Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, ishte në Korçë për të ndjekur nga afër, fazën e dytë të Programit Kombëtar të Zhvillimit Profesional të Mësuesve, i cili synon të përmirësojë aftësitë e mësimdhënësve në shkencë, arsimin fillor, gjuhën shqipe, dhe teknologjinë e informacionit.
Ministrja Manastirliu theksoi rëndësinë e këtij programi për përgatitjen profesionale të mësuesve në përputhje me nevojat e kohës dhe të nxënësve.
“Me fillimin e vitit të ri shkollor ka nisur edhe faza e dytë e Programit Kombëtar të Zhvillimit Profesional të Mësuesve, i cili gjatë vitit 2024-2025 do të trajnojë mbi 16 mijë mësues të shkencave, arsimit fillor, të gjuhës shqipe dhe teknologjisë së informacionit.”
Universiteti i Korçës mbulon trajnimet e mësuesve në ZVAP Kolonjë, Maliq, Përrenjas, Korçë-Pustec, Pogradec dhe Devoll, duke u siguruar që mësuesit tanë të marrin trajnimet më cilësore për të përmbushur kërkesat e sistemit arsimor të sotëm.
“Programi po zbatohet nga një ekip i gjerë prej 166 pedagogësh. Vetëm në Korçë janë rreth 1,800 mësues që do të trajnohen deri në fund të fazës së dytë”, shtoi Manastirliu
Ministrja vlerësoi përpjekjet për të zgjeruar kapacitetet profesionale të mësuesve në këtë rajon, ndërsa nënvizoi se ky program nuk përfshin vetëm përmirësimin e njohurive, por edhe përshtatjen e mësimdhënies me standardet ndërkombëtare.
“Ne jemi të angazhuar që plani i zhvillimit profesional të mësuesve dhe gjithashtu modelet e testeve të PISA-s të jenë pjesë e programit të trajnimit, duke i ndihmuar mësuesit tanë të përgatisin më mirë nxënësit për sfidat globale.”
Ky program është pjesë e një strategjie afatgjatë për përmirësimin e cilësisë së arsimit në Shqipëri, me qëllim që çdo mësues të pajiset me njohuritë dhe aftësitë më të mira për të rritur suksesin e nxënësve në përputhje me standardet evropiane.