Shkodër, Konferencë për shtyp e Kryeministrit Edi Rama mbi takimin e përbashkët të punës dhe bashkëpunimin Qeveri - Bashki - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Shkodër, Konferencë për shtyp e Kryeministrit Edi Rama mbi takimin e përbashkët të punës dhe bashkëpunimin Qeveri – Bashki

Mirëmbrëma! Shumë faleminderit për durimin e disave që kanë ardhur nga Tirana. Mirëse ju gjeta disave që janë këtu në Shkodër.

Sot kemi pasur një takim të zgjeruar të qeverisë me kryetarët e bashkive dhe një sërë drejtuesish të disa agjencive që janë të lidhura edhe me funksionimin e pushtetit vendor dhe kemi diskutuar për një sërë temash me rëndësi, të cilat përbëjnë edhe pikat e referimit për ecurinë e mëtejshme të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Europian pasi është një proces që, siç e kam thënë dhe nuk do të duhet të mërziteni nëse do ta dëgjoni ta përsëris shpesh, kërkon angazhimin, kërkon këmbënguljen dhe kërkon rezultate nga të gjithë, jo thjesht nga qeveria, sepse nuk integrohet qeveria në Bashkimin Europian, integrohet Shqipëria dhe kjo do të thotë që puna e qeverisë është shumë e rëndësishme, por është një pjesë e punës, siç është një pjesë e punës puna e parlamentit, siç është një pjesë e punës puna e pushtetit gjyqësor, siç është një pjesë tjetër  e punës puna e pushtetit vendor, siç është një pjesë tjetër e punës puna e sektorit privat, e medias e kështu me radhë.

Kështu që, jemi në nevojën e madhe të rritjes së ritmit, të përshpejtimit të procesit të modernizimit të qeverisjes në të dyja nivelet si dhe të rritjes së cilësisë së kapitalit njerëzor.

Kemi diskutuar një sërë temash, siç thashë. Ministri për Pushtetin Vendor ka bërë një parashtrim duke u nisur nga momenti i fillimit të zbatimit të Reformës Administrative Territoriale, ku një sërë të dhënash mbi këtë reformë tregoi qartë që ka qenë gjëja e duhur, por nga ana tjetër kemi disa sfida me rëndësi, ndër të cilat kemi sfidën e përafrimit të performancës së njësive të pushtetit vendor me mbështetjen nga qeveria. Kemi sfidën e një mesatareje të arsyeshme të perfomancës në të gjitha bashkitë pasi ka nivele performance të ndryshme dhe kjo normal, por me diferenca ndonjëherë të forta.

Kemi domosdoshmërinë e rivlerësimit të nivelit të pagave të bashkive sepse sot bashkitë e Shqipërisë janë të ndara në 5 nivele, duke u bazuar tek numri i banorëve dhe këtyre 5 niveleve u përkojnë edhe nivelet e pagave. Ne do të kalojmë në dy nivele dhe do të bëjmë një rritje të pagave për t’i përafruar mundësitë e shpërblimit të punonjësve në bashkitë e nivelit të dytë me ato të nivelit të parë, në mënyrë që ajo që sot po e përjetojnë një pjesë jo e vogël e bashkive, kryesisht ato që janë më të vogla, që nuk arrijnë dot të punësojnë specialistë në fusha të caktuara për shkak të pagës së ulët dhe të pozicionit të tyre gjeografik, të adresohet dhe kjo barrë të lehtësohet në mënyrë të arsyeshme.

Kemi sfidën e një mbledhjeje  më uniforme të taksës së pronës. Në një numër të caktuar bashkish kjo ndodh me një rezultat progresivisht më pozitiv, në një numër të caktuar bashkish kjo thuajse nuk ndodh fare.

Po ashtu, të një performance shumë më të mirë në mbledhjen  e tarifës së pastrimit. Ka bashki me rezultate shumë të mira, ka bashki me rezultate që lënë shumë për të dëshiruar.

Kemi diskutuar për domosdoshmërinë e një qasjeje të re të bashkive ndaj një pasurie të madhe që janë pyjet, në sensin që pasi kemi garantuar një nivel të arsyeshëm mbrojtjeje të pyjeve nga shkatërrimi dhe nga keqpërdorimi i kësaj pasurie, na duhet tani që këtë pasuri ta vëmë më shumë në dispozicion të rritjes ekonomike të vendit, duke filluar nga rritja ekonomike e bashkive. Për këtë kemi një plan që e kemi ndarë me kryetarët e bashkive për t’i mbështetur që të gjitha bashkitë që kanë pasuri pyjore të kenë në plane të mirëfillta mbarështimin e pyjeve. Sot janë 67% e bashkive që nuk kanë plane të tilla dhe kjo është një shifër alarmante.

Kemi diskutuar për çfarë sjell për bashkitë hyrja e Shqipërisë në këtë fazë të re të jetës së vet që janë bisedimet për anëtarësim dhe njëkohësisht instrumenti i ri i Bashkimit Europian, që është plani i rritjes, Plani i Ri i Rritjes që praktikisht e angazhon Shqipërinë me një sërë programesh europiane ku bashkitë kanë mundësi të reja për të aksesuar fonde në Bashkimin Europian. Për këtë kemi diskutuar dhe për strukturën përkatëse në mbështetje të tyre për të shkruar dhe për të aplikuar me projekte që do të mund të sjellin të ardhura shtesë për bashkitë.

Kemi diskutuar për lehtësimin e domosdoshëm të procedurave të lejeve të ndërtimit në fshat, në mënyrë që njerëzit që ndërtojnë shtëpitë e tyre apo riparojnë shtëpitë e tyre të mos kenë të njëjta procedura si banorët e qytetit apo të zonave që kanë rëndësi, nga pikëpamja e trashëgimisë kulturore apo nga pikëpamja e mbrojtjes së natyrës, që janë zona me kritere shumë të rrepta dhe patjetër edhe për një qasje të koordinuar me bashkitë për procesin e legalizimeve të mbetura.

Kemi një numër jo të vogël legalizimesh të mbetura që, për arsye jo dhe aq të pakuptueshme, janë si të thuash, në bllokun e fundit të këtij procesi, por duke angazhuar edhe bashkitë në këtë proces, besoj se do t’i japim një shtysë më të madhe procesit, pasi shikojmë që në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, përmirësimet e ndjeshme që bëhen në mënyrë të vazhdueshme me sistemin  e shërbimit për hipotekën, nuk ecin paralelisht me përmirësimin që duhet të bëjmë në adresimin e legalizimeve sepse janë dy procese krejt të ndryshme, por edhe sepse mbase na duhet edhe ndihma e bashkive.

Këto janë pak a shumë temat kryesore.

