“Reforma administrative territoriale ka sjellë rritjen e të ardhurave dhe investimeve në çdo bashki” - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

“Reforma administrative territoriale ka sjellë rritjen e të ardhurave dhe investimeve në çdo bashki”

“Reforma administrative territoriale ka sjellë përmirësim të shërbimeve publike, mirëqeverisje, rritje të bashkëqeverisjes në komunitet, rritje të eficencës, rritjen e të ardhurave dhe investimeve publike në çdo bashki”.

Kështu u shpreh Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, gjatë fjalës së saj në seancën plenare të Kuvendit të Shqipërisë, ku u shqyrtuan dy raportet dhe rekomandimet e nxjerra nga Komisioni i Posaçëm Parlamentar “Për Reformën Administrativo-Territoriale në Republikën e Shqipërisë”.

Ministrja theksoi faktin se ligji i ri i financave vendore ndikoi në rritjen e decentralizimit fiskal, rritjen e autonomisë fiskale, stabilitetit financiar, si dhe operimin sipas rregullave të qartë dhe të saktë për menaxhimin e financave vendore.

Të ardhurat e pushtetit vendor kanë pësuar një rritje të ndjeshme me rreth 17.4 miliard lekë, në krahasim me vitin 2015, ndërkohë krahasuar me vitin 2022 janë rritur me rreth 1.5 miliard lekë.

Ministrja tha se mbështetja e qeverisë për njësitë e vetëqeverisjes vendore, nëpërmjet reformave të ndërmarra, pasqyrohet dhe në rritjen e transfertës së pakushtëzuar, e cila për vitin 2023, në krahasim me vitin 2022, do të jetë 3 miliard lekë më shumë, ose 16.1% më e lartë dhe krahasuar me vitin 2015.

Thjeshtimi i procedurave dhe eliminimi i burokracive është synim i qeverisjes, me qëllim që qytetarët të marrin shërbimet e duhura, në kohën e duhur.

Në këtë drejtim, Ministrja u shpreh se gjatë vitit të ardhshëm puna do të fokusohet në ngritjen e një sistemi ku shërbimet e qeverisjes vendore të ofrohen online dhe taksat vendore të mblidhen online, ashtu sikurse ato në qeverisjen qendrore.

Ministrja garantoi se qeveria do të vijojë mbështetjen e saj për njësitë e qeverisjes vendore në funksion të mirëmenaxhimit të financave publike të tyre, konsolidimi fiskal dhe monitorimit më të mirë fiskal të bashkive.

 

Fjala e Ministres Ibrahimaj:

E nderuar Kryetare e seancës,

Të nderuar deputetë,

Të nderuar qytetarë,

Sot po diskutohet një ndër reformat kryesore të qeverisë shqiptare, ecuria e saj dhe rezultatet e saj.

Për mua si Ministre e Financave dhe Ekonomisë është e rëndësishme që në këtë aspekt të diskutoj mbi disiplinën financiare të bashkive, e cila është tejet e rëndësishme jo vetëm për procesin e decentralizimit, por edhe në kontekstin e situatës që po jetojmë, ku na duhet të përballemi me masa të forta kursimi, por edhe menaxhimi me përgjegjësi të parasë publike dhe të ardhurave për t’iu ofruar shërbimet e nevojshme çdo qytetari.

Ndër prioritet e punës sonë është edhe rritja e performancës së bashkive, rritja e aftësive të tyre për të shtuar të ardhurat, duke u bazuar jo vetëm te burimet e tyre, por edhe duke tërhequr fonde të Bashkimit Europian.

Mesazhi kryesor, në vijim edhe të angazhimeve që kemi marrë, është disiplina financiare, sigurimi i burimeve të reja të të ardhurave, përgjegjshmëria më e lartë në raport me qytetarët dhe maksimizimi i përpjekjeve për të digjitalizuar shërbimet që duhet të ofrohen për qytetarët.

Reforma administrative territoriale ka sjellë përmirësim të shërbimeve publike, ka sjellë mirëqeverisje, rritje të bashkëqeverisjes në komunitet, rritje të eficencës dhe si rezultat rritje të të ardhurave dhe të investimeve publike në çdo bashki.

