Interpelanca e ministrit të Brendshëm Taulant Balla në Kuvend:
Ju falënderoj për mundësinë që më dhatë përmes kësaj interpelance t’i raportoj Kuvendit dhe publikut mbi përpjekjet tona në luftën kundër kriminalitetit dhe çështje apo pyetje tjera të ngritura prej jush.
Le të shërbejë kjo interpelancë edhe si një llogaridhënie e imja, ndërsa kam nderin të jem Ministër i Brendshëm prej 300 ditësh. Lajmi më i përhapur sot për Shqipërinë, pavarësisht këndvështrimit tuaj, është çertifikimi ndërkombëtar si një destinacion i sigurtë turistik.
Sot mund ta themi me kokën lart edhe me krenari se Shqipërisë i është pastruar një herë e përgjithmonë imazhi i nxirë nga një e shkuar e rëndë shumëvjeçare. Çfarë thonë turistët kur vijnë në Shqipëri, kur i pyet se çfarë pëlqeni nga Shqipëria? Fjala e parë që artikulojnë, 90% prej tyre, është siguria. Dhe këtu flasim për turistë që vijnë nga Europa, nga Amerika e Veriut, nga Azia, pra vende me nivel të lartë sigurie.
Janë turistë që normalisht vijnë nga vende që siguria nuk është problem, por e vërteta është që janë turistë të cilët ndihen shumë të sigurtë në Shqipëri.
“Siguria, – thonë, dhe pastaj vazhdojnë me fjalinë – del në Tiranë natën dhe nuk ke asnjë ndjesi që dikush do të vijë të të vjedhë orën, apo do të të marrë çantën nga shpina!
Siç ndodh sot në disa kryeqytete europiane, ku nuk ecet dot natën”.
Kjo është Shqipëria, siç e shohin me syrin objektiv, të paanshëm, sepse unë jam i sigurt që unë e ti e shohim Shqipërinë me sy të ndryshëm. Gjej rastin këtu të falenderoj gjithë shtetasit shqiptarë që e kanë respektuar kodin tonë zakonor se “shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut”. Mbrojtja dhe kujdesi ndaj turistëve, e mveshur “me statusin e rëndësisë së veçantë” që ata duhet të kenë, lidhet shumë me projektin e të ardhmes së kësaj industrie vitale për Shqipërinë tonë.
E kemi mbyllur vitin 2023 me ZERO ngjarje kriminale fatale ndaj vizitorëve të huaj! Na duhet të bëjmë gjithcka që ta ruajmë këtë trend pozitiv.
Vizioni ynë “Shqipëria 2030” ka në themelin e vet pikërisht pakthyeshmërinë e progresit të arritur. Shqipëria kampione e Ballkanit në turizëm, me një siguri të nivelit më të lartë.
U zgjata ndoshta në këtë pjesë, por e bëra këtë edhe për të ndarë me ju nevojën për më shumë mbështetje që duhet t’i ofrojmë Policisë së Shtetit, e cila me 10 mijë efektivët e saj, do të duhet përballojë jo vetëm detyrën e mbrojtjes së sigurisë publike në komunitetet tona, por edhe 14 milionë vizitorë të huaj që ne presim në vitin 2024.
Të nderuar kolegë,
Pikërisht për këtë që theksova më lart, na duhet të kemi dhe t’i ofrojmë më shumë mbështetje Policisë së Shtetit. Jemi në fazën e fundit të konsultimeve me Kryeministrin dhe Ministrin e Financave, për të mundësuar një rritje të lartë të pagave të punonjësve të Policisë së Shtetit më 1 korrik.
Në këto 300 ditë në krye të Ministrisë së Brendshme, kam pasur mundësi të takohem me pjesën më të madhe të Policisë së Shtetit dhe të dëgjoj me vëmendje secilin prej anëtarëve të kësaj trupe. Rezultatet e arritura deri më tani janë fillimi i një revanshi të sundimit të ligjit ndaj krimit të organizuar.
