Qeveria shqiptare do të zgjerojë programet e punësimit në vitet e ardhshme, duke synuar nxitjen e punësimit dhe sipërmarrjes.
Kështu u shpreh Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, gjatë aktivitetit të zhvilluar për promovimin e Programit të Vetëpunësimit, i cili është një prej programeve që zbatohen nga Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive.
Përmes këtij Programi njëvjeçar do të mbështeten sipërmarrjet e reja për punëkërkuesit e papunë, të cilët kanë një ide biznesi. Programi ka nisur në vitin 2020 në katër rajone dhe në vitin 2021 u lançua në të gjithë vendin. Për vitin 2022, aplikimet për Programin e Vetëpunësimit u hapën në muajin nëntor dhe përgjatë një muaji aplikuan 413 punërkues të papunë. Procesi vijoi me trajnimin e kursit të sipërmarrjes të 365 aplikantëve dhe më pas me dorëzimin e planeve të biznesit nga 280 aplikantë. Pas procesit të vlerësimit, numri i aplikantëve të përzgjedhur si fitues është 160, të cilët do të mbështeten me grante në vlerë deri në 500.000 lekë për çdo plan biznesi të zhvilluar me sukses që është miratuar në kuadër të procesit të përzgjedhjes
Në fjalën e saj, Ministrja Ibrahimaj vlerësoi se aktiviteti në vetvete përbën një përmbledhje të të gjitha politikave që qeveria ka hartuar ndër vite sa i përket nxitjes së punësimit dhe nxitjes së biznesit të vogël dhe ekonomive familjare.
Numri i lartë i aplikantëve për këtë program, i cili është dyfishuar në krahasim me një vit më parë, është një dëshmi për suksesin e tij.
“Programet e nxitjes së punësimit janë 4 dhe do të zgjerohen. Vitin e ardhshëm do të fillojmë programin e Garancisë Rinore, me mbështetjen e Bashkimit Europian, i cili do të përqendrohet në programe të nxitjes së punësimit për të gjithë ato të rinj dhe të reja të cilët duhet të aftësohen apo të punësohen”, tha Ibrahimaj.
Ministrja theksoi faktin se qeveria do të vijojë të mbështesë çeljen e bizneseve të reja dhe biznesin e vogël në tërësi, mbështetje e cila dëshmohet edhe me përjashtimin e tyre nga çdo tatim apo taksë.
“Ne kemi programe për vetëpunësimin dhe çelja e bizneseve të reja është e përjashtuar totalisht nga çdo taksë apo tatim dhe kjo është ajo se si ne e shohim ekonominë familjare dhe mbështetjen për bizneset e reja. Ne e shohim mbështetjen në vazhdimësi dhe për bizneset me qarkullimin deri në 14 milionë lekë, kur nuk konsiderohet më biznes i vogël, qeveria ka vendosur që të mos ketë taksa”, u shpreh Ministrja.
Ministrja Ibrahimaj bëri thirrje për një promovim edhe më të madh të programeve të nxitjes së punësimit dhe për rritjen e numrit të aplikimeve për këto programe, ndërsa shprehu bindjen se mbështetja e ideve dhe iniciativave të reja, si dhe mbështetja e të rinjve, do të çojnë në një zhvillim të mëtejshëm ekonomik.
Në përfundim të aktivitetit, pjesëmarrësit u njohën me dy dëshmi suksesi të përfituesve të programit për vitin 2021 dhe u bë prezantimi i fituesve të vitit 2022.