Tiranë – “Shqipëria është sot një vend që kontribuon në sigurinë e Europës edhe merr pjesë aktive në operacione të përbashkëta policore dhe në adresimin e sfidave të tjera që lidhen me sundimin e ligjit, rendit e sigurisë publike”, kështu deklaroi ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi gjatë fjalës së mbajtur në Konferencën e 43-të Policive të Kryeqyteteve Europiane, e cila kësaj radhe u zhvillua në Tiranë.
“Vendi ynë qe i pari në Ballkanin Perëndimor që nënshkroi marrëveshjen me Agjencinë Evropiane të Rojës Kufitare dhe Bregdetare (FRONTEX), e cila vijon e ka rezultuar shumë e suksesshme në menaxhimin e kufirit dhe flukseve migratore që i drejtohen kufijve të jashtëm të Bashkimit Europian. Dihet gjithashtu gjerësisht fakti se ne e kemi kaluar tashmë prej kohësh fazën kur vetëm shkëmbenim informacione me partnerët tanë për hetimin dhe goditjen e grupeve kriminale. Sot jemi pjesëmarrës aktivë dhe me rol drejtues në Skuadra të Përbashkëta Hetimore dhe në operacione ndërkombëtare për goditjen e grupeve kriminale. Dhe kjo nuk është kurrsesi një fazë e rastësishme, por dëshmi domethënëse e besimit që është krijuar nga partnerët evropianë te Shqipëria, gjë e cila na vesh edhe më shumë me përgjegjësi”, deklaroi ministri Çuçi.
Më tej ai theksoi se Policia e Shtetit është sot një ndër institucionet më të besueshme në Shqipëri, e konfirmuar kjo edhe nga studime të vendeve tona partnere. Çuçi foli gjithashtu për modernizimin e Policisë së Shtetit.
“Vitet e fundit kemi afruar rreth 3 mijë të rinj duke ulur moshën mesatare të efektivëve tanë, trend që do ta ruajmë për të arritur te mesatarja e vendeve të BE-së. Njëherësh ne jemi tejet të fokusuar tek rritja e cilësisë së edukimit dhe trajnimit policor për të rinjtë që i bashkohen shërbimit. Këtë ambicie po e konkretizojmë me partnerë si Italia, në mënyrë që Akademia e Sigurisë të jetë në rangun e simotrave të saj europiane. Sfidë për ne ka qenë shtrirja tërësore e modernizimit të Policisë së Shtetit përmes investimeve në teknologji dhe pajisje inteligjente. Askush më mirë se ju se di që vetëm përmes avantazheve që krijon teknologjia, vende të vogla si Shqipëria mund të bëjnë kapërcime domethenese dhe të rrisin cilësisht punën në drejtim të uljes së kriminalitetit në të gjitha format e tij”, tha Çuçi.
Në fund Ministri i Brendshëm kërkoi më shumë bashkërendim të punës për të goditur krimin e organizuar i cili po bëhet gjithmonë e më shumë transnacional. E po kështu vëmendje e vecantë i duhet kushtuar edhe krimit kibernetik sipas tij.
“Ne kemi nisur një etapë të re dhe të vështirë investimesh të mbrojtjes kibernetike. Ky është një proces i gjatë dhe ku natyrisht ekspertiza e lartë europiane nga vendet tuaja është e mirëpritur”, tha ministri i Brendshëm Çuçi.
Fjala e plotë e ministrit të Brendshëm Bledi Çuçi, në nisje të punimeve të Konferencës:
Të nderuar drejtorë të policive të kryeqyteteve europiane,
Është një kënaqësi krejt e vecantë që si Ministër i Brendshëm i Shqipërisë t’ju mirëpres sot në Tiranë e t’ju falënderoj që keni ardhur kaq të shumtë në numër, nga të gjitha anët e kontinentit dhe të shpreh vlerësimet më të larta për angazhimin tuaj të vazhdueshëm në këtë platformë, që i shërben një prej aspekteve më thelbësore të punës së institucioneve të zbatimit të ligjit: afrimit dhe forcimit të lidhjeve e bashkëpunimit të drejtpërdrejtë.