Besoj jeni dhe ju dakord që në territorin e kësaj republike, nuk mund të ketë më “të fortë”, nuk mund të ketë më “të fortë” mbi ligjin, mbi qytetarët, të cilët nuk ka qenë e largët dita, që edhe kur policia i ndalonte dhe i shoqëronte nga dera e komisariatit, të dilnin të dilnin nga dera e banjos së komisariatit, apo me vendimet e blera nga drejtësia në treg.
Lufta kundër krimit të organizuar dhe përmirësimi i sigurisë publike është prioriteti i kësaj qeverie. Goditjet e forta kundër grupeve kriminale vijojnë të intensifikohen çdo ditë. Sapo janë arrestuar në Itali e Spanjë dy personazhe të tjera të botës së krimit të cilët do të ekstradohen në Shqipëri.
Viti 2023 shënoi dhe numrin më të ulët të vrasjeve kriminale në Shqipëri në këto 30 vite që mbahen shifra.
– 35 (vrasje), dëgjojeni me vëmendje, krahasuar me 107 në vitin 2013. Ky është indikator që përdoret në të gjitha vendet, 35 në 2023, 107 në 2013, 124 në vitin 2012.
28 prej këtyre ngjarjeve janë zbuluar. Dhe fatkeqësisht, 1/3 e tyre janë ngjarje krim në familje.
I kam kërkuar drejtorive vendore të policisë të rrisin forcën parandaluese e goditëse sa i përket dhunës më bazë gjinore dhe duhet të ofrojmë sa më shumë mbështetje për viktimat e dhunës, të cilat janë nënat dhe motrat tona. Janë evidentuar 4698 raste të dhunës në familje, dhe 2030 autorë të identifikuar.
Më lejoni të ndaj me ju raportin më të fundit të Iniciativës Globale Kundër Krimit të Organizuar Ndërkombëtar, që bën vlerësimin e progresit ose të regresit që bëjnë vendet në luftën kundër kriminalitetit. Të ndaj me ju krenarinë si çdo shqiptar tjetër që në raportin për vitin 2023 Shqipëria ka uljen më të lartë të nivelit të kriminalitetit krahasuar me të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, por edhe me vende të tjera të BE-së.
Jemi përmirësuar me 0.46 pikë, një ndryshim me të gjitha vendet që ju thashë. Ky ndryshim pozitiv në vlerësim përkthehet në renditjen e vendit tonë. Nuk jemi më në 10-shen e zezë të Europës, sa i përket kriminalitetit. Raportin mund t’jua jap ta lexoni edhe ju. Muaji prill 2024 shënoi në fakt një muaj tjetër të mirë ku për fat të mirë nuk kishim asnjë jetë të humbur në ngjarje kriminale me armë.
Të kthehemi tek llogaridhënia publike për të cilën më keni thirrur në këtë seancë. Gjatë 300 ditëve të fundit Policia ka organizuar dhe finalizuar 1,054 operacione policore duke çuar në arrestimin e 6693 autorëve të dyshuar për vepra të ndryshme penale.
Janë sekuestruar 415 armë zjarri, mbi 500 armë te ftohta, qindra granata dhe rreth 1,700 kilogramë lëndë plasëse, të cilat janë gjithmonë burim i ngjarjeve të rënda kriminale.
Mos harroni, që jemi një vend që ende vuajmë pasojat katastrofike të vitit 1997. Po ashtu, edhe nënvizojeni, falë punës së duhur hetimore dhe ndërhyrjes në kohë, janë parandaluar 156 ngjarje të mundshme kriminale që mund të ishin shoqëruar me jetë të humbura.
Lufta kundër drogës dhe kultivimi i lëndëve narkotike mbetet një prioritet i yni i padiskutueshëm.
Gjatë vitit 2023, me që thatë se mungojnë kokat, këtu flasim për grupe, janë goditur 28 grupe kriminale me aktivitet në fushën e kultivimit.
– Janë kryer 171 operacione policore;
– Janë goditur 335 raste të kultivimit.
Janë asgjësuar, – shkruaje – 293,047 bimë narkotike, me 273 shtetas të ndaluar dhe vendosur nën akuzë.