Kemi folur për një program të madh të digjitalizimit të shërbimeve ne bashki ku do të financojmë rreth 50 milionë euro në bashkëpunim me Bankën Botërore dhe jemi fokusuar në mënyrë të posaçme tek sezoni turistik, shifrat e dy muajve të parë janë përtej çdo parashikimi përsëri dhe nëse trendi do të vazhdojë kështu, edhe sipas të gjitha gjasave do të vazhdojë kështu, atëherë numri i 10 milionë turistëve të vitit të shkuar do të rritet në mënyrë shumë të ndjeshme, çka për bashkitë dhe për vendin tonë do të thotë një rritje shumë e ndjeshme e volumit të mbetjeve që duhen pastruar dhe që duhen trajtuar për të marrë vetëm njërin nga aspektet por që është një nga aspektet që lidhet drejtpërdrejt me punën e bashkive dhe nga ana tjetër kemi diskutuar edhe për kalendarin e ri kulturor dhe artistik të këtij sezoni që do të jetë më i pasur dhe kemi dëgjuar në të njëjtën kohë gjatë gjithë ditës edhe në tryeza të veçanta, të gjitha opinionet dhe sugjerimet e kryetarëve të bashkive për çështje si këto që thashë apo edhe për çështje më specifike për zona të caktuara apo për bashki të caktuara.

Një tjetër pikë e rëndësishme ka qenë ringjallja e aseteve të vjetra; shkolla të vjetra, godina të braktisura, qendrash të kahershme shëndetësore, repartesh ushtarake të mbetura nëpër zona të caktuara që s’kanë më asnjë përdorim për t’i futur në ekonomi, për t’i futur në punë përmes projekteve të pushtetit vendor.

Nuk po zgjatem më tutje, po ua lë juve fjalën për të bërë pyetjet, por në tërësi ka qënë një mbledhje për detyrat e përbashkëta të shtëpisë, nëse mund ta quaj kështu edhe ka pasur shumë ndërveprim edhe shumë rezultat sipas nesh.

* * *

Pyetje: Zoti Kryeministër, a ka një marrëveshje mes maxhorancës dhe opozitës për t’i kthyer normalitetin parlamentit pas shumë muajsh në kaos, duke i plotësuar disa prej kërkesave të tyre siç është ngritja e disa komisoneve hetimore, dhe në kuadër të këtij bashkëpunimi të diskutuar, pjesëmarrrja e 6 kryebashkiakëve të opozitës ditën e sotme, a ështw një tregues i një qasje të ndryshuar nga ana juaj për bashkëpunimim me Non Gratën? Faleminderit.

 

Kryeministri Edi Rama: Faleminderit për të dyja pyetjet. Lidhur me pyetjen e parë unë realisht nuk arrij ta kuptoj nëse ata, të cilët komentojnë marrëveshje për  ngritjen e disa komisioneve hetimore, nuk kuptojnë apo bëjnë sikur s’kuptojnë apo ju duhet që të bëjnë komente sepse ne e kemi thënë shumë kohë përpara, dhe është e njwjta gjë që përsërisim: Ne nuk kemi refuzuar dhe nuk kemi shkelur asnjë të drejtë për ngritjen e komisioneve hetimore. Ne kemi refuzuar të votojmë iniciativa që nw emrin e “komision hetimor’’ shkelnin kornizën e mirëpërcaktuar nga vendimet e Gjykatës Kushtetuese.

E kemi thënë dhe e kemi përsëritur dhe e përsëris prapë, kjo nuk është çështje marrëveshjeje, as negociatash. Kjo është çështje të drejtash. Opozita apo opozitat apo një numër deputetësh kanë të drejtë të ngrenë një komision hetimor, por komisioni hetimor duhet të jetë brenda kornizës së mirëpërcaktuar nga vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Çdo iniciativë që është e tillë ka miratimin tonë.  S’ka këtu nevojë as për marrëvëshje, as për negociata, as për bisedime. Kjo është shumë, shumë e thjeshtë dhe natyrisht diskutimet për këtë bëhen në komision kur paraqiten iniciativa.

 

S’ka këtu lidhje fare me asgjë tjetër, ashtu sikundër besoj që kanë kaluar disa muaj qëkurse unë e kam thënë dhe e kam përsëritur që, përsa i përket komisionit për reformën zgjedhore, është një praktikë, e cila ka dalë nga konteksti i kohës në të cilën jetojmë dhe me mbarimin e afatit, të paktën ne, PS, ato ato gjëra, të cilat do të donim t’i adresonim përmes një komisioni të reformës zgjedhore për ligjin zgjedhor, do t’ia lëmë në tryezë Kuvendit dhe nëse do ketë të tjerë që do të duan të lënë propozimet e tyre, do t’i lënë sepse është e drejtë e tyre.

 

Pastaj nëse do të ketë vota, do të ketë vota, nëse s’do të ketë vota, do të ketë zgjedhje me ligjin ekzistues sepse janë plotësisht të mundura të bëhen. Kaq e thjeshtë është kjo.  Përsa i përket ftesës së bërë me të gjithë kryetarët e bashkive, është krejt normale aq më tepër që në të gjithë këtë periudhë unë kam parë me kënaqësi për hir të së vërtetës, që kryetarët e bashkive kanë bërë punën e kryetarit të bashkisë dhe nuk kam parë asgjë më shumë se kaq dhe më vjen shumë mirë për këtë. Më vjen shumë mirë për ta, më vjen shumë mirë për komunitetet e tyre që janë kryetarë bashkish, nuk janë altoparlantë partie.

-Zoti Kryeministër tashmë që kemi një vendim të Gjykatës përsa i përket Fredi Belerit, a mendoni se do të kemi së shpejti ose brenda pak muajsh, zgjedhje për kryetarin e bashkisë së Himarës? Faleminderit.

 

Kryeministri Edi Rama:  Ju e dini shumë mirë këtë çështje, ju e dini shumë mirë edhe arsyen pse ne faktikisht s’kemi patur zgjedhje. Ka qenë thjesht dhe vetëm një qasje e  vullnetit të mirë të Shqipërisë. Do të presim vendimin e  Gjykatës së Apelit dhe pastaj do të veprohet sipas ligjit, po duhet t’ju kujtoj se zgjedhjet e reja nuk i shpall Kryeministria, i shpall Presidenti i Republikës kështu që është një proces që do të ndjekë të gjithë procedurën sipas ligjit dhe sipas standarteve demokratike që ka Republika e Shqpërisë. Do të kishte qenë vërtetë fort e udhës që drejtësia shqiptare të ishte lënë e qetë siç e kemi lënë ne të qetë për të githa çështjet brenda, nga cilido qoftë jashtë Shqipërisë sepse është drejtësia shqiptare që vendos për çdo çështje që lidhet me qytetarë të Repubikës së Shqipërisë dhe zotëria është qytetar i Republikës së Shqipërisë. Nuk është as mbi të tjerët, as nën të tjerwt dhe ligji është i barabartë për të gjithë dhe për ne dhe për mua personalisht, që nuk komentojnë vendimet e drejtësisë, tingëllon paksa cingërisëse që dëgjojmë zëra në gjuhë të huaj që komentojnë vendimet  e gjykatave të Republikës së Shqipërisë.

 

– Sa u takon borxheve, një prej problemeve të rëndësishme që hasin bashkitë, a do ndërhyjë qeveria për të marrë përsipër një pjesë të borxheve dhe së dyti, sa u takon pagave të reja që ju përmendet për punonjësit e bashkisë a ka një afat kur mund të aplikohen ato dhe do të jetë për çdo punonjës bashkie apo vetëm për aparatin qendror të bashkive përkatëse?

