Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, priti në një takim Sekretarin e Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare, SH.T. Imzot Paul Richard Gallagher.
Ministrja Xhaçka vlerësoi qëndrimet e Selisë së Shenjtë për paqe në Ukrainë, teksa nënvizoi nevojën për kontributin e Selisë së Shenjtë në sigurinë dhe stabilitetin e rajonit.
“Emërimi i Don Ernest Troshanit si Kardinal Nderi në Vatikan është një shenjë e qartë vlerësimi dhe një sinjal pozitiv për intensifikimin e marrëdhënieve tona. Bashkëjetesa fetare është një fakt historik i të gjithë shqiptarëve dhe ne ndihemi çdo ditë krenarë për këtë vlerë të kombit tonë”, tha kryediplomatja Xhaçka gjatë deklaratës së përbashkët për shtyp.
Ministrja Xhaçka dhe Sekretari i Vatikanit Gallagher ndanë të njëjtat pikëpamje për të intensifikuar më tej bashkëpunimin dypalësh mes Shqipërisë dhe Vatikanit në fushat e arsimit, kulturës dhe shëndetësisë.
Ata konfirmuan mundësinë e marrëveshjes së bashkëpunimit me Spitalin Pediatrik “Bambin Gesù”, për trajtimin e rasteve urgjente dhe shërimin e sëmundjeve komplekse të fëmijëve shqiptarë, një tregues i rëndësishëm i marrëdhënieve me Vatikanin.
Ndërkohë, Sekretari i Vatikanit Gallagher vlerësoi hapat e ndërmarra nga Shqipëria në rrugëtimin e saj drejt BE.
“Mbajtja e Konferencës së parë Ndërqeveritare Shqipëri-BE ishte një hap shumë i rëndësishëm për vendin dhe për të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor. Ne jemi të bindur që do të vazhdojmë të japim mbështetjen tonë për unitetin e plotë të të gjithë sferës evropiane, duke pasur parasysh edhe zhvillimet e fundit siç është lufta në Ukrainë edhe ndikimi i saj në rajon”, tha ai.
Vizita e Sekretarit të Vatikanit Gallagher në Tiranë është shprehje e vullnetit të Vatikanit për zhvillimin dhe intensifikimin e dialogut në nivel të lartë me Shqipërinë.