Janë sekuestruar gjatë vitit 2023:
• 4 tonë cannabis sativa;
• 62 kilogramë heroinë,
• 23 kilogramë kokainë dhe
• 11 300 doza ekstazi;
Këtu më lejoni, se e kam pak merak, të bëj një krahasim meqë e keni këtë “droga, droga, droga”, “narkoshteti” etj, të bëj një krahasim me vitin 2013, kur ministër i Brendshëm ishte kryezëvendës lideri siç e quan nënkryezëvendës Gjekmarkaj. Po citoj Komandantin Bastioni, të Guardia di Finanza, në një konferencë për shtyp më 5 Gusht 2013: “Në Lazarat…, lënda narkotike mund të arrijë në 900 tonë ndërsa nga vlera e shitjes së saj mund të përfitohet 4.5 miliard euro… Kemi bërë fotografi nga lartësia që dëshmojnë realitetin në Lazarat…”
Që do të thotë, lënda narkotike e prodhuar në Lazarat, ishte dy herë më e madhe se sa gjithë buxheti i shtetit kur ju ishit në qeveri. Ky është narkoshteti dhe mos bërtit Tritan, se ja ke parë hajrin, por unë ju mirëkuptoj ju! Juve ju dhemb në shpirt ç’keni humbur.
Lufta kundër fenomenit shqetësues të përdorimit të lëndëve narkotike po garanton çdo ditë shkolla dhe komunitete më të sigurta.
Gjate dy megaoperacioneve mbarëkombëtare Tempulli 1 dhe Tempulli 2, janë goditur deri sot në mëngjes, shkruaje 32 grupe kriminale dhe janë dërguar para drejtësisë 1,225 persona të cilët janë edhe koka, të cilët janë edhe prodhues, edhe shpërndarës, edhe trafikantë të lëndëve narkotike. Po 1225 emrat do vij t’jua lexoj emër për emër.
Drejtoria Vendore e Policisë së Shtetit, do t’ju ofrojmë dhe emrat, duke respektuar kini parasysh të drejtën për prezumimit të pafajësisë dhe gjëja e mirë është se në 98% të rasteve prokuroria dhe gjykata kanë miratuar kërkesën “arrest me burg”. Për ata që kanë pak haber nga drejtësia e kuptojnë fare mirë që aty është dhe çelësi i suksesit.
Jam shumë krenar sot si Ministër i Brendshëm që Shqipërinë e kemi anëtare të koalicioni global të luftës kundër drogave sintetike, me një rol jo vetëm të një anëtari por edhe me një rol prej udhëheqësi rajonal dhe po ashtu t’ju them që falë edhe votës këtu në Kuvendin e Shqipërisë kemi bërë hapa seriozë në luftën kundër drogave sintetike, por edhe sa i përket substancave të cilat i bëjnë dëm shëndetit të të rinjve sikurse ishte gazi N2O apo lëndë të tjera, të cilat janë të dëmshme për shëndetin.
Operacioni Kombëtar “Sundimi i Ligjit” po jep rezultatet e shumë pritura. Po jua them troç ky operacion ka pasur dhe ka në focus ata që janë problem i çdo lagjeje i çdo komuniteti. Ata tipat e fortë të lagjes, që nuk lënë komunitetin rehat, që bridhshin me armë pa leje, një shprehje e patolerueshme e karshillëkut ndaj shtetit dhe po ashtu personazhe që ju i përmendet të cilët i shmangen drejtësisë.
Tani sa i përket “Sundimi i Ligjit” 2509 shtetas të arrestuar. Janë gjetur dhe ndaluar në Shqipëri 350 persona në kërkim kombëtar dhe 83 në kërkim ndërkombëtar.
Policia e Shtetit po fiton një besim më të madh jo vetëm nga publiku por dhe nga agjencitë e vendeve partnere. Dhe jam i gatshëm të ndaj me ju dhe rezultatet e një sondazhi të respektuar sa i përket besueshmërisë dhe respektit të qytetarëve, qofshin demokratë apo socialistë sa i përket këtyre operacioneve të policisë. 80% e qytetarëve socialistë dhe demokratë mbështesin operacionin, që garanton paketën e sigurisë në shkolla, që garanton shkolla të sigurta dhe që garanton largimin pranë shkollave të spaçatorëve dhe po ashtu, e njëjta korelativë është edhe sa i përket mbështetjes ndaj operacionit “Sundimi i Ligjit”.
