Shkup, Kryeministri Edi Rama në konferencën e përbashkët për shtyp, pas takimit mes liderëve të vendeve anëtare të NATO-s nga Europa Juglindore - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Shkup, Kryeministri Edi Rama në konferencën e përbashkët për shtyp, pas takimit mes liderëve të vendeve anëtare të NATO-s nga Europa Juglindore

Kryeministri Rama mori pjesë sot në takimin e liderëve të vendeve anëtare të NATO-s nga Europa Juglindore dhe Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg.

Pas takimit mes tyre, liderët pjesëmarrës, Kryeministri Edi Rama, Kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Presidenti i Republikës së Kroacisë, Kryeministri i Republikës së Malit të Zi dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp:

 

Sekretari i Përgjithshëm i NATOS-s Jens Stoltenberg: Kryeministër Kovačevski, I dashur Dimitar,

Faleminderit shumë që na keni pritur sot këtu në Shkup së bashku me aleatë të NATO-s nga rajoni. Më vjen mirë që gjendemi me ju sot këtu. Ishte i fundit i një sërë takimesh interesante ku folëm për një sërë sfidash që të gjithë përballen në Ballkanin Perëndimor. Do ta nis duke thënë që Republika e Maqedonisë së Veriut është një aleate e çmuar e NATO-s dhe që ofron kontribute të rëndësishme për sigurinë tonë të përbashkët.

Maqedonia e Veriut, po kështu udhëheq përmes shembullit si një shoqëri shumë etnike e suksesshme, duke treguar sesi njerëz nga grupe të ndryshme etnike e fetare, nga profile të ndryshme mund të jetojnë së bashku në paqe e të ndërtojnë bashkërisht vendin.

Brenda disa muajve do të shënjojmë 75-vjetorin e NATO-s në samitin tjetër tonin në Washington dhe do vazhdojmë ta përshtatim aleancën tonë për të ardhmen, natyrisht për të forcuar mbrojtjen e NATO-s e po kështu edhe kundër konkurrencës gjeostrategjike do të ruajmë vrullin dhe hapin në mbështetjen e NATO-s për Ukrainën.

Sot, në takimin tonë patëm mundësinë të diskutonim të gjitha këto çështje edhe situatën në Ballkanin Perëndimor. Ky rajon është strategjikisht i rëndësishëm për NATO-n, por ka arsye për shqetësim. Shohim kërcënime ndarjeje në Bosnje dhe Hercegovinë, një situatë e brishte sigurie në Kosovë dhe po kështu normalizimin e ndalur midis Beogradit dhe Prishtinës.

Përpos të gjithave, shtete autoritare si Rusia kërkojnë të minojnë demokracitë tona me kërcënime hibride dhe kibernetike. Sapo kam përfunduar një turne në rajon, në çdo ndalesë e kam bërë të qartë se stabiliteti në Ballkanin Perëndimor varet nga të gjitha anët që ato të zgjedhin dialogun dhe diplomacinë, në vend të konfliktit dhe kaosit.

Përfundimi i retorikës ndarëse do të nxiste stabilitetin dhe reformat në Bosnje dhe Hercegovinë. Riangazhimi në dialogun e ndërmjetësuar nga BE është thelbësore për Beogradin e Prishtinën për rrugën e tyre drejt paqes dhe prosperitetit. Propozimet më të fundit për ngritjen e asocacionit në bashkitë apo komunat me shumicë serbe në Kosovë mund të jetë një hap i rëndësishëm përpara. Është koha t’i tejkalojmë konfliktet rajonale, të cilat kanë vazhduar për shumë kohë.

Po kështu diskutuam dhe luftën mizore të agresionit të Rusisë kundër Ukrainës. Nuk ka shenja që Putini të dojë të na negociojë apo të ndalë luftimet, kështu që përgëzoj aleatët e NATO-s të pranishëm këtu sot që kanë ofruar mbështetje jetike për Ukrainën. Kjo është edhe më me rendësi kur situata në fushë betejë është kaq e vështirë.

Kështu që kryeministër faleminderit shumë që na mikpritët sot të gjithëve. Pres me padurim të bashkëpunoj dhe më ngushtë me ju. Të gjithë ne do të nisim të përgatitemi për Samitin e ardhshëm në Washington.