Kryeministri Edi Rama: Unë kam këtu disa të dhëna që flasin për atë që thashë më parë, se si Reforma Administrative Territoriale ka ndihmuar në nivelin e të ardhurave të qeverisjes vendore, në nivelin e shpenzimeve por ka ndihmuar dhe në nivelin e uljes së detyrimeve. Më lejoni t’ju them disa shifra. Të ardhurat vendore në vitin 2023, kjo lidhet natyrisht dhe me të tjera gjëra, me rritjen ekonomike etj, por krahasuar me vitin 2015, të ardhurat vendore, pra të ardhurat e vetë bashkive janë rritur 271%. Pra në vitin 2015 zgjedhjet e para pas ardhjes sonë në detyrë, të ardhurat vendore kanë qenë 13.1 miliard, pra 131 milionë euro nëse i marrim sot dhe sot janë 310 milionë euro. E dyta shpenzimet vendore të shpenzimeve të pushtetit vendor, tërësore, në vitin e shkuar kanë qenë 102% më të larta në krahasim me vitin 2015, pra nga 2.1% të prodhimit të përgjithshëm kombëtar kanë vajtur në 3.1 % e prodhimit të përgjithshëm kombëtar që është një shifër domethënëse. Tek detyrimet, se pyetja për detyrimet u bë shkak për këtë zgjatje, detyrimet vendore janë ulur 60%. Pra në 2015-ën pushteti vendor ka pasur 12 miliardë ose 120 milionë euro detyrime. Sot ka vetëm 48 milionë, që do të thotë që bashkimi i komunave dhe krijimi i këtyre bashkive ka racionalizuar në mënyrë të ndjeshme edhe aspektin financiar të qeverisjes vendore duke rritur të ardhurat, duke shtuar mundësitë për të bërë investime dhe duke ulur detyrimet në mënyrë të ndjeshme dhe detyrimet do të vazhdojnë të ulen sepse ne kemi një plan të ndarë me bashkitë, të bashkëndarë, që ulja e detyrimeve është një objektiv që ata duhet ta ndjekin në mënyrë që të kenë pastaj mbështetje më shumë nga ana e qeverisë qendrore.

Ju e dini shumë mirë që pagat rriten kur rriten, kështu sipas blloqeve të kalendarit në mes të vitit ose në fund të vitit, do të shikojmë sepse çka është kërkuar me të drejtë nga kryetarët e bashkive është që rritja e pagave mos të jetë vetëm horizontale, në këto dy nivelet e reja, por të jetë edhe një rritje e pagave me vertikalitete të ndryshme, që do të thotë që sipas specifikave të një bashkie ose të një tjetre të ketë edhe një qasje fleksibël ndaj pagave. E kemi diskutuar me ta dhe kemi rënë dakord, sot kemi pasur një diskutim në 9 tryeza të ndryshme dhe këto 9 tryeza do të jenë të përmuajshme, por jo fizikisht, por do të jenë të përmuajshme në hapësirën virtuale ku ministrat që drejtojnë tryezat bashkë me kryetarët e bashkive që do të regjistrohen sipas nevojës së tyre në një tryezë apo një tjetër, do të vazhdojnë të diskutojnë dhe një nga tryezat do të merret pikërisht me këtë, në bashkëpunim me ta.

– Gjejmë rastin meqë këto vitet e fundit komunikimet me  gazetarët e Shkodrës kanë qenë të pakta gjejmë rastin të qajmë hallet e qarkut tonë, e qytetit tonë. Folëm për turizmin e suksesshëm që besoj nuk ka nevojë të diskutohet dhe për shifrat por unë besoj se tek suksesi i turizmi një rol të madh luan dhe veriu por nuk na përgjigjet ndoshta infrastruktura. Kemi rrugën Shkodër-Tiranë që pas qershorit shpresoj të jetë Shkodër-Thumanë që është shumë problematike dhe është shtylla kurrizore e jona. Në  verë ne llogarisim 90 km nga shkodran në tiranë, 4, 5 apo 6 orë. Pyetja është kjo: kur do të kemi një ditë ose një vit konkret kur do të nisin hapat e parë për ndërtimin e kësaj rruge që do të na shërbente shumë. Dhe pyetja e dytë është, në dalje, krye bashkiakët e djathtë u shprehën të kënaqur nga kjo pjesëmarrje në këtë mbledhje por krye bashkiaku i Fushë Arrëzit tha se favorizimi i bashkive të cilat kanë bërë një punë të mirë natyrisht do shkojë për ato bashki të mëdha sepse ato kanë dhe burimet njerëzore, kanë dhe stafin dhe normalisht do të favorizohen ata. U ndje paksa i përjashtuar nga kjo pjesa e favorizimit. Do të ketë ndoshta një mekanizëm tjetër sesi do të veprohet me bashki të tilla si ajo e Fushë Arrzit të cilat janë të kufizuara si me burimet njerëzore, si me financat po ashtu dhe gjeografikisht

Kryeministri Edi Rama: Kryebashkiaku i Fushë Arrëzit ishte këtu dhe unë nuk mund të komentoj asgjë tjetër përveçse atyre gjërave që diskutuam këtu. Këtu ishte dhe mbetet shumë e qartë që ne nuk bëjmë diskriminim askujt dhe pavarësisht faktit që sot janë mbledhur të gjithë edhe pa u mbledhur ne kemi bërë atë që kemi mundur të bëjmë edhe për bashkinë e Fushë Arrëzit dhe për bashkitë e tjera. Kështu që nuk më duket se duhet të bëj koment, aq më tepër që kemi kaluar shumë mirë me të gjithë kryetarët e bashkive. Kështu që duan dhe ata kohën e tyre që kur t’iu dalin kamerave përpara mos ju kujtohet mundësisht se nga kanë ardhur.

Ndërkohë që përsa i përket pyetjes së parë, faleminderit që ma bëre sepse në fakt nuk është një pyetje vetëm për Shkodrën, është një pyetje për gjithë lumin e vizitorëve e turistëve që sidomos në sezonin e verës vijnë nga veriu. Puna për projektet fillon shumë më përpara sesa projektet duken dhe faktikisht ne kemi gati një numër segmentesh që janë mbi dhe nën Thumanë-Kasharin, që besojmë shumë që në 30 qershor do bëhet i kalueshëm. Nuk do mbarojë, por do të bëhet i kalueshëm.

Për t’ju dhënë një shembull të thjeshtë kini parasysh që projektet e infrastrukturës marrin një kohë shumë të gjatë në vende shumë më të zhvilluara se ne. Ne vazhdojmë të jemi në një kohë të arsyeshme në bazë të mesatares, por në rastin konkret kemi pasur nevojë për disa korrektime të natyrës juridike në kontratat. Janë bërë garat, është gjithçka gati dhe do të kemi një kantier total që do të hapet nga veriu deri në jug. Segmenti i fundit që është në fazë projekti është pikërisht segmenti nga Shkodra që lidhet poshtë pastaj me gjithë segmentet e tjera që janë Milot-Balldren, pastaj vjen Thumana, pastaj Kashari, pastaj Rrogozhina, pastaj Fieri dhe lidhet me Vlorën. E gjithë kjo do të jetë një rrugë e re. Ndërkohë që do të ketë dy alternativa. Alternativa pa pagesë, alternativa me pagesë patjetër dhe hapja e Thumanë – Kashar do të lehtësojë shumë që këtë sezon.