Sa i përket goditjes së pandëshkueshmërisë, kemi arrestuar në Shqipëri me qëllim ekstradimin jashtë, 103 persona dhe nga jashtë me qëllim ekstradimi në Shqipëri 104 persona dhe brenda këtyre shifrave keni personazhe apo “koka të mëdha” të krimit të organizuar dhe trafikut ndërkombëtar të narkotikëve.
Vlen të theksojmë edhe faktin se për herë të parë kemi ekstradim apo deportim, si të doni ta quani, nga vende me të cilat nuk kishim dhe nuk kemi marrëveshje ekstradimi, sikurse ishte në ditët e fundit vitit të kaluar të Ruben Saraiva, një person i akuzuar për një ngjarje të rëndë kriminale, ndodhur gjatë vitit të kaluar në Shqipëri.
Sa i përket krimit ekonomik, në fushën e krimeve ekonomiko-financiare, gjatë vitit 2023, janë evidentuar, 3395 raste të veprave penale, me 4017 autorë dhe po ashtu, po ecim me pjesën e sekuestrimit të pasurive të paligjshme të fituara nga korrupsioni dhe nga krimi I organizuar dhe do të sjellim këtu në kuvende, besoj që kemi edhe mbështetjen tuaj edhe ligjin për zyrën e rikuperimit të aseteve apo edhe ndryshime në ligjin për administrimin e pronave të sekuestruara dhe të konfiskuara.
Bie shumë dakord, vjedhjet janë një hall i madh dhe më lejoni t’ju them që në këto 300 ditë, janë zbardhur rreth 600 vjedhje, ku janë goditur një numër i konsiderueshëm i atyre që quhen problem. Unë bie dakord kryesisht në zonat rurale, ky është një shqetësim, për hajdut pulash dhe jo vetëm, që duhet të jenë në fokusin e përditshëm të Policisë së Shtetit.
Zonja dhe zotërinj,
rëndësia e uniformës që mbart uniforma e Policisë së Shtetit, duhet ta bëjnë shoqërinë të reflektojë edhe për ridimensionimin e qëndrimeve dhe mbështetjes për sigurinë publike, sepse Policia e Shtetit është garantuesi themelor dhe është e turpshme ajo që bën ndonjëri prej jush, që godet punonjësit e Policisë së Shtetit teksa kryejnë detyrën, që fyeni punonjësit e Policisë së Shtetit. Mos harroni asnjëherë, se uniforma e Policisë së Shtetit është vetë shteti. Kushdo që sulmon punonjësin me uniformë, ka sulmuar shtetin.
Vetëpastrimi i Policisë së Shtetit, unë nuk kam asnjë dyshim, e kam thënë ditën e parë që kam marrë këtë detyrë, ky është procesi jetik për të garantuar një polici shteti me nivel të lartë besimi. Synimi im është që ta bëj Policinë e Shtetit, bashkë me mbështetjen e qeverisë dhe të deputetëve, institucionin më të besuar në vend.
Është e vërtetë, kam firmosur një urdhër kur i kam kërkuar Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, të kryejë verifikimin e përdorimit nga punonjësit e policisë, të aplikacioneve të enkriptuara të përdorura nga krimi, qoftë “SKY ECC”, qoftë “ENCROCHAT”. Gjatë periudhës Korrik 2023 – Prill 2024, nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore janë bërë 227 referime në prokurori, për punonjës të Policisë së Shtetit, që e kanë bërë pis uniformën dhe që kanë shkelur betimin, ku 349 janë punonjës e referuar nga të cilët 65 punonjës policie arrestuar ndërkohë, vetëm brenda 300 ditëve. Numri i punonjësve të referuar në periudhën 2023-2024 ka një rritje me gati 42% krahasuar me një vit më parë.