Faleminderit shumë!

 

Kryeministri Edi Rama: Falënderoj Kryeministrin Kovaçevski për ftesën dhe Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-S për angazhimin dhe mundësimin e këtij takimi, i cili është i pari i këtij lloji në përfundim të turit të Sekretarit të Përgjithshëm në rajonin tonë dhe dëshiroj të bëj me dije që Sekretari i Përgjithshëm e priti me interes propozimin për të ndërtuar një format të një Samiti të NATO-S me Ballkanin Perëndimor ku të jenë të pranishëm, jo vetëm vendet anëtare të NATO-S në këtë rajon, por edhe vendet partnere të NATOS, pra faktikisht vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor që këtu sot nuk janë të pranishme, si edhe pjesa tjetër e vendeve anëtare që janë në kufi me rajonin meqë kanë një interes të drejtpërdrejtë për stabilitetin dhe për progresin demokratik të rajonit.

Nga ana tjetër, dëshiroj të theksoj se jam i keqardhur për faktin që pavarësisht thirrjeve të përsëritura për të shtuar në mënyrë të ndjeshme, jo vetëm vëmendjen, por edhe trupat, të cilat duhet të garantojnë stabilitet dhe paprekshmëri absolute të Kosovës, ka ndodhur një ngjarje tragjike, e cila duhet konsideruar një paralajmërim dhe jo një ngjarje sporadike, e cila duhet me çdo kusht të mos përsëritet. Për këtë arsye theksova edhe sot në takim domosdoshmërinë  e rritjes së numër të forcave të NATO-S në Kosovë dhe domosdoshmërinë për të garantuar kufirin mes Kosovës dhe Serbisë, i cili faktikisht është jashtë kontrollit dhe i cili është në shërbim të aktiviteteve ilegale të trafikut të armëve, të trafikut të drogës, të aktiviteteve, të cilat pastaj ngatërrohen siç e dimë të gjithë, edhe me aktivitetin politik, me sfond ultra nacionalist që shkakton devijime të rënda, siç ishte devijimi në Banjskë ku humbi jetën në krye të detyrës një punonjës i policisë së Republikës së Kosovës dhe ku qartësisht doli në pah rrezikshmëria e lartë për destabilizim dhe përshkallëzim të një konflikti, që siç e tha Sekretari i Përgjithshëm ka vetëm një vend, për t’u trajtuar, në tryezën e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian mes Kosovës dhe Serbisë.

Nga ana tjetër, dëshiroj të theksoj edhe kërkesën që aplikimi i Shqipërisë për të bashkëfinancuar me NATO-n bazën e re detare të NATO-s në Porto Romano të procedohet sa më shpejt sepse ne besojmë shumë që çdo gjë që ndodh hap pas hapi, e përforcon vlerën strategjike të një investimi të tillë, jo thjeshtë për Shqipërinë, as thjeshtë për krejt rajonin tonë, por edhe për vete NATO-n, e cila do të fitojë një tjetër akses të shpejtë në këtë anë të Europës, për çdo rast dhe për qëllimet strategjike të mbrojtjes së përbashkët.

Edhe njëherë faleminderit i dashur Dimitër, faleminderit i dashur Jens për këtë mundësi që të ndajmë së bashku këto shqetësime, ndërkohë që Shqipëria ka përmbushur me buxhetin e vitit 2024, edhe objektivin e financimit të mbrojtjes me 2 %, siç është shtruar nga tryeza e NATO-s për të gjitha vendet anëtare dhe ne do të vazhdojmë të jemi shumë të angazhuar dhe shumë të përkushtuar për të forcuar kapacitetet tona, për të rritur efiçencën e forcave tona të armatosura dhe njëkohësisht mbetemi në frontin e vendeve të NATO-s një anëtar i përgjegjshëm dhe i palëkundur në të gjitha sfidat e përbashkëta.

 

* * *

-Duket që situata në veriun e Kosovës riktheu edhe një herë çështjen e sigurisë në Ballkanin Perëndimor. Çfarë shikoni ju si zgjidhje konkrete për këtë, veçanërisht pas atyre që ju komunikuat dhe një pyetje tjetër që ka të bëjë me faktin që Shqipëria është një vend anëtar i NATO-s, a do të kërkojë Shqipëria nga vendet e tjera anëtare të NATO-s mbështetjen e rrugëtimit të Kosovës në Aleancën e Atlantikut të Veriut dhe nëse  Spanja dhe Hungaria duken se janë skeptike lidhur me këto? Faleminderit.