Këtë platformë unë e konsideroj një mundësi të shkëlqyeshme për të diskutuar se si mund të bashkërendojmë punën me njëri-tjetrin për të rritur kohezionin e përpjekjeve për ti shërbyer qytetarëve në vendet tona respektive, e kësisoj edhe në të gjithë kontinentin europian. Jam i bindur që biem dakord se edhe pse ende jo një vend anëtar i BE, Shqipëria ka një kontribut real dhe të matshëm në sigurinë e unionit si pjesëmarrëse aktive në operacione të përbashkëta policore dhe adresimin e sfidave të tjera që lidhen me sundimin e ligjit, rendit e sigurisë publike. Shembull është fakti që vendi ynë qe i pari në Ballkanin Perëndimor që nënshkroi marrëveshjen me Agjencinë Evropiane të Rojës Kufitare dhe Bregdetare (FRONTEX), e cila vijon e ka rezultuar shumë e suksesshme në menaxhimin e kufirit dhe flukseve migratore që i drejtohen kufijve të jashtëm të Bashkimit Europian.
Dihet gjithashtu gjerësisht fakti se ne e kemi kaluar tashmë prej kohësh fazën kur vetëm shkëmbenim informacione me partnerët tanë për hetimin dhe goditjen e grupeve kriminale. Sot jemi pjesëmarrës aktivë dhe me rol drejtues në Skuadra të Përbashkëta Hetimore dhe në operacione ndërkombëtare për goditjen e grupeve kriminale. Dhe kjo nuk është kurrsesi një fazë e rastësishme, por dëshmi domethënëse e besimit që është krijuar nga partnerët evropianë te Shqipëria, gjë e cila na vesh edhe më shumë me përgjegjësi. Ne sot jetojmë në një botë dinamike e me kufij fluid, me rreziqe hibride e në evolucion të shpejtë, ku edhe krimi i organizuar është një aktor i cili nuk njeh shtet a pasaportë. Një fenomen i këtyre përmasave mund të luftohet vetëm nëse bashkërendojmë forcatdhe kapacitetet tona në po të njëjtën mënyrë, pa kufij dhe pasaporta!
E me këtë vizion në mendje, mund të them me krenari se Policia e Shtetit Shqiptar është sot ndër institucionet më të besueshme nga publiku, e konfirmuar kjo edhe sipas studimeve të realizuara nga vendet tona partnere. Vitet e fundit kemi afruar rreth 3 mijë të rinj duke ulur moshën mesatare të efektivëve tanë, trend që do ta ruajmë për të arritur te mesatarja e vendeve të BE-së. Njëherësh ne jemi tejet të fokusuar tek rritja e cilësisë së edukimit dhe trajnimit policor për të rinjtë që i bashkohen shërbimit. Këtë ambicie po e konkretizojmë me partnerë si Italia, në mënyrë që Akademia e Sigurisë të jetë në rangun e simotrave të saj europiane.
Sfidë për ne ka qenë shtrirja tërësore e modernizimit të Policisë së Shtetit përmes investimeve në teknologji dhe pajisje inteligjente. Askush më mirë se ju se di që vetëm përmes avantazheve që krijon teknologjia, vende të vogla si Shqipëria mund të bëjnë kapërcime domethenese dhe të rrisin cilësisht punën në drejtim të uljes së kriminalitetit në të gjitha format e tij.
E megjithatë, ne jemi të ndërgjegjshëm që rritja e bashkëpunimit dhe nivelit të modernizimit në punën operacionale, krijon edhe risqe të reja që lidhen me sigurinë sidomos në sferën virtuale, çka kërkon vëmendjen tonë të përbashkët. Krimi kibernetik po shndërrohet në një formë të re tejet të sofistikuar që po sfidon cdo ditë agjencitë tona ligjzbatuese dhe cënon sigurinë e qytetarëve. As Policia e Shtetit Shqiptar nuk qe imune ndaj agresioneve kibernetike të këtill lloji. Ndaj ne kemi nisur një etapë të re dhe të vështirë investimesh të mbrojtjes kibernetike. Ky është një proces i gjatë dhe ku natyrisht ekspertiza e lartë europiane nga vendet tuaja është e mirëpritur.
Me këtë panoramë jam i bindur se dita do të vijojë në formë të frytshme, për të diskutuar hapur dhe gjetur zgjidhje praktike mbi sfidat me të cilat përballen policitë në të gjitha vendet tuaja. Ju uroj punime të mbara konferencës dhe shpresoj të keni mjatueshëm kohë për ta vizituar e shijuar Tiranën e cila ju mikpret në të gjitha dimensionet e saj. Faleminderit!