Këtu më lejoni, t’ju jap edhe një përgjigje për shqetësimin që ju keni marrë përsipër se kur ju pëlqen dhe kur ju duhet e citoni, kur nuk ju duhet nuk e citoni. Se ka të bëjë me një deklarim, zotin Dumani mund ta keni këtu në Kuvend dhe mund ta pyesni. Me të drejtë drejtuesi i SPAK ngre një shqetësim, sepse nga Janari 2020- Janari 2024, SPAK ka hetuar 69 punonjës policie. Tani, nga Korrik 2023-Prill 2024 ne kemi referuar 349 dhe kemi arrestuar 65 përmes AMP-së.
Unë e theksoj se bashkëpunimi me SPAK dhe me prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm është jetik për të çuar përpara procesin e vetëpastrimit të policisë. Ky proces ka nevojë për të çuar përpara një set që ne po marrim, ndër të cilat, unë po ua them sot dhe do të kërkoja shumë edhe nga ana juaj se, sapo të sjellim në kuvend ligjin “Për Policinë e Shtetit”, të ishte një diskutim i gjerë, ku kontributi i opozitës është i mirëpritur, sepse në fund të fundit të gjithë e pranojmë se Policia e Shtetit është institucioni bazë i garantimit të sigurisë publike në këtë vend, e cila ka nevojë për mbështetjen e të gjithëve.
Ministri Balla: Kisha menduar që do të vinit më të përgatitur në këtë interpelancë, por në fund, akti më i rëndë kriminal, në vlerësimin tuaj, kishte mbetur një gozhdë. Sa i përket shqetësimit tuaj lidhur me ecurinë e procesit të vetingut, thatë që procesi ka ngecur. Mos harroni që ligji ka përcaktuar kalimin në proces vetingu vetëm të pjesës drejtuese të Policisë së Shtetit, një trupë prej 300 vetësh.
Vetëm në 3 muajt e fundit kemi 33 vendime, nga të cilat 19 prej tyre janë konfirmim në detyrë. Pra po flasim për 3 muaj, 33 vendime, nuk është pak. Është një proces që ecën dhe mos harroni që ky është një proces i vazhdueshëm. Nuk është si procesi i vetingut në sistemin e drejtësisë. Ky është një proces i tillë që kushdo që hyn në këtë 300-she të trupës drejtuese, duhet të jetë në një proces vetingu dhe institucioni që e bën këtë është AMP.
Fokusi im si ministër i Brendshëm është rritja e fuqizimit të kapaciteteve monitoruese e parandaluese të AMP. Këtu gjej rastin të falënderoj qeverinë e SHBA dhe programin ICITAP, me të cilin po punojmë çdo ditë për trajnimin e oficerëve të AMP, të cilët janë garancia jonë në luftën kundër korrupsionit, ryshfetit, brenda Policisë së Shtetit. Dua t’ju garantoj ju dhe publikun se procesi i vetëpastrimit të Policisë së Shtetit është një proces jetik.
Sa i përket aplikacioneve që ju përmendët, mund t’ju vë në dispozicion raportin e EUROPOL, ku të gjithë e dimë që asnjë prej policive europiane nuk ka rezultuar imune ndaj kësaj lidhjeje mes krimit dhe punonjësve të Policisë së Shtetit.
Sa i përket çështjes së emërimeve pastaj, duhet ta dini që emërimet në Policinë e Shtetit me përjashtim të Drejtorit të Përgjithshëm, të gjitha emërimet e tjera janë detyrë e Drejtorit të Përgjithshëm, ndërsa Drejtori i Përgjithshëm është me propozim të ministrit, dhe me miratim të Kryeministrit.
Dhe mos harroni asnjëherë që ne jemi duke studiuar dhe do ta diskutojmë edhe me ju, në ligjin e Policisë së Shtetit që drejtuesit, jo vetëm Drejtori i Përgjithshëm apo drejtuesit e departamenteve, edhe drejtuesit e DVP-ve, ka ardhur koha për të pasur një mandat. Mund të jetë 3-vjeçar, 4-vjeçar, siç i kanë vendet e tjera, për t’i dhënë fund një historie lëvizje kaotike dhe për të garantuar karrierë.