Natyrisht nuk është ajo që do të bëjë lehtësimin e  plotë  që do të jetë pastaj përfundimi i gjithë segmentit. Por njëkohësisht duhet patur parasysh edhe ana tjetër e medaljes që është e vështirw për të kaluar është torturuese për të gjithë ata që  përshkruajnë këtë segment, sidomos në periudhën e pikut, por nuk është një fenomen ekskluziv shqiptar.

Periudha e pikut karakterizohet nga radhë edhe nga kohë e gjatë edhe tek komshinjtë tanë, s’po shkoj më gjatë. Mali i Zi që është vendi me zhvillimin më të madh të turizmit në rajon, ka problem trafiku dhe ju e dini më mirë se e frekuentoni shpesh është një gjë dhe aty edhe segmenti  që  duhet të lidhet me këtë që po bëjmë ne që është faktikisht Korridori Blu, është ende larg së qeni në horizont.

Kështu që jam shumë optimist që kantieret do të jetë të gjitha të hapura dhe presim vetëm projektin të hapim pastaj kantierin që shkon deri në Murriqan, ndërkohë që besoj që e dini, kemi marrë dritën jeshile për financimin e hekurudhës deri në Hanin e Hotit. Po bëjmë dhe studimin e variantit të rrugës që na lidh me Prishtinën duke kaluar nga Shkodra përmes Gjakovës, pastaj lart. Presim rezultatet e studimit, se duhet të shohim rezultatet e studimit. Shëngjin-Velipoja është një kantier dhe ka pasur një fragment rreth 300 metra që është zona lidhëse mes dy anëve, që ndërkohë janë punuar që kanë shumë vështirësi nga ana gjeologjike, por ndërkohë është hapur. Është hapur javën e kaluar. Kështu që edhe aty puna vazhdon me një ritëm të mirë.

Edhe rruga e Dukagjinit që ishte një legjendë e stërpremtuar dhe që nuk kishte më askush besim që do të bëhej, është në kantier dhe vazhdon të punohet. Thethi sot është një nga destinacionet më fantastike dhe më të frekuentuara falë edhe faktit që shkohet lirisht dhe falë edhe faktit që nuk mbyllet më, siç mbyllej përpara 6 muaj nga bora. Patjetër që ka edhe gjëra të tjera, rrugë të tjera, por jemi komplet në një Shqipëri tjetër përsa i përket gjithë kësaj zone, në mënyrë të veçantë sepse shpeshherë dëgjoj që veriu, veriu, por po të shikoni çfarë kemi bërë dhe ccfarë po bëjmë dhe çfarë është në rrugë për të nisur për veriun është masive si investim. Sepse siç ua thashë edhe kryetareve të bashkive, unë besoj shumë që nëse ne të gjithë jemi mësuar me idenë që turizmi shqiptar është deti, momentin kur do të hapen malet për turizmin do të jetë momenti i madh i Shqipërisë. Sepse bindja ime është që ajri më i pastër i rivierës së turizmit shqiptar është në male, por sigurisht do kërkojë kohën e vet për 1001 arsye, që nuk është pas 100 vjetësh, por do të kërkojë akoma ca kohë.

Për këtë arsye ne po punojmë me të gjitha forcat që edhe infrastrukturën drejt zonave më pikante drejt maleve ta përgatisim, ndërkohë që në Shkodër vet, do bëjmë shumë punë. Kemi filluar disa projekte të reja, kemi bërë gati financimet për të filluar këtë vit, me gjithë lagjen tradicionale këtu të Zdralës, kemi diskutuar për rikthimin në jetë të stadiumit, që unë në fakt e pashë nga disa fotografi që më ccoi Beneti, se tani një pjesë e gjërave dhe janë pastruar dhe janë riparuar, po ishte si ato repartet ushtarake të braktisura nga ushtarët e një force pushtuese edhe të lëna ty pa dorë, ishte një tmerr. Dhe ju e dini më mirë, po dilni aty, shikoni tribunën Vip, shikoni kolltukët e tribunës Vip dhe e kuptoni se çfarë situate është. Kemi projektin e hyrjes së Shkodrës që tani projekti ka një zgjerim. Do ta marri bashkia për ta miratuar dhe pastaj do të vazhdojmë edhe me të. Kështu që “Shkodra will be great again”. Se i keni qejf ju këto parullat e djathta.

 

–  Zoti kryeministër në fillim të fjalës suaj thatë që reforma e 2015 ka qenë e mirë, por përsëri përmendët, një sërë sfidash të reja, gjithashtu edhe atë që ende nuk janë plotësuar të gjitha. Duke parë sot këtë analizë të bërë për 61 bashki,  tregues të performancës, burime njerëzore, po të gjendjes financiare, a është e hapur mazhoranca qeverisë për të menduar për një reformë të re territoriale? 

 

Kryeministri Edi Rama: Tani për hir të vërtetës në takim Kryetari i Bashkisë së Pogradecit u ankua për diskriminim. Kryetari i bashkisë së Pogradecit është një nga kryetarët më punëtor, më operativ, më efikas edhe ai pati një kritikë në adresë të një ministrie për diskriminim, nuk dëgjova asnjë tjetër të ankohet për diskriminim, se nuk ka diskriminim, megjithatë unë kam qenë kryetar bashkie vetë dhe e kuptoj që çdo kryetar bashkie s’do ishte një kryetar i duhur bashkie nëse s’do ankohej që  pse nuk marrim më shumë dhe pastaj mbështetja me argument mund të jetë e lloj-llojshme, s’marrim më shumë se për shembull, ai nuk e tha, por e mendon që Korça është  mbështetur shumë, Pogradeci më pak, por Pogradeci e meriton më shumë se ka liqen, etj, etj. Normal edhe dikush tjetër mund të thotë që ne meritojmë më shumë, por e vërteta është që ne nuk kemi asnjë arsye që t’i shikojmë kryetarët e bashkive, ju thoni të djathtë tani, po mua ata s’më duken të djathtë fare, më duken thjeshtë të zgjedhur që bëjnë punën e tyre dhe që siç e thash nuk e vënë karrocën para kalit, por vënë kalin para karrocës dhe janë në rregull për sa kohë do bëjnë këtë gjë, do bëjnë gjënë e duhur për komunitetin e tyre dhe pastaj bindjet janë punët e tyre, nuk janë punët e mia dhe punët tona, edhe pse ne do bëjmë çmos t’i afrojmë dhe bindjet, nuk diskutohet.

Reforma ka dhënë rezultat. Unë e kam thënë që ne jemi të bindur që reforma do një tjetër faze, por me më pak bashki, jo me më shumë, por kjo kërkon konsensus me një pjesë të pakicës, kështu që nuk kemi çfarë diskutojmë sot dhe as nuk është një çështje e kësaj faze të qeverisjes sepse është një debat që është vetëm harxhim kohe, por që është e sigurt që bashki të caktuara, nëse integrohen me njëra-tjetrën mund të prodhojnë më shumë ekonomi, mund të prodhojmë më shumë rezultat, ndërkohë që sa i përket shërbimeve, shërbimet janë shumë të qarta sesi e kanë të ardhmen e tyre. Po e shohim me e-Albania.

