Projektbuxheti 2027 për arsimin, ministrja Kumbaro: Bursa më të larta për studentët dhe një mësues ndihmës për çdo fëmijë me aftësi të kufizuara

Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, prezantoi projektbuxhetin e vitit 2027 në Komisionin për Edukimin, Shkencën dhe Sportet, ku bëri të ditur se financimi i përgjithshëm për sektorin e arsimit do të arrijë në 93.7 miliardë lekë, 3.8 miliardë lekë më shumë krahasuar me buxhetin fillestar të vitit 2026. Prioritetet përfshijnë mbështetjen për nxënësit dhe studentët, përmirësimin e infrastrukturës arsimore dhe forcimin e kërkimit shkencor.

Buxheti i Ministrisë së Arsimit parashikohet në 67.95 miliardë lekë, me një rritje prej 4.8% krahasuar me vitin e kaluar. Ndërsa financimi për arsimin parauniversitar arrin në rreth 554 milionë euro, duke përbërë 74% të buxhetit të Ministrisë.

Edhe arsimi i lartë dhe kërkimi shkencor përfitojnë financim më të madh. Për arsimin e lartë parashikohen 14.23 miliardë lekë, 1.25 miliardë më shumë se në vitin 2026, ndërsa financimi për kërkimin shkencor rritet me 28.2%, duke arritur në 2.27 miliardë lekë. Fondet do të mbështesin laboratorë të rinj universitarë, projekte kërkimore dhe pjesëmarrjen e institucioneve shqiptare në programet ndërkombëtare, përfshirë Horizon Europe dhe Erasmus+.

Një nga ndryshimet kryesore lidhet me mbështetjen për studentët. Bursa për studentët nga familjet në nevojë rritet nga 10 mijë në 25 mijë lekë në muaj, ndërsa mbështetja shtrihet edhe në ciklin Master, si për këtë kategori, ashtu edhe për studentët e programeve me përparësi kombëtare. Paketa përfshin mbi 11,500 studentë në tri kategori: 5,900 studentë nga familjet në nevojë, që do të përfitojnë 25 mijë lekë në muaj; 5,500 studentë me mesatare 9-10, që do të përfitojnë 10 mijë lekë; dhe 177 studentë të programeve prioritare, që marrin 50 mijë lekë në muaj.

Në arsimin parauniversitar, buxheti rritet me mbi 1 miliard lekë. Programi “Pas Shkolle”, që këtë vit zbatohet në 408 shkolla, do të mbështetet me 500 milionë lekë, duke zgjeruar aktivitetet edukative, artistike dhe sportive dhe duke u mundësuar fëmijëve të qëndrojnë në shkollë deri në orën 17:00.

Një tjetër prioritet është arsimi gjithëpërfshirës. Për herë të parë synohet që çdo nxënës me aftësi të kufizuara të ketë mësuesin e tij ndihmës, duke kaluar nga raporti një mësues për katër nxënës në një mësues për çdo fëmijë. Paralelisht, parashikohet punësimi i 150 punonjësve të rinj psiko-socialë në shkolla.

Masat sociale parashikojnë tekste shkollore falas për mbi 215 mijë nxënës, transport falas për 38 mijë nxënës dhe 17 mijë mësues, si dhe indeksimin e bursave për fëmijët nga familjet në nevojë sipas normës vjetore të inflacionit, duke nisur nga viti 2027.

Investimet në infrastrukturën arsimore do të vijojnë edhe gjatë tre viteve të ardhshme, me ndërtimin ose rikonstruksionin e rreth 120 shkollave dhe kopshteve të tjera. Vetëm gjatë vitit 2027 do të financohen 54 projekte, prej të cilave 40 shkolla dhe kopshte të arsimit bazë dhe 14 shkolla të mesme.

Në këtë kuadër, vijon edhe projekti për hapjen e Liceut Francez të Korçës, një institucion i fokusuar te shkenca dhe teknologjia, ku mësimi do të zhvillohet në shqip, frëngjisht dhe anglisht. Shkolla parashikohet të hapet në vitin 2028, do të jetë falas për nxënësit shqiptarë dhe do të ofrojë diploma të dyfishta, të njohura në Shqipëri dhe Francë. Për ndërtimin e kampusit të ri, ku do të përfshihen klasa, laboratorë dhe ambiente të tjera, parashikohet një investim prej rreth 6 milionë eurosh nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit.

Parashikimet buxhetore për vitet në vijim synojnë gjithashtu modernizimin e universiteteve, përmirësimin e kushteve në konvikte dhe krijimin e një sistemi për gjurmimin e punësimit të të diplomuarve, me qëllim lidhjen më të mirë të programeve të studimit me nevojat e tregut të punës.