Fjala e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Muhamet Rrumbullaku:
I nderuar z. Ministër,
Të nderuar kolegë dhe pjesëmarrës,
Është privilegj jetësor për mua si Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit shqiptar, të gjendem sot mes profesionistësh të lartë, kolegësh të shquar e bashkëluftëtarësh, drejtues të policive të kryeqyteve europiane me të cilët ndajmë jo vetëm nderin që mbart vija e parë e frontit të luftës ndaj krimit, por dhe sfidat e këtij misioni, dilemat, prespektivat, prioritetet dhe ngarkesat.
Krimi është sot më shumë se kurrë, pa shtetësi, pa një trajtë të caktuar, dhe e vetmja rrugë si mund të parakalojmë në këtë trajektore plot pengesa, është bashkëpunimi, koordinimi dhe unifikimi i hetimeve dhe aksioneve të përbashkëta policore. Ndonëse titullarë të policive të ndryshme, qytetarët tanë kanë të njëjtën nevojë dhe garanci për siguri, për mirëqënie dhe për mbrojtje. Për ta përmbushur efektivisht këtë mision, lind nevojë dhe detyrim njëkohësisht që të bashkërëndojmë kapacitetet njerëzore, burimore, informative dhe ato logjistike.
Sot jemi këtu, pikërisht për të gjetur rrugë të duhura drejt këtij bashkëpunimi, për të shkëmbyer ide dhe eksperienca profesionale, për të prioritizuar forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit, por edhe për t’u njohur dhe krijuar marrëdhënie miqësore dhe partneriteti, të cilat natyrshëm ndikojnë në klimën e mirëbesimit reciprok. Qëllimi i përbashkët për të forcuar bashkëpunimin dhe rritur akoma më shumë parametrat e sigurisë në vendet tona nuk është vetëm deklarativ, por i konkretizuar në shkëmbime të informacioneve dhe eksperiencave, në zhvillimin e trajnimeve, hetimeve dhe operacioneve të përbashkëta, si dhe në ofrimin e ndihmës së ndërsjellë logjistike dhe teknike.
Të nderuar kolegë,
Në fokus të kësaj konference do të jenë disa nga sfidat e përbashkëta të sigurisë, shkëmbimi i eksperiencës, evidentimi dhe promovimi i praktikave më të mira të bashkëpunimit, me qëllim përballimin e sfidave të reja dhe aktuale, përballë të cilave na ka vendosur krimi. Lufta kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve të paligjshme është përparësi absolute në të gjitha vendet tona. Të gjithë biem dakord, se një nga mënyrat më efikase për shkatërrimin e grupeve të organizuara kriminale që veprojnë në shtete të ndryshme, është krijimi i skuadrave të përbashkëta hetimore, por kur vjen puna për zbatimin në praktikë të këtij mjeti të rëndësishëm, dalin problematika që vijnë nga legjislacioni, organizimi dhe kompetencat e ndryshme të agjencive të zbatimit të ligjit, si dhe probleme me burimet njerëzore dhe materiale, për mbështetjen e këtyre skuadrave të përbashkëta.
Policia e Shtetit Shqiptar ka aktive 20 skuadra të përbashkëta hetimore, nga të cilat 14 me Italinë dhe pjesën tjetër, me vende të tjera të BE-së dhe EUROJUST dhe rezultatet janë premtuese. Në këtë drejtim janë hasur vështirësi për funksionimin e tyre, për arsyet që përmenda, ndaj ju ftoj ta shfrytëzoni këtë aktivitet, për të shkëmbyer ide dhe mendime se si mund të lehtësohet ky bashkëpunim.
