Shkup, nis mbledhja e përbashkët mes dy qeverive, Shqipëri dhe Maqedoni e Veriut - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Shkup, nis mbledhja e përbashkët mes dy qeverive, Shqipëri dhe Maqedoni e Veriut

Mbledhja e dytë e përbashkët mes dy qeverive, të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, po zhvillohet sot në Shkup, me pjesëmarrjen e kabineteve qeveritare respektive, të kryesuara nga Kryeministri Edi Rama dhe Kryeministri Dimitar Kovaçevski dhe në kuadër të progresit të bashkëpunimit mes vendeve, në të gjitha fushat, përmes dakordësimit së hapava të përbashkëta.

Kryeministri Edi Rama dhe delegacioni i ministrave të kabinetit u priten në një ceremoni të posaçme shtetërore në selinë e Kryeministrisë në Shkup nga Kryeministri Dimitar Kovaçevski dhe më pas të dy Kryeministrat zhvilluan një takim kokë më kokë.

Në çelje të sesionit plenar të Mbledhjes së përbashkët, kryeministrat Rama dhe Kovaçevski iu drejtuan sesionit me një fjalë përshëndetëse:

 

Kryeministri Edi Rama: I nderuar kryeministër Dimitrar! Të nderuar dhe të dashur kolegë dhe miq!

Sot ne rikthehemi këtu për një tjetër takim të rëndësishëm, një mbledhje e dy qeverive, por në një kontekst krejtësisht tjetër përsa i takon situatës në Europë në rajonin tonë, në vendet tona. Lufta e Vladimir Putinit në Ukrainë godet, shkatërron, hap plagë dhe dëbon njerëz nga vendi i tyre në atë zonë, por nga ana tjetër, është e provokuar pikërisht për të gjunjëzuar Perëndimin, për të gjunjëzuar bashkësinë euro-atlantike, për të gjunjëzuar të gjitha vendet në perëndim të Rusisë, pjesë të cilëve jemi dhe ne, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.

Lufta në vendet tona nuk ka ardhur me bomba, as me shkatërrime fizike, as me dëbime njerëzish nga shtëpitë e tyre por me çmime stratosferike të energjisë elektrike në tregjet ndërkombëtare si edhe me inflacionin e saj, inflacionin e luftës, i cili ka vënë në vështirësi të gjitha vendet, që nga më të pasurat e deri tek ato më pak të pasura, siç jemi dhe ne, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.

Në këtë kontekst, është gjithnjë e më e qartë që nuk ka asnjë rrugë tjetër përballimi me sfidat e kësaj kohe dhe me vështirësitë e tejskajshme që kjo kohë ka sjellë për botën, që nga ndryshimet klimatike e deri tek luftërat konvencionale, përveç bashkëpunimit, krijimit të sa më shumë sinergjive të reja dhe adoptimit me një situatë ku ne të gjithë këtu në rajon jemi shumë të vegjël për të qëndruar me kurriz nga njëri-tjetri dhe kemi shumë për të bërë me njëri-tjetrin.

Nga ana tjetër, ne takohemi në këtë mbledhje të radhës të dy qeverive edhe në një kontekst tjetër në aspektin e përpjekjeve tona të përbashkëta për tu bërë pjesë e familjes së bashkuar europiane, pasi më në fund e kemi kapërcyer hendekun e madh dhe torturues mes të qenurit gati për t’i hapur bisedimet për anëtarësim dhe refuzimit të vazhdueshëm nga ana e Bashkimit Europian. Sot, të dyja vendet tona kanë çelur procesin e negociatave dhe faktikisht kanë hedhur një hap shumë të madh përpara.

Në 6 dhjetor, në Tiranë, do të mbahet Samiti i Bashkimit Europian me Ballkanin Perëndimor dhe ne do të jemi aty së bashku, me të gjitha dëshirat, problemet dhe sfidat tona, të cilat janë gjithmonë e më të njëjta me ato të vendeve të tjera të Bashkimit Europian dhe është koha, besoj unë, për të projektuar të ardhmen përtej luftës, duke kërkuar nga njëra anë, së bashku të gjitha vendet tona nga Bashkimi Europian që të na përfshijë gjithnjë e më shumë në të gjithë përpjekjen e organizuar për t’i rezistuar, qoftë goditjes së madhe të çmimit të energjisë elektrike, qoftë dhe inflacionit të luftës. Nga ana tjetër, për të ndërtuar një plan të përbashkët, një plan i cili të na japë mundësinë të shohim përtej kësaj faze të vështirë, të zymtë, por njëkohësisht jo të pambarimtë. Nuk kemi nevojë të presim fundin e luftës për të projektuar të ardhmen përtej saj.

