Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim me furnizuesit e naftës në një koordinim të përbashkët për t’i vënë fre çdo spekulimi me pasojat e luftës, në çmimet e karburantit.
Situata e jashtëzakonshme imponon ndërhyrjen e drejtpërdrejtë të qeverisë për ngrirjen e marzheve të fitimit, si edhe transparencën e çmimit, prandaj ngrihet menjëherë Bordi Kombëtar i Administrimit të Karburantit.
Një Akt-Normativ me fuqinë e menjëhershme të ligjit për përballimin e kësaj emergjence, do të përcaktojë kuadrin e detyrimeve dhe të drejtave të kufizuara të furnizuesve të karburantit, për një afat dymujor të rinovueshëm sipas dinamikës së luftës.
Përshëndetje dhe faleminderit për përgjigjen pozitive për ftesën për këtë takim.
Në asnjë rast tjetër edhe për asnjë arsye që nuk quhet luftë, ky takim nuk do të kishte ndodhur sepse nuk është absolutisht as detyra, as përgjegjësia, as mundësia e qeverisë në një sistem demokratik ku me Kushtetutë është sanksionuar liria e tregut, që të ndërhyjë në çështjen e çmimeve.
Por sot besoj është shumë e qartë për të gjithë dhe insistoj që ne mund të jemi të ndarë në opinione, por duhet të jemi të bashkuar në fakte, që faktikisht vendi ynë si gjithë vendet e tjera po përballet me pasojat e një lufte që ka nisur në Europë.
Është një luftë që nuk e kemi nisur ne, as nuk e ndalojmë dot ne dhe nuk e dimë as ne dhe askush tjetër sa do të zgjasë.
Por faktikisht, lufta ka ardhur në Shqipëri me faturën e çmimit të energjisë, me faturën e çmimit të naftës dhe me ndikimin në të gjitha çmimet.
Ky është fakt.
Sigurisht që rritja e çmimeve filloi të jepte shenjat e para në gjysmën e dytë të vitit të shkuar, në të gjithë botën, si rezultat i një ringritjeje shumë të fuqishme ekonomike nga honi i fazës akute të pandemisë dhe për rrjedhojë si rezultat i një kërkesë shumë më të rritur sesa oferta dhe këtë edhe ju, edhe të gjithë e kanë parë.
Disa muaj më parë u shfaqën pastaj simptomat e para të krizës energjetike.
Normal që ata që janë më të zëshëm në këtë shoqëri protestojnë për naftën, por më e rënda është kriza e energjisë, e cila po konsiderohet si pandemia e re.
Unë do ta përsëris pafund këtë gjë sepse kjo qeveri e ka deklaruar qysh në krye të herës kur shumëkush u hodh përjetë e thonin që kjo është një sajesë, nuk ka asnjë krizë, se jemi përballë një krize. Tani jemi në zemrën e krizës dhe se ne do t’i vëmë një mburojë mbrojtëse konsumatorëve familjarë dhe bizneseve të vogla për të mos lejuar që goditja e krizës me rritjen çmendurake të çmimeve të bjerë mbi ta.
Sot ta dëgjojnë të gjithë nëse çmimi i energjisë do të jetë ky që do të jetë sot, pra pra nga 52 euro për MWh që ishte vjet, 550 euro për MWh në treg nga ku ne jemi të detyruar të importojmë për të gjithë ato arsye që dihen, ne do të na duhen 640 milionë dollarë ekstra deri në fund të vitit. 640 milionë dollarë ekstra është një eurobond. Për çfarë do të na duhen? Për të mbrojtur familjarët dhe biznesin e vogël. Këtë po bën kjo qeveri dhe është për të qeshur e për të qarë kur kjo merret si diçka që është e mirëqenë dhe shumëkush thotë, “po prapë ti na tregon çmimin e energjisë? Shiko naftën”.
Unë e tregoj çmimin e energjisë sepse nëse ne do të bënim atë që po bëjnë e do të jemi këtu, do të vazhdojnë ta bëjnë vendet e tjera, duke e rritur çmimin e energjisë, ne do të preknim pjesën më vulnerabël të shoqërisë që nuk ka vetura. Do të preknim pensionistët. Do të preknim fermerët, si familjarë në këtë rast. Do të preknim familjet në ndihmë ekonomike. Do të preknim qindra e mijëra njerëz dhe do të preknim motorin e vetëpunësimit dhe të punësimit, biznesin e vogël. Këta ne nuk i prekim për asnjë çmim. do të bëjmë çmos.
