Fjala e zëvendëskryeministres, njëherësh Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku:
Përshëndetje të gjithëve,
Me të vërtetë sot është një ditë për tu shënuar për sektorin energjetik, pasi askush nuk e mohon faktin që OSHEE-ja është ndërmarrja më e rëndësishme, ajo që ka kontaktin direkt me abonentin, me qytetarin, pa mohuar këtu të gjithë kontributin që jep KESH-i në prodhimin energjetik apo OST-ja në transmetimin e saj. Apo dhe vetë Ministria në të gjitha politikat që ka bërë gjatë 5 viteve të fundit të cilat kanë tashmë rezultatet të mirëfillta në incentivimin e sektorit.
Por unë sot do të ndalem pikërisht tek ju. Do të ndalem tek OSHEE-ja dhe tek çka duam të bëjmë me dije sot të gjithë punonjësve të OSHEE-së, ashtu siç edhe administratori e tha, dhe unë dua ta falënderoj Enean për të gjithë punën e mirë që ka bërë nga dita e parë që ka ardhur në këtë kompani, duke nisur një reformë të thellë e cila kryesisht kërkon që të optimizojë të gjitha parametrat e kësaj kompanie, duke nisur nga ato të burimeve njerëzore, ato financiare, teknike dhe çdo kapacitet tjetër që është i disponueshëm për të kryer detyrën tuaj.
Sot, unë kërkova këtë takim, edhe menduam që ishte diçka që duhej bërë, pasi OSHEE-ja kishte kohë që kishte një stanjacion përsa i përket kompensimit financiar. Gjej rastin këtu të falënderoj të gjithë punonjësit që kanë qenë në terren gjatë fundjavës së shkuar, ku me të vërtetë, ashtu siç zakonisht ndodh gjatë stinës së dimrit, vjeshtës apo pranverës, përballemi me problematika shumë të mëdha, por që ja dalim me sukses. Kemi përballuar edhe këtë stuhinë e dy ditëve të fundit në mënyrën më të mirë kështu që sot është dita për të dhënë lajme të mira.
Të gjitha pagat e OSHEE Group do të afektohen nga një rritje e cila varion sipas sektorëve, pasi vëmendja jonë kryesore dhe e gjithë puna që kemi bërë me administratorin brenda Ministrisë ka qenë për ti dhënë një shpërblim të merituar punonjësve të terrenit. Atyre që mbajnë peshën kryesore të rrjetit duke filluar nga elektriçistët, teknikët, inxhinierët dhe pse jo faturistët, të cilët janë zanafilla e mbledhjes së atyre të ardhurave që administratori juaj i deklaroi me krenari, dhe është për tu krenuar, pasi muaji tetor është mbyllur me një shifër rekord, me 113% të mbledhjes së të ardhurave. Çfarë do të thotë kjo, se dikush mendon që 100% duhen mbledhur të ardhurat, ky 13% nga vjen? Vjen nga ato muaj të mëparshëm, nga debite të mbartura, por që sot me punën e mirë që bëhet edhe ato po zgjidhen.
Të gjithë punonjësit e OSHEE do afektohen nga kjo rritje page, në kuadër të një politike të gjerë që Qeveria Shqiptare ka ndërmarrë, në kuadër të rritjes së pagave që kanë nisur tashmë në sektorin e qeverisjes qendrore dhe që padyshim do të kulmoj në muajin prill, për të gjithë ata që janë informuar apo që do të informohen edhe në dizenjimin e buxhetit këtë vit ne i kemi dhënë peshën kryesore kompensimit financiar të punonjësve të administratës publike në nivele të ndryshme, duke përdorur si instrument meritokracinë. E njëjta gjë ndodh edhe në ndërmarrjen tuaj.
Por ndërkohë, unë do ndalesha pak në gjithçka ka ndodhur vitet e fundit. Ne e përsërisim gjithmonë që e kemi gjetur me 45% humbje dhe sot që flasim kemi arritur gjatë kësaj vere që të shkojmë diku tek 18. ca përqind, që është një diferencë shumë e madhe. Por është diçka që duhet kuptuar nga të gjithë pse e përmendim humbjen teknike. Humbjet teknike përkthehet baraz me para. Duke optimizuar humbjet teknike, duke i ulur ato, vetëm gjatë një viti, vitit 2023, ne kemi arritur që të kursejmë 8 milion euro. 8 milionë euro të cilat përkthehen direkt në investime për optimizimin teknik të rrjetit.
Sistemi energjetik, pavarësisht se sot jeton ditët e tij më të mira, është përballur me disa sfida katër vitet e fundit. Jemi përballur me tërmetin, më pas me pandeminë dhe më pas me krizën energjetike. Dhe na është dashur në këto katër vite të tregohemi kursimtar dhe të kujdesshëm për të vetmen arsye pasi ka qenë vendim i Kryeministrit, Edi Rama dhe ka qenë vendim i Qeverisë Shqiptare, që çmimi i abonentit të mos prekej. Për këtë arsye na është dashur që të frenonim investimet, duke u munduar që përmes burimeve njerëzore, që jeni ju, të vazhdonim optimizimin dhe uljet teknike, por pa pasur mundësi për investime të vërteta. Të bllokuar në këto katër vite me synimin e vetëm për të mbrojtur qytetarin. Dhe sërish ja kemi dalë.
Por sot ndodhemi në kushte dhe në parametra të tjerë. Sot, kur mbledhja e të ardhurave ka arritur një shifër rekord, sot kur kemi plane të qarta investimi, sot kur ja kemi dalë që të rrisim pagën e secilit prej jush, sigurisht edhe investimet do të jenë në një nivel tjetër.
