Prezantohen produktet e para të “Shërbimit Satelitor” përmes “Albania 1” dhe “Albania 2” - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Prezantohen produktet e para të “Shërbimit Satelitor” përmes “Albania 1” dhe “Albania 2”

Monitorimi i territorit të Shqipërisë me teknologji të avancuar përmes satelitëve Albania 1 dhe Albania 2 shënon një epokë të re në trashëgiminë hapësinore të Shqipërisë, ku objekti kryesor është monitorimi i territorit dhe sigurimi i qasjes në të dhënat e regjistruara nga satelitët.

Përpara institucioneve publike u prezantuan sot produktet e para të përftuara nga “Shërbimi Satelitor”, ku i pranishëm ishte edhe Kryeministri Rama.

***

 

Shumë faleminderit dhe në radhë të parë, sinqerisht faleminderit Vilmës, Dritanit dhe gjithë grupit të ASIG-ut së bashku me përfaqësuesit e tjerë dhe vajzat që folën në emër të agjencive dhe institucioneve të ndryshme për punën mbresëlënëse që kanë bërë në një kohë kaq të shkurtër për një eksperiencë kaq të re.

Faktikisht Shqipëria sot është vend lider në Ballkanin Perëndimor në dy aspekte. Njëri aspekt ka të bëjë me sistemin e përgjithshëm të mbrojtjes që ka 5 elementë siç na kujton ministri i Mbrojtjes, tokën, detin, ajrin, hapësirën dhe pastaj sferën kibernetike. Në të pesta këto ne jemi të pranishëm. Jemi të pranishëm me fuqinë relative në raport me atë që duam të arrijmë, por nga ana tjetër jemi të pranishëm me një vizion shumë të kthjellët për se ku duam të shkojmë.

Në anën tjetër, Shqipëria është botërisht e njohur nga institucionet ndërkombëtare si vend lider në rajon për sa i përket shërbimeve publike të digjitalizuara dhe më vjen jashtëzakonisht mirë që kemi hequr nja barrë të tmerrshme nga shpina për sa i përket titujve të pronësisë dhe aksesin e qytetarëve në titujt e pronësisë, duke kaluar në një fazë tërësisht të re dhe shumë të avancuar të revolucionit digjital, ku kemi hyrë qysh se përpara 48 orësh. Agjencia Shtetërore e Kadastrës ka kaluar në një sistem të digjitalizuar dhe në një marrëdhënie tërësisht të digjitalizuar me qytetarin. Gjë që mesa kuptoj ka krijuar një konfuzion të madh brenda për brenda sistemit të shërbimit tek individët e mësuar që t’i trajtojnë dosjet e pronave dhe t’i trajtojnë kërkesat e qytetarëve si mundësi për të ushtruar pushtetin e tyre të vogël që kthehen në një pushtet absolut mbi nevojën e qytetarit.

Ndërkohë që e rëndësishme është që nuk ka ndonjë problematike të madhe shqetësuese në këtë proces kolaudimi të sistemit përsa i përket shërbimit të qytetarëve dhe po i tregoja Belindës që dje më çonte dikush një “screenshot” të një shkëmbim me një drejtor të Kadastrës së një qarku të cilit i kërkonte një ndihmë për një dosje dhe drejtori i thoshte, “si të ndihmoj unë o vëlla, këtu në kompjuterët tanë nuk del asnjë gjë nga pronat e qarkut tonë, por na del Bulqiza, na del Gramshi e po më ikin punonjësit”.

Tani arsyeja pse disa punonjës ikin kur iu del Bulqiza, Gramshi ndërkohë që presin t’iu dalë ndonjë copë e majme e këtyre territoreve kjo është shumë e qartë, por nga ana tjetër unë jam shumë i bindur që ky transformim do të sjellë një lehtësim të jashtëzakonshëm për qytetarët, por dhe një mundësi të jashtëzakonshme për të gjithë ata të rinj, për të gjitha ato vajza të reja, të shkolluar, të gatshëm që të shërbejnë për shtetin me paga tërësisht konkurruese me tregun, siç do të jenë së shpejti pagat e Kadastrës dhe më në fund vendet e punës do të jenë të gjithë të arsyetuara me kontributin që njerëzit japin për punën sepse e kam shumë të qartë që në Kadastër do na lirohen shumë vende te zëna padrejtësisht.