Kryeministri Edi Rama: Për pyetjen e parë besoj që e dhashë informacionin lidhur me qëndrimin tonë në raport me domosdoshmërinë që NATO të jetë  më e pranishme në Kosovë dhe posaçërisht e angazhuar me më shumë trupa për të siguruar kufirin mes Serbisë dhe Kosovës, i cili është burim i shumë të këqijave dhe prej të cilit penetrojnë edhe individë, grupe, forca që synojnë të destabilizojnë Kosovën.

Nga ana tjetër, është e padiskutueshme dhe jo më kot besoj, Sekretari i Përgjithshëm e nënvizoi pavarësisht se nuk është një instrument drejtpërdrejtë i NATO-s, por është një instrument i Bashkimit Evropian, që e vetmja rrugë për të trajtuar të gjitha problemet, që duhen zgjidhur drejt paqes përfundimtare mes Serbisë dhe Kosovës, është rruga e dialogut të ndërmjetësuar nga BE.

Dhe në këtë pikë, besoj që jo vetëm të gjithë jemi dakord, por kemi edhe siç e dëgjuat, një dëshirë, tanimë të përbashkët këtu, që formati i ardhshëm i këtij formati të kësaj natyre të zhvillohet me praninë edhe të vendeve të tjera të BP që nuk janë anëtare të NATO-s, por që me NATO-n kanë marrëveshje të niveleve të ndryshme të partneritetit.

Kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme,  ashtu sikundër nuk duhet harruar për asnjë moment se paqja që kemi në këtë rajon është jashtëzakonisht e çmuar edhe pse ka brishtësinë e vet dhe forcimi i paqes është një objektiv strategjik i të gjithëve dhe duhet të jetë i tillë, patjetër në çdo hap dhe për të gjitha arsyet, aq më tepër në një botë jo shumë larg nesh, që është për përfshirë në luftëra, se tanimë s’kemi vetëm një luftë në dyert e Evropës, në Ukrainë, por kemi dhe një luftë tjetër në vijimin e konfliktit mes Izraelit dhe Hamasit dhe mos harrojmë që jemi një rajon, jo vetëm multietnik, por edhe multifetar dhe ndikimet negative të atij konflikti nuk janë të përjashtuara nga rajoni ynë, prandaj këtu, në rajonin tonë, ne të gjithë së bashku duhet të bëjmë gjithçka është e mundur për të mos bërë asnjë hap mbrapa se vijmë nga një e shkuar, jo shumë e largët me shumë gjak, me shumë plagë, me shumë dhembje dhe asnjëherë s’kemi qenë më mirë sesa sot, por natyrisht, nesër duhet të jemi shumë më mirë se sot nëse s’duam që e nesërmja të jetë e djeshmja.

Dhe natyrisht, për pyetjen e dytë, ne jemi të bindur që Kosova duhet të ndihmohet që të përshpejtojë integrimin e saj në NATO. Dua ta falënderoj Presidentin e Kroacisë, i cili në mënyrë te përsëritur i ka bërë jehonë këtij opinioni në të gjitha tryezat e NATO-s dhe pa diskutim që unë ndaj me të bindjen absolute që është absurde, që Kosova të pengohet në këtë proces, ndërkohë që të gjithë së bashku në NATO jemi jo vetëm të vëmendshëm, por edhe te angazhuar në Kosovë aktualisht. Dhe kahja euroatlantike e Kosovës është jashtë çdo lloj diskutimi, ndërsa  hezitimet për ta njohur Kosovën nga vende të BE, nga vende të NATO-s, janë jehonë e një të shkuare, që është gjithmonë e më pak relevante, në krahasim me të tashmen, që ka sjellë kaq shumë sfida te reja dhe që kërkon shumë më tepër unitet dhe shumë më tepër vështrim strategjik.

Previous Shkup, Kryeministri Edi Rama përshëndet në nisje të takimit të liderëve të vendeve anëtare të NATO-s nga Europa Juglindore