 

Unë pata nderin të takohem këtu sot me gjykatësen e parë shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës që është shkodrane. Jam shumë i impresionuar nga personaliteti i saj dhe ishte me vëllanë, i cili edhe ai, prej shumë vitesh në Shtetet e Bashkuara, është kthyer në Shkodër dhe fliste për e-Albania me kënaqësinë më të madhe, duke qenë edhe i fushës së teknologjisë dhe përmirësimi i mëtejshëm i shërbimeve dhe shtrirja e tyre në nivel bashkie është e ardhmja.

 

Nuk është më problem nga kjo pikëpamje për të pasur në çdo pikë të territorit pika shërbimesh  që mund të bëhen online, por është një diskutim që nuk ia vlen të humbim kohën sot sepse nuk është në rendin e ditës një reformë tjetër e territorit që do t’i vijë koha, me siguri, nuk e di kur dhe që do duhet të bëjë një sintezë më të madhe midis bashkive sepse Shqipërisë i duhen më pak bashki dhe më shumë kualitete, më shumë kualitet në administrimin vendor.

 

-Pyetje: Ju përmendët pak më parë legalizimet por në fakt, të paktën në Shkodër, ndryshe sa ka kemi informacion nga disa bashki të tjera, ligji 20/20 është ende, po themi, i bllokuar, nuk ka nisur praktika në asnjë zonë. Ka patur një tentativë në Reç, por ka ngecur dhe ju e dini shumë mirë që ky ligj do të zgjidhte shumë probleme, sa i përket dhe zhvillimit të turizmit. Çfarë do të bëhet në këtë aspekt?  Sa i përket stadiumit që ju përmendët, por edhe hyrjen e Shkodrës, do ketë prishje ndërtimesh në këto zona sepse është një interes, besoj, shumë i madh i qytetarëve shkodranë dhe një temë e diskutuar edhe në Këshillin Bashkiak të Shkodrës?

 

Kryeministri Edi Rama: Interes në ç’kuptim, që të ketë apo që të mos ketë?

 

-Qoftë që të ketë apo qoftë që të mos ketë. 

 

Kryeministri Edi Rama: Ti, për shembull, si shkodran që je, je i lumtur me hyrjen e stadiumit?

 

-Po, patjetër. Mund të isha edhe më lumtur nëse do të kishte dhe një stadium tjetër në një zonë tjetër, ndoshta edhe më të mirë.

 

Kryeministri Edi Rama: Edhe një stadium tjetër në Shkodër, dy  stadiume në Shkodër për një ekip me 8 mijë spektatorë! Po mirë, a je i lumtur me hapësirën para hyrjes VIP të stadiumit?

 

-Jam i lumtur me çdo gjë të bukur që ndodh në Shkodër.

 

Kryeministri Edi Rama: Nuk mendon që duhet të ishte më e gjerë ajo?

 

-Gjithsesi, unë nuk vendos.

 

Kryeministri Edi Rama: Nuk ma jep përgjigjen, gjallë në botë, se ka hall se do i thonë ata që janë aty poshtë, që kanë ato garazhet aty poshtë “Pse the të prishet garazhi im”.

 

-Jo, flasim edhe për hyrjen e Shkodrës, për të dyja zoti kryeministër. Pra, për ligjin 20/20 nëse mundeni.

 

Kryeministri Edi Rama: Ta filloj nga kjo e fundit sepse është më e rëndësishme. Jo se stadiumi i Shkodrës nuk është i rëndësishëm se po të mos ishte i rëndësishëm nuk do të ishim investuar edhe kur Shkodra mendonte që ne ishim e keqja që nuk duhej të afrohej në Shkodër, por ligji 20/20 është shumë i rëndësishëm. Faktikisht, janë titujt e pronësisë. Titujt e pronësisë në zona ku ka një mirëkuptim mes njerëzve dhe ku nuk është pranuar 7501. Ne e kemi bërë këtë ligj dhe për këtë arsye kemi caktuar një ekip të posaçëm për të bërë një pilot për të parë se ku ngec zbatimi i këtij ligji, i cili gjithsesi kalon nëpër disa procese dhe kërkon mirëkuptimin me shkrim të njerëzve që kanë lidhje me një kufi të caktuar sepse ideja është që familjet në një pjesë të konsiderueshme të zonave në very, por jo vetëm në veri, edhe në disa zona në jug, nuk e kanë pranuar 7501 për arsye se thonë “Ne nuk kemi probleme me njëri-tjetrin. Ne jemi marrë vesh ku e kemi pasur tokën”. Shumë mirë, dakord, por ama për ta kthyer këtë në një titull pronësie duhet që të gjithë trashëgimtarët dhe kufitarët rreth e rrotull të bien dakord që nuk kemi probleme. Kjo është e vështirë për shkak se një pjesë nuk janë fare në Shqipëri, një pjesë tjetër nuk mblidhen bashkë.

Pra, ka disa probleme që ne po i shohim me kujdes. Do shohim nëse ka nevojë për të bërë një ri-ndërhyrje duke pasur rezultatet e këtij projekti pilot, por ne jemi shumë të vendosur që ta zgjidhim sepse është shumë e lidhur kjo edhe me zhvillimin e turizmit.

 

Fatmirësisht, në ato zona ku deri dje shkohej nga familjarët vetëm për ngushëllime kur, larg qoftë, dikush ndahej nga jeta, sot shkojnë shumë turistë dhe kanë filluar të ndërtohen agroturizma. Ka shumë kërkesa për agroturizma të tjerë dhe titulli i pronësisë pengon shumëkënd për shkak se nuk shkojnë dot në bankë të marrin kredi për shkak, për shkak e për shkak dhe për shkak se pa titullin e pronësisë nuk marrin dot asnjë leje të rregullt ndërtimi.

 

Kështu që, për ne ky është prioritet dhe besoj që do ta çojmë përpara në një kohë të arsyeshme. Tani, unë nuk ta caktoj se sa ndërtime prishen, por patjetër që pa prishur nuk ndërtohet, është postulatë.

 

-Nëse më lejon, bluza e Vllaznisë a do të xhelozojë tek Partizani, se i kemi dhe rivalë këtë vit?

 

Kryeministri Edi Rama: Pse duhet të xhelozojë tek Partizani? Unë kam vëllain me Partizanin, por nuk jam vetë me Partizanin. Sot e mora vesh që Vllaznia ishte në vendin e dytë madje, se unë nuk e ndjek klasifikimin, nuk i ndjek ndeshjet e kampionatit kombëtar, jo se nuk janë për t’u ndjekur, por sepse bëhen shumë pastaj dhe thanë “Do t’ju japim bluzën e Vllaznisë”. Faleminderit shumë, por unë kam shumë bluza. Nuk do të thotë që jam me të gjitha bluzat që kam. Unë vetë një bluzë kam, Partinë Socialiste. Të tjerat janë të gjitha bluza për qejf pastaj. Kështu që, e vetmja buzë për të cilën mbaj 100% përgjegjësi dhe të cilën e quaj 100% timen është bluza e Partisë Socialiste. Është e sigurt që atë bluzë nuk e ndërroj.

