Projektbuxheti 2027, ministri Malaj: Mbi 10 miliardë euro me fokus mbështetjen sociale, pensionet dhe investimet në sektorët prioritarë
Ministri i Financave, Petrit Malaj, prezantoi në Konferencën e Kryetarëve projektbuxhetin për vitin 2027, i cili parashikon mbi 10 miliardë euro shpenzime publike, me fokus rritjen e mirëqenies sociale, mbështetjen e pensionistëve dhe familjeve, si dhe investimet dhe reformat në funksion të zhvillimit ekonomik dhe integrimit evropian.
Një nga masat kryesore është dyfishimi i bonusit mujor për pensionistët, duke nisur nga 1 janari 2027. Projektbuxheti parashikon gjithashtu indeksimin e pensioneve në prill 2027, dyfishimin e pagesave për fëmijët me aftësi të kufizuara, njohjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për kujdestarët e tyre, si dhe kalimin e bonusit të bebeve në mbështetje mujore deri në moshën 5 vjeç. Do të vijojë edhe mbështetja për strehimin e përballueshëm dhe kompensimi nga tatimi mbi të ardhurat personale për familjet me fëmijë nën 18 vjeç.
Në arsim, parashikohet rritja e bursave për studentët në nevojë, përmirësimi i infrastrukturës shkollore, zgjerimi i programit “Pas Shkolle”, me zgjatjen e orarit deri në orën 17:00, si dhe mbështetje shtesë për kërkimin shkencor. Në shëndetësi, prioritet do të jenë furnizimi me barna dhe pajisje mjekësore, trajtimi me receta të rimbursueshme për 400 mijë pacientë, si dhe ndërtimi dhe rehabilitimi i 20 spitaleve.
Projektbuxheti parashikon gjithashtu rritjen e pagave për 8500 punonjës të Policisë së Shtetit. Ndërkohë, në sektorin e mbrojtjes do të vijojë modernizimi i Forcave të Armatosura dhe përmbushja e angazhimeve të Shqipërisë në NATO.
Në bujqësi, do të vijojnë kompensimi i TVSH-së me 10% për fermerët, mbështetja përmes Skemës Kombëtare dhe investimet në sistemet e ujitjes dhe kullimit, ndërsa në infrastrukturë investimet do të përqendrohen në përmirësimin e rrjeteve të ujësjellës-kanalizimeve, zhvillimin e porteve, hekurudhave dhe akseve kryesore rrugore.
Ministri Malaj prezantoi edhe ndryshimet e propozuara në Paketën Fiskale 2027, të cilat përfshijnë rishikimin e tatimit mbi të ardhurat, rritjen e normës standarde të TVSH-së nga 20% në 21%, aplikimin e normës së reduktuar prej 6% për 54 produkte të shportës bazë dhe zhvendosjen e taksës së qarkullimit nga karburanti te taksa vjetore e automjeteve. Sipas ministrit, këto masa synojnë forcimin e drejtësisë fiskale, lehtësimin e shtresës së mesme dhe sigurimin e të ardhurave të qëndrueshme për financimin e politikave publike.