Sulmet dhe krimet kibernetike, nga një rrezik i papërfillshëm jo shumë kohë më parë, janë kthyer në një nga kërcënimet më serioze dhe sfida të vërteta për agjencitë ligjzbatuese në mbarë botën. Aktualisht, institucionet, qytetarët dhe krimi manovrojnë në të njëjtën hapësirë, tashmë krejtësisht virtuale. Kërcënimet kryesore kibernetike përfshijnë vjedhjen, fshirjen ose dëmtimin e bazave të të dhënave, aseteve dhe materialeve, hyrjen e paautorizuar në hapësirat virtuale publike ose personale, terrorizmin dhe sulmet kibernetike. Në këtë kontekst të ri, siguria kibernetike është tashmë pjesë e sovranitetit shtetëror. Platformat shtetërore të informacionit janë shpesh “preja” e përsosur për ata që duan të shkaktojnë dëme apo të përfitojnë. Vendi ynë është përballur vitin e kaluar me 2 sulme të sofistikuara kibernetike, të cilat kanë goditur drejtpërdrejt infrastrukturën dhe shërbimet teknologjike të disa institucioneve dhe të Policisë së Shtetit. Tipologjitë e sulmit kanë qenë të njëjta dhe kanë synuar marrjen dhe shkatërrimin e bazave të të dhënave. Falë reagimit në kohë dhe efikasitetit të specialistëve të fushës, sistemet e Policisë shqiptare i rezistuan kërcënimeve të vazhdueshme. Dëmet janë shumë më të lehta, krahasuar me shkallën e agresivitetit të goditjes.
Policia e Shtetit po bashkëpunon si në nivel teknik ashtu dhe në atë hetimor, me institucione dhe agjenci të zbatimit të ligjit, brenda dhe jashtë vendit, si dhe me Europol-in dhe Interpol-in. Gjithashtu, po bashkëpunojmë me shoqëritë e shërbimit të internetit, kompanitë ndërkombëtare që administrojnë rrjetet sociale dhe me Microsoft-in. Gjithashtu, na është ofruar ndihmë nga agjenci të zbatimit të ligjit të shumë shteteve, si dhe nga BE, NATO dhe SHBA, të cilët gjej rastin t’i falënderoj, për solidaritetin dhe mbështetjen e ofruar. Këto sulme përbëjnë për ne një sistem alarmi se siguria kibernetike kombëtare duhet të mbrohet nga kërcënimi dhe dëmtimi, duke përdorur metoda moderne dhe teknologjinë më të fundit, për të siguruar se funksionaliteti i platformave të informacionit online të mos ndërpritet, nëse ndodh një sulm tjetër kibernetik. Situata të tilla kanë nevojë për një qasje të drejtpërdrejtë për të mbrojtur të gjithë infrastrukturën, duke përfshirë sigurinë fizike dhe atë kibernetike. Rishikimi i niveleve të kërcënimit ka një ndikim të madh, pasi pritshmëria është që shërbimet e sigurisë të kenë aftësinë për të reaguar ndaj këtyre sulmeve në çdo çast. Kjo kërkon burime njerëzore dhe logjistike, të përgatitura.
Për këto arsye, Policia e Shtetit ka vlerësuar që strukturat kundër krimeve kibernetike të fuqizohen dhe të ngrihen në nivelin e duhur. Përditësimi i strukturave përgjegjëse me metodologji, programe por dhe me specialistë, të aftë për t’iu përgjigjur çdo situate, sado komplekse qoftë ajo, përbën një sfidë në rritje për organet tona të sigurisë. Bashkëpunimi sa më i ngushtë mes organizatave tona do të na ndihmojë që të përballojmë çdo sfidë. Në konferencë do të ndajmë me ju përvojën e përftuar nga Policia e Shtetit, në rastet e sulmeve kibernetike të vitit të kaluar.
Një tjetër çështje, që shqetëson shpesh drejtuesit e policisë në kryeqytetet evropiane, është menaxhimi i ndeshjeve sportive me karakter kombëtar apo ndërkombëtar, si dhe aktivitetet me pjesëmarrje masive të njerëzve. Policia e Shtetit tashmë ka krijuar një përvojë pozitive në marrjen e masave për garantimin e rendit dhe sigurisë publikë në ndeshjet ndërkombëtare të organizuar në vendin tonë. Në përmbushje të detyrimeve që rrjedhin nga procesi i integrimit në Bashkimin Europian, kemi krijuar Pikën Kombëtare për Shkëmbimin e Informacionit për Ndeshjet Ndërkombëtare të Futbollit. Shkëmbimi i informacionit bëhet tani në rrjetin e këtyre pikave. Vitin e kaluar në Tiranë, u zhvillua finalja e parë e UEFA Konferencë Ligë. Në vlerësim të riskut të kësaj ndeshjeje, veprimeve të strukturave të Policisë së Shtetit, si dhe falë bashkëveprimit e koordinimit të tyre me delegacionet homologe, u arrit që ndeshja të realizohej me sukses dhe pa probleme të rënda për rendin dhe sigurinë në kryeqytet.