Ligji i ri i financave vendore ndikoi në rritjen e decentralizimit fiskal, rritjen e autonomisë fiskale, stabilitetit financiar, si dhe operimin sipas rregullave të sakta dhe të qartë për menaxhimin e financave vendore.

Gjatë viteve kemi pasur një rritje të ndjeshme transparencës dhe llogaridhënies, që kanë sjellë një rritje të përgjegjshmërisë së bashkive ndaj kryerjes së funksioneve të tyre bazë.

Të ardhurat, që nga viti 2015 e deri në vitin 2021, por edhe ato të planifikuara për deri në fund të vitit 2022, janë rritur me rreth 2.3 herë ndërkohë që shpenzimet, ku bëjnë pjesë dhe investimet, janë rritur me 67 %.

Të ardhurat vendore janë rritur në bazë të gjerë, si ato të transferuara nga pushteti qendror, ashtu edhe ato të mbledhura nga vetë bashkitë.

Transferta e pakushtëzuar ka pasur rritje të ndjeshme. Ajo është rritur me 40 % gjatë viteve të fundit dhe ligji i taksave vendore ka kushtëzuar këtë rritje, duke kushtëzuar transfertën me 1 % të PBB-së. Rritja e PBB-së ka sjellë edhe efekte pozitive, pra në rritjen me 40 % më shumë transfertë për të gjitha bashkitë.

Sa i përket performancës fiskale të njësive vendore, referuar edhe historikut të detyrimeve të prapambetura të tyre, në vitin 2015 vlera totale e detyrimeve të prapambetura ishte 12.1 miliardë lekë, ndërsa në fund të vitit 2021 kjo vlerë është 6.5 miliardë lekë. Kemi gati përgjysmim të detyrimeve të prapambetura. Edhe në vlerën 6.5 miliardë lekë, pjesa më e madhe e tyre, vjen si pasojë e detyrimeve të mbartura nga përpara reformës administrative territoriale.

Ne do të vijojmë me punën tonë me qëllim konsolidimin fiskal dhe monitorimin më të mirë fiskal të bashkive, pasi e kemi prioritet uljen e stokut të detyrimeve të prapambetura, i cili përveçse dobëson kredibilitetin financiar të bashkive, ndikon negativisht në shëndetin financiar të ndërmarrjeve në përgjithësi në vend, operatorëve që operojnë me bashkitë apo kontraktorëve të ndryshëm.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka publikuar për herë të parë këtë vit raportin mbi statusin e gjendjes financiare të njësive të vetëqeverisjesjes vendore, ku ka rezultuar se 44 bashki janë pa probleme financiare; 10 bashki me probleme financiare dhe 7 bashki me vështirësi financiare.

Flitet këtu se janë bashki që janë në faliment por ky fakt nuk është i vërtetë. Për bashkitë që janë me probleme financiare dhe në vështirësi financiare është hartuar dhe miratuar një plan rehabilitimi për daljen nga situata e problematike dhe vështirësitë financiare i cili po zbatohet dhe do të vijojë të zbatohet edhe gjatë vitit 2023.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë është duke monitoruar zbatimin e këtij plani duke dhënë rekomandime ndaj njësive të cilat kanë një ecuri jo pozitive në drejtim të rritjes së stokut të detyrimeve të prapambetura ndaj të tretëve.

Mbështetja jonë ndaj pushtetit vendor do të vazhdojë për të siguruar detyrimin që ne kemi ndaj qytetarëve dhe të gjitha këto detyrime të përmbushen në kohën e duhur.

Ne parashikojmë që të ardhurat e buxhetit të shtetit krahasuar me të pritshmin e vitit 2022 për vitin 2023 të jenë 7.7% më të larta. Të ardhurat e buxhetit vendor janë parashikuar të jenë 11% më të larta në krahasim me vitin 2021, ndërkohë që përpara vitit 2015 ato janë rritur me 92.5%.