Nëse çmimi i energjisë do të kthehet aty ku ishte para luftës, na duhen 295 milionë ekstra. Pse i them këto? I them këto për të bërë të qartë që nuk shikohet kjo pamje duke u fokusuar komplet vetëm tek taksat e naftës. Është e vërtetë që ne kemi tek struktura e çmimit të naftës një ngarkesë ekstra që të tjerët nuk e kanë, e prandaj çmimi i naftës këtu është më i lartë, por të tjerët nuk e kanë zero taksën e biznesit të vogël. Të tjerët nuk e kanë zero TVSH-në për biznesin e vogël. Të tjerët nuk i kanë kaq të ulëta sa i kemi ne taksat mbi pagat, që janë simbolike, për pagat deri në 1 milionë lekë të vjetra. Të tjerët nuk i kanë kontributet shoqërore dhe shëndetësore si ne, më të ulëtat në rajon. Që do të thotë që të tjerët kanë të ardhura nga ngarkesa fiskale më e madhe mbi individin dhe mbi biznesin e vogël.
Të tjerët nuk paguajnë 45 milionë dollarë në vit në raport me buxhetin tonë, çdo vit, për të kompensuar faturën e energjisë të familjeve në nevojë, të pensionistëve të vetmuar, siç paguajmë ne. Shifër, e cila sot është shumë më e lartë se kaq për shkak të luftës, prandaj është shumë e rëndësishme që të gjithë të jenë të vetëdijshëm se këtu si në të gjithë fillin e arsyetimit tonë qeverisës, kush ka më shumë mundësi, do mbajë më shumë barrë dhe kush ka një veturë, do mbajë më shumë barrë se ai që nuk e ka një veturë dhe jeton me një pagë minimale, meqë shumëkush këtu përmenda paga 300 mijë lekë. Jo, paga 300 mijë lekë në Shqipëri është paga minimale, nuk është paga mesatare. Ata që dalin me X5 në rrugë dhe bllokojnë rrugët, nuk e kanë 300 mijë lekë pagën e natyrisht që ata do të mbajnë më shumë barrë në këtë luftë. E patjetër që ne do duhet të shikojmë se si të kompensojmë fermerët për shembull. Është rritur çmimi? Po. Kemi vendosur që fermerëve tu japim naftë pa taksa? Po. Atëherë të ardhurat plus për shkak të rritjes së çmimit, ne do ti kthejmë përsëri, nuk do t’i marrim t’i çojmë në drejtim tjetër por do t’i kthejmë përsëri. Ku do t’i kthejmë? Do t’i kthejmë tek ata që janë më në nevojë sot, që janë fermerët, që janë ata që përdorin transportin publik. Nuk mund të themi që këtu jemi të gjithë njësoj, se nuk jemi të gjithë njësoj.
Për të mos u zgjatur këtu se planin e masave siç e kemi thënë kur dolëm me ministren në konferencën e para tre ditëve, do ta kemi gati në fund të javës, që do të thotë, përpara të hënës do ta bëjmë publik. Sot këtu jemi për çfarë do të bëjmë me naftën.
Me gjithë respektin, unë mendoj që ju duhet sot të jeni të vetëdijshëm se i përkisni asaj pjese të shoqërisë shqiptare që duhet të bëjë sakrificë. Është shumë e thjeshtë. Duhet të ndihmoni veten me kujtimin e asaj që ishit përpara se të ishit këta që jeni, të gjithë e keni nisur këtë rrugë nga hiçi dhe ja ku jeni dhe kjo nuk është koha për të fituar. Kjo është koha për të rezistuar dhe kjo është koha për të ndarë pjesën tuaj të barrës. Ne kemi detyrimin që të mbajmë barrën më të madhe, qeveria natyrisht. Sigurisht të gjithë kanë detyrimin të mbajnë barrën e tyre se kjo është një luftë, nuk është lavdi Zotit me bomba mbi kokat tona, nuk na detyron me dhunë të ndahemi nga familjet tona dhe ne të marrim pushkën këtu dhe gratë e fëmijët të shkojnë gjetkë për të shpëtuar kokën. Nuk na shkatërron shtëpitë tona, por ama ka ardhur lufta këtu me faturën përkatëse dhe sigurisht që edhe ju do të mbani pjesën tuaj, se nuk mund të ndodhi që ju të fitoni asgjë më shumë se sa çfarë ju duhet që të vazhdoni të ndihmoni, të mbështesni, të furnizoni popullin shqiptar. Asnjë gjë më shumë. E për këto arsye, në këto kushte, ne do të kalojmë brenda 24 orësh një akt normativ me fuqinë e ligjit dhe qeveria do të hyjë në administrimin e furnizimit, bashkë me ju, përmes një bordi kombëtar të furnizimit me karburant