Në muajin mars 2023, në lidhje me ndeshjen ndërkombëtare të ekipeve përfaqësuese Poloni-Shqipëri, të zhvilluar në Varshavë, përveç informacioneve të shkëmbyera me pikën e kontaktit në Poloni, jemi ftuar dhe kemi asistuar në këtë ndeshje, me një delegacion të Policisë së Shtetit. Bashkëpunimi dhe koordinimi i veprimeve të përbashkëta rezultoi i suksseshëm, pasi nga tifozët nuk pati raste të cenimit të rendit, si jashtë dhe brenda ambienteve të stadiumit. Siç e evidentova në shumëllojshmërinë e çështjeve që shtrova për diskutim më lart, shumë më shumë janë misionet që na bashkojnë se ato që na ndajnë. Nisur nga ky postulat i rëndësishëm, përmbushja e objektivave të së ardhmes, mbetet plotësisht në dorë të vullnetit tonë institucional, urave që do të zgjedhim të ndërtojmë dhe “sytë” e partneritetit, miqësisë dhe kolektivitetit me të cilin do të zgjedhim ta shohim dhe ta integrojmë njëri-tjetrin në të ardhmen.
Në cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit shqiptar, ju shpreh gatishmërinë, devocionin dhe profesionalizmin e plotë për të qenë krah secilit prej jush sa herë terreni, siguria e qytetarëve tanë dhe sovraniteti i vendeve tona ta kërkojë të nevojshme.
Ju falenderoj për pjesëmarrjen dhe uroj që gjatë qëndrimit tuaj, të keni mundësinë të njiheni edhe me anën tjetër të medaljes, atë të vlerave, kulturës dhe traditës shqiptare. Sot Tirana mikëpritëse, ulet në tryezën e madhe të kryeqyteteve europiane, si një kryeqytet i sigurtë, fisnik dhe bujar. Përgjatë qëndrimit tuaj do të keni mundësinë të njihni ndërthurjen e vjetër historike me atë të së ardhmes premtuese dhe moderne. Faleminderit!
Fjala e Drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, Drejtues i Parë Tonin Vocaj:
I nderuar z. Ministër,
I nderuar z. Hupin,
I nderuar z. Drejtor i Përgjithshëm,
Të nderuar kolegë nga policitë e kryeqyteteve europiane,
Të dashur kolegë dhe pjesëmarrës ne këtë konferencë,
Më lejoni, që në emër të Policisë së Tiranës dhe në emrin tim personal t’ju shpreh mirëseardhjen në Tiranë, në takimin e 43-të të Policive të Kryeqyteteve të Europës. Për Policinë e Shtetit, zhvillimi i kësaj Konference në Tiranë do të thotë shumë, ndërsa për mua personalisht, përveç se është kënaqësi e veçantë, ky takim është vërtet shumë i rëndësishëm. Prania sot e drejtuesve të policisë së kryeqyteteve së vendeve Europiane, është vërtet domethenëse, kjo jo për shkak të funksionit që ne mbajmë, por për shkak të rolit dhe përgjegjësisë që ka gjithsecili prej nesh në luftën kundër kriminalitetit. Ky takim shpeh qartazi një angazhim të të gjithëve për forcimin e marrëdhenieve të bashkëpunimit mes vendeve tona, dhe një garanci për paqe, harmoni dhe siguri në rajon.
Europa përballet çdo ditë me sfida nga më të ndryshme të sigurisë. Por, krimet e rënda, krimi i organizuar, krimi kibernetik, terrorizmi dhe flukset migratore, përbëjnë padyshim sfidat më të mëdha të cilat kurrsesi nuk mund të adresohen të vetme. Sot krimi nuk ka kufi apo kombësi, karakteri ndërkufitar, madje transnacional i tyre, nxjerr si domosdoshmëri bashkëpunimin dhe koordinimin e energjive të përbashkëta në luftën kundër tij. Politikat strategjike dhe sektoriale të Qeverisë dhe të institucioneve janë qartazi të orientuara në garantimin e një ambienti të sigurtë dhe përafrimin e standarteve ligjore dhe praktike me ato të BE-së, për një luftë sa më efikase dhe pa kompromis kundër grupeve dhe interesave kriminale. E parë nga ky këndvështrim, ne po investojmë seriozisht në forcimin e kapaciteteve njerëzore dhe logjistike për parandalimin dhe hetimit e çdo lloj aktivitetit kriminal, si garanci në rritjen e zbulueshmërisë së veprimtarisë kriminale dhe vënien para përgjegjësisë të autorëve.