Kemi një studim të mirëfilltë të të gjithë territorit, kemi vendosur zonat prioritare, sigurisht tashmë është bërë e ditur që jemi duke punuar me intensitet në ato zona që i kemi identifikuar gjatë vitit të kaluar si zona turistike, por ne mund të kemi shumë, por janë disa prej tyre që kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme për shkak të numrit të shtuar të vizitorëve dhe duhet thënë se shoqëria sot ka nisur një plan investimesh prej rreth 40 milionë eurosh. Nga ana tjetër, sot që flasim janë lidhur kontratat për të gjitha ato punime të cilat arrijnë një vlerë rreth 15 milionë euro. Kjo është çka tregon se tashmë po futemi në një fazë të re. Po futemi në një fazë të rëndësishme e cila ka të bëjë me investime të qenësishme në fushën e shpërndarjes të energjisë elektrike.
Kini parasysh që nga ana tjetër ne i kemi ndërmarrë disa hapa të rëndësishëm, siç janë 500 mijë matësat elektronik, të cilët tashmë nuk lejojnë ato faturimet aforfe për të cilat shpeshherë është akuzuar OSHEE-ja dhe ka qenë dhe një problem që është mbartur ndër vite. Të gjitha këto, të bëra në një paketë së bashku, duke pasur dhe të gjithë përkushtim tuaj, të gjithë dëshirën për të kontribuar në këtë sektor, sigurisht duhet të shpërblehen me këtë pagë të re që ju do merrni.
Unë do ti referohem vetëm pagës së elektricistit, pasi ai ka qenë meraku im kryesor dhe me Enean kemi punuar pikërisht, duke u nisur nga baza dhe duke shkuar lart. Paga e elektricistit që deri më sot ka qenë rreth 50 mijë lekë, shkon në 70 mijë lekë, ashtu siç administratori tha kini parasysh që do të aplikohet për herë të parë edhe vjetërsia në punë, duke u bazuar mbi atë skemë që tashmë është aplikuar edhe në administratën publike. 0.6% është llogaritja e vjetërsisë së punës për 10 vitet e para, 0.8% nga viti 10 deri në vitin e 20 dhe 1% për 10 vitet e treta në punë. Nga çfarë di unë në këtë ndërmarrje ka plot njerëz me vështirësi, shumë të gjatë në punë mbi 20 vjet, rreth 30 vjet dhe për këtë arsye ne kemi nisur edhe një iniciativë të re të cilën unë do ta përsëris edhe njëherë sot, pavarësisht se numri i aplikimeve është mbi 270 për 309 pozicione pune.
Ne kemi lançuar në fillim një paketë e cila kërkon që ju si ndërmarrje të rekrutoni rreth 309 elektricistë të rinj, por që kemi vënë një kriter që ndoshta ishte pak i pakuptueshëm në fillim kur ne e lançuam, jo më shumë se 25 vjeç në moshë, djem dhe vajza. E kemi vënë këtë kriter pasi kjo ndërmarrje, që ka rreth 7 mijë punonjës, sigurisht ka burra dhe gra që punojnë prej vitesh, të cilët diku duhet ta lënë stafetën dhe ka ardhur koha që radhët tuaj të kenë gjak të ri, djem dhe vajza të reja, që do të kenë dëshirë t’ju bashkohen dhe do të kenë dëshirë të marrin dhe profesionin tuaj, atë që ju zhvilloni me shumë mjeshtëri.
Ne sot kemi 270 aplikime, kemi edhe disa ditë nga mbyllja e garës, kështu që unë shpresoj që të kemi aplikime aq sa kemi edhe vende pune, por madje të kemi dhe më shumë që të keni mundësi që të përzgjidhni më të mirët dhe është e rëndësishme që këtyre djemve dhe vajzave ti jepet suporti maksimal dhe mos ti vështirësohet jeta. Ju të kaloni kohë me to, ti shpjegoni sesi funksionon kjo ndërmarrje gjigande, që është e shtrirë në të gjithë vendin, dhe ata po vijnë dhe me këmbë të mbarë, pasi do vijnë dhe do fillojnë me rroga më të larta, ashtu siç e meritoni.
Në ndërkohë, ajo që unë do desha të përsërisja është që Enea, Blendi dhe të gjitha drejtuesit e tjerë, sot ndodhen para një sfide shumë të madhe. Para sfidës së reformimit të një prej ndërmarrjeve më të mëdha e cila e ka bërë njëherë një reformë. Pra, ka qenë ajo reforma që u nis në 2015-ën dhe që ishte shumë e suksesshme. Por, duke ndjekur shembullin e Qeverisë, duke ndjekur vetë shembullin e Kryeministrit ne nuk rreshtim kurrë së përmirësuari. Kështu që sot ka ardhur koha për një reformë akoma më të thellë, të bazuar mbi ju, mbi fuqinë punëtore, mbi burimet njerëzore që janë kapitali më i rëndësishëm i OSHEE dhe sigurisht duke pasuar pastaj me investimet e rëndësishme dhe të studiuara, jo investime sepse duhet të bëjmë, por thellësisht të studiuara, me një listë prioritare dhe në bazë të këtij zhvillimi dhe të kësaj reforme modernizimin, inovacionin dhe dixhitalizimin e ndërmarrjes.
Shumë faleminderit për vëmendjen. Ta gëzoni pagën e re dhe jam e sigurt që do ta justifikoni këtë vlerësim.