dhe çdo ditë ju dhe qeveria, pra përfaqësuesit e qeverisë dhe konkretisht ministrja e Financave, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, drejtori i Tatimeve, drejtori i Doganave dhe kryetari i Autoritetit të Konkurrencës, do të jenë në tryezë me 5 përfaqësues nga ju, zgjidhini ju, nuk ka asnjë problem, e nuk do ketë asnjë tabelë në asnjë pikë karburanti ku do të shfaqet një çmim që nuk është miratuar nga bordi. Nëse dikush do ta bëjë këtë, do të humbasë pikën e karburantit, shumë e thjeshtë. Kjo është luftë. Këtu nuk funksionojnë rregullat. Ju e keni parë, e keni ndjekur, unë nuk jam ideolog i tregut të lirë apo i shtetit si fuqi diktuese në ekonomi, unë thjesht dhe vetëm besoj që liria ekonomike është themelore dhe asnjëherë nuk i shkoj teorisë që shteti duhet të futet për të kontrolluar çmimet se shteti në demokraci nuk futet për të kontrolluar çmime, nuk e bën dot edhe sikur të dojë dhe faktikisht, në të gjitha vendet, kudo ku është tentuar një gjë e tillë nuk ka funksionuar, por këto janë historira të një kohe paqeje. Kjo është kohë lufte dhe unë kërkoj solidaritetin tuaj dhe kërkoj angazhimin tuaj me hir, kurse ligji do ta bëjë këtë me pahir. Nuk kemi asnjë rrugë tjetër. Ju e dini më mirë se sa unë. Të tjerë e dinë më pak se sa e dimë ne, për shkak se merremi me këtë punë, që çështja themelore që ne kemi dhe ajo që na kërcënon më shumë nuk është çmimi, qoftë dhe ky i çmenduri që ishte para dy ditësh e që mund të rikthehet prapë, nuk e di. Është mungesa e produktit. Sepse është kollaj të thuash hajde impono, por nga ana tjetër gjithë kjo përpjekje për imponim që po bëhet edhe në vende të tjerë, mund të sjellë në pikën që s’ka naftë. Mund të sjellë në pikën që nuk ka energji. Sepse sot, e sqaroi dhe ministrja në konferencën e mëparshme për shtyp, problemi jonë kur dalim në treg, për shkak të thatësirës, nuk është thjesht që çmimi është çmenduri. Ka parashikime që thonë do shkojë 1000! Çështja është që nuk e gjen produktin, prandaj këtu përveç pjesës së transparencës së çmimit, ne nuk do të administrojmë bashkë me ju, që të imponojmë ne çmime arbitrarisht, sepse e dimë shumë mirë ku të çon kjo. Kjo të çon në një faliment të përgjithshëm e pastaj nuk ka fare, por do të bëjmë transparencën e çmimit në mënyrë të përditshme, që njerëzit ta shohin qartë që çdo qindarkë është aty jo për arsye të fitimit por për arsye të vazhdimit normal të punës dhe nga ana tjetër, ministrja do të flasë për rezervën faktike që duhet të jetë e garantuar jo si rezervë financiare por si rezervë faktike.
Ndërkohë ne kemi nisur intensivisht punën për këtë arsye, ose një nga arsyet kryesore pse vizituam edhe princin e kurorës së Emirateve të Bashkuara ishte pikërisht për të kërkuar një mundësi, që ishte dhe arsyeja pse ministrja e Jashtme vizitoi Arabinë Saudite dhe pse ne vazhdojmë të jemi në kontakt me të dyja këto vende, që janë vende kyçe, por duke mos u zgjatur më shumë, unë do dëshiroja shumë që ne këtë gjë bashkërisht ta bëjmë me një sens patriotik që o sot, o kurrë. Askush nga ju nuk rrezikon të mbetet pa bukë, askush nga ju nuk rrezikon të humbasë gjithçka që ka fituar por gjithkush nga ju ka sot detyrimin, për këtë periudhë kohe, nuk e dimë sa është, një muaj, dy muaj apo tre, se pastaj nëse zgjat përtej tre është një histori komplet tjetër, për të gjithë, jo thjesht për ju. Nëse zgjat përtej tre është pastaj situatë komplet tjetër por për këtë periudhë kohe, duhet ta ndani mendjen që do rezistoni e nuk do fitoni dhe besoj që kjo është një mundësi e artë që të shpëlaheni komplet nga çdo mëkat që është pjesë e jetës e të riktheheni fuqishëm pastaj të larë komplet nga mëkatet e të vazhdoni të fitoni kur gjërat me ndihmën e Zotit të normalizohen. Kjo ishte fjala ime.