Të nderuar kolegë,
Shqipëria është një vend që promovon stabilitet dhe siguri, jo vetëm për qytetarët e saj, por edhe për rajonin dhe më gjerë. Tashmë ne jemi pjesë e disa misioneve ndërkombëtare, e nismave rajonale që promovojnë marrëdhënie paqësore fqinjësore dhe në rrafshin rajonal, jo vetëm si konsumatore të sigurisë, por edhe ofrues të saj, institucionet ligjzbatuese shqiptare vijojnë të demostrojne vullnet të pakufijshëm për të garantuar dhe eksportuar siguri. Në mjedisin aktual të sigurisë, paqja dhe stabiliteti rajonal kërkojnë përpjekje të përbashkëta në adresimin e shumë sfidave, kërcënimeve dhe rreziqeve të sigurisë.
Shpesh këto sfida, me të cilat përballemi, janë të paparashikueshme dhe komplekse dhe që prekin shumë sektore të jetës. Qasja e përbashkët ndaj këtyre sfidave rikonfirmon besimin tonë të fortë që angazhimi dhe bashkëpunimi i agjencive ligjzbatuese të gjitha vendeve europiane, është i domosdoshëm në parandalimin, menaxhimin dhe reagimin ndaj kërcënimeve të sigurisë të kohës sonë. Në veçanti për vendin tim, bashkëpunimi rajonal në fushën e rendit e sigurisë është jetik, jo vetëm për të trajtuar me sukses kërcënimet e përbashkëta, por edhe për të kapërcyer pengesat historike. Prandaj vlerësojmë se, siguria bashkëpunuese mbetet detyra dhe angazhimi ynë kryesor.
Marrëdhëniet ndërmjet vendeve të rajonit në Ballkanin Perëndimor dhe BE janë përmirësuar dhe bashkëpunimi ka njohur rritje cilësore dhe sasiore. Tashmë rajoni është në gjendje të prodhojë stabilitet të brendshëm dhe të kontriubojë për sigurinë dhe paqen edhe ne hapësira gjeografike përtej tij. Në bashkëpunimin shumëpalësh, të infrastrukturave të përbashkëta për lëvizjen e lirë të njerëzve, ideve, mallrave dhe kapitaleve, duke e shndërruar rajonin në një treg terheqës dhe konkurues për investimet e huaja, si dhe duke nxitur bashkëveprimin dhe mes kulturave të ndryshme.
Pavarësisht prirjes pozitive, siguria e rajonit mund të cënohet nga një gamë rreziqesh. Pozita gjeografike e vendos Shqiperinë në hartën e transitit të narkotikëve me origjinë nga Azia dhe afër rreziqeve që burojnë nga destabiliteti në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut. Këtu përfshihen transferimi i konflikteve politike apo fetare të brendshme, trafiqet e ndryshme dhe emigracioni i paligjshëm. Shqipëria renditet ndër vendet ku zhvillimi i telekomunikacionit, qasja në internet dhe informatizimi i shoqërisë, përparon shumë shpejt.
Zhvillimi me hapa të shpejtë i teknologjisë së komunikimit përbën një vlerë të shtuar në zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të vendit, por në të njëjtën kohe, ajo e ekspozon atë ndaj rreziqeve të natyrës kibernesike me aktorë shtetërorë dhe jo shtetërorë. Sulmet kibernetike kanë potencial për të dëmtuar rëndë shkëmbimin e informacionit në institucionet publike, të telekomunikacionit dhe sistemit financiar e bankar, duke shkaktuar edhe ndërprerje të shërbimeve jetike.
Gjatë vitit 2022 në Shqipëri ka pasur tendencë rritje të sulmeve kibernetike në domain-et qeveritare, si dhe hakërimi i sistemeve të Policisë së Shtetit nga hakerat iraniane. Duke marrë në konsideratë kërcënimet dhe rreziqet me të cilat përballet infrastruktura kritike kombëtare, një vëmendje e veçantë i është kushtuar forcimit të infrastrukturës teknologjike të Policisë së Shtetit.
