RRJETI MIA – THIRRJE E HAPUR
Mënyra si qytetarët informohen ka ndryshuar. Mënyra si kërkojnë informacion, si reagojnë, si ndërveprojnë me institucionet dhe si presin përgjigje ka ndryshuar.
Prandaj duhet të ndryshojë më tej edhe mënyra si shteti komunikon me ta.
Komunikimi publik nuk mund të jetë më vetëm përcjellje informacioni nga institucioni tek qytetari. Duhet të jetë një marrëdhënie e vazhdueshme, ku institucioni dëgjon, shpjegon, informon dhe përgjigjet, qartë, shpejt dhe me përgjegjësi.
Teknologjia, inteligjenca artificiale, platformat digjitale dhe formatet e reja të komunikimit na japin mundësi që deri dje nuk ekzistonin. Por ato rrisin njëkohësisht standardin që qytetarët kanë të drejtë të presin nga institucionet e tyre: saktësi, qartësi, transparencë, shpejtësi dhe akses të barabartë në informacion.
Pikërisht për këtë, Agjencia për Media dhe Informim hap Rrjetin MIA, një hapësirë të re për profesionistë, të rinj, krijues dhe njerëz me ide që duan të kontribuojnë në transformimin e komunikimit publik.
Kjo thirrje ka dy dyer hyrëse.
1) PUNO ME NE
MIA do të rekrutojë profesionistë të rinj për strukturat e komunikimit të institucioneve qendrore, duke krijuar një gjeneratë të re profesionistësh të komunikimit publik.
Kërkojmë njerëz që dinë të komunikojnë, por edhe të dëgjojnë. Që kuptojnë median tradicionale, por jetojnë natyrshëm edhe në botën digjitale. Që dinë të shkruajnë, të tregojnë përmes imazhit, të lexojnë të dhëna, të përdorin teknologjinë dhe inteligjencën artificiale dhe, mbi të gjitha, të kthejnë gjuhën e administratës në informacion të qartë dhe të dobishëm për qytetarin.
2) BASHKËPUNO ME NE
Jo të gjithë ata që kanë diçka për t’i dhënë komunikimit publik duhet domosdoshmërisht të punojnë brenda administratës.
Prandaj Rrjeti MIA do të jetë i hapur edhe për bashkëpunëtorë të jashtëm, profesionistë, ekspertë, krijues, studio, ekipe apo individë që kanë një ide, një projekt ose një zgjidhje konkrete.
MIA do të shqyrtojë këto propozime dhe do të mund të lidhë marrëveshje bashkëpunimi për ide dhe projekte të përzgjedhura, duke krijuar një rrjet të hapur ekspertize dhe krijimtarie në shërbim të institucioneve qendrore.
Pra, nuk po kërkojmë vetëm njerëz që duan një vend pune.
Kërkojmë edhe njerëz që kanë një ide të mirë dhe duan ta vënë atë në punë për publikun.
KË KËRKOJMË?
Profesionistë dhe të rinj me njohuri, përvojë apo ide në komunikim institucional dhe strategjik, marrëdhënie me median, gazetari dhe përmbajtje informative, komunikim digjital dhe rrjete sociale, teknologji dhe inteligjencë artificiale, të dhëna dhe vizualizim, video, dizajn, multimedia dhe formate të reja komunikimi.
Por kjo listë nuk është kufi.
Nëse je zëdhënës, gazetar, dizajn, programues, krijues përmbajtjeje apo ke një aftësi ose një ide që mund ta bëjë komunikimin mes institucioneve dhe qytetarëve më të mirë, Rrjeti MIA është i hapur edhe për ty.
SI APLIKOHET?
Në info@mia.gov.al dërgo:
Letër interesi
Një prezantim të shkurtër për veten, motivimin tënd dhe mënyrën si mendon se mund të kontribuosh.
CV
Përvojën profesionale, dipolomimin dhe aftësitë përkatëse.
Propozimin tënd për kontribut
Kjo është pjesa më e rëndësishme.
Mund të jetë një ide, një projekt, një metodë pune, një format i ri informimi, një zgjidhje teknologjike, një koncept vizual, një përdorim i inteligjencës artificiale apo çdo propozim konkret që mund ta bëjë komunikimin publik më të qartë, më të shpejtë, më transparent dhe më të aksesueshëm.
Në aplikim specifiko nëse dëshiron të konsiderohesh për rekrutim pranë strukturave të komunikimit të institucioneve qendrore, për bashkëpunim të jashtëm me Rrjetin MIA, apo për të dyja.
Dërgoni një video tuajën jo më shumë se 60 sekonda të xhiruar me smartphone ku të shpjegoni qartësisht idenë tuaj.
Nuk duam të dimë vetëm çfarë ke bërë deri sot.
Duam të dimë çfarë mendon se mund të bëhet më mirë nesër.
Rrjeti MIA është një rrjet njerëzish, aftësish, idesh dhe projektesh për një komunikim publik që dëgjon më shumë, shpjegon më qartë, përgjigjet më shpejt dhe i shërben më mirë qytetarit.
SI BËHET PËRZGJEDHJA?
Aplikimet do të vlerësohen mbi kritere të qarta dhe të bëra publike.
Për kandidatët që aplikojnë për t’u bërë pjesë e strukturave të komunikimit, MIA do të zhvillojë procesin e përzgjedhjes dhe rekrutimit për nevojat e institucioneve qendrore.
Për bashkëpunëtorët e jashtëm, propozimet e përzgjedhura mund të zhvillohen më tej dhe të bëhen objekt i marrëveshjeve konkrete të bashkëpunimit me MIA n.
Sepse sfida nuk është që shteti të flasë më shumë.
Sfida është të dëgjojë më mirë, të shpjegojë më qartë, të përgjigjet në kohë dhe të jetë aty ku qytetari kërkon informacionin dhe përgjigjen e tij.
Aftati i aplikimit për këtë thirrje është deri më 10 shtator 2026, ora 23:00.