Por dua t’ia them çdo punonjësi të Policisë së Shtetit, që nëse do të bësh karrierë në Polici të Shtetit duhet integritet, gatishmëri për të luftuar korrupsionin dhe pa dyshim duhet rritur besueshmëria e publikut te Policia e Shtetit. Synimi është të bëjmë Policinë e Shtetit institucionin më të besuar në vend.
Replika në Kuvend e ministrit të Brendshëm Taulant Balla me deputetin e opozitës Noka:
Krye-zëvendës-lider, siç të quan nën/krye-zëvendës-lider Gjekmarkaj, çke që hyn në detaje? Pse hyni në detaje dhe në diskutim shifrash? Nuk kishe ardhur, se ishe duke fjetur në mëngjes, kur u kujtova kolegëve të tu një shifër që ua përmendi kolegu Shalsi, që është shifra më domethënëse që ju duhet të mbyllni gojën njëherë e për gjithmonë, dhe që ju për këtë çështje nuk mund të flisni kurrë.
Shifrën që ta ka lexuar zotrote kur ti ishe në zyrën që unë mbaj sot, krah për krah me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Hysni Burgaj, Komandanti i Guardia di Finanza-s, Bastioni, në 5 gusht 2013, e po ta rilexoj: “Në Lazarat lënda narkotike mund të arrijë në 900 ton. Ndërsa nga vlera e shitjes së saj, mund të përfitohet 4,5 miliard euro. Kemi bërë fotografi nga lartësia që dëshmojnë realitetin në Lazarat”. Për ta bërë më të kuptueshme për ty nëse i referohemi buxhetit të shtetit 3,3 miliard dollarë, dhe me kursin e këmbimit, i bie fiks ajo që tha z. Shalsi, që tha: “Buxheti i shtetit në kohën kur e mbyllët ju, që s’keni për t’u kthyer më kurrë, ishte dy herë më i vogël në vlerë, se sasia në vlerë e kanabisit që kultivonit dhe shisnit ju!”
Por, do të kisha shumë dëshirë të flisja për ofruesin e shërbimit të lundrimit ajror “Albkontrol”, sepse nëse ne kemi një pasaportë realisht europiane “Albkontroll-i” është “Made in Europe” 100%. Është ajo që jemi anëtarë të BE, por nuk do flas për këtë sepse edhe për shkak të viteve që kam në këtë sallë më bëri përshtypje sulmi i radhës që ju bë një institucioni tjetër të drejtësisë.
Në rastin në fjalë, halli ua do të sulmohet, nuk e di për cilin hesap, i kam disa dyshime, por për kë hesap e keni që po sulmoni Shkollën e Magjistraturës. Por deri më sot, të paktën unë kam 20 vite, nuk kishte ndodhur që njëra prej palëve politike të sulmonte Shkollën e Magjistraturës. Arsyeja pse nuk ka ndodhur është se që prej vitit 1997-1998, kjo shkollë, që ne e kemi pranuar të gjithë në thonjëza “çedimi sovraniteti”, sepse Shkollën e Magjistraturës, ua kemi besuar atyre që janë partnerët tanë më të rëndësishëm. Që nga 1997-1998, mos gaboj, certifikimin ose sekretimin e procesit ia kemi besuar OSBE-së. I kemi thënë OSBE-së që duhet të jeni ju. Aty janë projektet e shumta, mirënjohje, taksapaguesve amerikanë, përmes të cilëve Ambasada Amerikane është prezente në projektet e veta të mbështetjes, sepse në fund të fundit aty është burimi i magjistratëve, aty është Këshilli i Evropës dhe plot partnerë të tjerë.
Është një proces që zhvillohet me një pajisje digjitale, përmes një skantroni, një proces që është qartësuar siç kam ndjekur unë, në publik, e ke ndjekur edhe ti. Pra është qartësuar dhe nuk ka asnjë problem. Procesi ka vazhduar normalisht, pajisja kur ka marrë faqet nuk ka marrë një faqe të fundit, është ribërë vlerësimi, kanë dalë të gjithë. Asnjë prej atyre që janë aty nuk kanë ankesa. Pse ankohesh ti? Pastaj shkohet tek halli se duhet gjetur një copë baltë edhe pastaj duhet gjetur se kush duhet goditur.