Nga ana tjetër vijmë tek arsyeja pse jemi këtu konkretisht.

Ju kujtohet të gjithëve sesa shumë nënqeshje dhe përqeshje patëm kur lajmëruam futjen në këtë sistem. U desh disa kohë. Pastaj në shtatorin e kaluar firmosëm marrëveshjen për shërbimin satelitori për Republikën e Shqipërisë. Në janar të këtij viti në qendrën hapësinore Kennedy të NASA-s në Florida, SHBA u krye dhe lëshimi në hapësirë i dy satelitëve tanë, Albania 1 dhe Albana 2 dhe siç e patë deri në 21 qershor, janë mbledhur imazhe të rëndësishme për 16 mijë e 324 kilometrat katrorë të Republikës së Shqipërisë, duke pasur parasysh që ka qenë periudha më e bukur për gjelbërimin sepse e keni vënë re që kudo ku kalojmë, ngjyrat e gjelbra janë bërë shumë të theksuara dhe kudo bimësia ka një entuziazëm të madh që se kishim parë prej kohësh si rezultat i shirave të përditshme. Nga ana tjetër, qielli i mbuluar e ka vështirësuar shumë punën e ASIG-ut dhe të atyre që janë përfshirë në këtë proces. Megjithatë falë edhe këmbënguljes gjithmonë e më të mirënjohur të zëvendës kryeministres edhe ofruesit e shërbimit u adaptuan me kërkesën për të shtuar numrin e satelitëve në dispozicion dhe përveç dy satelitëve Albania 1 dhe Albania 2 u shtuan dhe 8 satelitë të tjerë nga kompania, pa asnjë pagesë ekstra për të na furnizuar me më shumë imazhe ne ato periudha kohe ku kishte mundësi që të lexohej territori dhe faktikisht sot ne mund të themi që kemi një bazë fantastike të leximit të territorit sipas nevojave të dikastereve.

U bë këtu prezantimi shumë i bukur i hartës së përmbytjeve. Siç e patë, ajo hartë e bën të pamundur abuzimin me metrat katrorë të përmbytura. E bën të pamundur që një përmbytje prej le të themi 3 kilometra katrorë të kthehet në një përmbytje prej 15 kilometra katrorë duke shtuar aty viktima të ujit dhe prona të dëmtuara për të rritur faturën në kurriz të shtetit, duke rritur patjetër dhe normën e korrupsionit , e bën të pamundur sepse në mënyrë të drejtpërdrejtë nga imazhet, shërbimet e ngarkuara për këtë punë, atë që ne e quajmë identifikimi i dëmeve që deri dje bëhej me grupe, në këmbë, hidh një këmbë në ujë e hidh, një këmbë në tokë dhe shto sipërfaqen e ujit sipas dëshirës mund ta bëjmë vetëm me një imazh. Po ashtu, vlera e këtyre imazheve për disiplinën në ndërtim është e jashtëzakonshme sepse tanimë gjithçka mund të lexohet në kohë reale lidhur me shfrytëzimin e territorit për të ndërtuar, lidhur me lejet e ndërtimit dhe me ndërtimet pa leje. Është një proces pune, patjetër që do kërkojë hap pas hapi kohë edhe do kërkojë hap pas hapi përfshirje të institucioneve, por është një proces jashtëzakonisht pozitiv me shumë kursim në kosto dhe sigurisht me kontribut shumë të madh të drejtpërdrejtë në mbështetje të agjencive ligj zbatuese.

Kanabisi, tanimë është shumë më e lehtë për agjencinë ligj zbatuese, për drejtuesit, por edhe për drejtimin politik të Ministrisë së Brendshme dhe qeverisë domethënë për të pasur qartësi të plotë jo thjesht mbi sa sipërfaqe konstatohet e tillë, por edhe me sa ndërhyhet në çdo sipërfaqe. Për më tepër, kombinimi i të dhënave me monitorimin që ne kemi bërë në bazë të marrëveshjes me Guardia di Finanza dhe me këtë sistem, na jep një fuqi  shumë të madhe në kohë reale.

