Fjala e Zëvendëskryeministres, njëherësh Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku:
E nderuar kryetare,
Të nderuar kolegë deputetë,
Diskutimi i projektbuxhetit është një moment mjaft i rëndësishëm në punën e një Qeverie, pikësëpari si një bilanc i asaj çfarë është arritur në mbyllje të një viti kalendarik, por akoma më shumë për perspektivën e punës dhe rezultateve të pritshmërisë së Qeverisë gjatë vitit të ardhshëm.
Ne si përfaqësues të Qeverisë do të kishim dashur të vinim në këtë diskutim në një kohë normale, me një situatë të zakonshme për vendin, por edhe në një rajon më të gjerë, për të vijuar ato projekte ambicioze që kishim nisur dhe që jemi të vendosur ti çojmë përpara deri në fund.
Jemi të gjithë të ndërgjegjshëm, dhe besoj që jeni dhe ju të krahut tjetër, të opozitës të ndërgjegjshëm, pavarësisht rolit politik që ju duhet që të luani secili prej jush, se kohët që po kalojmë nuk janë aspak normale janë kohë të jashtëzakonshme pavarësisht e ju kundërvutë koleges time, zonjë Ekonomi, këto janë situatat që janë krijuar për shkak të lëvizjeve gjeopolitike, për shkak të një agresioni të papritur nga Rusia mbi Ukrainën dhe sigurisht sot gjithë bota ndodhet në një presion të një krize ekonomike me në thelb të saj krizën energjetike.
Po jetojmë në kohën e një lufte, e cila po zhvillohet në kontinentin tonë dhe fatkeqësisht globalizimi është si një medalje me dy anët e saj. Njëri krah është ana e shndritshme e medaljes, ku në Shqipëri ti mund të gjesh gjithçka që tregu ndërkombëtar ofron si në Gjermani apo Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por ky globalizim padyshim ndikon edhe me efektet e tij negative. Të thuash sot se ç’punë kemi ne me luftën në Ukrainë, të thuash sot se ne na ka bekuar zoti me hidrocentrale, me ujë dhe me gjithë të mirat, ndërkohë që nuk bie asnjë pikë shiu në mes të nëntorit dhe temperaturat vazhdojnë të jenë 25-26 gradë dhe njerëzit po shkojnë nëpër plazhe është si të fshihesh pas gishtit të vogël. Efektet e kësaj lufte janë të ndjeshme në çdo shtet dhe për më tepër nuk ka imunitet askush nga kjo situatë.
Kriza energjetike është sot një realitet i dukshëm dhe i prekshëm dhe kur e kemi bërë këtë publike, në shtator të vitit 2021, pati një reagim nga opozita duke thënë që kjo ishte një narrativë politike, ishte propagandë që po gënjenim, por ndërkohë ne i referoheshim çmimeve të tregut dhe në shkurt pastaj të 2022, menjëherë pas sulmit agresiv të Rusisë mbi Ukrainën, nuk kishte më askush çfarë të thoshte, por ju vazhdoni dhe flisni që ky inflacion nuk ka lidhje me luftën, që kjo krizë energjetike nuk ka lidhje me luftë, por ka lidhje me Qeverinë.
Normal ju këtë e keni bërë dhe në pandemi. Dhe kur arritët ti vinit kësaj Qeverie në prag dhe t’ja linit tek dera pandeminë, imagjino se çfarë mund të thoni për energjinë apo për inflacionin. Por shyqyr njerëzit informohen, shikojnë sesi është situata energjetike në të gjithë Europën. Njerëzit kanë mundësi që të shikojnë sesi është inflacioni në vendet e rajonit dhe si është në Shqipëri. Dhe ju nuk mohoni dot faktin që mburoja sociale energjetike që Qeveria Shqiptare aplikon prej 14 muajsh është dhe arsyeja pse inflacioni në Shqipëri nuk reflektohet me të njëjtat shifra që reflektohet në vendet e tjera të Europës.
