Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi gjatë aktivitetit ku u lançua programi i kodimit për të rinjtë, u shpreh se zhvillimet e vrullshme të kohës ofrojnë shumë mundësi për të rinjtë shqiptarë, të cilët janë të talentuar dhe ecin me ritme shumë të shpejta.
Ministrja Kushi tha se zhvillimi i teknologjisë, inovacioni, globalizimi, tregu i punës që transformohet çdo ditë që kërkon profesione të reja, ofron mundësi të reja. Që të rinjtë t’i shfrytëzojnë këto mundësi të ofruara në këtë kohë, duhet të pajisen me disa aftësi të reja, aftësitë e shekullit 21, që janë logjika, kreativiteti, mendimi kritik, aftësitë praktike.
“Padyshim, shekulli i 21 është shekulli i teknologjisë, inovacionit dhe digjitalizimit” – u shpreh znj. Kushi.
Në sistemin arsimor punohet çdo ditë që nxënësit dhe të rinjtë të pajisen me këto aftësi që janë emergjente nga zhvillimet e kohës.
“Vitin e kaluar morëm vendimin për të përfshirë Teknologjinë e Informacionit dhe Komunikimit dhe programet e kodimit që në klasën e parë. Kemi nisur një projekt pilot në 100 shkolla ku kemi ngritur 100 laboratorë inteligjent, me një teknologji të përparua. Kemi trajnuar mësuesit, jo vetëm për përdorimin e kësaj teknologjie të përparuar por edhe programin, një platformë novatore për t’i mësuar nxënësve kodimin nëpërmjet lojës” – tha ministrja.
Më tej ajo nënvizoi se ky nuk është një program i shkëputur, por pjesë e një pakete programesh që shkojnë drejt aftësimit të nxënësve dhe të rinjve me aftësitë e shekullit 21.
Duke folur për arsimin e lartë, znj. Kushi tha se nëpërmjet ndërkombëtarizimit, universitetet shqiptare janë nxitur që të hapin programe të përbashkëta ose të dyfishta me universitete prestigjioze.
Ministrja shtoi se programet në IT janë mundësi e mirë për të rinjtë për të patur diploma me vlerë për tregun kombëtar dhe ndërkombëtar, që e bëjnë më të lehtë edhe integrimin e të rinjve në tregun e punës.