Kam bluzën e Messit. Është e Messit, nuk është e imja. Bluza e Vllaznisë është e Vllaznisë, nuk është e imja. Janë dhurata që unë i marr me shumë qejf dhe janë pjesë e një koleksioni, por nuk ka pse xhelozohet askush, Partizani jo e jo njëherë. Pse do zhelozohet Partizani? Unë vëllain e kam me Partizanin, djalin e madh e kam me Tiranën, i vogli nuk e di. Nuk e ka ndarë mesa kuptoj se nuk jam i qartë se me kë është, por vetë unë jam me bluzën e Partisë Socialiste. Është skuadra më e fortë që ka Shqipëria në të gjitha rastet, në çdo sport dhe ky është edhe problemi jonë, që jemi skuadër për Champions League dhe detyrohemi të luajmë me kategorinë e gjashtë.

 

-Zoti kryeministër, një ditë më parë, Kuvendi i Malit të Zi i dha dritën jeshile një prej marrëveshjeve të firmosura për ndërtimin e urës që lidh Ulqinin me Velipojën mbi lumin Buna. Tashmë a ka një afat se kur mund të nisë puna dhe a janë paratë për këtë projekt, duke qenë se është një investim i konsiderueshëm?

Në këtë kuadër, meqenëse po flasim për Malin e Zi, ka pasur kërkesa të vazhdueshme për heqjen e një pagese të kartonit jeshil që duket se i penalizon shqiptarët që kalojnë në Mal të Zi, përkundrejt ardhjes së tyre në vendin tonë që nuk paguhet ky 15 euro, meqenëse e keni diskutuar me zotin Abazovic?

Për saktësim sa i përket hyrjes së Shkodrës, në fillim të dhjetorit të vitit të kaluar ju e keni inauguruar nisjen e punimeve së bashku me kryebashkiakun Beci dhe në këto tre muaj duket se nuk ka ndryshuar diçka në atë zonë. Kjo ka ardhur për shkak se do të rishikohet dhe do të ketë një ndryshim të projektit apo kanë munguar paratë në këtë periudhë sepse asokohe i kërkuat firmës që të punojnë me ritme të larta për ta zbatuar këtë projekt?

 

Kryeministri Edi Rama: E para njëherë aty punohet, aty punohet dhe nuk e di tani, a mund të shkojmë bashkë ta shohim se po errësohet po aty punohet. E dyta, projekti ka një zgjerim, i cili është një zgjerim i propozuar nga arkitektët dhe ne, domethënë Fondi i Zhvillimit e konsideron të arsyeshëm, të bukur madje, do t’i shkojë bashkisë për miratim, bashkia do e miratojë dhe ne do bëjmë hyrjen e Shkodrës ashtu siç me thënë të drejtën, e kam dashur gjithmonë të jetë, sa hërë vija këtu në Shkodër dhe thosha ‘’si mund t’i fusin gjithë këta njerëz në një grykë shisheje dhe u marrin edhe votën”?! Ndërkohë sa i përket pyetjes për urën dhe për atë tarifën, të falenderoj shumë sepse në të vërtetë, kjo e tarifës është pak si problem që po zgjatet shumë. Është e vërtetë që e kemi diskutuar me Dritanin, Abazoviçin dhe jo Agollin, se me Agollin kemi diskutuar për urën, dhe e kam diskutar dhe me kryeministrin e ri. Në bisedën e parë që kemi bërë me kryeministrin e ri kur e kam uruar për fitoren, i kam thënë: “të lutem, duhet të heqësh tarifën që paguajnë qytetarët tanë kur vijnë andej’’ gjë që nuk e paguajnë qytetarët malazezë kur vijnë këtej. Tani  ne jemi më të mirë, nuk i marim asnjë qindarkë fqinjëve kështu që, që ata të bëhen të mirë sa ne, duhet të na e heqin se ne duam që ata të jenë të mirë sa ç’jemi ne.

Po kam folur jo më larg se mbrwmw me zv/kryeministrin e Malit të Zi që është, e njihni besoj, Nik Gjeloshin dhe më ka dhënë fjalën që do të angazhohet dhe ai në këtë. Besoj që është çështje burokraçie sesa është çështje vullneti. Ata janë shumë të mirë dhe të vullnetshëm për hir të vërtetës. Unë e çmoj shumë bashkëpunimin që kemi me Malin e Zi se është realisht bashkëpunim shumë pozitiv, por është çështje burokracie dhe prandaj ju them, ne kemi burokracitë tona, ne kemi vonesat tona, ne kemi problemet tona por kur mendoj se çfarw është burokracia italiane, se çfarw është burokracia gjermane, them ‘’ok,nuk jemi dhe aq keq’’. Por edhe Mali i Zi, besoj në këtë rast problem burokratik se s’ka asnjë kuptim kjo tarifa. Ndërkohë që për urën, ju e dini që ura është një ide e Dritanit, Abazoviçit që unë e kam përqafuar menjëherë dhe është një projekt i joni, kështu që ne kemi ngritur edhe një grup pune të përbashkët me qeverinë e Malit të ZI. Tani vetëm thjesht duhet ta fusim në proces dhe të fillojmë e të ndërtojmë. Ta thashë, Shkodra will be great again. Të jesh i sigurtë për këtë.

-Shkodra wil be great again, por në Shkodër kemi probleme që lidhen kryesisht me papunësinë po ashtu edhe me emigrimin, edhe ne fokuset e këtij takimi ka qenë pikërisht edhe arsimi. Në shkollat e veriut, por kryesisht të  qarkut Shkodër ka klasa të përbashkëta, shkolla që kanë vetëm 6 nxënës dhe gjithashtu largime masive. A është menduar një strategji? Kjo pyetje mund të shkojë sigurisht edhe për ministrin duke qenë se po diskutohet edhe pushteti vendor, se si mund të ndalet ky fluks i largimit për të patur sigurisht dhe zhvillim në arsim, por gjithashtu edhe një frenim të papunësisë që vjen në rritje, duke qenë se ka interes për të zhvilluar biznesin, qoftë atë të madh, qoftë të vogël, por haset në vështirësi të shumta për të gjetur punonjës, të cilët janë të gatshëm dhe interepretohet sikur do vijnë nga bota e tretë, të paktën në Shkodër për të punuar këtu, duke zëvendësuar të themi ato të rinj  të cilët pretendimin e parë e kanë le të themi, se sapo të dalin nga bankat e gjimnazit të largohen nga Shqipëria.

Ndërkohë që pyetja e dytë lidhet me miratimin e ligjit për zonat e mbrojtura. Ekspertët deklarojnë që ky mund të zhdukë totalisht zonat e mbrojtura apo t’i zvogëlojë. Duke qenë se në Shkodër kemi një sasi të konsiderueshme të zonave të mbrojtura dhe me rëndësi për turizmin, a ka një garanci që një gjë e tillë nuk do të ndodhë, ju si Kryeministër i vendit?

 

Kryeministri Edi Rama: Ok. Kishte një kontradiktë që është në fakt shprehje e faktit që këtu nuk jemi në kushtet e rritjes së papunësisë. Këtu jemi në kushtet e rritjes së kërkesës për punonjës. Po jo pra, nuk është rritje e papunësisë kjo, kjo është rritje e vendeve të punës dhe nevojës për të pasur punonjës, të kualifikuar.