Buxheti që ne po paraqesim sot në Kuvend është padyshim një buxhet që ka lidhje me qëndrueshmërinë ekonomike të një vendi në një moment shumë të rëndësishëm dhe shumë të vështirë për mbarë botën. Por është një buxhet i kondicionuar në mënyrë të ndjeshme nga situata e krizës që Qeveria po përballon deri më tani më së miri pasi kjo është një Qeveri e sprovuar si menaxhuese e krizave. Duke nisur nga tërmeti, që vetëm para dy ditësh unë pata fatin që të isha bashkë me qytetarët e Shijakut dhe të hidhnim shortin për banesat e reja. 31 pallate të ndërtuara nën programin e ri ndërtimit dhe sa shumë dëgjuam në ato kohë dhe sa shumë keni dalë nëpër ekrane duke i thënë njerëzve që ato ndërtesa nuk do ndërtoheshin. Më pas i thatë që do t’ua jepnim përkohësisht. Pastaj i thatë që nuk do ishin kurrë në pronësinë e tyre. Dhe shikoja sesi reagonin qytetarët e Shijakut kur Kryeministri i tha ti gëzoni dhe tani ato janë tuajat, jetoni në to, gëzojeni, shitini, jepni me qera, bëni si të doni sepse është një pronë e juaja.
Tani mes fjalëve tuaja dhe veprave tona është një lumë i tërë dhe njerëzit po mësohen çdo ditë e më tepër që ju flisni e flisni, ndërkohë që ne dorëzojmë, dorëzojmë projekte, shtëpi banimi, rrugë, hidrocentrale, parqe fotovoltaike se kjo është puna jonë.
Mos harrojmë që ky është viti i tretë rresht sepse i keni harruar të gjitha ato që kemi kaluar. Keni harruar tërmetin, keni harruar pandeminë, siç po bëni sikur nuk shikoni se çfarë po ndodh sot. Ajo që kemi bërë me sukses është që jemi përballur me të gjitha këto sfida dhe do vazhdojmë ta bëjmë, në funksion të mbrojtjes së qytetarëve tanë nga pasojat e këtyre krizave.
Por ama kemi bërë dhe diçka tjetër. Ndërkohë që kemi menaxhuar krizat nuk kemi lënë pas dore për asnjë sekondë projektet prioritare, reformat shtet formuese për as edhe një moment.
Qeveria është e vendosur përtej çdo dyshimi, për të mbrojtur 100% të qytetarëve me një mburojë sociale energjetike dhe jo vetëm abonentët familjarë, por edhe bizneset e vogla, të cilat ne i konsiderojmë motori ekonomik i Shqipërisë. Gjithashtu edhe bizneset e lidhura në tensionin e mesëm, të cilët sipas të gjithë direktivave të Bashkimit Europian, por dhe të Sekretariatit të Energjisë, do duhet të dilnin në një treg të lirë dhe për më tepër në një komunikim të vazhdueshëm me palët e interesit ne jemi duke dizenjuar një skemë për të mbrojtur edhe bizneset e mëdha, pasi vetëm para 3 ditësh një nga bizneset më të mëdha në prodhimin e bulmeteve kishte ngelur pa sasi energjie elektrike. Nuk kishte më të bënte me çmimin e tregut që ata e paguajnë me 60 lekë në treg të lirë dhe kanë dalë në këtë treg para dy vitesh madje dhe me kërkesën e tyre, por nuk ka sasi energjetike dhe kjo kompani po mbyllej dhe ne kemi marrë masa që ta furnizonim përmes prodhimit të KESH-it gjithashtu dhe kështu do të bëjmë dhe me kompanitë e tjera pasi synimi ynë kryesor është që ne të mbrojmë zhvillimin ekonomik në Republikën e Shqipërisë. Të mbrojmë të gjithë ata qytetarë të cilët sot janë të angazhuar me detyra dhe me punë në biznese të vogla apo të mëdha.
Falë këtyre ndërhyrjeve që kemi arritur të mbajmë nën kontroll dhe inflacioni, i cili në vendet e tjera të rajonit ka arritur të jetë me dy shifra. Ndërkohë që vetëm për muajin tetor inflacioni në Shqipëri ka qenë 8.3% dhe i konsideruar nga të gjithë si inflacioni i luftës, përkundrejt 6.8% që është përllogaritja mesatarja vjetore e inflacionit. Shifrat flasin vetë, çfarëdo balte që të hidhet.