Atëherë, për ta mbyllur, nëpërmjet shoqatës suaj besoj ose çfarëdo mekanizmi që ju vetë keni, do duhet që brenda paradites së nesërme të na bëni me dije 5 përfaqësuesit për Bordin Kombëtar për Furnizimin me Naftë. Nesër pasdite bordi do mblidhet. Natyrisht, si mbledhje e parë, mirë do jetë që mbledhja të jetë me prezencë fizike pastaj çdo ditë, bordi do mblidhet me Zoom dhe të gjithë të tjerët që dëshirojnë të hyjnë dhe të ndjekin mund të hyjnë dhe të ndjekin, pra furnizuesit, dhe të gjithëve në fund do t’u jepet çmimi që do shfaqet në tabelë ditën e nesërme, nga Bordi. Nuk është absolutisht, aq qëllimi as prirja e qeverisë të imponojë çmime sepse kjo nuk funksionon, e dimë shumë mirë, por ama qeveria do të garantojë transparencën e plotë të çmimit, do të dëgjojë të gjithë argumentimin e strukturës së çmimit dhe pastaj do thotë fjalën e fundit për çmimin në këtë fazë, me objektivin që furnizimi të jetë i garantuar, furnizimi të jetë me një çmim ku të ardhurat e furnizuesve janë vetëm për të rezistuar pa humbje por jo për të fituar dhe marzhi i fitimit do të ngrijë sipas vendimit që do marrë bordi. Çdo furnizues që do vendosë në tabelën e pikës së furnizimit të tij të ndryshëm nga ai që vendos bordi, do humbasë pikën e furnizimit. Kjo do jetë e sanksionuar në ligj, nga akti normativ që nesër do jetë në fuqi, do jetë e sanksionuar që pika e furnizimit merret në administrim nga shteti.
Ndërkohë, dua t’iu informoj që ne si qeveri, ministria e Energjisë dhe Infrastrukturës do angazhohet për të krijuar rezervën e vet, duke përdorur Albpetrolin për të pasur aktorin e vet, për ditë të këqija, kuptohet. Ky është thjesht për informacion. Ne do jemi 100% në dispozicion për çdo ndihmë nëse do shohim që problematika e furnizimit do të agravohet dhe ju duhet të jeni 100% në dispozicion jo për të na ndihmuar ne, por për të qenë në lartësinë e kësaj sfide.
Kjo është situatë e jashtëzakonshme, mungojnë bombat, lavdi Zotit, mungojnë shkatërrimet, mungojnë dhimbjet e tmerrshme të plagëve fizike të luftës, pjesa tjetër është pasojë e kësaj lufte dhe këtë pasojë do ta përballojmë duke qenë të vetëdijshëm dhe duke dhënë shembullin, siç po e jep qeveria që ka marrë përsipër diçka që asnjë lloj llogarie racionale në kohë të zakonshme e pranon, të paguajë 80% të çmimit të energjisë për të mos i lënë asnjë gjyshi, asnjë gjyshe, asnjë prindi një faturë lufte, ku çmimi i energjisë kërcen dhe të gjithë po e paguajnë njësoj sikur nuk ka ndodhur asgjë dhe duam ta mbajmë këtë.
Ky është një shpenzim marramendës dhe larg qoftë të bënim të kundërtën, të rrisnim çmimin e energjisë për të hequr taksën e qarkullimit nga çmimi i naftës. Pra, të ngarkonim të gjithë popullin shqiptar dhe gjithë ata që janë më vulnerabël me një barrë që do ishte realisht psikologjikisht dërrmuese për të lehtësuar një pjesë tjetër, e cila ka më shumë mundësi.
Ama, kjo pjesa tjetër që ka më shumë mundësi nuk mund të jetë në asnjë mënyrë viktimë e spekulimit, abuzimit, çmimeve që kërcejnë, a thua se janë tabelat e Dow Jones dhe jo tabela e një pike karburanti, me sekonda. Kjo nuk ka sens që në këtë kohë një furnizues ka një çmim 240 e tjetri 260, tjetri shkon 270. Këto janë gjëra që mund të ndodhin në kohë normale, secili mund ti vërë çmimet si të dojë se këtë sistem kemi zgjedhur. Nuk jemi në komunizëm por sot kjo nuk mund të tolerohet dhe nuk do të tolerohet. Kush do shkojë tek pika e karburantit, do ta dijë saktësisht se sa po paguan dhe nuk po paguan që dikush të shfrytëzojë luftën për të bërë para në kurriz të tij. Këtë duhet të garantojmë ne, asgjë më shumë e as më pak. Në asnjë mënyrë të hyjmë në rrugën pa krye të shtrëngimit të furnizuesve që mund të çoje në falimentim. Ndryshe nga të tjerë, ju nuk do shkoni në shtëpi në darkë me humbje por ama nuk do shkoni me fitim. Do shkoni në shtëpi në darkë dhe do flini me idenë që i shërbyet popullit tuaj në kohë lufte, kaq. Asnjë bamirësi, në fakt, vetëm një shërbim .
Ju falenderoj shumë! Shpresoj t’i nënshtroheni me dashamirësi, me vetëdije dhe patriotizëm këtij vendimi. Për ketë arsye, në këtë moment, e drejta e fjalës kalon për në mbledhjen e bordit.