Samiti për Ballkanin e Hapur, Beograd/ Ballkani është për Evropën, po kaq i rëndësishëm sa ç‘është Europa për Ballkanin - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Samiti për Ballkanin e Hapur, Beograd/ Ballkani është për Evropën, po kaq i rëndësishëm sa ç‘është Europa për Ballkanin

Samiti i radhës për Ballkanin e Hapur çeli sot punimet në Beograd, Serbi me pjesëmarrjen e liderëve partnerë të nismës për të vijuar me një sërë takimesh dhe aktivitetesh gjatë ditës së sotme. Kryeministri Edi Rama iu adresua Samitit me një fjalë, ku ndër të tjera theksoi se Ballkani është për Evropën, po kaq i rëndësishëm sa ç ‘është Europa për Ballkanin.

* * *

Përshëndetje!

Jam i lumtur të shoh këtu përballë ambasadorin Chris Hill, i cili si të gjithë amerikanët e suksesshëm që vijnë në këtë rajon di dhe gjuhën e tij, di dhe gjuhën tonë, prandaj kur flisni në prani në tyre bëni kujdes se na kuptojnë jo vetëm në anglisht, por na kuptojnë dhe kur flasim gjuhën tonë.

Jam po ashtu shumë i kënaqur që këtu sot me ne janë edhe dy miq shumë të rëndësishëm për ne, që përfaqësojnë dy vende po kaq të rëndësishme për rajonin tonë, ministri i jashtëm i Turqisë, miku ynë dhe miku im i dashur Mevlüt Çavuşoğlu, të cilin dua ta falenderoj për praninë e tij. Turqia është një partner i pazëvendësueshëm strategjik i Shqipërisë, por edhe aleat i gjithë proceseve pozitive në rajonin tonë si dhe ministri i Jashtëm i Hungarisë, miku ynë  Peter Szijjarto, që po ashtu dua ta falenderoj.

Ashtu sikundër, e kemi bërë publike në Samitin e shkuar, ne ftuam edhe ministrat e Jashtëm të Greqisë dhe Italisë, që për arsye objektive dhe pamundësie, me ndjesën elegante nuk mundën të ishin këtu, por do të jenë përsëri të ftuar dhe shpresoj të jemi të gjithë së bashku të pranishëm në Samitin e ardhshëm në Tiranë.

Për ne është shumë e rëndësishme që kësaj nisme jo vetëm t’i bashkohen të gjitha vendet e rajonit tonë, por t’i bashkëngjiten vende kaq të rëndësishme sa Turqia, Greqia apo Italia, si dhe Hungaria në anën tjetër.

Kur po diskutonim Ballkanin e Hapur, një koleg kryeministër nga një tjetër vend i Bashkimit Europian, më tha: “Po ne pse nuk jemi ftuar?”. I thashë “do ta diskutoj me kolegët e mi dhe me siguri do jemi të hapur t’ju ftojmë” dhe më vjen shumë mirë që po shohim shenja që po vjen dita që duan të ftohen në Ballkanin e Hapur gjithnjë e më shumë vende që i përkasin atyre hapësirave ku ne kemi kaq shumë vite që presim të ftohemi, çka për mua, konfirmon se Ballkani është për Europën po kaq i rëndësishëm sa është Europa për Ballkanin dhe jam i bindur që do jetë gjithmonë e më shumë e qartë për të gjithë miqtë tanë.

Sot ne vijmë këtu pas një pasditeje për tu mbajtur mend, për hir të të vërtetës, në panairin e verërave të rajonit, ku patëm mbi 100 prodhues si dhe të ushqimit ku pamë së bashku, në të njëjtën hapësirë, dhjetëra shefa të kuzhinës në vendet tona, në një zonë me një paraqitje dhe organizim fantastik, për të cilin dua ta falenderoj presidentin Vuçiç dhe gjithë ekipin e tij sepse panairi nuk kishte asgjë më pak sesa panairet e të njëjtës fushë me famë botërore dhe në këtë panair ishim bashkë me prodhuesit tanë dhe prodhues nga shumë shtete të mirënjohura për prodhimin e verës, në një hapësirë ku përtej asaj që duket, filloi të zhvillohet një tjetër potencial i madh ekonomik dhe turistik.

Dje mund të kishte qenë një ditë krejt tjetër, për hir të vërtetës. Dje ne mund të mos ishim fare këtu. Dje mund të ishte një tjetër ditë ku mediat tona dhe mediat e Europës dhe mbase edhe të botës të ishin të mbushura me lajme shqetësuese për atë që ndodh në kufirin mes Serbisë dhe Kosovës dhe dita e djeshme tregoi qartë se cila është rruga dhe zgjedhja e Ballkanit të Hapur.