E pra me gjithë vështirësitë e krijuara nga situata e krizës ne vijmë sot në Kuvend me një buxhet të konsoliduar, që është praktikisht sa dyfishi i buxhetit të vitin 2013 dhe tek dëgjojmë të na thonë që çfarë janë këto buxhete, asgjë nuk ka ndryshuar në këto vite, është me të vërtetë për të qeshur sepse buxheti mund të adresojë rritje, por jo dyfishim vetëm në 9 vite.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka parashikuar për vitin 2023 një buxhet prej 54.75 miliardë lekësh, nga të cilat 5.35 miliardë janë shpenzime korrente, ndërkohë 49.39 miliardë lekë janë shpenzime kapitale.
Rritja e tavaneve buxhetore për vitin 2023, krahasuar me vitin 2022, është 7.35 miliardë ose e shprehur në përqindje 15.5%. Ky buxhet synon jo vetëm përballimin e krizës, por dhe mbështetjen e mëtejshme për projektet e rëndësishme që ne kemi nisur, për projektet strategjike.
Në këtë buxhet Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka 11 programe të përfshira ku më kryesoret kanë të bëjnë me energjinë, transportin rrugor dhe padyshim transportin hekurudhor, si një prioritet i ri i Qeverisë Shqiptare për vitin 2023.
Për energjinë do të ndalesha vetëm në një aspekt tjetër përveçse mbrojtjes sociale. Ne e kemi nisur që në vitin 2019 një procedurë dhe një strategji të tërë për diversifikimin e burimeve të rinovueshme në Republikën e Shqipërisë dhe jo vetëm. E rëndësishme është dhe duhet ta themi që në vitin 2030 parashikohet që Shqipëria të ketë një prodhim 4 terravat plus krahasuar me prodhimin e sotëm duke e kthyer Shqipërinë kështu nga një vend importues neto në një vend eksportues neto.
Përsa i përket transportit rrugor të gjitha projektet të cilat kanë nisur dhe janë projekte prioritare siç është ndërtimi i tunelit të Llogarasë, Rruga e Arbrit apo Unaza e Tiranës, Korçë-Erseka dhe rruga e rëndësishme pjesë e Korridorit të VIII që është zgjerimi dhe rehabilitimi i rrugës Elbasan-Qafë-Thanë do të vazhdojnë të financohen. Do të vazhdojnë të financohen pasi ne kemi marrë një angazhim përballë FMN-së dhe partnerëve tanë që nuk do të krijojmë debite dhe sot që flasim e gjithë industria e infrastrukturës nuk ka debite më ndaj sektorit privat, sektorit ndërtues. Ky është parimi jonë dhe jo hap e hap kantiere të cilat përdoreshin për arsye elektorale dhe më pas liheshin rrugëve dhe sot vihet këtu dhe kërkohet llogari për rrugët që u lanë rrugëve dhe që ndërtuam ne dhe që unë siç e thashë dhe sot paradite e kuptoj që natyra e vështirë njerëzore që ju keni ju bën ta vuani faktin tek kaloni me automjetet tuaja në bypass-in e Fierit, në bypass-in e Vlorës dhe nesër në tunelin e Llogarasë. Ato që i keni pasur fanfara elektorale, por që nuk ja dolët kurrë ti ndërtonit dhe që sot po ju hanë shpirtin dhe nuk dini as vetë se çfarë të thoni për to, përveçse mundoheni ti baltosni, ato që dikur i thërrisnit si arritjet më të mëdha që do të realizonit, por që nuk ja dolët dot dhe sot i quani si afera korruptive.
Ne e kuptojmë shumë mirë që juve ju mërzit fakti që në Durrës do të investohen 2 miliardë euro, as e imagjinonit ju këtë. Ju sot bënit llogarinë sesa do të vjedhim ne, por unë nuk e kuptoj se nga ku do vidhen këto para pasi ky është një investim që vjen nga investitori i huaj dhe Qeveria Shqiptare për herë të parë në historinë e saj do të jetë aksionere me të drejta të plota në një investim të kësaj përmase. Por ama ju keni atë problemin që i bëni llogaritë sipas historikut tuaj. Uleni dhe mendoni sesi keni vjedhur dikur dhe a po aplikojmë këto skema. Jo. Ne s’kemi lidhje me skemat tuaja se s’ka sesi të kemi. Se ne jemi ata që po ri ngremë edhe një herë hekurudhën shqiptare, atë që ju e përdornit për të punësuar të gjithë njerëzit para zgjedhjeve dhe ky ishte një fenomen. Një kompani e shkatërruar ku punonin qindra e mijëra njerëz për tre muaj, një muaj para zgjedhjeve dhe dy muaj pas zgjedhjeve.