Decentralizimi dhe fuqizimi i qeverisjes vendore vazhdon të mbetet një ndër prioritetet e qeverisë, ku reformat e ndërmarra deri më tani pritet të kenë ndikimin më të madh në organizimin e administratës publike vendore në funksion të rritjes së cilësisë në ofrimin e shërbimeve publike vendore. Në vijim të reformës administrativo-territoriale janë bërë reforma të thella në drejtim të menaxhimit financiar në nivel vendor. Reforma administrativo-territoriale dhe reformat që e kanë pasuar atë si ato financiare ka bërë që, të rriten të ardhurat e veta mbi dy herë, të rritet mbështetja buxhetore dhe për rrjedhojë të rriten mbi tre herë investimet dhe shërbimet publike për komunitetet vendore.

Të ardhurat e pushtetit vendor nga viti 2015 në vitin 2023 kanë pësuar një rritje të ndjeshme me rreth 17.4 miliard lekë, ndërkohë krahasuar me vitin 2022 janë rritur me rreth 1.5 miliard lekë.

Mbështetja që ka dhënë qeveria për njësitë e vetëqeverisjes vendore nëpërmjet reformave të ndërmarra pasqyrohet dhe në rritjen e transfertës së pakushtëzuar, e cila për vitin 2023, në krahasim me vitin 2022, do të jetë 3 miliard lekë më shumë, ose 16.1% më e lartë dhe krahasuar me vitin 2015.

Reforma e nisur nga qeveria për taksën e pasurisë do të reflektohet në rritjen e të ardhurave të pushtetit vendor. Në buxhetin e vitit 2023 taksa e pasurisë është parashikuar në vlerën 6.9 miliardë lekë krahasuar me vitin 2022 me një rritje prej 800 milionë lekë dhe krahasuar me vitin 2015, rreth 3 miliardë lekë më shumë të ardhura për njësitë e vetëqeverisjes vendore.

Të ardhurat nga taksat e ndara, krahasuar me vitin 2015, para reformës administrativo-territoriale, do të rriten me rreth 1 miliard lekë në vitin 2023, duke përfshirë edhe shpërndarjen e tatimit mbi të ardhurat personale (TAP) për njësitë e vetëqeverisjes vendore.

Të ardhurat e qeverisjes vendore nga Tatimi mbi të ardhurat personale deri në vitin 2022 janë rritur me 2.2 miliard lekë.

Ne do të vijojmë punën sa i përket mirëmenaxhimit të financave publike.

Jemi të vendosur që reforma në mbledhjen e taksës së pasurisë të vijojë jo vetëm në bashkitë pilot ku ne kemi filluar të zbatojmë programin e ri, por të shpërndahet në të gjitha bashkitë.

Nga ana tjetër, jemi të vendosur që të mos lejojmë me asnjë kusht krijimin e detyrimeve të reja të prapambetura dhe të likuidojmë ato detyrime të prapambetura që janë mbledhur gjatë viteve përpara reformës administrative territoriale.

E parë në këndvështrimin buxhetor dhe atë fiskal, reforma që ne kemi ndërmarrë ka rritur eficencën e menaxhimit të bashkive, ka rritur transparencën me të cilën fondet publike menaxhohen, ka rritur përgjegjshmërinë e administratorëve, pra të kryebashkiakëve, në drejtim të punës që ata kryejnë për komunitetin dhe qytetarët.

Qëllimi ynë është të thjeshtojmë procedurat dhe të eliminojmë burokracitë.

Prandaj gjatë vitit të ardhshëm ne do të punojmë që të ngremë një sistem ku shërbimet e bashkive të kryhen online njësoj si shërbimet e qeverisjes qendrore dhe gjithashtu taksat e bashkive të mblidhen online njësoj si ato të qeverisjes qendrore.

Jemi të vendosur si Ministri e Financave dhe Ekonomisë të jemi një partner i rëndësishëm në ndihmë të njësive të vetëqeverisjes vendore dhe këtë e dëshmon edhe buxheti vendor i vitit 2023, që po diskutohet këto ditë në komisionet parlamentare.

Faleminderit!

Previous Ersekë, në takimin me qytetarët për bilancin e punëve të kryera të bashkisë