Sot dua ta them këtu me shumë krenari dhe me shumë kënaqësi që edhe zgjidhja e lëvizjes me karta identiteti është një zgjidhje e Ballkanit të Hapur dhe dje ia kam thënë një gazetareje serbe, që nuk do kishte qenë nevoja të shpenzohej gjithë ajo energji dhe të humbej gjithë ajo kohë nëse edhe Kosova edhe vendet e tjera do ishin në Ballkanin e Hapur. Për këtë dua realisht edhe publikisht t’i shpreh respektin tim presidentit të Serbisë që duke e materializuar këtë zgjidhje ka dhënë edhe një sinjal shumë të qartë për të gjithë; zgjedhja është e parë është paqja, zgjedhja e parë është zgjidhja për njerëzit. Natyrisht që kjo nuk zgjidh të gjithë atë që mbetet për tu zgjidhur, kjo as nuk e bën çështjen që ne na ndan një çështje të zgjidhur, por kjo është rruga.

Nga ana tjetër, sot ne nuk jemi këtu thjesht për të celebruar verërat dhe ushqimin e rajonit dhe për të afruar më shumë njerëzit, hap pas hapi, siç treguam dje, por jemi këtu në Samitin e dytë që zhvillohet në kontekstin e luftës në Ukrainë dhe jemi këtu për të marrë disa hapa që nisen edhe nga ky kontekst. Përpara sesa t’i numëroj këto hapa, dua të them këtu një fakt sepse ka ndodh midis të dy Samiteve; në kontekstin e krijuar nga lufta vendet u përballën me ankthin e furnizimit me grurë, me drithëra dhe produkte ushqimore dhe pjesë e kësaj situate kaq shqetësuese ishte dhe Shqipëria sepse importuesit tanë të drithërave kishin kontrata me prodhuesit serb në një kontekst kur edhe Serbia, si të gjitha vendet e tjera eksportuese, bllokoi çdo eksport.

E pra, ishte Ballkani i Hapur dhe ishte kjo lidhje gjithmonë e më solide mes nesh e vende të Ballkanit të Hapur që i çliroi menjëherë kontrata e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut dhe këtu nuk flasim për gjëra simbolike, këtu nuk flasim as për politikë, këtu flasim për ushqim, për bukë, për ushqimin bazë të popujve.

A do të ishte e mundur kjo nëse ne do të ishim në rrugën e konfliktit permanent që trashëguam nga e kaluara? S’do të kishte si të ishte e mundur.  A do të ishte e mundur që sot ne të nënshkruanim një marrëveshje për sigurinë ushqimore mes vendeve tona, për të ecur më tutje me krijimin e rezervave ushqimore, me magazinimin, lehtësimin, duke bashkuar forcat për të vënë në dispozicion të vendeve tona të gjitha gjërat që ne kemi.

A do të ishte e mundur sot që ne të nënshkruajmë më tutje, të hedhim një hap tjetër për sigurinë energjetike, pasi në samitin e kaluar kemi krijuar një grup të përbashkët për këtë dhe në ndërkohe që furnizimi me energji është një problem dramatik botëror europian dhe në ndërkohë që buxhetet tona kanë hyrë në një rrugë hemorragjike për të garantuar energjinë, ne të mund përsëri të bashkojmë forcat dhe çfarë e ka Serbia apo Maqedonia e Veriut ta ketë në dispozicion dhe Shqipëria për atë pjesë që është e mundur dhe anasjelltas.

Ne e dimë shumë mirë që prodhimi në Serbi dhe në Maqedoni është i bazuar tek termo ndërkohë që tek ne është i bazuar tek hidro. Kush do të mund ta imagjinonte që sot për t’i ardhur në ndihmë vetes, jo për të ndihmuar tjetrin, por vetes, duke ndihmuar tjetrin dhe duke u ndihmuar nga tjetri ne mund të parashikojmë marrëveshje që japin mundësi, që shfrytëzojnë potenciale që ne i kemi përsa i përket termos dhe ne të marrim më shumë energji.