Ndërkohë ne kemi nisur një projekt, atë që lidh Tiranën me Durrësin dhe me aeroportin. Shqipëria do të ketë një tren shpejtësie i cili do të shkojë në pikat kyçe, në kryeqytet, në aeroportin ndërkombëtar dhe në portin ndërkombëtar. Ne kemi nisur një projekt që rehabiliton Vorë-Hani i Hotit. Një nga arteriet më të rëndësishme dhe kemi paraqitur në thirrjet e ËBIF projektet tona të rëndësishme që lidhen me korridorin VIII që tashmë nuk është thjesht një korridor ndërlidhje i transportit, por është një korridor sigurie që lidh Mesdheun me Detin e Zi.
Ne jemi këtu për të ndryshuar jo vetëm Shqipërinë, por edhe rajonin. Dhe ju e dini shumë mirë këtë dhe ndaj jeni kaq të shqetësuar. Patjetër, sepse me ndërtimin e portit të lundrueshëm të gazit të lëngshëm në Vlorë, me ndërtimin e tubit të gazsjellësit Adriatiko-Jonian që lidh Vlorën me daljen e TAP-it dhe me vënien në funksion të termocentralit që e ndërtuat dhe s’patët fatit ta shikonit kurrë në punë, Shqipëria do të kthehet në një pikë të rëndësishme të gazit të lëngshëm për të gjithë rajonin sepse sot që flasim ne jemi duke dizenjuar marrëveshjet me Kosovën, me Maqedoninë e Veriut. Kjo është Shqipëria e ditëve të sotme. Kjo është një Shqipëri e cila ka peshë jo vetëm për qytetarët e Shqipërisë, por për të gjithë Ballkanin Perëndimor që ju as e keni imagjinuar dhe ju rri si halë në fyt.
Kjo është Shqipëria që udhëhiqet nga Qeveria Rama pavarësisht të gjitha sfidave që kanë ardhur për shkak jo të shqiptarëve dhe jo të kësaj Qeverie, qoftë ky tërmeti, pandemia apo edhe lufta me të gjithë impaktin e saj që po sjell në krizën energjetike dhe në krizën ekonomike.
Kjo është Shqipëria ku sot shkon uji 24 orë në ato zona ku as nuk mendohej. Po, mund të ishte bërë më shpejt. Patjetër. Por kemi pasur një listë të gjatë prioritetesh sepse e gjetëm në 2013-ën këtë vend të shkatërruar. Të shkatërruar nga çdo pikëpamje. Nga pikëpamja shtet formuese, nga pikëpamja e reformave dhe deri tek zakonet më të thjeshta. Nuk vinte njeri rripin kur hipte në makinë. Ishte turp, ishte mungesë burrnie.
Kjo është Shqipëria që me shumë mund në këto 9 vite kemi ngritur dhe që padyshim juve nuk ju pëlqen për të thënë të drejtën. Dhe ne do të vazhdojmë të bëjmë të njëjtën punë. Ne do të vazhdojmë të jemi tërheqës tashmë si vend edhe për investitorët e mëdhenj, ata që deri dje ndërtonin në pjesë të tjera të Europës apo dhe kontinente të tjera nëpër botë.
Kjo është Shqipëria që do të përballet me sfida dhe me kriza edhe më mirë se ç’po e bëjnë vendet e tjera dhe ju nuk mohoni dot faktin as të rritjes së pensioneve me 9.5% nga fillimi i vitit deri në tetor, dhe ju nuk mohoni dot as faktin e rritjes së pagës minimale apo të gjitha paketat e tjera sociale që sot janë analizuar nga të gjithë ministrat.