Po kështu u fol qartësisht për zjarret, u fol për ndërhyrjet e paligjshme në pyje, u fol për reflektimin e gjithë të dhënave që kanë të bëjnë me përmbajtjen e ujit dhe ajo që është edhe një element tjetër, një vlerë e shtuar është që me imazhet satelitore dhe me të dhënat shkencore të marra nga satelitët për produktet bujqësore, për përmbajtjen e ujit e të tjerë, mund të marrim lajme shumë të mira që janë në territor por që kurrë nuk i marrim sepse në ndërkohë mbushet hapësira e informacionit me lajme të rreme, ujërat janë me helm, ajri është me helm e të tjerë dhe nuk ke sesi i kundërshton me fuqinë e të vërtetës përveçse me fjalën.

Ndërkohë që, përtej fjalës, këto janë radiografi të pakontestueshme të organizmit të Republikës së Shqipërisë ku mund të shihet shumë qartë sesi funksionojnë mushkëritë, si funksionon zemra, si funksionojnë organet e tjera dhe unë jam i bindur që gjënë më të vështirë, sipas meje, që kishim, që ishte krijimi i kapaciteteve për të vënë në përdorim këto imazhe dhe jo thjesht për të pasur fotografi të bukura e kemi sot garanci. E kemi garanci, e përsëris, falë Vilmës, Dritanit dhe gjithë grupit. Me rritjen e pagave dhe me mbështetjen  e veçante që ne i japim atyre që kanë këto profesione dhe që bëjnë këto punë të veçanta sigurisht që është atraktive dhe nga pikëpamja e shpërblimit dhe është një moment, një mundësi këtu për t’i thënë të gjithë vajzave dhe djemve që janë në botën e teknologjisë se sot shteti është konkurrenti më i fortë në treg për pagat në këtë sektor.

Të punosh në agjencitë tona që merren me këto sisteme dhe këtu nuk është thjesht çështje, në këtë rast, njerëzish të botës së informacionit teknologjik, të teknologjisë së informacionit, por edhe njerëz që janë inxhinierë, që janë agronomë, njerëz të diplomuar për ato elementë që lidhen jo thjeshtë me leximin digjital të radiografisë por pastaj të interpretimit dhe trajtimi, kanë mundësinë që duke aplikuar të bëhen pjesë të skuadrës së ASIG-ut dhe patjetër të paguhen më mirë se në çdo kompani private, sipas pozicionit të punës kuptohet.

Ky është qëllimi dhe po kështu për të gjitha agjencitë e tjera, për AKSHI-n, për strukturat e inovacionit në ministri dhe në institucione qendrore është një paketë e re që është bërë gati dhe që së shpejti do kalojnë, në mos gaboj sot apo javën e ardhshme në mënyrë që asnjë i ri dhe asnjë e re me dije dhe formim në fushën e teknologjisë së informacionit të mos e shohë as largimin nga Shqipëria, as sektorin privat si dy mundësitë e vetme sepse ne jemi këtu për t’iu dhënë dhe ua kemi garantuar një mundësi të tretë, që është mundësia, sot për sot, më konkurruese dhe në vitet në vijim mundësia më optimale.

Kush do punojë për shtetin shqiptar për të vënë në përdorim maksimal të gjitha këto sisteme, për të krijuar një republikë në të cilën mbrojtja kibernetike, shërbimet digjitale, shfrytëzimi i imazheve hapësinore janë në nivel ekselence, do të paguhen më mirë sesa kudo tjetër në rajon dhe patjetër më mirë sesa kudo tjetër në sektorin privat.

Shumë faleminderit!

Previous Ministrja Kushi jep lajmin e mirë, Universiteti “Aleksandër Moisiu” i Durrësit vlerësohet me vulën e Universitetit Evropian