Pragë, ku u prit nga Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës Çeke, Jan Lipavský.
Takimi mes dy Ministrave u fokusua në bashkëpunimin dy dhe shumëpalësh, procesin e integrimit evropian të Shqipërisë, si dhe situatën e sigurisë në Evropë e më gjerë.
Ministrja Xhaçka vlerësoi asistencën e vyer të Çekisë në rrugëtimin evropian të Shqipërisë, sidomos gjatë kryesimit aktual të BE.
Ndërsa, Ministri Lipavský rikonfirmoi mbështetjen e palëkundur të Çekisë, për avancimin e Shqipërisë drejt integrimit në BE.
Gjatë kësaj vizite, u nënshkrua edhe Marrëveshja në fushën e Kulturës mes dy vendeve.
Vizita e kryediplomates shqiptare përkon me kremtimin e 100-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Çekosllovakisë, si dhe me mbajtjen nga Çekia të Presidencës 6-mujore të Bashkimit Evropian.