Kjo është Shqipëria që i duhet shqiptarëve dhe ky është buxheti që duhet të ofrojë qëndrueshmëri për një vit sfidues siç do jetë ai i 2023-it. Unë ju ftoj të gjithëve në këtë moment kur duhet solidaritet dhe duhet që të jemi të gjithë bashkë për të përballuar sfidat që ta votoni buxhetin 2023 të paraqitur nga Qeveria Shqiptare.
Faleminderit.
***
Replikë e Ministres Balluku
Duhet të jetë shumë e dhimbshme dhe e kuptojmë se është çështje e natyrës njerëzore që të kaloni në bypassin e Vlorës, të kaloni në bypassin e Fierit, që supozohet i nisët vetë dhe as në 2% të punimeve nuk i çuat. Duhet të jetë e dhimbshme shumë kur të kaloni tunelin e Llogarasë apo kur në shtëpinë tuaj të vijnë dritat nga Skavica. Këto i keni pasur ëndrra në sirtar dhe këto ëndrra do t’ju përndjekin gjithë jetën, pasi nuk arritët ti realizonit kurrë dhe natyra juaj njerëzore tregon që e vuani pafundësisht faktin që Shqipëria po zhvillohet. Në Shqipëri po ndodhin vepra të mëdha që ju vetëm flisnit për to. Quani sot aferë një nga projektet më të mëdha, jo të Shqipërisë, por të rajonit, madje dhe të Europës.
Merrni dhe bëhuni bashkë, bëheni dyshe zërin, për më tepër…Jo është procedurë ‘government to government’ e njohur dhe nuk ka asgjë për tu sharë. ‘Government to government’ është procedurë zyrtare. Megjithatë bëheni dyshe, bëheni zërin dysh, sepse në fund fare ju bashkoheni në idetë tuaja, bëni kot si të ndarë.
Edhe njëherë, keni që në mëngjes që merreni me ballinën ujore të Durrësit dhe portin e Jahteve. Një investim prej 2 miliard eurosh që s’kemi nga ti marrim, se do vijnë në formë investimi. As i jep kush, as i merr kush, se aty e keni mendjen ju, si do merren lekët, kush do marri lekët. Këto historitë me Vuçiçra, me Serbira etj., unë e kuptoj që ju flet Frojdi, se janë të gjitha ato historitë që keni pas bërë ju me thyerje embargo dhe me çudira të tjera, por jo se keni pas bërë ju dhe loboheshit ju nga lobet serbe, ruse siç loboheni sot e kësaj dite, patjetër duhet ta bëjmë dhe ne. Ne nuk jemi pasqyrimi juaj, nuk jemi reflektimi juaj, ne jemi komplet poli juaj i kundërt. Ne jemi poli i zhvillimit, ne jemi ata që sjellim ndryshimin. Jemi ata që bëjmë rrugët që latë ju rrugëve, jemi ata që nxjerrim ëndrrat tuaja nga sirtari, tunelin e Llogorasë, Skavicën etj., dhe i bëjmë realitet.
Nuk mund të flisni ju për afera, kur keni bërë aferat më të mëdha historikisht në Republikën e Shqipërisë. Keni bërë afera dhe s’keni bërë asnjë punë. Juve nuk mund të na njehsoni me veten tuaj, sepse nuk jemi si ju. Nuk kemi asnjë lidhje, nuk i përkasim asnjë lobi. Ne punojmë për shqiptarët dhe punojmë për Shqipërinë. Durrësi do bëhet një nga polet turistike më të rëndësishme të Europës. Durrësi do të ketë portin komercial më modern të rajonit, që nuk do ti shërbejë vetëm Shqipërisë, do ti shërbejë Kosovën, me të cilën do të lidhet një hekurudhë që kemi nisur punën në bashkëpunim të dy qeveritë, se ne punojmë për shqiptarët kudo që ndodhen ata. Do të ketë një hekurudhë që do të lidh portin e Durrësit me portin e Thatë që do të ndërtohet në Prishtinë.
Ne do të kemi një port që do ti shërbejë Maqedonisë së Veriut, që do ti shërbejë dhe Serbisë patjetër, sepse janë pjesë e Ballkanit të Hapur. Ne nuk jemi pjesë e asnjë lobimi, ne kemi vetëm një lobim që quhet shqiptarët.
Faleminderit!