Tani, së pari një herë, se kjo historia e botës së tretë është bërë pak si qesharake, duhet të kemi parasysh, që po, ne kemi një problem me largimet brenda vendit flas, edhe nga fshati, po nëse shikoni sot përqindjen që zë bujqësia në ekonominë tonë dhe përqindjen që zënë të punësuarit në bujqësi që të gjithë pasqyrat tona të punësimit, ne jemi – dhe kjo nuk është pozitive, s’po e them për pozitive, – por ne jemi me diferencë nga rajoni jonë. Pra, largimi drejt qytetit, drejt qendrave është një fenomen i pandalshëm në vendet që zhvillohen dhe nga ana tjetër, nevoja, pretendimi, pritshmëria e më të rinjve për të patur, jo thjesht një punë, por një punë të mirëpaguar, është gjithmonë e më arsyeja  pse një sërë punësh, tw cilat nuk mund të mirëpaguhen, ashtu siç kërkojnë ata të cilët nuk pranojnë të punojnë, – bëhen me krahë pune të importuar. Nëse do të shikoni planet e vendeve të zhvilluara si Italia, Gjermania, po ju marr këto që të mos shkoj tek të tjerat, dhe nëse do të shikoni rradhën e shteteve europiane në derën e agjensisë së punësimit në Filipine, është një radhë lufte. Është luftë.

Domethënë Europa është futur në një fazë lufte për krah pune dhe është realisht rradhë sepse ata ta thonë, që përpara se të shqyrtojmë kërkesën tuaj, kemi 30 e x shtete që janë në radhë për të shqyrtuar dhe shtete që shkojnë kërkojnë 100 mijë, 120 mijë, 200 mijë punonjës. E njëjta gjë në vendet e Afrikës. Pse i them këto? I them sepse e para, ne kemi një industri manifakture që është edhe këtu në Shkodër, e cila duhet të hyjë në një cikël të ri, sepse nuk ka më sot vajza të reja që kanë gatishmërinë të bëjnë punën që bënin kur ishin të reja  ato gra, që sot janë në moshë për të dalë në pension dhe që kanë kaluar 20 vjet, 30 vjet mbi një makinë qepëse për të ushqyer familjen e tyre në një periudhë të caktuar të kësaj historie, me paga minimale. Dhe kjo do të thotë që manifaktura duhet të ndryshojë dhe për këtë ne kemi edhe paketën e re të mbështetjes për manifakturat dhe për të gjitha kompanitë që duan të hyjnë në një cikël të mbyllur dhe që të prodhojnë me një vlerë që iu lejon të paguajnë paga më të larta.

Për sa i përket shkollave, kemi diskutuar me kryetarët e bashkive për të kaluar në fazë tjetër të krijimin të kushteve që të kemi shkolla të përqendruara, që të jenë dhe me konvikte. Po punojmë me 5 konvikte të shkollave profesionale për t’i bërë me standardet më të mira në disa bashki të vendit. Do të vazhdojmë me të tjera. Kam parë konviktin e shkollës profesionale jo publike në Rrëshen, që është një iniciativë e kishës por që është një gjë fantastike për nga pikëpamja e pasionit dhe nga pikëpamja e mënyrës sesi është menaxhuar. Por kanë një konvikt që duhet patjetër ndërhyrje dhe ne do t’i ndihmojmë, do gjejmë, po punojmë që të gjejmë formulën e duhur sepse nuk janë shkollë publike, por nuk ka rëndësi.

Ashtu sikundër nga ana tjetër është dhe shkolla publike profesionale që edhe ajo ka nevojë që të ketë një konvikt siç duhet, kështu që në këto drejtime këto janë punët që po bëjmë, por të jemi shumë të qartë që ne jemi në një fazë të re zhvillimi dhe këtu kërkesa për punësim, për punëtore, kërkesa për njerëz të kualifikuar vetëm do rritet sepse turizmi tanimë ka hyrë në një fazë shpërthimi dhe kjo do të thotë shumë më tepër mundësi për punësim, patjetër do ketë dhe paga më të larta, nuk diskutohet dhe na duhen njerëz që janë të gatshëm të punojnë. Ashtu sikundër unë besoj shumë që ne kemi hyrë në një fazë që tani mund ta shikojmë, jo shpejtë, mund ta shikojmë në horizont edhe momentin kur shqiptarët që do ikin o jenë më pak se ato që do kthehen. Por që shqiptarë që largohen, kthehen, largohen prapë me këtë duhet të mësohemi të gjithë se nuk jetojmë më në bunker. Është një botë e hapur, shqiptarët janë shumë, kjo është tani me provë, nga çfarë i kemi parë si janë zhvilluar, si janë adaptuar, si kanë ecur në gjithë botën janë qenie që janë qenie kurajoze, janë qenie dinamike, janë qenie që duan të shohin lartë e më lartë. Kështu që, të gjitha këto duhet të na bëjnë të kuptojmë që kjo nuk është një çështje, me këtë mund të bëhet politikë, dakord, ,por nuk e ha njeri këtë sepse kjo s’është një çështje qeverie. Si do i ndaloni ju të ikin? Ne nuk jemi këtu për të ndaluar njeri të iki, ne jemi këtu për të krijuar kushte gjithmonë e më të favorshme dhe mundësi gjithmonë e më të shumta që kush dëshiron të rrijë, të rrijë dhe kush dëshiron të vijë, të vijë, por dikush që do të provojë jetën e vet diku tjetër si do ta ndalojmë të iki?

Për zonat e mbrojtura, kjo është një temë që unë e kam shumë për zemër dhe njëkohësisht është një temë që më bën edhe të dua të qesh shumë se çfarë është bërë në Shqipëri në këto 10 vite për të mbrojtur natyrën, çfarë është bërë në Shqipëri këto 10 vite për të rikthyer në jetë monumente të trashëgimisë kulturore, çfarë është bërë në Shqipëri në këto 10 vite për t’i pastruar Shqipërisë fytyrën e mbuluar nga balta dhe nga llumi, bën që unë të them se askush nuk ka, të gjithë kanë gojë të flasin se të gjithë janë të lirë të flasin, por askush nuk ka gojë që të na japë neve leksione. Nuk na bën dot ne leksion askush, për çështjen e qasjes ndaj mjedisit, ndaj trashëgimisë kulturore, ndaj të bukurës, ndaj shijes europiane dhe ndaj pastrimit të fytyrës së Shqipërisë në çdo aspekt. Ne kemi vënë në mbrojtje, zona të tëra i kemi vënë ne në mbrojtje. Tani çështja është shumë e thjeshtë. Ne jemi përpara një sfide që është sfida e shekullit për nga pikëpamja e politikës që do të bëjë Shqipëria, që është çfarë duam ne, çfarë presim ne dhe çfarë do të bëjmë ne me turizmin?

Numri i madh i turistëve dhe kjo rritje marramendëse e turistëve është shumë e mirë nga njëra anë dhe është shumë e rrezikshme nga ana tjetër.

Dhe këtë e tregon historia e shumë vendeve që kanë kaluar në ato faza. Vendet që kanë kuptuar që duhet të mos synojnë thjeshtë rritjen e numrave, por të synojnë edhe rritjen e të ardhurave nga numrat, pra nuk mjafton vetëm sa turistë sjell, por sa sjell çdo turist, kanë investuar me një shpejtësi të arsyeshme, por me shpejtësi, tek cilësia e lartë, tek infrastruktura e mikpritjes që sjell turistë që konsumojnë shumë. Jo thjeshtë turistë me çantë me vete që janë shumë të mirëseardhur dhe ata që vijnë me çantë me vete janë dhe ekologjistë dhe ata s’janë problemi. Problemi janë ata që turren nëpër plazhe dhe nuk sjellin shumë të ardhura dhe për këtë duhet të kuptojmë. Ne nuk kemi një mundësi të pafundme, s’jemi Kina, jemi një vend i vogël dhe eksperiencat e këtyre vendeve që thashë kanë treguar që balanca mes mbrojtjes dhe zhvillimit, nëse është e duhura është sukses.