Dëgjova këtu, që godisnit drejtorin e shkollës, juristin e nderuar Arben Rakipi. Këtu kuptova se kush është halli. Flamur, kam vetëm një pyetje, si ka mundësi që ti si kryezëvendës-lider, riprodhon por me gabime në formë dhe në përmbajtje, gjithë baltën që ka prodhuar, ish-lideri yt, në arrest shtëpie?!
Nga 1992 e deri më 2024, “babai” yt politik i ka sulmuar me radhë. Ka sulmuar Prokurorin e Përgjithshëm Maksim Haxhia, ka sulmuar Prokurorin e Përgjithshëm Arben Rakipi, ka sulmuar Prokurorin e Përgjithshëm Theodhori Sollaku, ka sulmuar Prokurorin e Përgjithshëm Ina Rama. Dhe tani po sulmoni Prokurorin e Përgjithshëm Olsi Çela dhe drejtuesin e SPAK Altin Dumani.
Ju nuk të lini fare hapësirë që t’ju mbrojë dikush, sepse jeni konsekuentë. Nuk keni lënë asnjë Prokuror të Përgjithshëm me përjashtim të Adriatik Llallës, për arsye që nuk po i ndaj këtu. Këtu pastaj qershia mbi tortë. Njëlloj, siç keni sulmuar gjithë prokurorët e përgjithshëm, keni sulmuar të gjithë ambasadorët amerikanë. Nga i pari te i fundit! Me përjashtim të Rajersonit, i cili iku shpejt. E filluat me Mariza Linon, pastaj kaluat te John Withers, pastaj te James Jefrey, Marci Ries e me radhë, pastaj te Arvizu, Donald Lu e Juri Kim dhe presim tani ambasadorin e radhës që sapo ka kaluar në Senat, që të vijë e të filloni të njëjtën këngë!
Tani, si ka mundësi që ju sulmoni edhe Prokurorin e Përgjithshëm, edhe ambasadorin amerikan?! Si ka mundësi, o Flamur? Ngrije kokën pra!
Dhe vini merrni fjalën këtu në mëngjes dhe kërkoni përgjegjësi, një pjesë të cilat s’na takojnë, kur fjalë për sulm ndaj një magjistrati, si ai që ka ndodhur të dielën në Shkodër, për të cilin unë kam thënë që është një test për Policinë e Shkodrës dhe që sapo të konkludohet, bashkë me prokurorinë është diçka që duhet ta zbardhim domosdoshmërisht, që maskarenjtë të mos marrin hov kundër drejtësisë së re që po lind në gërmadhat e drejtësisë së vjetër. Por ka ardhur koha që disa prej jush t’i thërrasin mendjes. Secili prej atyre magjistratëve, nga drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, te Prokurori i Përgjithshëm, te z. Rakipi e të gjithë me radhë, janë familjarë në radhë të parë. Dhe ç‘punë keni ju t’u hyni këtyre njerëzve me “libër shpie”? Ti je i fundit që mund të thuash për historira “sigurimi” o Flamur! Të lutem. I thua ti Arben Rakipit “sigurims”! Po jo, mos e bëj këtë gjë, se po u hapën ato të shkreta letra, aman, s’dihet si del!
Në këtë sallë, Dashi, në këtë sallë, ju e dini edhe si ka funksionuar, fare mirë, shumica, kanë qenë një çik këtej Dashi, e di fare mirë. Megjithatë, ne i kemi bërë përpjekjet tona dhe mos e harroni, ju e keni premtuar, ne e kemi bërë realitet edhe pjesën e hapjes së dosjeve.
Kështu që, Flamur, tërhiqi mbrapsht ato që the, kërkoi falje Shkollës së Magjistraturës, mund të ketë qenë ndonjë ëndërr e mbetur në sirtar për ty, por ti zgjodhe doktorin dhe si ai doktori tjetër, s’e bërë kurrë profesionin!