Po kështu mund të vazhdoj me investimet. Kemi rënë dakord që të krijojmë një sinergji për të thithur investime më të mëdha në rajon, duke shfrytëzuar eksperiencat, eksperiencën fantastike që ka Serbia për thithjen e investimeve. Eksperiencën shumë të respektueshme që ka Maqedonia e Veriut , sëbashku me eksperiencën tonë në funksion të ofrimit të hapësirës së Ballkanit të Hapur dhe për investitorët. E kemi thënë këtë shumë herë, tani po e artikulojmë.

Së fundmi, kush mund ta imagjinonte që ne do të kishim kapacitete të reja operacionale për të përballuar emergjencat? Sot ne po i krijojmë këto kapacitete dhe po ecim bashkërisht.

Dua ta mbyll duke thënë se faktet dhe shifrat përtej fjalëve, flasin vet. Mjafton të shikoni, jo shumë, por 7 muajt e fundit çfarë ka ndodhur me vëllimin tregtar mes tre vendeve. Mjafton të shikojmë sa është rritur eksporti i produkteve bujqësore dhe i fertilizatorëve nga Shqipëria drejt Serbisë apo Maqedonisë së Veriut. Mjaftojnë të shohim sa janë rritur flukset për të kuptuar se çfarë kohe dhe sa shumë vite kemi humbur dhe se çfarë potenciali të madh ka akoma ndërkohë që po t’i shohim shifrat, ato janë ende krejt qesharake në raport me çfarë duhet të jenë, por ama janë jashtëzakonisht inkurajuese në raport me çfarë ishin, që ishin fare modeste.

Të gjitha këto lidhen me njerëzit, të gjitha këto lidhen me fermerët, të gjitha këto lidhen me importuesit, lidhen me eksportuesit, të gjitha këto lidhen me konsumatorët, lidhen me qytetarët, nuk lidhen me mua, as me presidentin e Serbisë, as me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut dhe as me të tjerët. Ne nuk kemi shpikur rrotën. Ne thjesht modestisht kemi marrë përsipër të marrim shembullin e suksesit të të tjerëve që kanë kaluar nga rrugët e konflikteve, kanë kaluar nga rrugët e luftërave, kanë kaluar nga  rrugët e urrejtjeve, kanë kaluar nga rrugët e izolimit prej njëri-tjetrit dhe në fund kanë vendosur të bashkëpunojnë si banorë të së njëjtës lagje.

Kjo është lagja jonë. Një lagje e cila ka kaq shumë probleme të trashëguara dhe e cila ka trashëguar edhe një prapambetje kronike me të cilën ne duam të luftojmë deri në fund sëbashku.

Ju falënderoj shumë të gjithëve edhe një herë. Jam i bindur që tanimë Ballkani i Hapur dhe kjo nismë nuk ka nevojë për justifikime më, nuk ka nevojë as për të shpjeguar si gjysmë të zënë në faj se pse po e bëjmë. Tani kjo nismë flet vet. Tani kush ka sy për të parë, shikon. Kush ka vesh për të dëgjuar, dëgjon. Kush ka vizion dhe dëshirë për paqe, kupton. Tanimë ne jemi gjithmonë e më të përfshirë për të nxjerrë maksimumin nga kjo nismë, ku i ftojmë të gjithë dhe me këtë rast dua të them se do ta ri konsiderojmë këtë nismë edhe për të tjerë miq, partnerë në vende të tjera të BE. Askush nuk duhet të bëhet xheloz për ne. Askush nuk duhet ta shikojë me dyshim pse janë ftuar të gjithë, pse ftohen grekët, pse janë në tryezë hungarezët, pse do vijnë italianët. Do t’i ftojmë pa asnjë problem. Rëndësi ka që ambasadorin amerikan e kemi këtu, do ta kemi në çdo samit, kështu që jemi të mbrojtur nga çdo keqkuptim që mund të krijohet te ambasadori amerikan, që mund të krijojë pastaj problem për Ballkanin e Hapur.

Shumë faleminderit të gjithëve dhe një herë! Faleminderit dhe përfaqësuesit të BE këtu në Beograd që është i pranishëm dhe me shumë respekt dhe shumë falënderim për këtë mikpritje, këtë organizim. Vërtetë që ne e kemi organizuar të tre bashkë, por mikpritësit dhe organizuesit e gjithçkaje që kemi realizuar, janë të zotët e shtëpisë këtu dhe ne jemi shumë të kënaqur që së bashku kemi arritur të tregojmë konkretisht një pasqyrë kuptimplotë të Ballkanit të Hapur.

Previous Nënshkruhen marrëveshje të rëndësishme bashkëpunimi në Samitin për Ballkanin e Hapur, Beograd

Leave Your Comment