Shikoja diku një reportazh për një pikë në jug ku është dhënë një leje ndërtimi për një destinacion turistik. Natyrisht nëqoftëse ti shkon dhe filmon një gropë ku po ndërtohet, duket një plagë, por nëse shikon se çfarë do ndërtohet atëherë është e njëjta gjë si me stadiumin në Tiranë. Si me çdo gjë të bukur që ndërtohet. Kështu që, në këtë pikë meraku im nuk është fare se a dimë ne ta administrojmë këtë proces, a dimë ne ta mbajmë këtë ekuilibër. I vetmi merak që kam unë është që sa do arrijmë ne të krijojmë një profil institucional të Shqipërisë në raport dhe me këtë dhe me të gjitha gjërat e tjera. Se Shqipëria që sot është në pozicionin më të mirë që ka qenë ndonjëherë, kjo nuk diskutohet në aspektin  ndërkombëtar, por kjo duhet të kthehet në profil. Kjo nuk duhet të jetë çështja e një qeverie apo e një kryeministri dhe kështu duhet të kthehen në profil institucional disa nga drejtimet kryesore. Në këtë aspekt kjo është arsyeja pse unë e konsideroj të pa mbyllur ciklin tonë të qeverisjes dhe pse unë konsideroj që ne duhet të bëjmë çmos që të garantojmë këtë progres sepse është një progres që nuk është i pakthyeshëm. Nëse rruga e nisur shtrembërohet dhe nuk jemi ne që e shtrembërojmë rrugën e nisur. Jemi ne që e kemi hapur dhe ne që dimë ta çojmë përpara. Kështu që nuk shoh asnjë problem dhe unë jam i bindur dhe mbi të gjitha ajo që ne kemi bërë është që kemi krijuar një fleksibilitet pasi mbulimi me mbrojtje i zonave ka shkallë të ndryshme dhe sigurisht që do ketë plot zona të kuqe, të paprekshme, por ka zona ku ti mund të zhvillosh dhe kjo është bërë vetëm për turizmin dhe agroturizmin, për asgjë tjetër, në mënyrë të arsyeshme.

Ne kemi bërë lumin e Vjosës Park Kombëtar. Park Kombëtar që kalon në gjithë vendin nga një anë, në anën tjetër dhe që ka brenda qytete, fshatra. Tani këta njerëz, kanë të drejtë këta që të zhvillojnë gjë aty? Sigurisht që kanë, është atdheu i tyre, është toka e tyre, por çfarë mund të zhvillojnë është temë tjetër. Parku kombëtar është park kombëtar dhe këtë gjë e kam thënë edhe përpara se të bënim ndryshimet ligjore, nuk është se kemi bërë ndryshimet ligjore që të fillojmë të ndërtojmë pallate në Parkun Kombëtar, por po them, vlera të shtuara sot janë plotësisht të mundshme. Ka dhjetëra e dhjetëra sajte të mbrojtura na UNESCO, në të cilat janë ndërtuar, flas nëpër botë, janë ndërtuar destinacione turistike të klasik më të lartë, në harmoni të plotë me destinacionin. Vlerë e shtuar! Kjo është ajo që ne synojmë e nuk ka lidhje fare me shkatërrime, përkundrazi, ka lidhje vetëm me rivlerësime të këtyre destinacione dhe plus kjo do të thotë dhe të ardhura që i krijojnë mundësi shtetit, se nuk janë gjëra që do ndodhin sot, nesër e pasnesër. Flasim për 10, 15 vitet e ardhshme. I krijojnë mundësi shtetit që të ketë më shumë të ardhura që edhe t’i mirëmbajë ato parqe, ti mirëmbajë ato zona të cilat janë në kufijtë e atyre pikave ku mund të bëhen zhvillime të caktuara. Kështu që nuk shoh asnjë problem në këtë pikë, sigurisht që frika apo shqetësimi i atyre që janë shumë të dhënë pas natyrës është pozitive, sepse ndihmojnë gjatë gjithë kohës që të jesh në alert, por duke qenë vetë i dhënë pas natyrës dhe duke qenë vetë në krye të një qeveria që ka bërë për mbrojtjen e natyrës e ka bërë për trashëgimin, e ka bërë për fytyrën e këtij vendi më shumë se sa kanë bërë të gjithë të tjerët bashkë, nuk jam unë fare njeriu që duhet të më drejtohet gishti i dyshimit.

– Përmendët shumë projekte, edhe rikonstruksionin e rrugës së Dukagjinit. Po në Shirokë – Zogaj kur do të fillojnë punimet sepse është premtuar që vitin e kaluar që do të ketë një projekt por që deri tani nuk shohim ndonjë ndryshim. Rruga vazhdon të jetë pothuajse totalisht e dëmtuar dhe e ngushtë e nuk ndërrohen dot dy automjete, ndërkohë që është një zonë shumë e frekuentuar.

Kryeministri Edi Rama: Nëse unë e them, ajo bëhet, është vetëm çështje kohe dhe koha varet nga shumë komponentë që në raste të caktuara nuk i ke në dorë, sepse ti thua do bëjmë këtë e atë, bie një tërmet e ti  duhet të merresh me çfarë la tërmeti. Nuk është në rastin konkret. Në rastin konkret nuk e di ekzatësisht se kur do fillojë, di që “Shkodra will be great again”! E thashë tre herë sepse jo vetëm e kam bindje, por është një bindje që më forcohet sa herë vij në Shkodër sepse më në fund vij në Shkodër e sa herë vij, shoh ndryshime. E sa herë vij, Beneti ka gjëra të reja për të më treguar. Kështu që është një bindje që deri kur na u dha kjo mundësi, e kisha ndjesi, tani e kam të mbështetur me fakte.

Për shembull, t’ju them diçka. Benetit do ti ngeli hatri sepse duhet ta thoshte vetë i pari, por po përgatisim një konkurs ndërkombëtar për të rilindur komplet Hotel Rozafën, që është një hotel tradicional, historik, quajeni si të doni dhe aty, ne do të bëjmë një zhvillim që do të krijojmë një ikonë të re që do të jetë një pikë referimi për Shkodrën e të nesërmes e do ta bëjmë me konkurs ndërkombëtar saç e kemi bërë dhe në Tiranë, me arkitektë me famë botërore, do vijën në Shkodër, do prezantojnë projektet e të tjera. Kështu që vetëm kohë dhe durim, të tjerat do ti bëjmë që të gjitha, si i kemi thënë, një për një, edhe Zogajn, edhe “shpellajn”. Dhe rëndësi ka që sa t’ju kemi ju, nuk na merri njeri mësysh. Faleminderit!

Previous Shkodër, Qeveria dhe bashkitë në takimin e punës për arritjet, problematikat dhe një angazhim më të madh të përbashkët për të modernizuar më tej nivelet e qeverisjes në shërbim të qytetarëve