Në këtë aspekt, do thoja se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë bërë njëfarë përgatitje, duke u përpjekur të projektohen në të ardhmen jo thjesht në mënyrë individuale, si shtete më vete, por edhe në mënyrë kolektive si vende të të njëjtës zonë gjeografike dhe gjeopolitike, qoftë në aspektin e Ballkanit Perëndimor si rajoni ynë, qoftë në aspektin e Bashkimit Europian si destinacioni ynë.

Besoj që Ballkani i Hapur na ka dhënë shumë mundësi të reja për të parë përtej të djeshmes, për të kuptuar si mund ta kapërcejmë të sotmen dhe njëkohësisht për të projektuar një të ardhme e cila të rrisë në maksimum aftësitë e vendeve tona që të përfitojnë nga një hapësirë shumë më e madhe se hapësira jonë e përveçme gjeografike.

Kemi parë rezultate të mira të marrëveshjeve të bëra në kuadër të Ballkanit të Hapur ashtu sikundër kemi vazhduar të jemi dhe do të vazhdojmë të jemi mbështetës të palëkundur edhe të Procesit të Berlinit, duke pasur aftësinë t’i shikojmë të dyja bashkë këto nisma si pjesë të njëra-tjetrës dhe në asnjë mënyrë si përjashtuese të njëra-tjetrës.

Nuk dua të zgjatem me marrëveshjet për të cilat foli kryeministri dhe për të cilat do të kemi gjithë kohën të diskutojmë më tutje dhe pastaj t’i bëjmë me dije për publikun kur t’i firmosim, por dua të theksoj edhe njëherë tjetër se është koha që të projektohemi me shumë më tepër forcë dhe me shumë më tepër ambicie në të ardhmen e përtej luftës dhe ndërkohë të marrim maksimumin sot nga këmbëngulja dhe aftësia për të krijuar një sinergji më të plotë me Bashkimin Europian.

Pa diskutim që mbështetja e marrë së fundmi nga Bashkimi Europian për buxhetet tona në aspektin e përballimit të krizës së çmimit të energjisë është një lajm i mirë, por nga ana tjetër nëse mbajmë parasysh se ato fonde janë një rialokim i fondeve IPA të vendeve tona, atëherë duhet të jemi shumë më ambiciozë dhe shumë më kërkues ndaj Bashkimit Europian dhe nuk mund të mjaftohemi dhe aq më pak gëzohemi me këtë hap i cili është një hap i madh, po të krahasohemi me momentet tragjike të pandemisë kur u lamë krejtësisht vetëm, të izoluar në mes të Europës nga mundësia për të marrë vaksinat në fazën e parë. Nga ana tjetër është një hap gjysmak, po të shikojmë se çfarë kemi nevojë dhe jo vetëm se çfarë mund të marrim por se çfarë mund të japim për gjithë këtë komunitet dhe këtë bashkësi vendesh dhe shtetesh të Europës.

E në fund dua të bëj një falënderim aspak protokollar për zëvendëskryeministrin e qeverisë tuaj, Artan Grubin i cili e kryeson këtë proces të përbashkët nga ana juaj dhe besoj është shqiptari më i mirë mes maqedonasve dhe maqedonasi më i mirë mes shqiptarëve. Për ne është kënaqësi dhe privilegj që të kemi në nivelin e punës së përditshme një partner kaq të besueshëm ashtu sikundër dhe të gjithë kolegët. Këtë e kisha detyrë ta përcillja në emër të gjithë ekipit tim sepse në nivelin përgatitor dhe punës teknike, janë ata që kanë mundësi të vlerësojnë punën e Artanit dhe gjithë skuadrës suaj.

Shumë faleminderit për gjithë përkushtimin në këtë marrëdhënie. Unë besoj që është interes i madh strategjik kombëtar reciprokisht i të dyja shteteve tona që të kemi marrëdhënie sa më të forta, sa më vëllazërore, sa më të palëkundura nga asnjë lloj stuhie apo asnjë lloj stine e vështirë sepse jemi dy enë komunikuese që nuk mund të bëjmë dot pa njëra-tjetrën, ashtu sikundër kemi dhe detyrimin e madh që të punojmë bashkërisht për stabilitetin absolut të dy shteteve tona e njëkohësisht për harmoninë absolute mes të dy popujve tanë, mes shqiptarëve dhe maqedonasve.

Shumë faleminderit edhe njëherë dhe për mikpritjen dhe paçim forcë dhe paçim durim dhe paçim sa më shumë rezultate të prekshme për njerëzit tanë, në këtë përpjekje të sinqertë konstruktive dhe si asnjë herë më parë të përbashkët.

Previous Balluku inspekton punimet për rrugën e aeroportit të Vlorës