Terrorizmi ndërkombëtar dominon spektrin e kërcënimeve asimetrike dhe parashikohet të përbëjë rrezik të drejtpërdrejtë për sigurinë e rajonit. Ashtu si të gjitha vendet e tjera, Shqipëria është e ekspozuar ndaj rrezikut të mundshëm të ndonjë sulmi terrorist, si rezultat i anëtarësisë në NATO dhe kontributit për paqen dhe sigurinë globale. Ekstremizmi me frymëzim ideologjik, fetar apo nacionalist ushqen veprimtaritë terroriste.
Ideologjitë e skajshme mbështeten te padija, varfëria, mungesa e shërbimeve shtetërore dhe lidhjet e shumëfishta rajonale dhe ndërkombëtare. Këto shkaqe krijojnë terren për rekrutimin e individëve vulnerabël, të cilet marrin pjesë në konflikte ndërkombëtare. Për shkak të pritjes së tij ekspansioniste, ekstremizmi mund të përbëjë rrezik për kohezionin dhe vlerat e shoqërisë shqiptare dhe të rajonit.
Krimi i organizuar në format e trafikimit të drogës, të armëve të zjarrit, municioneve dhe personave, mbetet një faktor me rrezikshmëri të lartë. Ai ka fituar pushtet ekonomik dhe përdor presione të shumëllojshme për të shmangur kundërvenien e agjencive ligjzbatuese.
Krimi i organizuar cenon integritetin e proceseve publike demokratike, qëndrueshmerine e sistemit financiar dhe pengon zhvillimin ekonomik dhe social të vendit, si dhe besueshmërinë e qeverisjes.
Shqipëria ka kryer reforma të thella ligjore e institucionale dhe ka bërë progres të dukshëm në konsolidimin e shtetit të së drejtës dhe në luftën kundër kriminalitetit dhe korrupsionit.
Objektivat e vendosura në këtë fushë dhe sfidat me të cilat do të përballemi, kërkojnë një ritëm më të lartë e shpejtësi më të madhe në realizimin e programeve tona, bazuar në institucione më të forta e struktura më të konsoliduara. Zbatimi me konsekuencë i Reformës në Drejtësi dhe plotësimi i detyrimeve në kuadër të integrimit europian, janë drejtime të rëndësishme që përcaktojnë veprimtarinë e strukturave ligjzbatuese në vendin tim.
Me hapjen e negociatave, në kuadër te procesit të Integrimit Europian, nga strukturat përkatëse të Policisë së Shtetit është mbështetur procesi për hartimin e dokumenteve strategjike, përgatitjen e materialebe e dhënies së kontributeve në kuadër të hartimit të Progres Raporteve të Komisionit Europian për Shqipërine, të Takimeve të Komitetit dhe Nënkomiteteve të Stabilizim Asocimit (KSA-së, JFS-së, etj,) si dhe është raportuar periodikisht për progresin e Policisë së Shtetit në luftën kunder Krimit të Organizuar, Migracionit të Paligjshëm dhe Financimit të Terrorizmit, në zbatim te rekomandimeve të Komisionit Europian. Gjithashtu është ndjekur në vazhdimësi procesi për analizimin e legiislacionit shqiptar me legjislacionet e Bashikimit Europian, si dhe përgatitja dhe miratimi i ndryshimeve të nevojshme në legjislacion, duke sjellë përqasjen e legjislacionit kombëtar me atë komunitar si të kapaciteteve administrative me praktikat më të mira të vendeve anëtare.
Në përfundim të kesaj fjale përshëndetëse, do të doja t’ju shpreh edhe një herë mirënjohjen time të sinqertë për të gjithë pjesëmarrësit dhe shpresoj që koha juaj këtu të jetë produktive, temat që do të trajtohen në këtë takim, eksperiencat ge do të ndajmë me njëri-tjetrin, do të jenë me shumë interes për të gjithë pjesëmarrësit dhe me rendësi konkrete për forcimin e bashkëpunimit mes nesh për të garantuar një rend dhe siguri rajonale.
Ju uroj qëndrim të këndshëm dhe ta shijoni sa më shumë Tiranën tonë të bukur. Ju faleminderit!