Samiti i Diasporës, Ministri Hoxha: Atlas aktivitetesh dhe platformë regjistrimi për diasporën, drejt përfshirjes konkrete në zhvillimin e vendit

Shqipëria synon një qasje më të strukturuar dhe të orientuar drejt rezultateve në marrëdhënien me diasporën, përmes krijimit të një “atlasi” të aktiviteteve dhe një platforme për regjistrimin vullnetar të shqiptarëve jashtë vendit. Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, i paraqiti këto nisma gjatë Samitit të IV të Diasporës, si pjesë e Strategjisë Kombëtare të Diasporës 2026-2030.

Gjatë fjalës së tij në panelin “Rruga përpara – Nga komunikimi te bashkëveprimi”, ministri u shpreh se mungesa e një panorame të plotë mbi aktivitetin e diasporës mbetet një nga sfidat kryesore. Krijimi i një atlasi do të shërbejë për të evidentuar kontributet dhe angazhimet e komuniteteve shqiptare në vende të ndryshme, si dhe për të ndërtuar një bazë më të qartë për bashkëpunim institucional dhe rrjetëzim mes tyre.

Në këtë kuadër, po punohet edhe për një platformë regjistrimi vullnetar, e cila synon të identifikojë shpërndarjen e shqiptarëve jashtë vendit, fushat ku ata operojnë dhe potencialin e tyre për të kontribuar në zhvillimin ekonomik dhe social të Shqipërisë.

Hoxha theksoi se qasja e re nuk synon rikthimin fizik të emigrantëve, por përfshirjen e tyre si aktorë aktivë në zhvillimin e vendit, përmes bashkëpunimit konkret me institucionet. Ai nënvizoi se diaspora duhet të shihet si një zgjatim i Shqipërisë, me potencial të rëndësishëm në ekonomi, kulturë dhe diplomaci.

Strategjia e re për diasporën, ende në proces hartimi, parashikon masa të matshme dhe një plan veprimi të qartë, të lidhur ngushtë me procesin e integrimit në Bashkimin Evropian. Ajo synon forcimin e koordinimit institucional, garantimin e të drejtës së votës dhe përfaqësimit, si dhe mbështetjen e identitetit kombëtar përmes gjuhës dhe kulturës.

Ministri Hoxha nënvizoi se integrimi i çështjeve të diasporës në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme synon rritjen e koordinimit dhe efektivitetit të politikave, duke e vendosur diasporën në një rol më të drejtpërdrejtë në procesin e zhvillimit dhe afrimit të vendit me standardet evropiane.